E enjte, 08.05.2025, 11:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Anton Marku: Cikël me poezi nga libri 'Duke pritur ditën e tetë'

E hene, 17.06.2024, 06:53 PM


Cikël me poezi nga Anton Marku

nga libri ‘‘Duke pritur ditën e tetë’’

Botoi IWA Bogdani (maj 2024)

PËLLUMBAT E ZINJ

Njëzet e disa vjeç ishim

kur u zgjuam

në të tashmen e atëhershme

Nuk e dinim

se nga kush po i fshihnim sytë

pa i shkruar asnjë letër askujt

Donim të vdisnim

pa u bërë pleq

të deheshim me atë pak

që kishte mbetur

në fund të gotës

Livadheve të bardha

të dimrave tanë.

ILUZION

Në botën time

detit i mjaftoi

një pikë loti

që të përmbytet

Unë u bëra re

qiellin ta mbrojë nga toka

Me të dy duart

zhvarrosa Parajsën.

SHIRAVE TË VJETËR

Prapë nuk ia dole të më djersitësh

duart e së njëjtës erë

të tërhoqën nga fundi

Edhe kësaj radhe u nise

pa e ditur se për ku

Shirave të vjetër t’i numërosh

orët që nuk kthehen më

Pa të shkuar në mend

se kurdoherë

mund të ishte e fundit.

ARRËTHYESIT

Ne jemi trupa

të ngjizur nga dy duhama

gjatë një nate të epshme

Që nga dita e parë e ardhjes

fletëve të ujit ecim

pikave të shiut u marrim erë

Dielli na spërkat

me pika të grisura drite

Me imtësira mbushim ditët

emrat tanë i gjejmë

faqeve të palexuara të librave.

ZONJA NGA BANAKU

Shtirej sikur ishte e dashuruar

por nuk ishte

Askujt nuk donte t’i thoshte

se vuante për sytë që kishte parë

në fytyrën e një burri

Një mëngjes të përgjumur

kohës ia lëshoi dorën

hapave të tij u shkoi nga pas

pa e ditur se në cilën derë duhet trokitur

I mjaftonte

ta puthte hijen e tij

në flokët e saj.

Paturpësisht.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx