Kulturë
Hamdi Hysuka: Zëra poetikë nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora
E diele, 16.06.2024, 06:58 PM
Zëra
poetikë nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora
Nga
Hamdi Hysuka - Kryetar i Klubit
Letrar “Pjetër Budi”, Mat
Festivali
Ndërkombëtar i Poezisë, “Drini poetik”, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, u
organizua së bashku me Degën e Lidhjes
së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Kukësit, në shenjë të Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, më 9 e 10 qershor 2024, në Prishtinë, Prizren e Kukës.
Pas
sesionit letrar “UÇK-ja në poezinë e sotme shqipe”, në program ishte
"Vepra e hapur", ku u përuruan gjashtë botime të reja, mes të cilave
përmbledhja poetike "Shqipëri, zemra jonë!", botim i ShShASh
"Zëri i Mërgimtarit" në Novara të Italisë.
Në
recensën e poetit, prozatorit e publicistit të mirënjohur, prof. Ndue Dedaj, me
titull "Gjeografi e poetikës shqiptare", lexuar nga Hamdi Hysuka,
redaktori i librit, shkruhet:
Gjithmonë
është bukur kur poetët mblidhen për të shqiptuar para njëri-tjetrit poezitë e
tyre, si në një festival múze. Aq më shumë kur kjo ndodh në një vend të huaj,
në këtë rast Italia. Edhe në mos paçin poezitë gjithnjë figurshmërinë e duhur
artistike, kanë shpirtin shqiptar që vibron në vargje, duke të kujtuar
dashurinë e rilindasve tanë të mëdhenj për Shqipërinë. Në këtë kuptim poezia që
i kushtohet Atdheut është përherë e freskët, iluminuese, drithëruese. E tillë
vjen dhe përmbledhja poetike "Shqipëri, zemra jonë!", me zëra poetikë
nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora, ku kemi në emigrim aq shumë poetë.
Mbizotërojnë poezitë kushtuar Atdheut, Shqipërisë, Kosovës, Çamërisë, Preshevës,
Tomorit, Rozafës, Reçakut, Lirisë, Pavarësisë, Skënderbeut, Nënë Terezës, Norës
e Shotës, Nolit dhe Çerçiz Topullit, siç janë të ndjera poezitë për poetët
martirë Blloshmi, Leka etj. Poezi ku rroket gjithë përjetime e përsiatje e
djeshmja dhe sotmja, flamuri dhe heroizmi, stinët dhe motet, vendlindja dhe
lapidarët, plisi e guri, lumi dhe deti, qyteti dhe fëmijëria, kitara dhe
simfonia, njeriu dhe fjala, gruaja dhe dashuria, amaneti dhe iluzioni.
Renditja
e poezive në këtë vëllim është bërë sipas vitit të lindjes së autorëve
pjesëmarrës. Në poezinë "Atdheu im", që hap librin, poeti vlonjat
Myrteza Mara, këndon si një bard i hershëm motmotesh. Poetja e mirënjohur nga
Kosova, Flora Brovina, që i bën nder çdo antologjie poetike shqiptare, mediton
në poezinë "Thirrje Kosovës". Shenjtëresha e mirësisë së botës ka
frymëzuar aq shumë poetë shqiptarë, ndër 'ta dhe Iliaz Bobajn, me poezinë
"Ardhja e Nënë Terezës". Myftar Gjonbalaj sjell përmes vargjeve
epikën shqiptare të bjeshkëve të Plavës dhe Gucisë, aty ku për 'të bora është
më e bardhë se tjetërkund. Poeti matjan, Hamdi Hysuka, njëherësh veprimtar i
palodhur dhe reporter i tubimeve letrare, është i lidhur shpirtërisht me
vendlindjen dhe e poetizon atë mjeshtërisht, edhe në frymën e këngës popullore
të trevës. Poeti Shyqri Galica, një emër i njohur në letrat shqipe në Kosovë e
më gjerë, edhe si studiues i letërsisë e gazetar, ka fiksuar në poezinë e tij
një ngjarje të pazankonshme, pandeminë, që si një "murtajë" e
"tërmet" tronditi thellësisht jetën globale. Poeti i njohur, Petraq
Risto, që shquhet për tingëllimën moderne të lirikës së tij, në poezinë
"Mëngjesi" i thur himn lirisë. Poeti mirditas me ndjeshmëri të hollë
dhe kulturë të shkruari, Ndue Lazri, në poezinë "Grua" i bën një himn
të rrallë poetik femrës, kurse në poezinë "Pema e dashurisë" të
befason me qasje figurative. Poeti nga Drenica, Sokol Demaku, sjell lumin e tij
poetik, si një metaforë e jetës që ikën e nuk kthen. Poetja durrsake,
Trandafile Molla (Baja), i qaset Atdheut me mallin dhe dashurinë e mërgimtarit,
duke u bërë zë i shqiptarëve që kanë emigruar si kurrë ndonjëherë në këto
tridhjetë vjetët e fundit. Poeti përmetar, Lumo Kolleshi, e gjen motivin e
spikatur poetik në jetën e të atit usta, që ndërtonte shtëpi për njerëzit, duke
prekur si relike të çmuara muzeale çantën dhe veglat e tij të punës. Poeti
kërçovar, Adem Xheladini, përmes një fabule artistike të gjetur dhe imagjinatës
krijuese i qaset me origjinalitet poetit kombëtar at Gjergj Fishta, në njërin
nga përvjetorët e tij të lindjes. Poetja Xhemile Adili i drejtohet qiellit,
perëndisë që t'i falë një ëndërr, që ajo të shkruajë në fund të detit një emër
që di mbi çdo gjë. Mjaft poetë të
befasojnë me poezi të tyre të veçanta, për mënyrën e receptimit të dukurive dhe
realizimin artistik të tyre, si: Astrit Lulaj, Diana Tabaku, Xhilda Dede,
Rudina Çupi, Klodiana Kadillari, Neviana Shehi... Mund të vazhdohet kështu me
të gjithë poetët e kësaj përmbledhjeje poetike, mbasi secili sjell larmi
motivesh nga jeta shqiptare. Motivet e atdheut askund nuk gjallijnë në shumë se
në këto fletë. Dhe janë aq shumë gra dhe vajza në këtë libër që thurin vargje
për atdheun, jetën, dashurinë. Ato vijnë veçanërisht nga Kosova. Motivet e tyre
nuk janë të sajuara, por jetësore e njerëzore. Nuk ka cak për poezinë, se ajo
hyn ashtu si dielli, si ajri kudo ku ka jetë, duke krijuar një himn atdhetarie
e shqiptarie. Kjo është dhe gjëja më e rëndësishme e kësaj përmbledhjeje të
gjërë me poezi. Megjithatë, aty-këtu vargjet rrokin dhe problematika sociale të
tranzicionit, që duhet thënë se nuk e ngadhnjejnë, por e varfërojnë poezinë.
Prishtinë, më 9 qershor 2024