Kulturë
Suzana Kuqi: Ku ishte....
E hene, 19.01.2009, 10:18 PM
 Suzana Kuqi
Suzana Kuqi
Ku ishte....
 
Nëse do t'a shkruaja mbi nje fletë 
të bardhë, ne vend te vizave te drejta, do të vizatoja tela me gjëmba, 
e do të shkruaja mbi to...
 
 
Doktori, ose herr Doktori, hoqi dorezat dhe doli nga laboratori. Nxorri paketën dhe ndezi 
një cigare që filloi t'a tymoste lehtë. Pak më tej, ndën rrezet e një 
dielli të zbehtë shqoi bardhësinë e trupave të xhveshur. Ishin vetëm 
trupa ose më mirë skelete të shtrydhura nga çdo esencë që mund të të 
kujtonte njerëzoren. Vuri buzën në gaz kur mendoi neverinë që i kishin 
shkaktuar në fillim. Tashmë shumë prej tyre ishin “ish-kaviet e tij”. 
Vetë Zoti i tyre i kishte pranuar flitë që në kohëra që nuk mbaheshin 
mend, kafshë të vrara e të djegura në tempullin e tij. Ky ish më i 
madhi që i bëhej, në sofër i servirej populli i “zgjedhur”. “I 
zgjedhur”...?! Një valë urrejtjeje të paspjegueshme ju ngrit sërish. 
Kish qenë ky qëllimi i eksperimenteve të tij, vërtetimi mbi pabarëzinë 
e rracave, rraca e tij ishte superiore. Aq i bënte tani, të gjente se 
ku i kishte rrënjët ajo urrejtje, atij i ishte dhënë një rast i 
papërsëritshëm, kavie njerëzore. Duke tymosur qetë dhe me një hap po aq 
të qetë, ju afrua grumbullit të trupave. Një çast qielli u hap duke 
zbrazur një tufë rreze. Mbajti hapin. Nga grumbulli kish rrëshqitur 
një ish-kavie e tij, një trupth, një kokë e rruar me sytë... Jo nuk 
kish mundësi, pak orë më parë e kish mbi tryezë... I kish injektuar 
substanca në sy për t'u ndryshuar ngjyrën. E nuk kish hequr dorë edhe 
kur trupi i lidhur kish ngrirë e nuk jepte më shenja jete. I donte të 
kaltër ata sy, si ajo e rracës së tij. Donte me çdo kusht të shikonte 
se si dukej një fëmijë ebre me sy arianë që të kishin firmën e dorës së 
tij. Jo se nuk kish fëmijë të tjerë ebrej me sy të kaltër, por sytë e 
këtij fëmije, edhe se të erret kishin një ëmbëlsi... i ishin cingrisur 
nervat që në fillim kur e kish parë, e më shumë kur ngjyra e tyre nuk 
jipej. E tani ishin të kaltër. Apo ishte qielli që ishte reflektuar në 
to? Era u ngrit e zhvendosi renë e errët të tymit të krematores duke 
errësuar qiellin. Por sytë mbeten të kaltër. Ndezi një cigare tjetër pa 
vënë re se re të errëta e të ngarkuara tashmë ishin mbi kokën e tij. Ja 
arrita, mendoi, ja arrita...
- Ku je Zot !?- i 
klithi sfidues qiellit me gjithë forcën e mushkërive. Pastaj shpërtheu 
në të qeshura. Hodhi bishtin e cigares së mbaruar e me hapa të shpejtë 
hyri në ndërtesën ku ndodhej laboratori i tij. Duhej të shpejtonte, 
lufta ishte në mbarim e me të mbaronte dhe periudha e artë e 
eksperimenteve. Disa pika shiu i njollosën këmishën e bardhë. Ishin të 
errëta, shi i përzier me tym e hi që e kish ngritur era. Ktheu edhe një 
herë kokën nga grumbulli i kufomave të cilën një skuadër të burgosurish 
po e ngarkonin në karroca dore për të ushqyer gojën e zezë që villte 
zjarr, të krematorit. Mbi një tezgë, si dy copa të pastra qielli, 
shndrisnin sytë e fëmijës. Ju duk sikur dëgjoi klithmën e tyre 
: 
-Ku je Zot !?
Të njëjtat 
me fjalët e tij, por toni ishte akuzues.
 
 
 
- o -
Shiu pikoi gjithë ditën. Bashkë me të hiri dhe dheu. Të 
burgosurit, skelete ende lëvizës, hidhnin skelete të ngrirë në gojën 
kuçedër. Asnjë mendim, asnjë ngurrim,u hiqnin ndonjë dhëmb floriri po 
të kishin, e... Tashmë ishte një punë mekanike, ashtu do t'i hidhnin 
edhe ata... pas pak çastesh apo pas pak ditësh. Ajo që i mundonte më 
shumë, ishte ajo tokë që rigonte nga qielli. Asnje rreze dielli atë 
ditë, e kur mungonte edhe ai... Veshi u kish kapur lajme të mira, nga 
lindja po marshonin tanket për t'i liruar. Por edhe ky mendim u bënte 
keq, u bënte t'u rrihte zemra e gjunjët t'ju këputeshin nga emocioni, e 
po të binin në tokë... nuk do të pritnin as të jepnin frymë e do t'i 
kallnin në atë gojë të zezë që villte zjarr. Edhe qielli ishte fshehur. 
Zoti i tyre i kish braktisur...
 
 
 
 
 
- o -
Pas hekurave të dritares së ngushtë të barrakës, 
një tjetër fëmijë ndoqi me sy trupin e vogël tek mbartej mbi karrocë. 
Kish mbetur pa gojë, vëllai i tij binjak, me sy të ëmbël në gjyrë dheu 
të errët, tani i kish të kaltër e shkëlqenin si dy copa të bukura 
qielli. Dy qiej të vegjël aty poshtë, ju dukën atij, ndërsa toka kish 
kalëruar e mbuluar qiellin e rigonte hirin e vdekjes. Holokausti, 
banketi i perëndisë, e ai e pa veten si një grimcë të tij. Por a kish 
nevojë qielli për të? A thua Zoti që e kish krijuar, nuk mund t'i 
shkruante një fat tjetër? Nëna i kish thënë se nëse nuk ishte shkruar 
që të rritej, do të bëhej një engjëll i bukur i qiellit. E përfytyroi 
veten me krahë të brishta engjëlli. Por çfarë bëjnë ëngjëjt? Një 
engjëll duhet të jetë i dashur, misioni i tij është të përhapë dashuri, 
por ai... ku do t'a gjente atë dashuri... Tani që nuk e kishte më 
vëllain e tij... sa e kish dashur... një vrull urrejtjeje ju ngrit për 
gjithshka, jo vetëm për njerëzit e egër me uniformë, por për gjithshka, 
për ato qenie të mjera që nuk ngjanin më si njerëz, për fatin, për 
jetën... Jo për jetën, donte të jetonte. Kjo është çmenduri, të lindësh 
për të jetuar dhe...
- Ku je Zot!?- pyeti ai, 
- ku je fshehur?
Dhe mendja e tij e njomë dhe e mpirë u vu në lëvizje 
për të kërkuar Zotin, për t'ju lutur që ta linte të jetonte. Ra 
mbrëmja e ai u kot për gjumë. Cfarë e priste nesër? Herr Doktori kish 
marrë dy çifte binjakësh atë ditë në barrake dhe kish fiksuar edhe atë. 
U rrënqeth kur kujtoi atë çift binjakësh që Herr doktori i kish qepur 
për t'i bërë siamezë. Nuk do t'i shihte më, vdisnin të gjithë. Ai 
është i çmendur, mendoi, i çmendur dhe i frikshëm. Mos vallë do t'i 
mbillte edhe atij në sy dy copa që do t'ja vidhte qiellit?... Ndoshta, 
nëse vazhdonte kështu nuk do ta shihnin më qiellin, atë do t'a 
kalëronte toka duke e varrosur pak nga pak në sytë e fëmijëve... Edhe 
Zoti do të jetë çmendur... këtu në Aushwitz...
 
 
- o -
 
- Ku je Zot!? - mërmëriti lutës fëmija para 
se të mbyllte sytë, e trurin ja përshkoi mendimi se ndoshta ishte e 
fundit natë që sytë do t'i kishte në ngjyrën e dheut të murrmë. E 
papritur e gjeti përgjigjen e cila mundohej të mos mjegullohej nga 
gjumi. Zoti nuk është çmendur, kur toka kalëron qiellin...është 
fshehur... fsheh turpin e tij...I gjithëfuqishmi... është aq i 
fuqishëm... e aq i pafuqishëm kur ndesh çmendurinë njerëzore... Fëmija 
përfytyroi veten në vend të Zotit tek kqyrte dhomat e shfarosjes. 
Njerëz që shtynin njerëz, e që i lanin me gazin vdekjeprurës të 
tokës...
- “Njerëz të çmendur, Luftë e 
çmendur, Botë e çmendur...”- i oshëtiu në veshë një zë i 
paidentifikuar, tek humbiste në honet e gjumit.
 
 
 
 
Shënim :
- 
Ndryshimi i ngjyrës së syve, një prej shumë eksperimenteve të 
zhvilluara në kampet famëkeqe naziste të përqëndrimit.
-
Shkruar për ditën e Memories, 27 Janar, por... a mjafton një ditë... Le 
të kujtojmë Kosovën...
Fjala holokaust – i djegur 
tërësisht- i referohesh sakrificave që u kërkohej të bënin ebrenjtë nga 
perëndia e tyre Torah, kafshë të vrara e të djegura në altarin e 
tempullit. Në fillim të shek XX ky term ju atribua masakrave dhe 
katastrofave në shkallë të gjërë. Për shkak të kuptimit teologjik që 
mbart kjo fjalë, shumë ebrej nuk e shohin të përshtatëshme në këtë 
përdorim, e quajnë ofenduese të mendosh se vrasja e gjashtë milion 
ebrenjve të ketë qenë “ofertë për Zotin”. Nga ana tjetër, populli i 
tyre nuk u dogj i tëri, një pjesë i mbijetoi genocidit. Ndaj në vend të 
saj përdorin fjalën Shoa.
 
27 Janar- Dita e Memories. A mjafton një ditë... Le të kujtojmë Kosovën.
 

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










