Mendime
Adil Fetahu: Manastiri i kishës ortodokse serbe, depo armësh dhe fortifikata terroristësh
E shtune, 23.03.2024, 08:59 PM
MANASTIRET E KISHËS ORTODOKSE SERBE, DEPO ARMËSH DHE FORTIFIKATA TERRORISTËSH
Nga
Adil FETAHU
Kisha
Ortodokse Serbe (KOS) nuk është organizatë fetare e krishterë. Ajo është
organizatë legale apo sektë fetare parashtetërore, paramilitare, klerofashiste,
me të gjitha tiparet mesjetare. Tërë veprimtarinë e vet e mbështetë në mite e
gënjeshtra të asaj kohe, duke ua përshtatur kushteve dhe rrethanave të reja.
Ajo është shmangur nga krishterimi burimor dhe ka marrë një drejtim tjetër, të
cilin e quan – svetosavle. Sintagma e svetosavles është: ‘Jedan
narod, jedna religija, jedna drzava’ (një popull, një religjion, një
shtet). Në këtë frymë edhe sot po punohet në projektin ‘Srpski svet’
(bota serbe) dhe për këtë projekt bashkëpunojnë ngushtë Shteti, Kisha, AShA, Lidhja e Shkrimtarëve dhe mediat.
Svetosavle është një rrymë e
nacionalizmit fetar (etnofiletizmi), e cila nuk duron në mesin e vet
askënd të përkatësisë tjetër fetare. Dhe ky etnofiletizëm ka qenë dhe është në
simfoni të plotë mes kishës dhe shtetit të Serbisë, prej Mesjetës deri në ditët
e sotme, me një ndërprerje të shkurtër gjatë ekzistimit të Jugosllavisë së
AVNOJ-it (1945-1989). Një nga ideologët më të çmuar të KOS, Nikollaje
Velimiroviq, ishte bartës i shtafetës së nacionalizmit dhe antisemitizmit serb
brenda asaj kishe. Ai e admironte Hitlerin si shembull tipik të nacionalizmit,
shembullin e të cilit duhet ta ndjekin serbët, dhe mësimet e Hitlerit i
krahasonte me mësimet e sv.Savës! Në KOS sot janë të njohur emrat e të
ashtuquajturve ‘’justinovci’’, si eksponentët më ekstrem të entonacionalizmit
serb. Ata janë peshkopë, në hierarkinë më të lartë të kishës serbe dhe përbëjnë sinodin ideologjik të KOS (Amfillohije
Radoviq, Atanasije Jevtiq, Aretmije Radosvleviq (ka vdekë), Irinej Bulloviq,
etj.). Aspak më i mirë nuk ishte patriarku Pavle as nuk është patriarku aktual,
Porfirije.
Roli
i KOS në luftërat e përgjakshme në Jugosllavi
Pas
periudhës së shekulLarizmit (ndarjes së kishës nga shteti) që ishte në
Jugosllavinë komuniste të Titos, me fillimet e krizës politike në Jugosllavi,
Kisha Ortodokse Serbe u kthye dhe fitoi hapësirë të gjërë në skenën politike të
Serbisë. Ajo e përkrahu S.Millosheviqin të ngritët në majat e pushtetit. Krahas
ndryshimeve kushtetuese që u bënë në vitin 1989, me suprimimin e autonomisë së
Kosovës e të Vojvodinës, KOS po atë vit hartoi programin e saj të aktivitetit
kishtar-nacionalist. Mediat kishtare: ‘’Glas crkve’’, ‘’Pravoslavle’
etj, dhe botime të veçanta të kishës e intensifikuan dhe ashpërsuan retorikën e
tyre, gjoja për viktimat dhe gjenocidin kundër serbëve që kanë pësuar gjatë
Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë. Nisën të hapin varrezat, të nxjerrin
kafkat dhe eshtrat tjera, i radhitnin nëpër shtroje në tokë, lamentonin mbi to
në transmetime televizive dhe me përcjellje të mediave tjera. I ‘nxoren’ dhe
shëtitën nëpër tërë Jugosllavinë eshtrat e Car Llazarit. Kështu manipulonin me
ndjenjat e popullit, për të ngritur tensione dhe urrejtje ndaj Kroatëve,
Shqiptarëve e Boshnjakëve. Nga terreni dërgoheshin informata të rrejshme për
vrasjet, dhunimet, përdhosjen e varrezave e të kishave, detyrimin e serbëve për t’u shpërngulur nga
Kosova. Në saje të asaj propagande të rrejshme që plasonte kisha serbe nga
Kosova, peshkopi Pavle në dhjetor u zgjodh në pozitën e patriarkut të KOS, edhepse
patriarku German ishte gjallë dhe shëndosh e mirë!
KOS
e arsyetonte dhe përkrahte luftën që po zhvillohej në Kroaci e Bosnje, zhvillonin
ideologjinë për krijimin e Serbisë së Madhe, i bekonte udhëheqësit e
formacioneve ushtarake e paramilitare, Karaxhiqin, Mlladiqin, Sheshelin, Arkanin e të gjithë të tjerët, të
cilët bënin masakra në popullsinë civile. Në Manastirin e Cetinjes (korrik
1991) Arkani me paramilitarët e tij (‘Tigrovi’) qëndroi disa ditë, duke
u përgatitur për të shkuar në Dubrovnik. Ai thoshte: ‘Komandanti suprem yni
është patriarku Pavle’, ndërsa Pavle nuk distancohej nga kjo as nga
krimet që kryenin me emrin e tij. Po kishte edhe prelat të lartë kishtar të
cilët shkonin në luftë bashkë me forcat paramilitre; fotografitë e tyre me
mitralez në krah, ose të hipur në tanke pranë mitralezit, i patën vërshuar
mediat botërore. Ndonjë prelat i lartë (peshkopi Kaçavenda) akuzohej edhe për
dhunimin e femrave boshnjake, sikur akuzohej më vonë për pedofili në ambientet
kishtare.
KOS
i ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet paqësore që ofronte faktori
ndërkombëtar, duke filluar nga Plani Vens-Owen, Planin e Grupit të Kontaktit,
Marrëveshjen e Dejtonit etj. Prelatë të lartë të KOS luftën në Bosnje e quanin
‘luftë e shejtë’, e drejtë, pravosllave, edhepse aty kryheshin mizoritë të më
të mëdha, deri në gjenocid.
Kështu
veproi KOS edhe në luftën e zhvilluar në Kosovë (1998/99). Kisha dhe shteti i
Serbisë paraprakisht, me gënjeshtrat dhe propagandën për rrezikimin e serbëve
të Kosovës, kishin krijuar klimën e urrejtjes patologjike, e cila shprehej e
zbatohej në praktikë më krimet monstruoze që kryenin forcat serbe në terren, me
vrasje, dhunime, masakra, djegëje e shkatërrime. Kisha asnjëherë zyrtarisht nuk
i dënoi ato krime, veçse apelonte te popullsia serbe të mos e braktisin
Kosovën: ‘Mos i braktisni shtëpitë tuaja për asnjë shkak, sepse vetëm ashtu
mund ta ruajmë Kosovën tonë të shenjtë në kuadër të Serbisë. Braktisja e
shtëpive është tradhti e idealeve më të larta, për të cilat janë sakrifikuar
knjaz Llazari dhe të parët tanë’, apelonte Sinodi i shenjtë i KOS (1998).
Vet patriku Pavle për luftën në Kosovë thoshte: ‘Kjo luftë (në Kosovë) është
luftë mbrojtëse, prandaj është e bekuar nga vetë Zoti. Nuk kemi pasur rrugë
tjetër; nuk është luftë sulmuese as pushtuese. Jezusi ka thënë: Nuk ka virtyt
më i lartë se sa kur dikush e flijon jetën për të afërmit e vet. Ai që shkon në
luftë mbrojtëse e ka bekimin e Zotit’, - nxiste për luftë kreu i kishës
serbe.
Ajo
kishë kurrë nuk i gjykoi krimet që bënë forcat serbe ndaj popullsisë civile në
Kroaci, Bosnje-Hercegovinë e Kosovë, madje nuk e ngriti zërin as kundër rrënimit
të xhamive myslimane e të kishave katolike. Përkundrazi, përkrahu, shërbeu si
logjistikë dhe i bekoi, lavdëroi e nxiti udhëheqësit dhe pjesëtarët formacioneve
kriminale të cilët bënin krime. Nuk ishte i rastësishëm refereni i këngës që
kondonte Gjorgje Ballasheviqit, e cila u bë hit gjatë kohës së luftës: ‘Prvo
dolaze popovi, pa topovi, pa lopovi’ (shq. së pari vijnë popat, pastaj topat,
pastaj banditët).
Karakterin
kriminal të Kishës Ortodokse Serbe e ka vërtetuar edhe gjykata franceze e
Parisit, në procesin gjyqësor të zhvilluar në qershor të vitit 1995. Atëherë
KOS e kishte paditur gazetën Liberation, për shkak të botimit të një
shkrimi, në të cilin tregoheshin lidhjet midis shtetit dhe kishës ortodokse në
spastrimin etnik në BH. Në një mënyrë gazeta e implikonte edhe patriarkun Pavle
në ato krime. Pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe ekspertëve, Gjykata (më 26
qershor 1995), në dispozitivin dhe në arsyetimin e aktgjykimit kishte vërtetuar
se shkrimi i botuar në gazetë nuk ishte shpifje, por vetëm e ka treguar të vërtetën
për përkrahjen dhe involvimin e kishës në pastrimet etnike dhe krimet tjera në
BH. Gjykata e kishte liruar nga
përgjegjësia kryeredaktorin e gazetës dhe autoren e shkrimit. Kështu, në mënyrë
indirekte e kishte gjykuar Kishën Ortodokse Serbe për rolin e saj në krimet e
kryera, gjë që është gjykimi i parë dhe i vetëm i një kishe në Europë për krime
të luftës.
Kishat
e manastiret si kazerma ushtarake e depo armësh
Kryetarja
e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alisha Kerns, në
fjalimin e mbajtur në Parlamentin britanik, më 4 korrik 2023, e akuzoi Kishën
Ortodokse serbe, se po bënë kontrabandë me armë, të cilat po i sjell nga Serbia
në Kosovë. Ajo tha se ushtarët (britanikë) të cilët janë kthyer nga shërbimi në
kuadër të KFOR-it, kanë treguar se KOS
po kontrabandonte armë me automjete të ndihmës së shpejtë dhe po i fuste në
manastire. Derisa trupat tona merrnin lejen për të vizituar objektet, ‘ndihma e
shpejtë i nxirrte armët nga kisha’. Çfarë ironie: organet kompetente (madje
edhe KFOR-i) duhet të merr leje për t’i ndjekur kontrabandistët e armëve dhe
kriminelët që fshehën në ambientet e KOS.
Deklarata
e zonjës Kerns ishte vetëm një konfirmim në arenën ndërkombëtare, për atë që
dihej prej kohësh, se kishat dhe manastiret e KOS janë fortitifikata, në të
cilat deponohen armë, sikur depotë e Mbrojtjes së dikurshme territoriale. Ato e
shfrytëzojnë statusin e eksterritorialitetit, mosçasjes së organeve të
pushtetit në objektet kishtare, për të grumbulluar armë e kriminelë brenda
‘fortifikatave të tyre’. Këtë e kanë praktikuar në kohën e luftërave në
ish-Jugosllavi, dhe vazhdojnë ta
praktikojnë edhe tash, në kohë të paqes relative, sepse gjithnjë kanë në mendje
luftën dhe pushtimet. Gjatë luftës në Kroaci, janë gjetur armë në varrezat e kishës
serbe dhe në Manastirin Gominje, të Gorski Kotarit. Këtë e ka vërtetuar vet
Gjenerali Klark.
Në
kohën para zgjedhjeve të përgjithshme në Mal të Zi, kohë e protestave që
organizonte KOS, të cilat i quante ‘litije’, për ta rrëzuar pushtetin atje,
manastiri i Cetinës armatosej për rezistencë të armatosur, në rast se dështonte
rrëzuarja e pushtetit me zgjedhje. Është shpallë, dhe i është dorëzuar
prokurorisë së shtetit të Malit të Zi, transkripti i bisedës së zhvilluar të
personave të Manastirit të Cetinjës me personat e organizatës terroriste
‘Shkalari’, për blerjen e 100 pushkëve kallashnjikovë AK-47. Pas atij zbulimi,
u hap barcoleta: ‘’Batina izasla iz raja, a kalasnjikovi iz
Cetinjskog manastira’ (‘Dajaku ka dalë nga xheneti, ndërsa kallashnjikovët
nga Manastiri i Cetinjes’). Dhe nuk është fjala për ndonjë metaforë, por
për një realitet brenda KOS, të përkrahur e ndihmuar nga strukturat e shtetit
të Serbisë e të Rusisë.
Në
Novi Sad janë zbuluar personalitete kishtare, të cilët shëtisnin rrugëve me
kryq në dorë, e me ‘Hekler’ nën veladon!
Arsenali
i llojeve të ndryshme të armëve, edhe aso të rënda, që u gjet në Manastirin e
Banjskës, në Kosovë (24 shtator 2023) veçse e vërteton realitetin, se KOS është
organizatë paramilitare, terroriste, që në sinkroni me strukturat e pushtetit
të Serbisë e të Rusisë, lufton për destabilizimin e shteteve fqinje. Këtë e ka konstatuar edhe Parlamenti Europian
në rezolutën e tij (14.03.2022, në të
cilën është konstatuar se ‘involvimet e jashtme mund të ndikojnë në instrumentalizimin
e institucioneve fetare, sikur është ndikimi i Rusisë në kishat ortodokse në
Serbi, Mal të Zi dhe BeH, veçmas në entitetin e quajtur Republika Srpska. Me
këtë shkaktojnë përçarje midis popullsisë lokale, zhvillojnë shkrimin e
njëanshëm të historisë dhe promovojnë programe antieuropiane’’.
Në
Rezolutën e Parlamentit Europian (19.X.2023), për rastin e Banjskes është
gjykuar sulmi terrorist që është zhvilluar nga Manastiri, me ç’rast u vra
oficeri i policisë së Kosovës dhe disa persona tjerë nga radhët e terroristëve.
Po
të ishte gjetur, qoftë edhe një pushkë në ndonjë xhami myslimane apo në kishë katolike të Kosovës, Serbia do të
kërkonte urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurimit! Ndërkaq, arsenalin e
armëve të gjetura në ambientet e Manastirit të Banjskës dhe aktin terrorist të kryer nga ai ambient,
pushteti i Serbisë e arsyeton me ‘’mbrojtjen e popullsisë nga
zullumi që po ushtron Albin Kurti mbi popullsinë serbe’’!
Organet
kompetente të pushtetit të Kosovës, duhet të jenë shumë më vigjilente dhe të
bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in për të parandaluar dhe kontrolluar ambientet e
kishave dhe manastireve të KOS, për të mos lejuar grumbullimin e armëve dhe
fortifimin e terroristëve në ambientet e tyre. Organet legjitime të pushtetit
nuk duhet të kërkojnë lejen e subjektit të cilin duhet ta kontrollojnë, por
lejen-urdhërin e prokurorisë kompetente. A do të kërkonin organet e Serbisë
leje për të kontrolluar ndonjë xhami në Luginën e Preshevës,poqese vërejnë se
aty po grumbullohen armë?! Eksterritorialiteti nuk do të thotë se kishat e
manastiret mund të shndërrohen në depo armësh e fortifikata terroristësh.