Mendime » Radovani
Fritz Radovani: 10 vjet pa ty o Dr. Pjeter Pepa
E premte, 22.03.2024, 09:26 PM
10 VJET PA TY O
DR.
PJETER PEPA
Nga
Fritz RADOVANI
Pritja
me buzqeshjen Tuej dashamirse në kliniken dentare të Shkodres, s’ na lejon me
kalue pervjetorët pa Ju kujtue, o i Nderuemi Doktor Pepa!
Ju
ishi një tubë vllazen të paharrueshem në Arren e Madhe të Shkodres plakë, që
keni trashigue vetitë mikpritëse dhe burrnore të njenes nder lagjet ma të
vjetra dhe të nderueme të qytetit tonë të bukur të Veriut!
E
Shkodra, nuk i harron kurr Bijtë e Saj të shtrenjtë e të nderuem! Ajo me
kujtesen e Saj të skalitun nder Gurt’ e Rozafës, kujton me respekt Mikpritjen
Tuej vllaznore gjithmonë të haptë e bujare si vetë Shkodra!
E
pra, Ajo Shkoderlocja të lindi, të rriti edhe të Burrnoi o Pjeter Pepa!
Jo
larg nga kryqzimi i rrugve të Arrës së Madhe në Shkoder, ku asht edhe Kisha e
Kuvendi i Françeskanve të vjeter të Shkodres, nen tingujt shumë të bukur t’ atyne kumonve asht le me 18
Dhetor 1942 Pjeter Pepa. Jo larg shtëpisë edhe asht shkollue në tetëvjeçaren e
asaj lagjes së tij të vjeter. Në vitet 1960-1965 ka krye Fakultetin e Mjekësisë,
dega Stomatologji, ku asht kenë student i dalluem në të gjitha drejtimet. Asht
emnue në kliniken dentare në Shkoder në vitin 1965. Ishte i prirun per studime
e ajo asht arsyeja që s’ asht shkëputë asnjëherë prej librave. Dr. Pjeter Pepa
ishte nder dentistët ma të persosun dhe të preferuem të Shkodres. Kujtoj shumë
mirë kur botimet e para shkencore i ka fillue në vitin 1966 në revistat
periodike: “Shëndeti”, “Shëndetësia Popullore” , “Buletini Shkencave Mjeksore”
, “Buletini Stomatologjik”, dhe në organet e shtypit periodik, ku ka botue edhe
artikuj të karakterit historik dhe kulturor.
Në
vitet 1969-70 Dr. Pjetri, ka shërbye në Lokalitetin e Dukagjinit, ku ka vazhdue
me mbledhë materiale studimore nga ajo krahinë. Në vitin 1972 ka krye kursin 3
mujor në Universitetin Shteteror në Tiranë, dhe ka dhanë disa provime në
Fakultetin e Histori-Filologjisë mbas-universitare edhe per gjuhët italisht,
frëngjisht e gjermanisht që kishte prirje per ato. Në vitin 1974 asht
specializue prap pranë Katedres së Stomatologjisë per Ortodonti. Gati dhjetë
vjet, ka drejtue repartin e Sherbimit të fëmijëve në Kliniken dentare në
qytetin e Shkodres, ku dallohej per kujdesin e madh që tregonte per shndetin e
tyne gjithmonë i qeshun dhe i gatshem.
Në
periudhën 1990–1996 asht angazhue në proçeset demokratike, e asht kenë zgjedhë
Deputet i Kuvendit Popullor per dy Legjislatura rradhazi.
Dr.
Pjeter Pepa ka krye edhe detyren e Ambasadorit të Shqipnisë pranë Selisë së
Shenjtë - Vatikan, gjatë vitit 1997, kur aty drejtonte Papa Gjon Pali i II, dhe
kujtohet mirë nga qytetarët e Shkodres komunikimi i Tyne.
Ishte
viti 1998 kur asht kthye në profesion të lirë si pedagog i jashtem pranë
Fakultetit të Mjekësisë. Dr. Pepa mbante detyren e Shefit të Sherbimit të
Pedodontisë pranë Albanian - University e, Shefi i Sektorit Shkencor të
Departamentit të Stomatologjisë pranë Universitetit.
Ishte
Anëtar i Komisionit Historik per Kanonizimin e Martirëve Shqiptar per
Vatikanin. Asht i dekoruem nga Presidenti i Republikës i asaj kohë me “
Medaljen e Trimërisë”, dhe ishte i zgjedhun nga Kuvendi Popullor me detyren e
Anëtarit të Bordit Drejtues të “Institutit Studimor per Krimet e Komunizmit në
Shqipni”. Ka shumë vlerë saktësia historike!
Dr.
Pjeter Pepa asht autor i shumë botimeve shkencore, kulturore dhe politike, ku
perfshihet edhe libri “Dosja e Diktaturës” Tiranë 1995, Nder botimet ma të
randsishme të Dr. Pjetrit mbeten ata historiko – fetare të vitit 2007, me
titull “Tragjedia dhe lavdia e Kishës Katolike Shqiptare”, nder dy vllime, e
“Familje Martire per Fe e Atdhe”, ku spikatë mjeshtria e Autorit në paraqitjen
e saktë e, gjithshka e dokumentueme historikisht.
Me
daten 23 Mars 2014, plot 10 vjet ma parë Dr. Pjeter Pepa, u nda nga kjo jetë
papritmas per ne që ishim larg nga Shkodra.
Qyteti
i Shkodres humbi një nga qytetarët e përgaditun si mjek dhe, një nga dijetarët
e njohun e të pazevendsueshem në fushen historike.
Institucionet
e interesueme të Shkodres per Veprat e Dr. Pjeter Pepës, asht mirë që të
ribotojnë prej thesareve të Tij kryesisht ato Vepra që janë aq të doemosdoshme
per edukimin atdhetar të Rinisë Shqiptare. E mos harroni se Veprat e Tij
historike kerkohen edhe n’ Australinë e largët!
Mjerisht
qytetarët si Dr. Pjeter Pepa, nuk vijnë shpesh qytetit Shkodres!
Kujtimi
i Dr. Pjetrit kjoftë i Perjetshem!
Melbourne, 21 Mars 2024.