Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Datat e daltueme n’gur
E enjte, 28.12.2023, 07:55 PM
Lexoni edhe: Fritz Radovani: Fjalimi i plotë i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes, 1919
DATAT E DALTUEME N’GUR
Permbledhje nga Fritz RADOVANI
At Gjergj Fishta (1871
- 1940) asht le në fshatin Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Ishte i biri i
Ndokë Simon Ndocit dhe i Prendes të Lazer Kacit prej Kotrri me emrin Zekë.
Asht pagëzue nga italo-arbneshi At
Leonardo de Martino, famullitar në Troshan.
Shkolla e Fretënve (Etënve Françeskaj)
ishte hapur qysh më 1861 në Shkodër.
Në vitin 1880 në Troshan afër
vendlindjes së Fishtës, françeskanët në kuvendin e tyne hapin Kolegjen ku Zefi vijon
sërish mësimet në Troshan, Eprorët vendosin që t’a dërgojnë për studime të
mëtejshme në filozofi e teologji në Bosnje. Bosnja në këtë kohë sapo kishte
fituar pavarësinë nga Turqia dhe katolikët sudionin tek Urdhri françeskan. Në
Bosnje françeskanët kishin një histori të mirë tradicionale të tyre me kisha,
famulli, kuvende, kolegje e seminare. Pas 5 vitesh studime në Troshan, Zefi u
nis vetë i shtati më 1886 së bashku me At Ejëll (Sebastjan) Paliq, At Severin
Lushaj, At Pjetër (Simon) Gjadri, At Loro Mitroviç (Pashko Mazreku), At Bona
Gjeçaj dhe At Pashko Bardhin (Anton Nënshati me emrin e pagëzimit, Martin;
Jozef Blinishti, me emrin Mhill).
Mësimet filozofike i mori në kuvendin e
Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Lexonte klasikët grekë e
latinë si dhe Dante Alighieri (1265-1321),
Sikurse dëshmon biografi i parë i jetës
së Fishtës, njikohësisht edhe koleg i tij At Pashko Bardhi. Fishta dallohej në
sprovat e hartimeve në punimet filozofike, teologjike e letrare vjetore në
gjuhët latine, italiane dhe kroate.
Fishta ideoi krijimin e një shoqërie të
vogël letrare-artistike, e cila do të mund zhvillonte e të ruante traditat dhe
vlerat më të mira të kulturës shqiptare. Në një letër, e cila mban datën 2
shtator 1892, ndër 10 nënshkruesit ishte edhe emni i fra Gjergjit. Ruejti emnin
Gjergj, emër me anë të të cilit ne sot e njohim poetin kombëtar. Emri i fundit
Gjergj, në aspektin fetar, personifikim i Shën Gjergjit, martir, shek. V, dhe
në anën kombëtare, emri i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Fishta
shpenzonte pak kohë në përgatitjen e mësimeve, pasi mjaftonte një lexim i vetëm
që ai t’i riprodhonte gati krejt përmendësh. Në vitin 1893 kandidati për
meshtar kthehet në Shqipni, tashmë i formuar edhe me kulturë gjuhësore në disa
gjuhë (latinisht, italisht, kroatisht, frangjisht e gjermanisht), me njohuri
mbi muzikën, artet figurative).
Të dielën më 25 shkurt 1894 në moshën
23 vjeçare, tha Meshën e parë në Troshan.
Fishta caktohet famullitar i përkohshëm
në famullinë e Gomsiqe.
Detyra e famullitarit i jepte mundësinë
që të ishte vazhdimisht në kontakt me grigjën e tij shpirtnrore dhe në këtë
mënyrë të prekte me dorë e të kundronte për së afërmi cilësitë morale e
shpirtnore të banorëve të këtyre maleve, doket, gjuhën idiomatike shpesh
enigmatike, bujarinë, nderin, besnikërinë, trimërinë, urtësinë, krenarinë,
drejtësinë, varfërinë ekonomike, mungesën e shkollimit, hakmarrjen, dëshirën
për të kenë të lire.
Fishta do të grumbullonte visarin
gjuhësor, i cili do të ishte brumi me të cilin do të gatuante ma vonë veprën e
tij letrare.
Në Gomsiqe “... Fishta do të njohë deri
edhe skutat më të thella, njerëzit që u bindeshin normave juridike të Kanunit,
Kodit Zakonor të Shqiptarëve ku asht pasqyrue shpirti i vërtetë i rracës.” “Në
Gomsiqe, koloriti i gjuhës së Zadrimës,”
Më 1899, Fishta shkruan me alfabetin
latin të françeskanëve.
Pra më 1899, falë miqësisë dhe
admirimit që krijoi tek abati Prengë Doçi, një nga personalitetet intelektuale
më të kulturuara të kohës, ky i fundit e ftoi Fishten si bashkëthemelues të
shoqërisë «Bashkimi» me Dom Ndoc Nikajn, e me At Pashk Bardhin, At Ambroz
Marlaskajn, etj.
Më 1899 themeloi Shoqërinë Letrare
“Bashkimi” së bashku me abatin të Mirditës, Imzot Preng Doçi, At Gjergj Fishta
i zotnonte të gjitha nivelet e komunikimit në gjuhën shqipe Po at vit vritet
vëllai për gjakmarrje, që u ba shkak që ai të shfryhet mbi këtë fenomen në
poezinë Gjaksorëve Me gjith këta, ky e fali mejherë gjaksin e pashpirt, e bâni çëmos
deri sa e detyroi të vetët jo vetëm me e falë, por edhe me u miqasue ato dy
shpi”.
1989 shënon edhe fillimin e
krijimtarisë letrare të Fishtës, e cila nis e publikohet së pari në revistën
Albania të Faik Konicës, por gati e gjitha me pseudonime. Po ashtu do të
botojnë edhe në perkohshmen Elcija (mâ vonë: Lajmtari) i zemres së Krishtit.
Në 1902 emnohet sekretar i Komisariatit
të Misionit Françeskan si dhe drejtor i shkollës Françeskane në Shkodër. Si i
pari drejtor shqiptar i kësaj shkolle, Fishta vendos në programin mësimor në
vend të gjuhës italiane, gjuhën shqipe në të gjitha lëndët.
Më 1911 u festue 50-vjetori i hapjes së
saj, dhe me këtë rast u ba nji aktivitet kulturor, në të cilin nuk munguen me
pjesëmarrjen e tyne autoritetet zyrtare, fetare, shërbimit diplomatik,
(konsullatës austro-hungareze), dhe shumë anëtarë të bashkësive të tjera fetare
myslimane dhe ortodokse.
Me 24 mars 1912, programi i këtij
aktiviteti ishte përgatitë prej vetë Fishtës. E thirrun prej të gjithëve në
Shkodër si shkollë kombëtare.
Në verën e vitit 1902, gjatë pushimeve
të verës Fishta shkonte në Rrapshë të Hotit për të zëvendësue famullitarin e
atij fshati, Át Leonard Gojanin, e aty frati do të njihej e të lidhte miqësi me
plakun Marash Uci, të cilin do ta përjetësonte më vonë në vargje.
“Kënaqej poeti, tue veshtrue kallximet e kreshnikut të maleve mbi lufta, në të
cilat ai vetë kishte pasë marrë pjesë si i ri. Përleshja te Ura e Rrzhanicës iu
ngul Fishtës në tru dhe, pa u largue nga ambienti i ushtarëve me çakçirë e
kapuç të bardhë në krye, u vu ta përshkruej, ashtu si e kishte ndigjue nga luftari.”
Në vitin 1904 Át Pashk Bardhi, ndërsa
nepte mësimin e gjuhës shqipe në Borgo Erizzo (Zara, Dalmaci) (Kroaci) dhe
ishte kthye në Shkodër për pushime, merr prej Fishtës për të lexue dorëshkrimin
e disa kangëve dhe mbasi dha pëlqimin për to, vendosi m’i botue. Do t'ishte
Faik Konica, botuesi i revistës Albania dhe njikohësisht miku i tyne, si dhe
ndihma financiare e Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze, të cilët do të
kontribuonin në botimin me titullin: Lahuta e Maltsiis - Kangë Popullore I -
Marash Utsi. Do t'ishte kjo sprova nismëtare, që do t’i nepte edhe famën At
Gjergj Fishtës. Edhe pse u botuen pa emën, Fishta muer urime e lavde nga shumë
miq, intelektualë shqiptarë mbrenda dhe jashtë Shqipnisë, si dhe nga albanologë
të huej.
Në 1906 Luigj Gurakuqi do t’ia
kushtonte Fishtës veprën e vet Vargnimin n’ gjuhë Shcype, e cila asht metrika e
parë në gjuhën shqipe.
Dy vjet ma vonë, 15 shkurt 1907, sëbashku
me Shtjefën Gjeçovin, themeloi të parën bibliotekë shkollore në Shqipni, Po
këtë vit pranë shkollës çon nji trupë teatrale amatore, në të cilën së pari do
të vêjnë në skenë pjesët e veta dramatike, si dhe përshtatjet nga gjuhët e
hueja, tue vû kështu nji tjetër gur themeltar në kulturën kombëtare. Po këtë
vit ai arriti me botue pjesën e dytë të "Lahutës" me titullin
Vranina, në të cilën protagonisti ishte sivëllai i Marash Utsit, Oso Kuka.
Në vjeshtën e atij dimni Fishta hapë
kurset e natës për të rritunit, për të mësue shkrim e këndim dhe ma vonë krijon
nji shoqni bamirëse për fëmijët e varfën, për të cilët siguron ndihma të
ndryshme ushqimore dhe veshmbathje. Ky do t'ishte nji nga shembujt e dashnisë
së krishtenë të të varfnit të Shën Françeskut në mision.
Po këtë vit arrin me botue në Sarajevë
përmbledhjen satirike Anzat e Parrnasit, të cilën Fishta ua kushton “mikrobeve
të Kombit” asaj frotës së shqiptarëve të shitun, pa ndërgjegje e moral mbi të
cilët Fishat lëshon pa mëshirë ironinë dhe sarkazmen e tij.
Në nandor 1908 mbledhet Kongresi i
Manastirit. Fishta së bashku me Luigj Gurakuqin merr pjesë atje si përfaqësues
i Shoqnisë Bashkimi, ku dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha
udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin.
Karshi Dom Ndre Mjedës, Mati Logorecit,
Hilë Mosit dhe Luigj Gurakuqit si përfaqësues nga Shkodra. Aty “Fjala plot
kuptim, logjika dhe oratoria e françeskanit të Shkodrës, që e bante Fishtën të
dallohej ndër të tjerë, ku bani që nga 52 anëtarë të Kongresit të fitonte për
vete 49 zâje posi kryetar komisioni, të ngarkuem për studim të alfabetit. Ishte
një triumf për fratin e përvuejtë”. Sipas Karl Gurakuqit: “kongresi e pau
t’udhës të caktonte poetin kombëtar Gjergj Fishtën ma fort në shenj nderimi dhe
çmimi për veprat poetike”. Për Prof.Tomor Osmanin përveç kësaj ai u zgjodh edhe
për: “erudicionin e thellë, kulturën e gjërë, forcën e fjalës, mendjen e
mprehtë dhe logjikën e fortë”.
Ditën e dytë të Kongresit të Manastirit
Gjergj Fishta mbajti nji fjalim të zjarrtë për vetitë e mira të shqiptarëve dhe
për nevojat e tyne. Fjala e Fishtës në Kongres simbas shtypit të kohës bani për
vedi të gjithë delegatët, mjafton me sjellë këtu nji letër të Pashk Bardhit
dërgue Shtjefën Gjeçovit, në të cilën i shkruen se fjalimi i Fishtës “kishte ba
me kja shumë kongresista dhe mbas fjalimit nji hoxhë toskë e ka marrë në grykë
me lot për faqe”. Fishta tashma ishte ba një personalitet publik i veçantë në
jetët e qytetit të Shkodrës, por edhe të të gjithë Shqipnisë, përmes njohjes
dhe bashkëpunimit me intelektualët ma të njohun, predikimeve, konferencave,
fjalimeve publike etj.
Jeta publike kishte ba që ai të merret
e të trajtojë edhe çashtje politike. Në të gjitha qeveritë shqiptare prej vitit
1912 e deri sa vdiq, ai kje përfaqësuesi i vërtetë i shqiptarit dhe i etnisë, kampion
i mbrojtjes së të drejtave të popullit të vet. Françeskanizmi shqiptar falë
kontributit të Fishtës do t'ishte ai që njihet. Ai ishte ndër patriarkët e
riorganizimit të Provincës. Në cilindo pozicion pune, famullitar, drejtor
shkolle, bibliotekar, botues, sekretar province, guardian, definitor, kustod, e
Ministër Provincial ai ishte shembulli i njeriut të përkushtuem, “... Një
avokat i përbetuem i integrimit të Shqipërisë në kulturën perëndimore të
krishterë.” Thotë Át Anton Harapi, nji prej kulturologëve ma të shkëlqyem
shqiptar, n'artikullin ”Shqiptari i Madh”, në rastin e nji botimi përkujtimor
mbi jetën dhe veprën e Fishtës, më 1943: ”Kam ndollë vetë aty, kur nji ditë,
nji shqyptar këthefit të vjetër, tue ankue për do shpërdorime të nierëzve të Shtetit
me A. Gjergjin, dote disi me përfundue, se së ka Shqypni. Fishta don t’ia
spjegojë punën, se njerzt e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i
diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë: Po na se kemi dijtë, more zotni...veç
prej jush e kemi xanë shka asht Shqypnija!”.
Po këtë vit ai nisë me lexue e
njikohësisht tuj studjue me kujdes e vëmendje veprat e Shekspirit e Molierit.
Vitin pararendës ai kishte ngritë një teatër të vogël, i cili vijonte ashtu si
me nismën e De Martinos. Kështu ai ven në skenë: Gjokë Tarçuku ase mjek
përdhuni, I ligu për mend, Dredhitë e Patukut. Fishta pati bashkëpunim me
motrat Stigmatine, të cilat kishin ardhë në Shqipni në 1879. Ato mbasi kishin
hapë në Shkodër shkollën e tyne për vajza (1876). 1925 e kthejnë me emnin Normalja
e Stigmatineve,
Gjithashtu në 1908-1909 shkruen
melodramat Sh’ Françesku i Asizit, e cila u shfaq me rastin e 700-vjetorit të
Urdhnit Françeskan (1209-1909), e që u botue në 1912, Odisea, Ifigenija n’Aulli
dhe Kryepremja e Shën Gjonit.
Po në 1909 boton në Zara Pika voeset,
Shtypshkroja Vitalini, nji përmbledhje lirikash fetare, vepër së cilës ma vonë
do t’ia ndryshojnë titullin në Vallja e Parrizit, por që kështu në botimin e
parë ia kushton Luigj Gurakuqit.
Në v. 1911, më 19 dhjetor, me rastin e
50 vjetorit të hapjes së shkollës françeskane nisë me shkrue dramën Juda Makabe,
të cilën e përfundon vetëm mbas tre vjetësh, por këtu në këtë përvjetor u shfaq
melodrama Shqyptari i qytetnuem, prej së cilës dilte mesazhi i Shqipërisë së
lirë, çka shkaktoi entuziazëm e brohoritje tek të ftuemit. Justin Rrota kujton
se “N’atë rasë, nepër dritën e llampavet, prej korit së kangtorìs pàsh, ke
burra me mustakë e pleqë me thìja, të përmalluem, kjajshin si fëmija”.
Po këtë vit falë autoritetit që kishte
dërgohet nga qeveria turke në Podgoricë së bashku me Imzot Jak Serreqin dhe Dom
Luigj Bumçin (1872-1945) si ndërmjetës për arritjen e marrëveshjes së paqes
midis Portës së Lartë të Stambollit dhe malcorëve kryengritës të Malsisë së
Madhe dhe të Mbishkodrës që u çuen kundër xhonturqve.
Më këtë rast nji vit ma vonë dekorohet
nga Sulltani me dekoratën Mearif për shërbime paqeje dhe humaniteti. Më 28
janar 1912, Klubi "Gjuha Shqype" në pallatin ipeshkvor në praninë e
Imzot Jak Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast
mbajti edhe nji ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës nji kunorë
argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe
nga Mbretëria Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912), për kontributin
kulturor në Shqipni, sikurse e përmendëm nga Turqia u dekorue me dekoratën
Mearif (1912), qyteti i Beratit i dërgoi nji pupël ari (pendë) (1913), Piu XI
Medaglia di Benemerenza (1925), Urdhni françeskan Lector Jubilatus (1929),
Greqia Phoenix (1931); qeveria italiane e bani anëtar të saj, Academico
d’Italia më 1939. Miqtë e tij të ngushtë do të ishin Imzot Prengë Doçi, Luigj
Gurakuqi, Faik Konica, At Pashk Bardhi, At Anton Zanoni S.J, At Pal Dodaj etj.
Nga tetori 1912 deri në fund të prillit
1913, kohë kur Shqipnia gjendej në prehën të pavarësisë së saj, dhe kur Imzot
Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi mbanin në kontakt gjithë zhvillimin e
ngjarjeve, për rreth shtatë muej Shkodra u rrethue nga ushtria malazeze dhe
kështu Fishta me Imzot Jak Serreqin arqipeshkvin e Shkodrës,
Më 12 qershor Fishta ngre flamurin
kombëtar në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, që dëshmon se edhe Shkodra u
bashkue me Shqipërinë mbas muejve të gjatë të rrethimit malazez. Në tetor të 1913
në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë, Fishta themelon të përkohshmen
Hylli i Dritës, nji nga revistat ma të mira në historinë e shtypit shqiptar. Qè
si shkruhej në editorialin e parë të saj “Perlimi ase programi i së
përkohshmjes sonë, s’âsht tjetër veç t’orvatunt për lulzim t’Fesë e t’Atdheut,
për t’marë t’Familjes e të zhdrivillimit t’Dijes në Shqypni, shka âsht njà për
njà si me thânë për gjytetni e përparim të vërtetë t’komit Shqyptar”. Këtu tek
kjo revistë Fishta do të tregojnë nji tjetër cilësi të formimit të tij
kulturor: publicistikën e tij. Do të jenë me dhjetëra artikujt letrarë,
politikë, pedagogjikë e polemikë që do t’i napin nji tjetër përmasë
personalitetit të tij. Hylli i Dritës mbas numrit të saj të dhjetë, Fishta
botoi artikullin e famshëm “Nji komedi e pandershme e XX-ës qindvjetë”, në
korrik 1914, që u ndërpre nga autoritetet ndërkombëtare (Komisioni i
Kontrollit) sepse Fishta e dënoncoi hapun për pandershmëri dhe pabesi
hipokrizinë dhe intrigat diplomatike që baheshin në kurriz të shqiptarëve. Për
pasojë drejtori i saj u padit në Romë prej qeverisë ndërkombëtare si njeri i
rrezikshëm për qetësinë e vendit dhe u dënue nga koloneli anglez G. Philipps me
20 muaj burgim në Maltë. Fishta iku fshehtas në Gomsiqe, tek Át Shtjefën
Gjeçovi, m'andej në Vig, ku ishte Át Pashk Bardhi e ma në fund në Troshan, ku
shërbente Át Pal Dodaj, sepse vetëm atje mund t'ishte jashtë juridiksionit të
ndërkombëtarëve, të cilët administronin vetëm Shkodrën.
Për fatin e Fishtës shpërtheu Lufta I
Botnore dhe ai doli jashtë vëmendjes. Më 28 Nandor 1913 u kremtue festa
kombëtare, natë në të cilën u lidhën simbolikisht me drita kandilash, minarja e
xhamisë së Fushë-Çelës me kambanoren e kishës së Gjuhadolit. Gjatë kësaj kohe u
desh ndërmjetësia e Imzot Serreqit, Imzot Bumçit e Imzot Kolecit që internimi të
pezullohej. Filloi edhe Lufta e Parë Botnore dhe çashtja e Fishtës sikur u
harrue, sepse ndërkombëtarëve u desh të merreshin me të tjera gjana më të
rëndësishme. Janari i v. 1916 e gjen Shkodrën sërish të pushtueme, kësaj here
nga austro-hungarezët, tashma jo për ndonji përfitim territorial, por ma tepër
për justifikim strategjik.
Ky vit do të shënojnë tre ngjarje të
randësishme për Fishtën: Themelimin e revistës Posta e Shqypniës (5.12.1916 -
11.1918), instalimin e shtypshkronjës françeskane, si dhe krijimin e
"Komisisë letrare" me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August
Ritter von Kral (1859-1918). Më 3 gusht 1916 e themelon, bashkë me Luigj
Gurakuqin, Rajko Nachtigall, Dom Mjedën, e Mati Logorecin, Gjergj Pekmezin, Át
Ambroz Marlaskajn, Át Shtjefën Gjeçovin, Sotir Pecin, etj. Komisia Letrare e
Shkodrës hedhi bazat e drejtshkrimit bazue mbi të dy dialektet e shqipes, si
dhe punoi për nji terminologji të re për administratën shqiptare. Mbas disa
diskutimeve Komisia vendosi të përdorej "dialekti i Elbasanit" si një
kompromis asnjanës për gjuhën letrare, më 1923 me nismën e Sotir Pecit. Ky
vendim binte mjaft në kundërshtim me dëshirat e Gjergj Fishtës, për të cilin
dialekti i Shkodrës ishte ma i përshtatshmi. Fishta shpresonte se koineja
shqiptare e veriut së shpejti do të shërbente si normë letrare për të gjithë
vendin, ashtu si gjuha e Dantes kishte shërbye si udhërrëfyese për italishten
letrare.
Po këtë vit më 5 dhjetor 1916 del numri
i parë i gazetës "Posta e Shqypniës" shqip – gjermanisht e subvencionueme
nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat
pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij
kombëtare. Doli dy herë në javë për dy vjet me radhë deri më 23 nëntor 1918
(gjithsej 89 numra), dhe punën e drejtorit për pjesën shqipe e kreu Át Gjergji,
i cili botoi aty afro 37 artikuj. Gazeta sipas Fishtës ishte ”themelue për
Kombin Shqyptar; veç po, artikuj kanë me u botue edhe gjermanisht, qi edhe dheu
i jashtëm të dijë do punë tona, për të cilat Kombi mundet me pasë interesë…”.
1916 Fishta sjell në Shkodër
shtypshkronjën, e cila do të marrë emnin Shtypshkroja Françeskane, pra
françeskanët tash e mbrapa do të kenë shtëpinë e tyme botuese. Kujtojmë këtu se
botimet e deritashme u banë në shtypshkronjën “Nikaj”. Bashkë me Át Harapin, e
Gurakuqin bajnë bashkë malcorët e Hotit e Grudës me ra në Shkodër në shenjë
proteste për lanjen e ktyne tokave Malit Zi. Më 1917 Kryeipeshkvi i Shkodrës e
merr Fishtën së bashku me Imzot Bumçin si pjestar të grupit negociator mes
qeverisë dhe malësorëve. Me përfundimin e Luftës së Parë Botnore, ushtria
austro-hungareze tërheket nga Shqipnia dhe del në pah çashtja e kufijve
territorialë. Kryetari i qeverisë së Durrësit Turhan Pashë Përmeti kryeson
delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në prill të vitit 1919,
në përbamje të të cilit janë edhe Imzot Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mehdi Bej
Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja dhe Dr. Turtulli.
Turhan Pasha emnoi Bumçin në krye të Delegatës, që të ndryshonte pamjen e huej
të Shqipnisë si "Turqi e vogël" tue qenë se ai kishte qenë ambasador
i Perandorisë Osmane në Shën Pjetërburg. Pas nënshkrimit të marrëveshjes më 29
korrik 1919, në mes Tittonit të Italisë dhe Venizelos të Greqisë, për ndarjen e
Shqipërisë, sipas Konferencës së fshehtë të Londrës të vitit 1915, delegacionet
shqiptare ishin të vendosur të bashkëpunonin me delegacionin e kryesuar nga
Luigj Bumçi, i cili zgjodhi sekretar të delegacionit Gjergj Fishtën.
Materialin, "Të drejtat e Shqipnisë etnike", në konferencë të mbajtun
në Universitetin e Parisit të shkrueme në frangjisht nga Fishta e lexoi Imzot
Bumçi. Bie në sy në këtë studim përgatitja e gjithanshme historike, kulturore,
etnografike, ndërtimi stilistikor në pikëpamje letrare gja që mbetet ende edhe
sot nji model i ndërtimit të nji esejeje apo shembull oratorie. Në letrën e Át
Fishtës, datë 13 shkurt 1920, shkrue nga Parisi, provincialit Át Vinçens
Prenushit, ndër të tjera thuhej: “Mos tjeter, preh fletoreve do të keni marr
vesht, se çë rrezik i zi i kercenohet Atdheut t`onë. Me 20 të Kallndorit
Konferenca u ka parashtrue Jugosllavëve nji projekt, mbas të cilit Greqija merr
Shqipniën jugore me Korçë e Argjirokaster; Italia Vlonen me hinterland e mandat
mbi shqypniën e mesme; Jugosllavija pershtrihet deri në Dri ose, ndoshta der
n`Mat”. Tue kenë se situata ishte ndërlikue së tepërmi, në lidhje me shqiptarët
dhe tue mos gjetë mbështetje nga Konferenca, delegacioni shqiptar, sipas letrës
të Fishtës, dërgon në Romë imzot Bumçin, së bashku Mehdi Frashërin, ditën e
dytë të Krishtlindjeve, te Papa Benedikti XV. Papa, tue qenë nga takimi i
maparshëm i mirinformuem rreth problemit shqiptar, ndigjoi me kujdes të madh
shqetësimet e delegacionit tonë. Në fund të bisedës, tue qenë i bindun se rreth
çështjes në fjalë, do gjejë mbështetje në partinë katolike në Parlamentin
italian, në diplomacinë angleze dhe amerikane, me të cilat Vatikanit kishte
marrëdhënie të mira, Papa pat deklarue se do bante çmos për ta shpëtue
Shqipninë nga moscopëtimi i matejshëm i saj. Tok me Bumçin më 5 shkurt, 1920,
zhvilluen takimin e radhës me kardinalin në zâ të Brukselit, Disidre Mercier,
primat i Belgjikës që me ndërkombtarizue ma tej çashtjen kombëtare, i cili muer
përsipër t’i shkruente në favorin tonë kardinalit të Londrës dhe të Burnit,
ekselencës së tij Balfuorit, mandej, mareshalit Fosh, Dechanelit, Milerandit
etj. Mundi dhe djersa e Fishtës dhe të gjithë tjerëve, që u kunorëzue me
pranimin e shtetit tonë më 30 gusht 1919 nga Brukseli dhe m'andej, më 19
dhjetor 1920, në Lidhjen e Kombeve, me këtë rast Shqipnia së fundi siguroi
tanësinë e saj, në kufijtë e Konferencës së Londrës të vitit 1913. Kështu Papa
Benedikti XV, më 12 nëntor 1920, emnon Ernesto Cozzi-n Delegat Apostolik për
Shqipninë, 35 ditë përpara se Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë si shtet
sovran, që do të thotë se Vatikani realizoi i pari njohen diplomatike de facto
të vendit tonë. Mbasi pranon se edhe ai vetë, sa herë ka marrë pjesë në
bisedimet me delegacionet e huaja:”Të them të verteten se m'âsht dasht
t'skuqesha për inferioritetin t'em. Âsht e kotë të gënjehemi. N'se përjashtohet
Gurakuqi qi vetëm ai ka nji kulturë të përshtatshme, ka nji atdhetari të
shëndoshë dhe nji njohuni të gjânë për njerëzit dhe për sendet e Shqypnisë,
asnji nga anëtarët e qeverisë, kjoftë të saj së maparshmes, kjoftë të së
tanishmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqypninë dhe të mbrojë
siç duhet interesat e sajë".
Më 1921 ridel pas 7 vitesh revista
Hylli i Dritës në rrugën e ndërpreme, ndërkohë që aktivitetin e tij botues,
Fishta e zhvillon në revistën "Zani i Shna Ndout".
Ndërkohë shkolla publike ishte nji
projekt i ri që Fishta me shokë e kishin gjithnjë në mendje. Niveli i
deritashëm nuk ishte i mjaftueshëm prandaj duhej nji gjimnaz klasik.
Duheshin sigurue ndërtesa, orenditë,
paisjet dhe mjetet didaktike shkollore, personeli i duhun, leja prej
autoriteteve kishtare e zyrtare. Fishta së bashku me Provinçialin e ri, At
Doden, shkojnë në Romë dhe takojnë Kryetarin e Urdhnit dhe priten për të dytën
herë në audiencë nga Papa Benedikti XV, i cili u dha nji shumë prej 100 000
liretash, ndërsa Kuria Gjenerale u nep nji hua me lehtësi shlyemjeje, ndihma të
cilat i ndihmuen për hapjen e shkollës publike me emnin tashma të njohun
"Illyricum" me nxanës të të tre besimeve, katolikë, myslimanë dhe
ortodoksë. Ndërtesa e bleme u bekue ditën e Shën Françeskut më 4 tetor dhe
mësimin e filloi më 10 tetor të vitit 1921. Në 64 vitet të jetës së saj
fillestare, ndër të cilat 22 vite si gjimnaz, tue i hjekë periudhën 3 vjeçare
1933-1936 të pezullimit, kjo shkollë i ka dhanë Kishës 4 ipeshvinj, 110 meshtarë,
10 provincialë, 125 fretën.
Më 6 qershor 1921 në zgjedhjet e para
demokratike Shkodrën e përfaqësojnë në Parlamentin e parë shqiptarë si deputetë
Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. Fishta në fillim
zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit
të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Kur
dëtyrohet m'e lanë propozon At Ambroz Marlaskajn.
Mbasi niset në shkurt 1922 nga
Liverpuli, në letrën e tij datë 8.5.1922, dërgue provincialit, At Pal Dodajt,
nga Uashingtoni thekson se, pas dymbëdhjetë ditëve udhëtimi me vapor nga
Anglia, ma në fund kishte arritë në Amerikë. Viziten e përshkruen mjaft bukur
në nji letër dërgue Pater Justin Rrotes, që daton 11 mars 1922. Pa humbë shumë
kohë, kishte fillue me bâ lobing rreth çashtjes së Shqipnisë. Mbas takimit që
pati me françeskanin me ndikim të madh në qarqet diplomatike të Uashingtonit,
At Godfried Shilling, Fishta takoi dhe senatorin katolik, Henri Cabot Lodge, i
Partisë Republikane, njeri me autoritet të madh dhe i nji mendimi me
Presidentin Wilson për të drejtat e barabarta të popujve.
Në letrën e naltcitueme, Fishta do
shprehej: “... âsht mirë qi Qeveria e Tiranes, t’i dejtojë nji shkresë
nënsekretarit të Ministrisë së Jashtme të Amerikës, tue kerkue zyrtarisht këtë
njohje...” Në fund të letrës, shkruen Fishta: “Ndërkaq vizita eme në Washington
ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të
Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si ato të
“Vatrës”, s’kanë pasë sukses… Qenë Senatorët katolikë, të cilëve ua paçë
paraqitë çashtjen sidomos në pikëpamje fetare, ata qi me ndërhimje të veta
xuerën njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”. Fishta, takimet në
Uashington nuk i kishte ba në rolin e nji deputeti të Shqipnisë, edhe pse ishte
mandatar nga populli në dy legjislacione, por si intelektual që kishte marrë
famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Faik Konica në përgjigje të nji letre që
Fishta i kishte dërgue, i shkruen nga Bostoni këtij të fundit: “Ju falem nderit
për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë nër Shqipëtarët e këtushëmë nji
kujtim lartësie dhe drite, që kà shuar gjithë moskuptimiet e shkuara”.
Ndërkaq tue u kthye nga Amerika, Fishta
i shkruen Át Pal Dodës se asht tue shkrue nji poemë satirike. Është fjala për
poemën "Gomari i Babatasit", vepër e cila u botue në dhjetor 1923, me
të cilën shënoi pjekuninë e tij të plotë artistike.
Po këtë vit del gazeta "Ora e
Maleve", që u ba shkolla e gazetarisë shqiptare, në të cilën kontribuen
oratoria e Dom Lazër Shantojës, mençuria e Luigj Gurakuqit, penda ledhatuese
dhe e ambël e Vinçenc Prennushit, studimet e holla të Anton Harapit, Nush Topalli,
Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Bernardin Palaj etj.
Për këtë gazetë Ernest Koliqi shkruen:
“Dihet se Ora e Maleve, e nisun ma s’forti me qellime kulturore, pat menjiherë
nji zgjanim të papritun politik edhe u ba organi i nji grupi qi përfshinte në
gjinin e vet fuqit fetare, shoqnore dhe ekonomike të Shkodrës unji dhe krejt
krahinës së saj. Grupin e kryesonte Luigj Gurakuqi. Shkodra nuk njofti kurr
stinë ma të lulzueshme me mugullime qellimesh e vullnetesh për nji përparim të
njimendtë qytetnuer. Shkodranët pa dallim besimesh, klasash shoqnore,
kulturash, me lagje të qytetit e me katunde e me male kreshnike... mblidheshin
tok rreth Gurakuqit,- Bashkqytetarit zemër-madh e mende-ndritun, qi dinte me
pajtue në shkrime në sjellje e në veprimtari ndertuese tharme jetike të
traditave të shëndosha me nevojët e kohës moderne. Ai kalonte udhës i përcjellun
gjithkund nga nji tubë djelmoshash e gratë nga dyert e oborreve me fëmij në
krah e reshëshin me nji breshën bekimesh.
Kalonte si profet i rrethuem nga
nderimi dashunuer i mbarë nji populli.” dhe vijon: “Prej frymzuesavet qi ishin
Imzot Mjedja, Gurakuqi,
Patër Gjergji, prej bashkëpuntorvet të
shquem si At Antoni, Shuk Gurakuqi, Kolë Kamsi, At Bernardin Palaj, prej
redaktuesavet të rendomtë qi ishim Dom Lazri dhe unë e deri ke shtypshkruesat
me Gjon Shqipnin ne krye e Tom Laca, shpërdas e shitës i fletores, kjo njehej
si nji gja qi ishte pjesë e sejcilit prej nesh, pjesë e shpirtit dhe e jetës
s’onë.”
Në votimet për Kuvendin Kushtetues në
dhjetor të vitit 1923, Fishta së bashku me Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin
përfaqëson Opozitën, por nuk kje e thanë sepse qeveria nuk zgjati as nji vit,
për shkak se Ahmet Zogu përmes Partisë Popullore vjen në pushtet më 24 dhjetor
1924. Burgosen Ndre Mjedja, Lazër Shantoja, Anton Harapi, Bernardin Palaj,
Klement Miraj; Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi detyrohen të largohen nga Shqipnia
dhe Fishta për të njajtat arsye largohet gjithashtu në Itali më 1925-26, ku
qëndron pranë Urdhnit Françeskan, ku mbas kurimit me kujdes t'ekspozimit në
pavionin shqiptar në Romë më 1925, u dekorue nga Papa Piu XII, e jo sikurse
asht shkruar në ndonji rast për shërbime klerikale. Hylli i Dritës preu frymën
përdhuni edhe nji herë tjetër mbas ndalimit të vitit 1914. Por, penda e poetit
nuk heshti. Më 1924 botohet për së dyti "Mrizi i Zanave" dhe në vitin
1925 "Vallja e Parrizit" (botimi i dytë), "Ifigjinia
n’Aulli", "Sh. Luigj Gonzaga" (1927), "Shqyptarja e
gjytetnueme", e cila u shfaq në vitin 1929, dhe në revistën "Leka",
"Mojs Golemi i Dibrës" e "Deli Cena".
Në janar 1930 (këtu incidenti me
Portland Cementi (142, 159, 164, 165), nis sërish pas një ndërprerje prej pesë
vjetësh, Hylli i Dritës, drejtimin e së cilës Fishta ua besoi sivëllazënve të
tij. Po më 1930 emnohet nga Urdhni Françeskan "Lector Iubilatus honoris causa".
Në vitet 1930 Fishta përfaqëson Shqipninë në Konferencat Ballkanike në Athinë,
(1930), në Stamboll, (1931), ku ai asht anëtar i delegacionit së bashku me
Mehmet Konicën dhe më 1932 në Bukuresht.
Më 1930 ftohet dhe pranohet anëtar i
Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Nju Jork, në të cilin merrnin pjesë
shkrimtarë nga rreth 60 shtete të ndryshme të botës. Qeveria shqiptare, për me
mbrojtë interesat e vendit, muer pjesë në disa konferenca ballkanike në
1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjes
së Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes
në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave në këto vende. Në 1930,
konferenca kje mbajtë n' Athinë, Shqipnia kje përfaqësue nga At Fishta dhe
Mehmet Konica.
Fishta në letrën e tij, datë 11 tetor
1930, nga Athina drejtue provincialit Át Vinçenc Prenushit, ndër të tjera,
thotë se Konferenca nuk kishte sjellë diçka të re, edhe pse Mehmet Konica me
referatin e tij, në krahasim më të tjerët, kishte qenë shumë në lartësinë e
duhun. Fishta, në këtë Konferencë qe përqendrue në zhvillimet kulturore në
Shqipni. Konferenca e dytë qe mbajtë në Stamboll, në vitin 1931, ku të
dërguemit e Shqipnisë, rishtas qenë Fishta dhe Konica. Kjo Konferencë, sipas
Fishtës, qe e organizueme shumë ma mirë se ajo e Athinës. Konferenca qe hapë
nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtë dhe Kryeministri i
Turqisë, Ismet Pasha. Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të datës
20.10.1931, drejtue provincialit, Pal Dodaj, tue ba nji përmbledhje të
Konferencës, ndër të tjera shprehet: “Sod, 21, kemi pasë luftë më Jugoslav në
Komisionin Politik, Mehmet Konica âsht sha keqas me Kryetarin e dergatës
Jugoslave me nji farë Topaloviç. Joviç, Kryetari e Dergates Jugoslave i paska
thânë Konitzes se âsht i shtím prej dikúj tjetër me prishë Konferencen.
Fishta, thekson se, për shkak të kësaj
ngatërrese, në mes këtyne dy delegacioneve,
Konferenca kje rrezikue të mbyllej para
kohe, por, nga ana e jugosllavëve ishin tërheqë fyemjet e bama ndaj
delegacionit shqiptar. Derisa grekët, rumunët dhe Turqia kishin kambëngulë që
të nënshkruhej në këtë Konferencë pakti për pakicat, nga ana tjetër bullgarët
kërkuen që kjo çashtje të shtyhet për nji konferencë tjetër, e cila do mbahej në
vitin e ardhshëm. Në v. 1932 u organizue Konferenca e tretë Ndërballkanike, në
Sofje të Bulgarisë, ku morën pjesë të njajtët aktorë dhe pati të njajtën
tematikë.
Át Fishta, posë rolit të delegatit,
tani kishte dhe rolin e provincialit, që përfaqësonte etnit françeskanë të
Shqipnisë. Mbas ktyne Konferencave maratonë Ndërballkanike, gjaja ma e mirë, që
ambëlsoi shpirtin e trazuem të poetit, ishte pranimi i tij si anëtar i
Bashkimit Ndërkombëtar i Poetëve, organizatë kjo e themelueme në Nju Jork.
Ky bashkimi ndërkombëtar i poetëve, ku
merrni pjesë rreth 60 kombe të ndryshme, ishte mënyra ma e gjetur për krijimin
e urave të reja të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit në mes diplomacive të
shumta botërore. Këto vite, ma të frytshmet e jetës së tij, i kaloi në qetësinë
e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, por pa u shkëputë kurrë nga
problemet e mëdha qytetase, kombëtare e botërore.
Të kësaj kohe janë edhe pjesa ma e
madhe e dramave lirike, tragjedive etj.
Më 1931 del nga botimi pjesa e tretë e
Lahutës me titullin Lidhja e Prizrendit, e cila ishte botue periodikisht në
revistën Hylli i dritës në vitin (1921-1922).
Nji vit m'andej, pra më 1932 boton në
revistën Leka fragmentin në vijim pas botimit në "Kalendarin e veprës
Pijore", të poemës Mojs Golemi, e cila u la në mes.
Antiklerikalizmi çuditërisht do të
kërkonte të përballej me françeskanët përmes dy ministrave t'arsimit, të cilët
ishin katolikë. Ivanaj kërkoj polemikën mbështetë në ligjin e datës 23 prill
1933, i cili i mbyllte tashma shkollat private, e që komunistët do ta zbatonin
besnikërisht 13 vjet më pas më 1946. Ka ngelë proverbiale thanja e Fishtës në
praní të nxanësve në oborrin e gjimnazit “Rrnoftë Shqipnia pa ne (këtu
françeskanët”. Gjimnazi u mbyll më 25 prill 1933, pas 12 vitesh si gjimnaz dhe
72 vitesh si shkollë fillore. Po këtë vit Fishta do të dëshmojë edhe nji tjetër
anë të personalitetit të tij kulturor, estetin. Në revistën Hylli i Dritës ai
do të publikojë traktatin estetik: “Shenime estetike, mbi natyrë t’artit”, të
lavduem edhe nga profesora t'universiteteve britanike tue pa te Fishta jo vetëm
nismëtarin e atij zhandrri në Shqipni por nji estet të përmasave europiane e
botnore që do çonte në nji stad të ri t'estetikës.
Gjithashtu me randësi asht reçensioni
që shërbeu si parathanje, bamun për librin "Kanuni i Lekë
Dukagjinit", mbledhun nga Shtjefën Gjeçovi dhe botuem pas vdekjes së këtij
të fundit, në të cilën ai shfaqi mendimet e tij vlerësuese për krijimtarinë
gojore. Fishta në tetor 1934 do të shkruente nji tjetër artikull magjistral si
përgjigje ndaj broshurës së Ismet Totos “Grindje me klerin” që ky i fundit
kishte shkrue si përgjigje ndaj polemikës që kishte me Anton Harapit. Mandej
Fishta i mërzitun nga mënyra se si ishin tue shkue gjanat, sikurse edhe në
vitet 1924-25, shkon në Itali.
Në qershor 1935 zgjedhet Proviçial. Po
këtë vit rihapet gjimnazi françeskan mbas seancave gjyqsore që kishte fitue në
Hagë kundër politikave të shtetëzimit e laicizimit t'arsimit t'aplikueme nga
Mosi e Ivanaj. Viti 1937 shënon 25 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë me ç’rast
ban edhe botimin përfundimtar të "Lahutës së Malcisë", e cila i
kishte kushtue ma shumë se 30 vjet punë. Në prill t'atij viti shkon me mision
në Çekosllovaki me detyrë prej Urdhnit.
Pushtimi italian i Shqipnisë më 7 prill
1939 solli pështjellim në jetën politike, sociale e kulturore të vendit. Më 3
qershor 1939 Fishta emnohet akademik i Italisë, çfarë do të sjellin edhe mjaft
polemika dashakeqe në Shqipninë e periudhës 1945-1990. Duhet skjarue se pranimi
i këtij vlerësimi nga ana e Fishtës nuk asht ba prej kurrëfarë hipokrizie
politike, aq ma keq kur Shqipnia sa ishte pushtue nga Italia dhe dihen
publikisht qëndrimet e Fishtës. Akademia e Shkencave e Italisë, ishte
institucion shkencor mbipolitik, dhe si i tillë e propozoi dhe e pranoi
unanimisht anëtar efektiv të saj Fishtën, për nji motiv të vetëm; personaliteti
kulturor, letrar dhe pse jo edhe politik i bante nder asaj akademie.
Aty nga fundi i vitit 1940 kërkon të
shkojnë në Troshan, aty ku kishte nisë së pari jetën rregulltare, e pse jo edhe
atë letrare, aty ku kishte mbathë sandalet dhe kishte vu rreth brezit litarin e
Shën Françeskut. Sëmuret me 10 dhjetor dhe kërkoi pranë vetes mikun dhe
Proviçialin At Pal Dodajn dhe sekretarin e tij Át Viktor Volajn, komentuesin e veprës
së tij poetike. Më 14 dhjetor e sjellin në Shkodër, ku e shtrojnë në spital.
Më 22 dhjetor, borën e skllotën që
kishte mbulue qytetin, Fishta e kundron nga dritarja e kuvendit. Më 22 ra një
borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Me 27
mjekët humbasin shpresat dhe Fishta bjen në kllapi. Fjalët e thanuna
sivëllazënve që i ndejtne afër:”Po des kondend (i kënaqun) përse kam punue për
Fe, Atdhe, e për Provincën tonë.",- e mbylli testamentin sipas Át Marin
Sirdanit.
Më 30 dhjetor 1940 Át Gjergj Fishta nep
shpirt. Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën e Gjuhadolit prej nga u
përcoll në banesën e fundit nga pothuej i gjithë qyteti si dhe autoritetet ma
të nalta të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gaspër Thaçi Arqipeshkëvi
Metropolit i Shkodrës. Telegrame të shumta ngushëllimi muer Provinçiali At
Çiprian Nika. Më 31 janar 1941 Akademia Mbretnore e Italisë mbajti nji Meshë
Drite në kishën artistike të saj të Shën Lukës dhe Shën Martinës, meshë të
cilën e udhëhoqi Gjenerali i Urdhnit Françeskan At Leonard M. Bello, këndue nga
Schola Cantorum e Vatikanit, ndërsa pjesën muzikore të saj e drejtoi muzikanti
i njohun Akademik Don Lorenzzo Perosi. Ndërsa nji tjetër ceremoni përkujtimore
u mbajt Reale Accademia d’Italia më 9 mars 1941. Përmbledhim këtu me vlerësimin
e bamë nga Ernest Koliqi se:”Tek Fishta u shkrinë në nji, tana cilsitë e tij
prej murgu, oratori, edukatori e politikani, ndërthurun në mënyrë të shkëlqyeme
në përkushtimin e lindun ndaj poezisë.”
Për Fishtën, gjuha shqipe është një
pasaportë e gjallë, që provon identitetin e të kenit shqiptar:
Nper gjuhë shqype bota mbârë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
me ju njohtë për shqyptarë,
trima n'zâ, sikurse jinni…
Tituj të veprave
1*Lahuta e Malcíse - poemë (Zarë, 1925)
2*Anzat e Parnasit - satirë (Sarajevë, 1907)
3*Pika voese, më vonë ribotuar si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909)
4*Shqyptari i gjytetnuem - melodramë
(1911) 5*Shqyptarja e gjytetnueme - melodramë
6*Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912)
7*Hylli i Dritës - revistë (1913)
8*Juda Makabé - tragjedi (1914)
9*Gomari i Babatasit (Shkodër, 1923)
10*Mrizi i Zânavet (Shkodër, 1924)
11*Sh. Luigji Gonzaga, (Shkodër 1927)
12*Lahuta e Malcís - botimi komplet
(1937)
13*Jerina ase mbretnesha e luleve,
(Shkodër, 1941)
Aurel Plasari ka thanë:
““Duke
rikthyer Gjergj Fishtën në historinë e letërsisë shqipe, nuk i japim atij vendin
që i takon, por i kthejmë histories së letërsisë atë çka i mungon”.
At Zef Valentini:
“Fishta asht një Homer shqiptar. Ai
nuk asht vetëm një poet i madh kombëtar.
Ai asht nga më të mëdhajtë në botë. E rëndësishme asht që ai të njihet prej saj”.
At Gj Fishta nga Lambertz…
Albanologu i shquar, përkthyesi
virtuoz i “Lahutës Malcisë”në gjermanisht, Dr. i Filozofisë Klasike Maximilian
Lambertz (1882-1963 ), shkruan më 1922 se:
“Fishta asht poeti ma
gjenial që deri më sot ka dhanë Shqipnia.
Ai asht Epiku ma i madh i
shekullit, Homeri Shqiptar dhe Lahuta Malcisë asht Iljada Shqiptare”.
(Gjergj Fishta: “Laute des Hochlandes” Leipzig 1948.
Melbourne, 22 Tetor 2022.
Lexoni edhe: Fritz Radovani: Fjalimi i plotë i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes, 1919
ZSH, 22.10.2022