Mendime
Enver Bytyçi: Xhelozia dhe urrejtja për njëri-tjetrin janë armiku kryesor i ne shqiptarëve!
E diele, 18.02.2024, 08:56 PM
Xhelozia dhe urrejtja për njëri-tjetrin janë armiku kryesor i ne shqiptarëve
Nga
Enver Bytyçi
Javën
që shkoi ishte në Tiranë sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Janë thënë shumë
fjalë për këtë vizitë. Por një fenomen tipik shqiptar thuajse askush nuk e ka
prek me sy, veshë, mendje apo ndjesitë e tij. Në konferencën e shtypit dallohej
qartë një përpjekje për ta tërheq shefin e diplomacisë amerikane në ndonjë
deklaratë kundër qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës. E njëjta ndodhi, madje
shumë hapur, kur nëntorin e vitit të kaluar ishte për vizitë në Tiranë
presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Gjithkush e kuptoi që kjo ndodhi për
shkak se kancelari refuzoi të adresojë kritika ndaj kryeminstrit të Kosovës.
Ndërsa shefi i shtetit francez i nxitur edhe nga ne u përkushtua me zell të
madh deri me bllokimin e liberalizimit të vizave me Kosovën.
Këto
ditë jemi para të të njëjtit fenomen në rastin e dinarit serb dhe përdorimit të
tij në Kosovë. Politikanë shqiptarë jo të pakët janë ngrit dhe sulmojnë nën
brez e mbi brez qeverinë e Kosovës. Alarm i madh! “Po na kërcënohen
marrëdhëniet me SHBA-të, me aleatët tanë të mëdhenj”! Në fakt e njëjta ka
ndodhur edhe me targat, me dokumentet dhe me kryetarët e komunave në veri. Dhe
çfarë kemi parë më pas? Marrëdhënie korrekte me SHBA-të dhe mbi gjithçka
shtrirjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës në të gjithë territorin e saj. Në
Shqipëri opozita po shuhej edhe për shkak të pagesave për të korruptuar zyrtarë
të lartë të FBI-së amerikane. McGonigal u pagua për t’i eleminuar kundërshtarët
e tij politikë.
Në
analizë të fundit e gjithë historia e shtetit shqiptar duket se qe e tillë.
Urrejtje, hakmarrje deri në asgjësim. Luftë e brendshme e paprinciptë! Kjo ka
qenë dhe vazhdon të jetë historia jonë. Armiku brenda nesh, edhe kur nuk kishte
armiq. Tradhtari kundër Shqipërisë, edhe kur nuk kishte tradhtarë. Dhe e gjitha
kjo na ka çuar në transhenë e luftës, urrejtjes dhe hakmarrjes kundër
njëri-tjetrit. E gjitha na bën ne shqiptarëve që të mos njohim limite kur është
fjala për ta xhelozuar, luftuar, urryer dhe për t’u hakmarrë ndaj
njëri-tjetrit. Aq sa kemi sajuar edhe batutën sipas së cilës “njeriu yt ta
gërryen syrin më thellë”.
Përçarja
jonë është armiku më i madh yni. Dhe përçarjen e sjell armiqësia e thellë me
njëri-tjetrin. Politika e mban gjallë atë. Të huajt që nuk na duan e
shfrytëzojnë këtë lloj sentimenti armiqësor, që të na përçajnë më shumë.
Humanizmin, bujarinë tonë, mikpritjen dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë
sjelljen njerëzore, ne i kemi me bollëk për të huajt. I shprehim edhe ndaj
atyre që na kanë masakruar dhe asgjësuar për një shekull e gjysëm. Por kur vjen
puna për ta dëshmuar për njëri-tjetrin jemi të kursyer e madje refuzues. Ne nuk
duam ta shohim tjetrin mirë. Ne kënaqemi kur intrigat tona funksionojnë kundër
njëri-tjetrit. Madje intrigaxhinjtë i mburrim, u themi se “këta janë njerëz të
zotë”! Dhe kështu ndërtojmë perandorinë e së keqes me njëri-tjetrin.
Ne
durojmë, nëse na bën padrejtësi çdokush tjetër u huaj. Së paku shumëfish më
shumë sesa durojmë njëri-tjetrin. Por hakërrehemi dhe hakmerremi, nëse dikush
edhe i rrethit familjar na duket se na bën padrejtësi. Ne shkojmë në vendet
europiane për t’i vizituar dhe për të jetuar dhe përshtatemi më mirë se shumica
e popujve të tjerë. Por nuk përshtatemi me komshiun, vëllezërit ose kushërinjtë
tanë në Shqipëri. Ne duam që secili prej nesh të jetë në ballë të oxhakut.
Askush nuk e pranon të zejë vend te dera, edhe pse dhoma, salla, tavolina ka
një cep në krye e një tjetër në fundin e saj. Ne ndoshta jemi të parët në
Europë që kemi shpikur tryezat e rrumbullakëta, sepse të gjithë duam të dukemi
se jemi në krye të saj.
Ka
prej nesh që më shumë gëzohet nga dështimi i dikujt tjetër të llojit tonë, sesa
me suksein e vet personal. Ndërsa gëzimi për suksein e dikujt tjetër është
shumë, shumë i rrallë. Ne duam që të gjithë ne të bëhemi VIP-a, të hyjmë në
histori. Nëse na duket se po dështojmë në këtë aventurë egoiste, atëherë ne
bëjmë gjithçka ta groposim dikë tjetër që “na ze vendin me aftësitë e tij”! Më
së shumti përdorim linçimin, kur e kemi në dorë edhe linçimin publik, për
njerëzit e suksesshëm. Kur nuk e arrijmë suksesin historik të dikujt tjetër,
atëherë përdorim gjithë pushtetin politik apo të parasë për ta shumëzuar me
zero atë sukses, ose më saktë personazhin e tij.
Këta
jemi ne! Dhe kryeministri i Shqipërisë në qëndrimet e veta na ka ne aleat. Ai
është frymëzuesi i urrejtjes, dasive, përçarjes shqiptare. Por është edhe
pasuesi i kësaj situate që i bën shqiptarët njerëzit më të papërfillur në
Europë. Me ndihmën e aleatëve ne kemi fituar luftëra me armiqtë e huaj të
kombit tonë, por për ta fituar luftën me egon tonë, nuk ka aleat që na
ndihëmon! Lutemi Zotit të na ndihëmojë e të na kthjellojë mendjen e pastrojë
shpirtin! Amin!