Mendime
Ndue Dedaj: Krojet e turizmit prej tubash!?
E premte, 05.01.2024, 05:08 PM
KROJET E TURIZMIT PREJ TUBASH!?
Nga
Ndue Dedaj
Kemi
shkruar për kullat dhe malet e turizmit, por mbase nuk kemi shkruar sa duhet
për krojet, kështu që ata kanë filluar të na humbasin nga sytë, me fjalë të
tjera të “shterrin”. Kështu më ndodhi para pak ditësh në Qafë – Shpardh, ku
rastësisht “zbulova” se poshtë rrugës ishte një burim dhe një gjysmëkrua, ku
nuk mund të pije ujë. Aty nuk kishte pasur burim, por atë e pati krijuar një
shpim gjeologjik me sondë në vitet ’70 dhe që atëherë në kodër del uji i atij
pusi.
Mirëpo
dora e njeriut nuk është zgjatur deri aty për të vënë një krua druri, siç i
kishim dikur krojet në malet tona. Edhe aty ku krojet buzë rrugës janë
rregulluar, tubi që nxjerr ujin është prej hekuri apo plastike. Ndërkohë që në
bjeshkë lugjet për të pirë ujë bagtitë vazhdojnë me qenë prej druri si qëmoti!
Sa
herë shkoja në Krujë, këtu e dyzet vite më parë, ndaloja dhe të një krua i
vogël në qytet, që kishte mbetur ashtu si në zanafillë, kur krojet më ujin e
ftohtë malit e Sarisalltikut i kishin dhënë emrin qytetit. Qyteti kishte bërë
epokë historike me betejat skënderbegiane, por emrin e kishte marrë nga një
krua.
Në
Selitë Kroi i Bardhë jo vetëm që i ka dhënë emrin një copë bjeshke, por ka
sjellë dhe një kamping për pushuesit, pasi uji i tij është kurativ. Ama, edhe
ai nuk ka një krua prej druri, por prej tubi!? Tubi është kthyer në makthin e
ujërave tona malore, sidomos atyre për hidrocentrale. Mirëpo turistët nuk duan
tuba në kroje. Vërtet ka ecur teknologjia, por në këtë rast është e
panevojshme. Edhe në pikat turistike krojet e bërë më gurë të skalitur nuk i
kanë shpëtuar gjithkund tubit. Kjo është arsyeja që nuk i fotografojmë krojet,
kur shkojmë në male, pasi nuk i shohim dot tubat të nxjerrin ujë!…
Ndoshta
ndokush, pasi të lexojë këto radhë, mund të thotë: “Sa mirë që na e kujtove, të
bëjmë ndonjë projekt e t’ia paraqesim Bashkimit Europian, se ata kanë fonde për
turizmin”. As një nismë si kjo nuk përjashtohet, por fjala është për të bërë
diçka të “vogël” vetë ne, secili kruan e mëhallës së tij! Sa pak kushton!... Ai
që kushton më shumë në këtë rast është vullneti i munguar, atij si t’ia bëjmë?
Pa gurë e drurë për krojet si të gjyshërve ka plot. Dikur shkruheshin dhe
tregime për gurgdhendës korçarë që skalisnin krojet e fshatrave në male.
Të
shpresojmë se do të mund t’i fotografojmë një ditë krojet jo tuba...
Kroi
i Gojanit. Foto e huazuar nga rrjetet sociale.