Mendime
Florim Zeqa: Viti 2024 me Alternativë të Re politike!
E merkure, 03.01.2024, 02:17 PM
Viti 2024 me Alternativë të Re politike!
Shkruan: Florim
Zeqa
A shtu siç hymë në vitin 2023,
edhe po e lëmë pas, si një nga vitet më të mbrapshta pas pavarësisë, me thyerje
të mëdha shpirtërore për mosrealizimin e shumë premtimeve nga pushtetarët, siç
ishin hapja e vendeve të punës, përmirësimin e sistemit të drejtësisë, atij
shëndetësor dhe arsimor, luftimin e krimit të organizuar dhe
korrupsionit, e shumë premtimeve tjera elektorale.
Ëndrrat e
venitura të qytetarëve
Pra, edhe në këtë vit, sikurse
në vitet paraprake, oligarkët e pushtetit u përkujdesën për veten e tyre,
pasurimin e pafundmë nga zhvatja e buxhetit të shtetit. Rritja e varfërisë
është duke e shtuar rrezikun e shpërthimit të "bombës" sociale, e
cila mund ta sjellë vendin në një situatë të paparashikuar politike, ku shteti
mund të shndërrohet në një arenë përleshjesh frontale mes qytetarëve të
pakënaqur dhe pushtetarëve.
Me nivelin aktual të
zhvillimit ekonomik, mungesës së përspektivës, pasigurisë për jetë dhe
paaftësisë së qeverisjes së vendit, jo vetëm brezi i ri, por të gjitha shtresat
e popullsisë synim e kanë ikjen nga vendi me resurse të pasura natyrore dhe
pasuri marramendëse nëntokësore.
Aq e pashpresë dhe e
padurueshme është bërë jeta e qytetarëve në këtë vend, saqë jo një
"bombë" sociale, por një bombë atomike duket të jetë e pamjaftueshme
për ta larguar këtë klasë të shëmtuar kusarësh nga skena politike!
Edhe me ndryshimet e fundit
politike, pushtetarët aktualë po na e bëjnë me dije që në Kosovë nuk ka vend
për njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë, për ne që nuk jemi pjesë e klaneve të
politikës dhe parapolitikës, për ne që mendojmë ndryshe, për ne që e duam
Kosovën me shpirtë e me zemër, na kanë mbetur vetëm dy rrugë: t'i detyrojmë
këto klane mafioze të largohen nga skena politike, ose populli i ndershëm do
t'i mbledhë plaçkat për të ikur përgjithmonë nga ky vend.
Politikanët e papërgjegjshëm
Kosovën nga një vendi i shpresës dhe i ardhmërisë e kanë kthyer në një vend ku
ëndrrat shndërrohen në iluzione, ku shpresat vdesin akoma pa lindur, ku vdekja
të shoqëron gjithkund dhe në çdo hap të jetës.
Shqiptarët e Kosovës në të
kaluarën e afërt që identifikoheshin me heroizmin, trimërinë, krenarinë,
atdhedashurinë, solidaritetin, humanizmin dhe tolerancën, sot janë kthyer në
njerëz që urrejnë njëri-tjetrin, nga besnikë në tradhtarë, nga besimtarë në
fanatikë fetarë, nga politikanë në biznesmenë matrapazë, nga mbrojtës të
pasurisë shoqërore në shkatërrues të ardhmërisë!
Nëse deri dje morali njerëzor
ishte vlera absolute e shoqërisë sonë, sot maskarallëku dhe poshtërimi njerëzor
e kanë njollosur imazhin dhe e kanë mjegulluar të ardhmen e shoqërisë sonë.
Zëri i
ndërgjegjes kombëtare thërret
Aq e rëndë dhe e padurueshme
është bërë jeta e qytetarëve në vendin për të cilin sakrifikuan gjatë, saqë,
secili qytetar i lutet Zotit për largimin pa kthim nga vendi i bekuar, i larë
me gjak ndër shekuj.
Ata që ikin nga vendi, ikin
duke mallkuar tokën që i rriti, shkaku i një grushti të vogël kusarësh politikë,
që ua thyen të gjitha shpresat për jetë në vendin e tyre.
Andaj, zëri i ndërgjegjes
kombëtare thërret si kushtrim në ndërgjegjen e atdhetarëve me gjak të pastër
kombëtarë, për bashkim të mendjeve dhe zemrave edhe një herë sikurse në fillim
të viteve të '90-ta, për ta nxjerrë Kosovën nga kthetrat e uzurpatorëve,
matrapazëve dhe zhvatësve të buxhetit të shtetit, nga rrënuesit e vlerave dhe
traditave tona kombëtare.
Ardhja në pushtet e një
Alternative të Re politike, e një klase të përgjegjshme politike, e aftë për
ndryshime pozitive, do të krijonte kushtet për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie
qytetare. Pothuajse çdo gjë është bërë e padurueshme në vendin tonë, mirëpo
edhe durimit qytetar i ka ardhur fundi nga padrejtësitë dhe prapësitë e shumta
politike.
Shteti i ri për dikë është
bërë "nënë e për dikë tjetër njerkë", siç thotë populli, dikujt i
mundësoi t'i ketë të gjitha të mirat e kësaj bote, e dikujt tjetër asgjë,
Kosova u bë parajsë për pushtetarët, u shndërrua në ferr për qytetarët!
"Të gjithë bashkë kundër
së keqës", duhet të jetë slogan i fuqishëm i vitit 2024, i bashkimit në
luftën për ndryshim, mobilizim i përgjithshëm i popullatës pa dallime partiake,
ideologjike apo fetare.
Kjo është mundur të arrihet me
unitet dhe forcë për ndryshime pozitive, me solidaritet, humanizëm dhe dashuri
ndaj njëri-tjetrit. Të mos mbetemi edhe më tutje robër të politikave të
papërgjegjshme të grupeve të interesit, të mos bëhemi skllevër të kusarëve
politikë, të atyre që 24 vjet rresht rropën e ç'rropën e gjithë pasurinë e
këtij vendi.
Largimi i qytetareve nga vendi
nuk është zgjidhja e problemeve, përkundrazi e thellon akoma më tepër varfërinë
dhe denigrimin social, shton orekset e pushtetarëve për gllabërimin e
mëtutjeshëm të pasurive shtetërore.
ADN
shkëndijë shprese për ndryshim
Alternativa Demokratike për
Ndryshim (ADN) është një nismë e re politike, është një shkëndijë shprese në
këtë situatë të rënduar politike në të cilën po kalon shteti dhe qytetarët e
Kosovës.
Sikurse AND-ja, asnjë nismë
tjetër politike nuk duhet të jetë vazhdimësi dhe as levë e subjekteve aktuale
politike. Ngase secila prej tyre, për të mirë apo për të keq, e kanë dëshmuar
vetën në qeverisjen e vendit.
Ardhja në pushtet e një klase
krejtësisht të re dhe të përgjegjshme politike, e aftë për ndryshime pozitive,
do të krijonte premisat për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë
qytetarët e Kosovës pa dallime etnike, partiake, ideologjike apo fetare.
Insistimi im i vazhdueshëm për
ndryshimet pozitive në vendin tonë, nuk e nënkupton ‘pasurimin’ e skenës
politike edhe me një subjekt të ri, por në esencë, është përpjekja ime për
finalizimin e projektit madhor për themelimin e një lëvizje të re politike, e
cila në gjirin e vet do të tubojë elektoratin e zhgënjyer nga të gjitha partitë
politike, sa të dështuara, po aq të konsumuara përgjatë këtyre 24 viteve të
fundit në liri.
Nisma e re, Alternativa
Demokratike për Ndryshim (AND), nuk e ka thjeshtë vetëm qëllimin për ndërrimin
e pushtetit në Kosovë, por ndryshimin e mentalitetit qeverisës dhe ndryshimin
rrënjësor të sistemit qeverisës në vend, gjegjësisht kalimin nga sistemi
Parlamentar në atë Presidencial.
Sistemi Presidencial paraqet
çelësin e evitimit të ngërçeve politike dhe krizave artificiale pas-zgjedhore
të paraqitura në mënyrë serike në Kosovën e pasluftës, si dhe krijon premisat e
bipolarizimit të skenës politike, gjegjësisht krijimin e dy blloqeve të forta
parazgjedhore.
Partitë aktuale, proceset e
brendshme zgjedhore i shfrytëzojnë për ruajtjen e vazhdimësisë së elitave
politike në partitë e tyre, pa e dhënë asnjë sinjal për reformimin e partive
kundrejt kërkesave të vazhdueshme të elektoratit.
Arsyeja e pengimit të
reformave në partitë aktuale, janë klanet dhe grupet e interesit të rreshtuara
pas liderëve të partisë, të cilat e ngulfatën çdo përpjekje për ndryshim
përmbajtësorë në këtë vend.
Tre shkronjat ADN simbolizojnë
gjenezën politike të shqiptarëve në trojet etnike, të cilat do të ndalojnë
katandisjen e mëtutjeshme politike të shtetit të Kosovës.
Megjithatë, kemi arsye të
ngremë dolli dhe të festojmë, sepse mbrapa po e lëmë një nga vitet më të
mbrapshta në këto 24 vitet në liri. Ta lëmë pas të keqen, me këmbë të mbarë në
vitin e ri 2024. Gëzuar një vit të mbarë dhe të suksesshëm të gjithë qytetarëve
të vendit tim dhe bashkatdhetarëve kudo që ndodhen në botën mbarë.
Gëzuar bashkatdhetarë! Na
priftë e mbara në vitin 2024!