Kulturë
Enver Bytyçi: I madhërishmi dhe i papërsëritshmi, Mirush Kabashi
E diele, 17.12.2023, 08:37 PM
I madhërishmi dhe i papërsëritshmi, Mirush Kabashi
Nga
Enver Bytyçi
Mirush
Kabashi ndërroi jetë, por nuk u nda prej nesh. Ai është aty, është me ty i
dashur mik, është me mua, është e do të jetë si hije edhe me ndonjë që e
nënvleftësoi dhe nuk e deshi dhe u mjaftua thjesh me një status lamtumire.
Mirush Kabashi jeton. Atij nuk i thuhet lamtumirë. Se i dha jetë dhe dritë një
vendi, një kombi dhe një populli në errësirë. Ai ishte ndryshe nga të gjithë
ne. Ndryshe nga socio-rilindasit, ndryshe edhe nga demokratët, ndryshe nga
lloji e jashtë llojit të vet. Nuk mund të krahasohet me askënd, sepse nuk
imitoi kurrë, kërrkënd mbi këtë dhe. Ishte origjinal dhe i papërsërishëm si
vetë uji i lumit që kalon rrëmbyeshëm nën urë.
Të
madhërishmin, Mirush Kabashi, e kam takuar për herë të parë në fund të
dhjetorit 2010, në atmosferën e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Dy ditë
para Vitit të Ri 2011 në hollin e katit të parë të kryeministrisë po promovohej
libri i Dr. Dom Lush Gjergji mbi Nënë Terezën dhe Mirushi po e moderonte atë
event. Do flisja për atë libër. Kur Mirushi më dha fjalën, më ngatërroi emrin.
Ishte mbreslënës fakti se ai kërkoi ndjesë para gjithë të pranishmëve jo vetëm
në moment, por edhe kur mbarova fjalën time. Më pas u miqësuam. Gjithnjë
falenderimi dhe mirënjohja i miqëson njerëzit. Nuk mund të ndodhte ndryshe me
artistin më të spikatur të skenës shqiptare.
Pas
gati dy vitesh iu luta të moderonte promovimin e librit tim “Diplomacia
imponuese e NATO-s në Kosovë”. Jo vetëm që pranoi, por recitoi disa poema dhe
poezi gjatë atij moderimi dhe e ngriti peshë sallën. Ndërkaq më rekomandoi që
të ftoja Korin e Burrave të Gjakovës, të cilët erdhën dhe interpretuan këngën
kushtuar NATO-s e kontributit të saj për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit e
dhunuesit e ushtrisë e policisë serbe të Milosgeviçit. Në prill të vitit 2016 e
ftova të vinte në Kukës e të shfaqte “Apologjinë e Sokratit”!
Erdhi
me gjithë dëshirën e tij të madhe për të ndikuar te njerëzit, te qytetarët, në
frymën sokratiane. Por këto janë thjesht bashkëpunimet. Koha me Mirush Kabashin
është ndoshta koha më e çmuar që kam kaluar. Sepse te Mirushi gjeje
njerëzillëkun, jo vetëm dekanin e artit shqiptar!
Mirush
Kabashin nuk e kemi e nuk do ta kemi më fizikisht në mesin tonë. Kështu është
jeta njerëzore. Disa ikin e disa vijnë në këtë botë. Por Mirushin nuk do ta
harrojmë kurrë, jo vetëm ne që patëm fatin ta njohim, ta ndjekim në shfaqjet e
tij teatrale apo në kinema. Me Mirushin, imazhin e tij, rolet e shumta e të
jashtëzakonshme që ai luajti, me talentin dhe mesazhet që na ka lënë, do të
jetojnë breza të shumtë. Si të gjithë ne bashkëmoshatarët e tij, edhe Mirush
Kabashi jetoi dy kohë, dy epoka të zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Në kohën
e diktaturës i dhanë role komediani përgjithësisht të vogla, si te zëvendësuesi
i grave, apo të Dora e Ngrohtë me bishtin e qenit. Por në kohën e lirisë ai
dëshmoi se kishte një dimension të pamatë në talentin e tij aktorial.
Megjithatë, si rrallë ndokush tjetër, ai me talentin e artin e tij i bashkoi
këto dy epoka thuajse në një, me pak ndryshime, me pak diferenca.
Mirush
Kabashi na la shumë role, mbi 100 të tillë. Secilin në origjinalitetin e vet,
në dinamikën e lojës së tij të shkëlqyer. Por roli i Sokratit e bëri Mirush
Kabashin të jetë vetë një Sokrat shqiptar. E luajti Sokratin e antikitetit
athinas në skenat e shumta të botës. Fitoi me atë rol çmime të shumta. U nderua
dhe u duartrokit si askush tjetër në skenë. Se ishte vetë Sokrati. Se e
përjetonte dramën e Sokratit të para 2400 viteve në gjendjen e aktualitetit të
sotëm, sidomos në Shqipëri. Drama jonë ishte edhe drama e Sokratit antik, por
edhe e Sokratit modern me emrin Mirush Kabashi. Për këtë arsye ai nuk u pëlqye
aq nga disa demokratë në pushtet. Dhe u përbuz nga rilindasit pasues të
demokratëve. Madje nga këta të fundit u urrye, sepse Sokrati dhe thirrja e tij
kundër korrupsionit ishte ulëritëse për ta.
Për
njerëzit e mëdhenj thuhet shpesh se “Ai ishte i përmasave të jashtëzakonshme”!
Për Mirush Kabashin nuk do të ketë përmasa të asnjë lloji. Ai pushtoi skenat më
të mëdha të Shqipërisë e të Kosovës. Me Apologjinë e Sokratit kaplloi skenat
botërore në mbi 80 shtete, përfshirë Britannë e Madhe, Gjermaninë, Zvicrën,
Austrinë, Italinë, Francë, Danimarkë, Poloni, Çeki, Turqi, Slloveni e deri në
Gjypt . Në Kosovë është dhe do të mbetet aktori më i preferuar. Me
interpretimet e tij ngriti në këmbë mijëra spektatorë.
Gjithashtu
salla e kongreseve në Tiranë me mbi 2200 spektatorë është ndrzur nga
interpretimet e Mirush Kabashit. Kosova u magjeps jo vetëm me Sokratin
shqiptar, por edhe me recitimin e tij të famshëm e hit “Jam shqiptar, kosovar”,
recitim i cili lindi në gojën e artistit të madh gjatë luftës për çlirimin e
saj nga sunduesit mizorë të Serbisë së Milosheviçit. Kurrë nuk iu nda Kosovës.
Kurrrë nuk u lodh duke e dashur atë dhe madje duke e mbrojtur nga të
lajthiturit edhe ndër ne shqiptarët: Psh kur në Durrës erdhën grupet e
specializuara të shpëtimit nga Kosova në ndihmë të viktimave të tërmetit të 26
nëntorit 2019, ai thoshte: “Këta janë ‘kosovarët’ që ju i paragjykoni, për mua
këta kanë qenë gjithmonë, janë dhe do të mbeten shqiptarët e Kosovës. Kjo është
gjysma më e mirë e Shqipërisë”.
Mirush
Kabashi nuk qe vetëm artist i famshëm, nga ata gjigandë, të cilin nuk “guxonte”
asnjë tjetër ta konkuronte. Ai qe një qytetar dhe patriot i përmasave të
kjashtëzakonshme, me frymë dhe zemër të madhe. Ishte frymëzimi i shqiptarëve në
patriotizëm. Por edhe luftëtar i kauzave të mëdha. Teatri Kombëtar pati si
mbrojtës të flaktë aktorin e shquar të kombit tonë. Ai ishte gjithmonë aty në
mbrojtje të këtij institucioni historik dhe magjik për shqiptarët. I mbështeti
dhe frymëzoi aktivistët për mbrojtjen e teatrit gjithnjë me recitimin e tij të
shpirtit “Eshtë koha e maskarenjve” të Ali Asllanit. Ndërkohë fjalimet që
mbajti aty në sheshin e teatrit ishin mbresëlënëse.
Mirush
Kabashi ka lënë gjurmë në përpjekjet e tij për edukimin, si dhe formimin e
forcimin e identitetit të shqiptarëve dhe të kombit shqiptar. Në monologu për
dinjitetin Mirushi i madhërishëm paralajmëron katastrofën njerëzore e kombëtare
që vjen prej “kacavjerrësit” të të të fortëve, politikanëve, ministrave a
pushtetarëve. Në një takim në Fier më 4 maj 2019, ai thoshte: “Mungesa e
besimit e ka bërë shoqërinë tonë të harrojë vlerat shpirtërore, të harroje
vlerat e moralit, pa të cilat nuk mund të futemi atje ku ne aderojmë të futemi
në shoqërinë europiane. Nuk është ligji, është morali ai që e mban shoqërinë.
Ligji është vetëm për raste ekstreme…Nuk ka të ardhme pa besimin”.
Për
njëmijë e njëmilion arsye Mirush Kabashi do të jetojë shumë gjatë në memorien e
kombit tonë. Shqiptarët kurrë nuk do t’u ndahen roleve që ai luajti në skenat
shqiptare e ato ndërkombëtare. Për Mirush Kabashin nuk do të shkruhen elegji,
por monografi pa fund. Do të përcillet nga dekada në dekadë e nga shekulli në
shekull. Dhe për këtë nuk mund të shkruaj e të them më shumë se ajo çfarë tha
aktori i madh i Kosovës, Çun Lajçi. “Dije, se nga sot e tutje për ty do
t’thonë; – ai, po ai ishte i madh, gjeni ishte, yll arti i pashuar!”, ka
shkruar Çun Lajçi