Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: A i ka lexuar Noel Malcolm kronikat turke e bizantine?
E diele, 12.11.2023, 09:20 PM
A i ka lexuar Noel Malcolm kronikat turke e bizantine?
(Si u konvertuan shqiptarët e krishterë në
myslimanë?)
Është
e habitshme, gati skandaloze deklarimi i Noel Malcolmit se shqiptarët nuk janë
konvertuar me dhunë në myslimanë. Librat qe shkruajnë ndryshe, janë përkthyer
edhe në gjuhën shqipe. Pse i ka mbyll sytë para fakteve e kronikave të kohës,
njeriu i mirë Noel Malcolm?
Nga
Gani Mehmetaj
Lexojeni
më vëmendje përmbledhjen e kronikave të mëposhtme pastaj mendoni mirë. Kronikat
janë të historianëve e kronistëve turq. Ata shënojnë “lavdinë e ushtrisë turke”
që vrau mijëra shqiptarë. Me sa urrejtje shkruajnë historianët e kronistët turq
kundër grave e fëmijë që u kapen robër, u masakruan, ndërsa kufomat e tyre ua
hodhën ujqërve, sa lavde u bënin historianët turq ushtarëve të tyre mizorë, që
trimërinë e dëshmonin duke vrarë shqiptarë të lidhur me zinxhir, gra e fëmijë
të pafuqishëm.
Kronikat turke:
“Për
të pafetë meshkuj të rritur u dha urdhri që t’i jepeshin belikut. Për këtë
arsye në çdo qendër kalimi sillnin kolona robërish të lidhur me zinxhirë, i
kalonin para padishahut ngadhënjimtar dhe aty të rinjtë dhe pleqtë i kaluan në
shpatë dhe i copëtuan. Pati raste kur ranë në shpatë tremijë, katërmijë, dhe
shtatëmijë të pafe. Luginat e thella për shkak të kufomave morën pamjen e
kodrave. Gjaku rridhte në fushat e gjëra si lumi Amur-Darja”.
Këtë
histori e ka shkruar Tursun Beu (“Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV”,
Burime Osmane faqe 100-101. Ai ishte historian i Sulltanit Mehmetit II, i cili
ishte pjesëmarrës gjatë pushtimit të Shqipërisë.
Kronikani
Kemal Pashë-Zade shkruan, se: “Me urdhër të Padishahut u vra pa mëshirë, cilido
që u zu gjallë, vendi u plaçkit tmerrësisht, gratë dhe fëmijët u morën robër.
Dhe vazhdon me vargje: I theri të panënshtruarit e atyre kryengritjeve, ua bëri
ushqim ujqërve dhe shpezëve kufomat e tyre, s’mbeti grua e fëmijë, të gjithë u
bënë robër.” po aty f.194.
Kevami,
shkronjës i Sulltan Mehmetit te II dhe Bajazitit të II shkroi rreth vitit 1489,
mjaft të dhëna që përputhen edhe me ato çfarë shkruante edhe Marin Barleti.
“Disa mijëra të pafe i gjuajtën, i kapën dhe i prunë përpara sulltanit të
botës. Padishahu i botës, disave prej tyre ua preu kokat, ndërsa disa të tjerë
i çau në dysh… të gjithë të tjerët urdhëroi dhe i shkuan në shpatë para tij“.
Po aty f.112
Kronisti
bizantin i kalif Fatihut, Kritobuli nga Imbrosi, që e vëzhgoi së afërmi këtë
luftë, thotë, se: “Shqiptarët preferonin më mirë vdekjen, se sa të binin në
duart e turqve. Disa Ilirianë, duke parë se ndiqeshin nga turqit dhe pasi nuk
gjetën asnjë vend për t’u strehuar, u hodhën poshtë që nga shkëmbinjtë, në
hapësirën e përrenjve dhe u vranë.”
“I
zemëruar për disfatën, kalifi Fatih u largua nga Kruja. Gjatë rrugës prej
Elbasanit në Dibër, ai rrethon qytetin e Çidhnës, afër Drinit, ku janë strehuar
rreth 20.000 gra, pleq e fëmijë, të larguar nga krahinat fushore për t’i
shpëtuar masakrave islamike. Nën thirrjet “Vdekje shqiptarëve!” dhe “Allahu
Akbar!” osmano-islamikët sulmojnë qytetin. Pasi e pushtojnë atë, kalifi islamik
Fatihu i masakron të gjithë barbarisht”. Vetëm në këtë qytet humbën 20.000 mijë
shpirtra të pafajshëm.
Shkodër.
Viti 1478. Kështjella e Shkodrës rrethohet nga ushtritë osmane. Turqit sulmojnë
pareshtur por mbrojtësit nuk dorëzohen dhe i zmbrapsin me sukses sulmet e
barbarëve. Sulltan Mehmet Fatihu që e drejtonte vetë fushatën, vendos zbatimin
e një tjetër taktike për të terrorizuar mbrojtësit e qytetit. Ai sulmon dhe
pushton kështjellat Zhabjakut, Drishtit. Pasi i rrafshon ato, banorët e marrë
robër i sjell përpara mureve të Shkodrës. Disa mijëra gra, burra, pleq e fëmijë
masakrohen në mënyrën më mizore pranë mureve të kështjellës. Me këto skena
makabre, Sulltan Mehmet Fatihu, ka si qëllim të ligështojë mbrojtësit e
kështjellës, dhe t’i detyrojë ato të dorëzohen. Kjo taktikë dështon.
Kështjellarët e Shkodrës nuk epeshin. Më vonë qyteti dorëzohet sipas një
traktati midis Venedikut dhe sulltanit. Banorët e qytetit largohen drejt
Italisë, dhe në vend të tyre sulltani e popullon qytetin me turko-arabë të
ardhur nga Anadolli, Afrika Veriore dhe Azia Qendrore.
Në
përshkrimin e skenave makabër që bënë turqit në Lezhë e Shëngjin kronisti turk
Idriz Bitlisi shkruan rreth vitit 1502 “Kokat e këtyre keqbërësve, të prera që
në zverk nga shpatat dhe që ishin si pjeprit e kopshtit të sheshit të luftës,
notonin në sipërfaqen e ujit si kunguj. Trupat e tyre të brishtë lëviznin si
flluska uji dhe sa herë që dallga i prekte si një shpatë…”
Muhamet
Muhjiu shkruan rreth vitit 1478 në pushtimin e Krujës: “Ah botë plot vuajtje
dhe rënkime! Vaj! Thirrjet që nga krahërorët e tyre të dërrmuar arritën deri
tek tavani i Saturnit. Gjithsejtë rreth pesëmijë të pafe, që ishte secili një
djall nafthëdhës dhe vetëtimlëshues, u bënë kështu pré e shpatës së mprehtë dhe
qoke e shigjetës goditëse. Kafkat e këtyre do të jenë për shumë vjet ushqim për
shpezët e këtyre viseve. Në këtë mënyrë u arrit fitorja; thyerja e të pafeve
dhe shfarosja e armiqve. Turma e luftëtarëve u kënaq dhe u gëzua me plaçkë të
shumëllojshme dhe të panumërt. Ata që mbetën nga armiku, gratë dhe fëmijët, i
vunë në pranga poshtëruese të robërimit dhe i lidhen me zinxhirët e mjerimit.
Pastaj do të fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i medreseve, ndalimi i
kambanave dhe prishja e ligjeve…”