Mendime
Florim Zeqa: Shkaqet e rënjes së interesimit të mërgatës për organizim!
E merkure, 13.09.2023, 07:45 PM
Shkaqet e rënjes së interesimit të mërgatës për organizim!
Shkruan:
Florim Zeqa
Si
asnjëherë më parë gjatë historisë në krye të shtetit janë pseudovlerat dhe
pseudopatriotët, kurse të anashkaluar dhe të harruar kanë mbetur intelektualët
e kalibrit, aktivistët dhe veprimtarët që për dekada kanë mbajtur mbi supet e
tyre barrën e organizimit dhe rezistencës kundër pushtuesve serbë, thënë
ndryshe e anashkaluar është një popullatë e tërë në Kosovë dhe mërgatën tonë.
Irritimi i mërgimtarëve
nga aktivitetet partiake të shoqatave në Diasporë
Është
një numër tepër i vogël i mërgimtarëve që marrin pjesë nëpër aktivitete të
shoqatave në Diasporë. Arsyeja është fare e thjeshtë, shpërdorimi i mundit dhe
djersës së mërgimtarëve nga dy fondet; “Fondi i 3 %-shit” dhe “Vendlidnja
Thërret” gjatë luftës së fundit në Kosovë, përkatësisht shpërdorimi dhe abuzimi
i fondeve të luftës, pastaj nga shpëlarja e parave të pista e të gjithë
pushtetarëve të inkriminuar të pasluftës nga individ të papërgjegjshëm deri në
ditët e sotme brenda shoqatave të ndryshme në Diasporë.
Po
ajo që e ka irrituar më së tepërmi mërgatën për mospjesëmarrje nëpër aktivitete
të shoqatave është lidhja e disa prej drejtuesve të shoqatave me pushtetarët në
Kosovë për interesa personale, për punësimin e bijëve dhe bijave të veta nëpër
institucionet publike dhe shtetërore në Kosovë, duke e harruar në tërësi
interesin e mërgimtarëve.
Kjo
formë e nepotizmit iu është kthyer në bumerang shoqatave të caktuara në shtetet
evroperëndimore me bojkotimin e aktiviteteve të tyre nga mërgimtarët.
Por,
çfarë bëjnë drejtuesit e shoqatave të mbetur gjithnjë e më pak në numër, i kanë
mobilizuar grupet e interesit nëpër të gjitha shoqatat nga qytetet dhe vendet e
tjera për t’u bërë bashkë në aktivitete, në mënyrë që të duken se janë shumë në
numër, por në realitet, të gjithë së bashku nuk bëhen sa bëheshin dikur në një
shoqatë të vetme gjatë luftës, kur numri i i mërgimtarëve ishte 1 mijë herë më
i vogël seqë është tani në secilin qytet dhe shtet perëndimorë.
Shoqatat
që dikur ishin simbol i unifikimit dhe vend i bashkimit të bashkatdhetarëve,
janë shndërruar në bastione të partive politike në mërgatë, duke u shndërruar
në përçarëse të mëdha të mërgatës sonë.
Një prind i arsimuar më
i mirë sesa një mësues analfabet
Organizimet
e festave kombëtare dhe shtetërore me pjesëmarrjen e eksponentëve partiak nga Kosova,
i ka kthyer shoqatat në filiale të partive politike. Kjo ka bërë që mërgimtarët
të mos kenë fare interesim për pjesëmarrje në aktivitete ku ndodhen politikanët
e një krahu të caktuar politikë të cilët vijnë për t’u promovuar në mërgatën
tonë si njerëz të “ndershëm” të luftës apo të paqes pa asnjë meritë personale
në çlirimin e vendit dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Kjo
nuk është e keqja e vetme, në këto tubime partiake e multipartiake të shoqatave
injorohen veprimtarët më të devotshëm të mërgatës sonë dhe atë për dy arsye; e
para, pse janë më të aftë dhe më të zotët sesa ta, dhe e dyta, pse janë
apartiakë dhe nuk i përkasin asnjë subjekti politikë, të cilët i trajtojnë si
oponent politik e jo si atdhetarë të dëshmuar të çështjes kombëtare në mërgatën
tonë.
Rënja
e interesimit të mërgimtarëve për pjesëmarrje nëpër aktivitete të shoqatave ka
ndikuar drejtëpërdrejt në rënjën e numrit të nxënësve nëpër shkollat shqipe,
përkatësisht të mësimit politësues.
Edhe
anashkalimi dhe injorimi i vlerave të mirëfillta në mërgatë, ka ndikuar
negativisht në rënjen e intersimit të mërgimtarëve edhe për shkollat shqipe në
Diasporë. Në çfarë niveli kanë rënë shumica e shkollave shqipe në Diasporë, më
i mirë është një prind i arsimuar sesa një mësues analfabet në mësimin plotësues!
Ky
ç’orjentim i gabuar e drejtuesve të shoqatave, ka ndikuar në irritimin e masës
së gjërë të mërgatës sonë, të cilët, nëse rastësisht një herë shkojnë në një
aktivitet, herave tjera nuk shkojnë më! Kjo dukuri është prezente nga paslufta,
por më e theksuar pas ri-shpalljes së Pavrësisë së Kosovës. Andaj, nganjëherë
më mirë është të mos marrësh pjesë fare në një aktivitet partiak të një shoqate
sesa të etiketohesh me ndonjë subjekt politik.
Cilët janë Sekserët e
Diasporës
Shfaqja
e fenomentit të sekserëve të pushtetit vendor në Diasporë zanafillen e ka në
vitet e para të pasluftës, zhvillimin në vitet e para të paspavarësisë, ndërsa
kulminacionin përgjatë këtyre 15 viteve të fundit.
Sekserët
e Diasporës janë individ dhe grupe të interesit, të cilët janë të lidhur
drejtëpërdrejt me segmentet e krimit të organizuar, përkatësisht me pushtetarët
e inkriminuar në Kosovë e Shqipëri.
Sekserët
e Diasporës janë urith të nëntokave partiake të maskuar nën petkun e
"Shoqatave", që u shërbejnë interesava klanore për realizimin e
ndonjë interesi të vogël personal nga bosët e krimit të organizuar në Kosovë
dhe Shqipëri.
Si
vrojtues i mirë i kësaj situate, përgjatë viteve të fundit i kam përcjellur me
vemëndje aktivitetet e tyre në mërgatën tonë.
Ministria
e Diasporës është katalizatori kryesor i lidhjes dhe shpërndarjes së
informacioneve me shoqatat dhe organizatat mike, i eksportimit dhe importimit
të parave nga buxheti i shtetit.
Lidhjet
që kanë krijuar sekserët me nëntokën kriminale dhe krimin e organizuar janë të
fuqishme. Pavarësisht ndërrimit të pushtetarëve, përkatësisht drejtuesve të
Ministrisë së Diasporës, ato lidhje ripërtërihen pa ndonjë problem me ministrat
apo zv.ministrat e rinjë.
Sikurse
në Kosovë që bëhen bashkë nëntokat e partive politike, edhe Sekserët e
Diasporës, këta urithët e nëntokave partiake, kur janë në pyetjet privilegjet,
duke filluar nga lëpirja e ndonjë ashti të fëlliqur nga pushtetarët, punësimi i
ndonjë familjari në institucione e deri tek ambicia më kulmore e përfshirjes së
drejtëpërdrejt të tyre në institucione apo staf diplomatik, e harrojnë
përkatësinë partiake dhe ideologjike, miqtë e shoqërinë.
P.S. Ky shkrim është një
analizë e përgjithësuar, e nxjerrë nga gjendja reale nëpër të gjitha shtetet
evroperendimore dhe ato transatlantike. Pra, analiza nuk i përket një një
qyteti apo shteti, e aq më pak një shoqate apo individi të caktuar. Ato shoqata
dhe veprimtarë të devotshëm që më nder e kryejnë detyrën kombëtare në Diasporë
nuk janë objekt i kësaj analize të ndërtuar mbi bazën e argumenteve.