E diele, 28.04.2024, 10:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Djaj të lumtur - Rrënjët e Krimit

E diele, 04.01.2009, 01:20 AM


Bahri Myftari

Djaj të lumtur

RRËNJËT   E   KRIMIT

Gjykatësi i çështjes më të rëndësishme të muajit, nga një tip plot energji, humor dhe veshur gjithë sqimë, atë mëngjes ishte kthyer në tjetër gjë: supet varur, më tepër shtyhej sesa ecte, buzët kopsitur me njëra- tjetrën. Fytyra i kishte marrë një pamje të vrarë. Një pardesy gri, që tërhiqte pas vetes, po fshinte tej për tej korridorin e katit të dytë.
 Të kishte lidhje, vallë, kjo gjendje aspak e këndshme dhe aspak normale me seancën që do të zhvillohej në orën 11.00, ku ai, patjetër, do të ishte gjykatësi kryesor? Kjo pak besohej, pasi çështja që do të gjykohej në seancën e orës 11.00, ishte tepër e  njohur dhe e studiuar mirë e mirë nga ai.
 Ajo kishte protagonist njëfarë Armando Sheshi, kriminel i vetëdijshëm; i rritur si i tillë. Fillimisht me akte të rëndomta, por jo pa dëme, derisa më në fund e theri viktimën, një djalë i sapokthyer nga emigracioni, mu në rrugën kryesore, para syve të shumë kalimtarëve, thua se po  priste kokën e një keci. E, pra, Armandoja e kishte hak dënimin maksimal: një plumb kokës dhe asgjë tjetër. Në të vërtetë, gjykatësi nuk ishte i prirë për kësi farë dënimesh, veçse për këtë rast, jo vetëm ai, por një opinion i tërë ia kishte dhënë këtë dënim në forma të ndryshme. Nëse përjashtohej ndikimi i kësaj ngjarjeje mbi të, atëherë ç’ gjë tjetër e kishte transformuar  në tjetër njeri gjykatësin e çështjes më të rëndësishme të muajit?
 Me zor hapi derën e zyrës, me zor hyri brenda. S’ kishte qejf e dëshirë të shkonte atje në krye, në vendin e tij të zakonshëm, por u lëshua në kolltukun aty pranë. Nxori nga xhepi një letër në formë drejtkëndëshi, pjesa e poshtme e së cilës ishte e dhëmbëzuar dhe, çuditërisht, të kujtonte nofullën e poshtme të një krokodili. Duart i dridheshin. Sytë sikur donin ta shponin, ta grisnin atë copë letër. Pra, tani po zbulohej edhe burimi i atij ndryshimi, sepse çka shkruhej në letër, ishte e tmerrshme. “Nëse ju jepni dënimin me pushkatim për Armando Sheshin, shumë shpejt ai fat do të bjerë mbi ty, gruan tënde dhe fëmijët e tu.”
 Në mesin e natës që shkoi, pas një trokitjeje të ngadaltë por ngjethëse, në mes të territ, u fut në kutinë postare të familjes ajo copë letër, e dhëmbëzuar si nofull krokodili. Ai e lexoi dhe e stërlexoi. Më në fund e zgjoi të shoqen. Tmerri u shtua edhe më tepër, kur dy vajzat e vogla me pamjen e tyre të pafajshme kërkonin të dinin diçka më shumë.
 Mjaftonte kjo, që gjykatësi të vendoste, për t’i ndërruar vendstrehimin familjes. Kështu, dolën nga shtëpia. Kaluan portën e Kalasë ende pa zbardhur dita. Hynë në brendësi të lagjes, që akoma ishte e rënduar prej gjumit të natës.
 Pa i rënë në sy kurrkujt, rrugicë pas rrugice arriti aty ku e strehoi familjen, një vend që, hë për hë, donte ta harronte edhe vetë. Pasi i sistemoi pjesëtarët, para se të nisej për në zyrë, mori në telefon një shokun e tij, mësues në pension. Po fliste me të, po përse? As vete s’e dinte sepse po i fliste për motin që do të bënte të dielën e ardhshme, se do të ishte fat i madh nëse Shkumbini do të ishte i kthjellët... Ndërkaq, bashkëbiseduesi ia priti:
           -  S’ka pse bëhesh merak për një gjë të tillë, pasi sido që të ndodhë, nuk kemi për të lëruar apo për të mbjellë tokën..
 Atëherë gjykatësi kishte ulur receptorin me të shpejtë, madje edhe pa bërë përshëndetjen e rastit. Po kështu veproi edhe me një nga nipërit e tij dhe, pikërisht me atë që punonte në ndërtim, me atë që, ndonëse e çmonte për forcën e guximin, nuk e kishte me qejf.
 - Ç’ ka bërë vaki, dajë?  Ti edhe në rrugë, kur më sheh, me zor më flet. – ia kish kthyer ai.   
 Gjykatësi përsëri kishte mbyllur bisedën, kësaj radhe si i zënë në faj. Gjithsesi, edhe tani, i ulur  mbi kolltuk, nuk ishte bërë pishman, po i vinte mirë që i kishte bërë ato telefonata, edhe pse pak si të pakuptimta. Befasisht e shtrëngoi letrën që mbante me të dy duart. Pastaj e  kaloi në grushtin e djathtë, e zhubrosi dhe e shtrëngoi aq fort sa iu ngulën thonjtë në mish.
 Gjatë kohës që studionte atë dosje të mallkuar, e cila po priste orën 11.00, iu dha rasti të njihej me t’ atin e kriminelit. Nuk kishte kurrfarë njohjeje me të, veçse një fije informacioni të hasur dikur nëpër tërë ato fletë, se edhe ai dikur na qenkësh dënuar për vjedhje. Ndaj po belbëzonte:
 - Nuk thonë kot se, ç’ lind prej maces, gjuan minj! Dhe erdhi e u hoq këtu, para meje, si Krishti. Tërë ato vuajtje dhe përvuajtje.
  Ndaj të birit, Armandos, ai nuk kishte kërkuar gjë tjetër, veçse të bëhej siç donte e mira, drejtësia. Por ai kishte dhe dy djem të tjerë dhe kërkonte që t’i ruante ata nga çdo e keqe, nga çdo fatkeqësi.
 Gjykatësi nuk ishte prononcuar fare, por thellë- thellë jo vetëm kishte ndierë keqardhje për atë burrë të përvuajtur, por, sinqerisht, edhe e kishte besuar.
 - Kurse tani!... –  mori kurajë e po fliste sikur ta kish përpara atë burrë, - Ç’të të them, mik i dashur! Yt bir... Armando kriminelin bëre, si kriminel do ta dënoj! Në djall ti dhe ata që të mbajnë iso! Ky është profesioni im. Nuk jam shitës zarzavatesh dhe s’kam frikë. Nuk të kam frikë, more vesh, nuk të kam frikë!”
 Në atë moment iu kujtua edhe diçka tjetër: disa ditë më parë ishte zhvilluar Konferenca kombëtare e gjyqësorit. E kryesonte vetë presidenti i vendit. Në presidium kishin zënë vend ai dhe kryetarë të të gjitha shkallëve. Ç’ nuk ishte thënë aty! Gjyqtarët ishin kritikuar, madje edhe akuzuar për paaftësi, korrupsion, frikë.
         -  Po fakte... hiç! – thoshte me zë. – Flasin si gra të liga. Lëre... paskemi dhe frikë! Fikë, - ironizoi. – Nëse atyre të presidiumit do t’i shkonte një letër e tillë, do t’i kishin mbushur brekët. E, pra, unë s’kam frikë!
 I futi një shkelm letrës bërë shuk e veç ta shihje se si po i largohej ajo pamje e keqe dhe e zymtë e mëngjesit.
 Sakaq veshi me kujdes pardesynë, lëmoi lehtë faqet dhe u ul te karrigia e zakontë e tij. Dikush trokiti ne derë.
 - Hyrë, -  u dëgjua tepër tingëllues zëri i tij.
 Në çast ai vështroi i habitur. I sapoardhuri dikë i kujtonte. Më në fund i ra më të dhe e njohu. Ishte një nga vëllezërit e viktimës. Familjen e tyre gjykatësi e njihte mirë. Ata ishin malësorë. Vërtet, pak kishin që jetonin në qytet, megjithatë njiheshin dhe respektoheshin.
 Gjykatësit sikur i doli përpara shtëpia, gati si kështjellë, që kishin ngritur në hyrje të qytetit. Aty jetonin të gjashtë vëllezërit, që tani kishin ngelur pesë dhe që të gjithë e kishin ngrënë kurbetin. Mbas fatkeqësisë që u ndodhi, nëpër qytet ishin hapur fjalë sikur ata, nga dita në ditë, mund të ktheheshin në fshatin e tyre. Edhe gjykatësi kish dëgjuar diçka, madje për këtë desh e pyeti, por, kur vuri re se atij i ra një përskuqje si të ishte vajzë, ndërroi mendje.
 Çfarë pate?
 Tjetri nuk foli, por kërkoi me shenja të ulej.
 Gjykatësi sepse u tremb, e vështroi me kërshëri e, pasi e uli në kolltukun më pranë, nisi t’i fliste.
 Por kujt se... vëllai i viktimës a thua nuk ishte aty. Qëndronte si i gozhduar. Duart i kishte futur midis gjunjëve dhe koka  i varej si e këputur.
 - Nuk më dukesh normal! – tha gjykatësi më habi. –Ju se ç’keni! Flisni, ju lutem...  – dhe gjykatësi e la fjalën në mes. Ai tjetri, vërtet, ashtu si qëndronte të fuste frikën.
 -Të lutem, të luten, - nxitoi gjykatësi, - kjo, kjo sjellje, ky qëndrim!... Ju dhe po dridheni! Shpjegohu, të lutem... jemi burra, dreqi ta hajë!
 Më kot priti që vëllai i viktimës të ndryshonte, prandaj gjykatësi dhe u nxeh, u revoltua.
 - Më thuaj, pra, çfarë u ka ndodhur? – e pyeti përsëri. – Mos  u kanë bërë presion? Mos, vallë pala tjetër, njerëz të kriminelit, kërkojnë ende gjak. Ende nuk janë ngopur ata?! Ju duhet ta denonconi këtë. Patjetër, duhet ta denonconi... që tani... në këtë çast! Dhe... dhe mos kujtoni se vetëm ju kërcënoheni, jo nuk jeni vetëm. Ka edhe të tjerë që kërcënohen... - dhe, sakaq, u ul drejt dyshemesë, mori letrën e bërë shuk dhe zuri ta hapë përpara syve të vëllait të viktimës.
 - Prandaj kam ardhur, - mundi të flasë me zë të ulët ai që pati heshtur aq gjatë. – Zoti gjykatës, kërcënimin me atë paçavure, që mbani në dorë, nuk e ka bërë pala e kriminelit...
 - Si, si!? – nuk e paska bërë pala e kriminelit?
 - Jo, më besoni, duhet të më besoni... ta ka bërë pala jonë. Njëri nga vëllezërit, ai më i vogli, e shkroi dhe e futi në kutinë tuaj të postës.
 - Njëri nga vëllezërit e tu! – gjykatësi shkonte e vinte tepër i revoltuar, - njëri nga vëllezërit  e tu, ai më i vogli! Sa, sa është paguar? Sa? Flisni, sa ka marrë? Me çfarë çmimi doni ta këmbeni vrasjen e vëllait tuaj? Kaq shpejt e harruat atë të shkretë! – shkumëzonte gjykatësi. – Ah, po, doni të falni kriminelin dhe, nga ana tjetër, kërkoni jo vetëm kokën time, por, por edhe të gruas edhe të fëmijëve! 
 - Qetësohuni, - i tha si me të lutur vëllai i viktimës.
 - Si, si të qetësohem!
 - Të betohem, unë e vëllezërit e tjerë, me të marrë vesh ç’ poshtërsi kishte bërë ai, i vogli, nxitova për te ju. Nxitova për te ju , zoti gjykatës....
 ... Vëllai i viktimës, që nuk ta jepte përshtypjen për burrë fjalëshumë, tani po shfaqej krejt tjetër. Fliste shpejt dhe rrjedhshëm, fliste, fliste madje edhe bukur. E siguroi gjykatësin se të gjithë anëtarët e familjes, domosdo, të gjithë vëllezërit kishin mbajtur qëndrim, nuk ishin të një mendjeje dhe nuk e kishin aprovuar veprimin e vëllait të vogël.
- Pse? – pyeti  dhe u përgjigj po vetë ai. -  Sepse ai është nxituar, është treguar i pamend, kur në këtë  histori të ndyrë, por dhe tragjike, ju ngatërroi juve, gjyqtarin e çështjes, bashkë me familjen tuaj... Megjithatë, - përfundoi vëllai i viktimës, -  në atë letër të mallkuar, që të ka tmerruar familjen, ka diçka që vëllai i vogël, zoti gjykatës, e ka bërë mirë... E ka bërë mirë pra, që edhe ne, vëllezërit e tjerë, jemi dakord...
- Me çfarë, me çfarë jeni dakord?! –mundi të pyesë i alarmuar gjykatësi.
 - Të bukur qetësim! – tha nëpër buzë gjykatësi.
 - Veçse, - vazhdoi vëllai i viktimës, - me çka është shkruar në atë letër, me një fjalë aty, edhe ne të tjerët jemi dakord...
- Me çfarë?
 - Që kriminelit të mos i jepni dënimin kapital. Mos kujto se na vjen keq për të. Por, atë dënim s’duhet ta jepni ju...
 - Ç’ ne unë?... Nëse e merr atë dënim, ia ka dhënë drejtësia...
 - Qoftë ju, qoftë drejtësia, e njëjta gjë është, zoti gjykatës, - tha vëllai i viktimës, që dukej tanimë i freskët. – Shkurt, zoti gjykatës, po ia dhatë ju, s’do të thotë se ia kemi dhënë ne. Po ia dhatë ju, s’do të thotë se kjo punë është mbyllur.
 Gjykatësi e mati me sy vëllain e viktimës. I kuptoi përfundimisht dhe qartë ato çka shprehu ai. Njeriu i ligjit e ndjeu veten të lodhur. Pra, edhe nëse drejtësia do t’i jepte kriminelit atë që meritonte, plumbin, pala e viktimës, sapo u shpreh qartë, ishte indiferente. Ajo kërkonte ta kryente vetë atë akt, e nëse nuk do të mundte me atë që e kish mbërthyer ligji, do ta paguante një tjetër prej njerëzve të tij. A nuk kishte krimineli edhe dy vëllezër të tjerë të lirë?
 Gjykatësi, vërtet, ishte shumë i lodhur. Më tepër se sa u ul, ra tejet i pafuqi mbi kolltukun e vet. Ngriti telefonin dhe bisedoi me kryesekretaren.
 - Seanca e orës 11.00 të shtyhet...
 - Si, pse e shtyni? –foli vëllai i viktimës. – Ju lutem,  zoti gjykatës, mos e shtyni, mos e shtyni seancën. Kemi kaq kohë që jetojmë... që jetojmë të tensionuar...
 - Si? – pyeti  gjykatësi.
 - Me tension, tension të madh, bile....
 - Pikërisht, po, po, ... – tha gjykatësi, - me tension të madh bile, - shtoi me një fije ironie, që i kishte mbështjellë zërin, - me tension të madh! Por, po ju pyes: Jetoni dot pa tension ju zotëri? Jeton pa tension raca juaj?!
 - Po ne një racë jemi... Si ju, zoti gjykatës, si ne, të një race jemi! – u përgjigj tjetri.
 - Patjetër, s’ka dyshim që të një race jemi! Prandaj dhe do ta shtyj, se ...se,  të them të drejtën, përndryshe pa tension, pa konflikt me veten, me tjetrin, ç’ duhet të bëjmë? Të puthemi, të përqafohemi? Marrëzira!...- fliste dhe bënte ecejake nëpër zyrë gjykatësi, gjithnjë me të njëjtën fjalë: do ta shtyj, që tingëllonte ose, më saktë, duhej nënkuptuar: do ta shtyj deri në pafundësi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora