E enjte, 01.05.2025, 09:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Djaj të lumtur - Ëndrra e madhe

E marte, 30.12.2008, 05:34 AM


Bahri Myftari

Djaj të lumtur

Ëndrra e madhe

 Ish-mësuesi i befasoi të gjithë! Në fillim të prillit ai u shpall fitues në garën për kryetar bashkie. Në fund të muajit, i ngazëllyer deri në lot, vari në gjoks shiritin e shenjtë të qytetarit të parë.
 - Kohë e çuditshme,  kohë e çuditshme! – pati thënë atë ditë.
 Kështu, nga një ish-mësues, që për shkak të biografisë humbi tri dekada radhazi në një fshat të Çermenikës, sot në krye. Opozita u tregua vërtet e mençur, kur përzgjodhi kandidaturën e tij, jo për merita personale, sesa ato të origjinës që ish- mësuesi mbante mbi vete. Ishte pinjoll i njërës prej familjeve më me zë e me kontribut në historinë e qytetit, që zinte fill në fillim të shekullit dhe shkonte deri në mes të viteve pesëdhjetë, kur një dajë i mësuesit, shkrimtar disident, u dënua egërsisht prej diktaturës. Që atëherë vargu i vuajtjeve u bë tepër i gjatë për të ë pjestarët e tjerë të fisit, derisa përfunduan njëherë e mirë në fillim të viteve ’90-të.
 - Pushteti i emëruar mori fund! – thoshte me kënaqësi, - erdhi pushteti i të zgjedhurve, pushteti që ka për fytyrë dëshirën e secilit, të shpalosur në votën e vet.
 - Ky është një ndryshim i madh, - përsëriste shpesh ai, - ndryshim që duhet shoqëruar me ndryshime më të përgjithshme dhe më të mëdha.
 Kjo shtysë, kjo sentencë , koha e ndryshimeve..., u kthye në lajtmotiv të detyrës dhe, pikërisht, nën forcën e tij ra preh, së pari, zyra e vet. Donte ta fillonte ndryshimin me heqjen e portretit të presidentit, një figurë kjo e niveleve të larta edhe në kohën e diktaturës, por dhe ky, si shumë të tjerë, e pati ndërruar “fletën”. Do të ishte i lumtur ta zëvendësonte atë me  portretin e kryeministrit të qeverisë të vitit 1912, me plakun e Vlorës, ose të vinte aty portretin e pashës së Elbasanit apo të njeriut të ditur, Lef Nosi, por mësoi se një rregullore e brendshme e ndalonte.
 Atëherë nisi të pastronte raftet e bibliotekës së zyrës, mbushur plot e përplot  me libra kapakë trashë. T’i kishte lexuar paraardhësi i tij! Të kishte lexuar ndonjërin prej tyre Dan Byku? Qesëndisi. Ai katundari nga Darsia e Peqinit që pati arritur deri në atë post, duke bërë kurban një batalion me gjela deti!
 - Zor, zor, - qeshi, - Dan Byku do të jetë ndarë prej librave qysh nga koha e abetares.
 Ia nisi pastrimit. Hoqi vëllimet “Kapitali” të Marksit, ca vepra të Engelsit, Leninit, Mao-s dhe një thes plot me vepra të Hoxhës. Largoi po me atë përçmim ca librushka të Ho Shi Min-it, të Kastros, të Çe Guevarës. Me përjashtim të këtij të fundit, të gjithë të tjerët nuk ishin shfletuar ndonjëherë. U kënaq. Sakaq i kërkoi drejtoreshës së bibliotekës t’i gjente libra ku flitej për shtetin e parë, për revolucionin e Nolit e deri te kodet penale e civile të mbretërisë. Në këtë kërkesë renditi të gjithë shkrimtarët e traditës.
 Pas kësaj, aty, përballë rafteve, shkroi me bojë të verdhë thënien e famshme të Gjergj Fishtës: “Nuk e kemi ba Shqipninë ta gëzojmë. Por gëzojmë të jetë Shqipnia.”
 I erdhi radha tavolinës. I mbushur me një ngazëllim  të paparë, dha urdhër të prishej vendosja e tavolinës së madhe në formë T-je. T-ja të zëvendësohej me një tavolinë të rrumbullakët. Për të, tavolina në forme T-je, e pranishme në të gjitha zyrat e pushtetit të djeshëm, nuk ishte thjesht një zgjidhje e rastësishme. Ajo ishte shprehje e një mendësie të caktuar, që detyrimisht nxirrte në pah njëshin, dyshin, treshin, shkurt- presidiumin.
 - Koha që jetojmë, - qeshte nën buzë, - nuk është kohë presidiumesh, por është koha e punës, koha e njerëzve të barabartë. I vetmi akt që duhet të diferencojë  njërin nga tjetri, duhet të jetë puna, vlera, kontributi.
 Dhe vërtet, ky ndryshim i pamjes së zyrës, kjo vendosje e tavolinës së rrumbullakët ishte një masë shumë funksionuese. Tani rrahja e mendimeve, dialogu dhe bisedat  midis tij dhe qytetarëve, kryhej lehtësisht pa asnjë pengesë, pa asnjë droje. Ky intimitet që krijohej rreth tavolinës së rrumbullakët, i sillte në mend vitet e hershme të vegjëlisë, kur në ditën e ashures, atje te Teqeja e Rrapit të Mancit, mblidheshin rreth tepsive të mëdha mbushur përplot me ashuren e bekuar, njerëz të të gjithë kategorive e moshave, të zinj apo të bardhë në ishin. Vetëm luga në brez ishte personale.
 Ky ndryshim po shërbente për bukuri. Njerëzit, qytetarët hynin e dilnin lirshëm si kurrë ndonjëherë. Ata e konsideronin bashkinë, siç kishin dëgjuar vetë nga goja e kryetarit, si “shtëpinë e tyre të përbashkët”. Mirëpo, ja që çdo mëngjes diçka e trishtonte. Burimi i kësaj gjendjeje aspak të këndshme, ishte sjellja e policit te hyrja, te dera e jashtme e bashkisë. Atje, një polic i thatë dhe i hollë, kishte një dëshirë të tmerrshme për t’i vënë njerëzit në radhë. Ky veprim, kryetarit i  kujtonte radhët e dikurshme, radhët tragjike të qumështit, të djathit, të kafes...  Këto radhë i kujtonin kohën kur doktori, profesori, akademiku, për shkak të asaj radhe të mallkuar, ishte gati t’i bënte temena edhe kopilit më të keq.
 Nuk e zgjati më. Mori në telefon komisarin e policisë dhe i kërkoi ta zëvendësonte atë malokun e Shmilit, që i trajtonte njerëzit si me qenë dhi a dele, ose, në fund të fundit, i tha:
 - Ma hiq fare! Shtëpia e përbashkët s’ka nevojë për policë dhe uniformë ushtarake.
 Ndërkaq komisari refuzoi dhe, aty për aty, nëpërmjet telefonit, i argumentoi se për të kryer një veprim të tillë e ndalonte ligji, e ndalonte rregullorja.
 - Për ç’ligj, për ç’ rregullore me flet? – i ishte hedhur kryetari i nxehur, - për  ligjet dhe rregulloret e Dan Bykut? Nuk na duhen më ato. Zoti komisar, ato i takojnë pushtetit të dikurshëm, pushtetit që për armik të parë kishte votën. E, pra, biri im, ky, që kemi ne,  është pushteti i vërtetë i popullit, është i popullit sepse buron prej votës së sejcilit. E kupton rëndësinë e përmbajtjen e kësaj që po të them? -Dhe, sakaq ia mbylli telefonin.
 Të nesërmen vendin e policit e zuri një qytetar, një mesoburrë nga lagjja “Kala”. Siç pati mësuar kryetari, ky banor nga “Kalaja” për vite radhazi ishte kujdesur vullnetarisht për mirëmbajtjen e varrit të Kostandin Kristoforidhit.
 Kryetari po i kalonte të 60-at, por ky vit, që e nxori për qytetar të parë, po i dhuronte energji dhe freski që binte në sy te të gjithë qytetarët. Vetëm në vakt dreke i binte disi vrulli nga  mosha e tij. Një orë, dy orë ishte kjo, pastaj atë e zinte ora 12.00 e natës në zyrën e vet. Hallet e qytetarëve ishin të shumta e të ndryshme: strehimi, varfëria, por, mbi të gjitha, papunësia, plaga që gati e çarmatoste atë. Një fuqi punëtore e re, e freskët, e hatashme për nga vlerat, dergjej trotuareve përgjatë bulevardit kryesor, që zinte fill te stadiumi dhe mbaronte te Ura e Zaranikës, një energji e paparë marrosej pas lojërave të fatit, pas bixhozit, pas bilardove që kishin mbirë anë e kënd qytetit.               
  Këtë realitet të dhimbshëm të qytetit, veçanërisht papunësinë kryetari ia bëri me dije edhe kryetarit të qeverisë, kryeministrit. I kërkoi atij t’i krijonte mundësi ose rrethana për investime, për ndihma, për një vëmendje të veçantë ndaj qytetit të tij, në mënyrë që të bëhej e mundur zbutja e kësaj të keqeje  jo të vogël.
Ah kryeministri! Kryeministri ia kishte prerë shkurt.
- Zoti kryetar i bashkisë, qytetarët e tu i paska marrë malli për ato kovaçhanat e socializmit! Thuaju t’i harrojnë ato! U kemi dhënë lirinë dhe liria i krijon të gjitha mundësitë...
            Pastaj si të kish harruar diçka jo fare pa rëndësi, i kishte thënë:
 - Zoti kryetar, nuk e di nëse e ke ende varur atë citatin e famshëm të Gjergj Fishtës?...
 Kështu ishte mbyllur bashkëbisedimi me të. Kryetari, herë pas here, e kujtonte atë bisedë, ligështohej dhe, si pa dashje, sytë i shkonin te thënia e poetit, duke e lexuar atë për të qindtën apo të njëmijtën herë, “Nuk e kemi ba Shqipninë ta gëzojmë.Por gëzojmë të jetë Shqipnia”.
 - Qofsha unë i gabuar, - tha nëpër buzë, - por zoti kryeministër i paska kuptuar shtrembër ato fjalë ari!
 Ndërkaq, kohë më kohë, kontaktet, takimet e tij me qytetarët po rralloheshin së tepërmi. Të pranishmit e përditshëm ishin vetëm ata të cilëve u kishte shkuar thika në palcë prej varfërisë dhe që e mbanin frymën gjallë me asistencën apo me ndihma të shoqatave të ndryshme. Kjo ftohje mes tij e qytetarëve po i hidhte vitet e pleqërisë tufa-tufa mbi supet e tij.
 Thirri rojën dhe i kërkoi të dinte më shumë për këtë.
 - Qytetarët nuk vijnë më këtu, - i tha ai. – Shkojnë në një vend tjetër.
 - Ku? –pyeti tërë kërshëri kryetari.
 - Te stadiumi... te sheshi para stadiumit. Atje zënë e shajnë....
 - Çfarë? Kë shajnë?! Mos m’ u zgërdhi ashtu!...
 - Nuk e them dot, - u përgjigj tjetri i ndrojtur.
 - Po të pyes?... – këmbënguli kryetari. – Në je djalë kalaje, djalë i asaj lagje burrash, fol...
 - Shajnë qeverinë, - foli tjetri i çliruar.     
            - Shajnë qeverinë?!
 - Po, po shajnë qeverinë tuaj, - vazhdoi roja.
 - “Qeverinë tuaj”? Pse nuk thua qeverinë tonë? S’ke turp!... 
 - Po pse, zoti kryetar, kur paska pasur ndonjëherë qeveri për ne, për dorën time?
 Kryetari i bëri shenjë me dorë të largohej. Ishte vërtet i nervozuar. Në televizionin e mbrëmjes, të po asaj dite, pa kronikën e orëve të vona që jepte protestën e dhjetëra e qindra vetëve të mbledhur te sheshi para stadiumit. Protestuesit ishin anëtarë të sindikatës më të madhe në vend, sindikatë e cila kishte mbështetur ardhjen e opozitës në pushtet. Kjo pamje u ndoq për net më radhë, dhe, nga njëra radhë në tjetrën, sindikalistët po manifestonin akte që shkonin deri në urrejtje, domosdo, së pari, ndaj qeverisë. Në një nga këto kronika arriti kulmi, kur përfolkej dhe fyej kryeministri i vendit.
 Kryetari i bashkisë fiksoi grupin që i drejtonte protestat dhe ku, mbi të gjithë, dallohej një djalë i ri, një bardhosh për nga flokët e fytyra.
 “Danez” i çmendur! – shfryu kryetari me inat.
 Dhe as më shpejt e as më vonë, por që të nesërmen atë djalë që i vuri nofkën “danez”, e pati përballë për disa orë në zyrën e tij.
 - I kemi kërkuar takim për të satën herë kryeministrit, - i tha “danez”. – Veç herën e fundit denjoi të na priste dhe, në vend që të na jepte mundësi, arsye, rrugëzgjidhje për hallin e madh të papunësisë që i shtruam, na bëri leksione lirie.
 - Leksione lirie?! – përsëriti kryetari. – Liria...
 - Liria, si me qenë liria motra apo e ëma e kryeministrit. Se na i paska dhuruar ai! Po pse nuk ia paskemi dhuruar ne atij? Ja kemi dhuruar ne dhe ai e ka shaluar... Liri për të vdekur maleve dhe deteve, kjo është liria që na ka dhuruar ai... Këtë liri, unë dhe shokët e mi...
 - Të lutem, të lutem! – e ndërpreu kryetari.
 “Danezi” heshti dhe kryetari u përpoq t’ia zbuste gjuhën. Zuri t’i numëronte atij hallet, qe në të shumtën ishin të trashëguara, shumë të këqija vinin nga e kaluara dhe, lehtazi, i përmendi një sërë pamundësi të së përditshmes dhe, mbi të gjitha, u përpoq t’i shpjegonte vlerat që burojnë prej durimit, prej mosngutjes dhe, domosdo, besimin ndaj të ardhmes, dhe përfundoi ndaj ëndrrës sonë të madhe.
 Nga ana e vet, “danezi” nuk i dha aspak shenjë mirëkuptimi e tërheqjeje. Përkundrazi, ai bëri një aludim të qartë se gjuha e kryetarit dhe mendimet e tij ishin të njëjta me ato të kryeministrit, të cilat, si më parë edhe tani, por me më forcë, i quajti gënjeshtra e fjalë boshe. Ndërkaq u ngrit dhe bëri të dilte nga zyra. Në çast, kryetari që e kuptoi se çka ligjëroi, tjetrit i kishte shkuar tangent, prandaj me këst e pyeti:
 - Elbasanas jeni ju?
  “Danezi” iu kthye përballë, vuri buzën në gaz.
 - Ç’të duhet biografia, zoti kryetar, apo ke ndërmend të më dërgosh nja 50 vjet fshatrave të humbura të Çermenikës?... dhe sakaq tërhoqi derën me tërsëllimë dhe doli.
 Kryetari, i mbetur vetëm, zuri të bëjë ecejake kot më kot. Sindikalisti nuk i kishte lënë aspak përshtypje të mirë. Guximi, revolta dhe ajo kurajë e tij, më tepër se aq, i tingëllonin si harbutëri. Po shpejtonte të largohej. Prej fillimit të detyrës dhe deri në atë përballje, kurrë nuk e pati menduar se mund të vinte puna edhe ashtu siç i ndodhi me atë djalë. Iu duk sikur po e përzinte zyra e vet. U ndje vërtet i plakur, i rrënuar.
 Të nesërmen dhe më pastaj, protestat e qytetarëve u shpërngulën nga sheshi i stadiumit drejt bulevardit kryesor. Tani “lumi” i njerëzve zbukurohej me pankarta e parulla, që flisnin hapur kundër qeverisë. Nuk vonoi shumë dhe ndër to u shkrua po aq rëndë edhe për bashkinë e për vetë kryetarin e saj. Në njërën syresh atij i bëhej thirrje dhe i kërkohej, meqenëse ishte në atë post me votat e protestuesve, të vinte e të bashkohej me ta. Përgjatë atij leximi kryetarit  i dogjën sytë deri në dhimbje. Diç mërmëriti dhe bëri kokën mënjanë.
 Në mesditë turma shpërtheu rreshtat e vet në bulevard dhe u sul drejt lulishtes në të djathtë, duke e mbajtur vrapin mu përpara derës së bashkisë. Të thirrurat, të bërtiturat dhe ulërimat e protestuesve, bridhnin si gjëmime të vërteta dhe hynin po të tilla në zyrën e vetë kryetarit të bashkisë.
 Ai vrapoi drejt ballkonit dhe, kur u ndesh me vështrimin e protestuesve, dikush prej tyre nuk nguroi, madje guxoi jo vetëm ta shante e fyente, por edhe ta qëllonte me sende të buta të gjetura aty, përqark. Kryetari i bashkisë thirri kalajasin, por dhe ai ishte trembur, me siguri diku ishte fshehur. Protestuesit, ngaqë nuk gjetën pengesë, hynë në katin e parë. Ndërsa drejt katit të dytë, për te zyra e tij, po ngjitej “danezi” me nja dy-tre protestues të tjerë.
 Kryetari shpejtoi për në zyrë. Rrëmbeu receptorin dhe u lidh me të shpejtë me komisarin e policisë. I kërkoi ndihmë atij, i kërkoi policë, ose ashtu siç i tha vetë, të dërgonte dreqin e të birin.
 Komisari, për nga matanë telefonit, po i jepte shpjegimet e çastit, se lëvizja e trupës, e policëve, qoftë edhe drejt “shtëpisë së përbashkët” bëhej në bazë të disa procedurave...Dukej sheshit, komisari po ironizonte shprehjen aq të përzemërt të kryetarit të bashkisë.
 - Ka disa rregulla, zoti kryetar, ka disa...
 Kryetarit i dogji ironia e tjetrit, dhe kur ndjeu zhurmën e protestuesve nëpër shkallë, krejt pa fuqi, u lëshua mbi kolltuk.
 - Bir kurve! – tha.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx