E enjte, 01.05.2025, 06:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Biznesi po dhunon muzikën

E diele, 28.12.2008, 11:08 AM


Në një kohë kur muzika shqiptare është në kulmin e prodhimit, muzikantët profesionistë janë të shqetësuar për nivelin e saj artistik. Sipas tyre, vihet re një muzikë konsumi e përgjithshme që ekziston në shumëllojshmëri prodhimi. Ritme, ngjyra dhe atmosferë sllave, greke apo turke kanë pushtuar këngën tonë dhe me sa duket është e vështirë të dalësh nga ky llum. Një numër i madh televizionesh dhe radiosh e promovojnë çdo ditë këtë muzikë, ndërkohë që studiot e regjistrimit dhe e realizimit të klipeve janë një biznes më vete. Tinguj e melodi të huaja, të marra nga sukseset e artistëve ballkanikë e më gjerë janë tashmë hite në vendin tonë. Por, jo vetëm kjo. Të rinj e të reja, me ëndrrën e madhe për të qenë të famshëm dhe jo vetëm kaq... kanë veshur shpejt e pa vështirësi "petkun" e këngëtarit dhe shfaqen para nesh. Për profesionistët, tekstet e tyre, janë problem më vete. Shumica banale, pjesa tjetër pa kuptim. E gjithë kjo situatë të çon në përfundimin që ka arritur edhe kompozitori Agim Krajka: këngët shqiptare nuk janë më "këngë shqiptare". Muzika jonë është dhunuar. Përveç kësaj, vihet re gjithnjë e më shumë se këngëtarët profesionistë janë larguar nga skena. Festivali i RTSH-së, që me emrin dhe rrugën e tij të gjatë ka nxjerrë breza të tërë profesionistësh, a duhet të ketë një rol për muzikën. Ndërkaq, lind pyetja: ku janë gjigantët e muzikës sonë, si dhe pse arriti muzika jonë në këtë pikë, si mund të dilet nga kjo "krizë"? Lidhur me këto pyetje dhe shumë të tjera që shqetësojnë muzikën tonë, "Gazeta Shqiptare" ka kërkuar opinionin e disa prej emrave më të njohur të muzikës sonë.

Në Eurosong të shkojnë këngëtarë me përvojë

Endri Sina

Muzika shqiptare vitet e fundit ka një lloj bumi në prodhimtari. Kur them bum, nënkuptoj një prodhimtari të gjerë, sepse bëhen tre apo katër festivale në vit që janë konkurrues me njëri-tjetrin. Ndër ta ma prestigjiozi është Festivali i RTSH-së, sepse ka edhe historinë e gjatë të mbajtjes së tij. Kjo shumësi ka anën e vet pozitive dhe negative, ndaj them se jemi në një periudhë kur vlerat e mira janë në përgjithësi të cenueshme ose mezi të dallueshme. Vihet re një muzikë konsumi e përgjithshme, që ekziston në shumëllojshmëri prodhimi. Mendoj se koha do t'i evidentojë këngët më të mira të të gjithë këtyre prurjeve. Elementët e huaj kanë "pushtuar" këngët shqip. Ka kohë që në këngët tona ka elementë të orientit dhe ndikime edhe nga këngë amerikane. Kjo mund të ndodhë edhe në vende të tjera, por tek ne është e dallueshme, sepse shumica e prodhuesve, kompozitorëve dhe arranzhuesve janë amatorë, dhe detyrimisht ndikimet janë më të mëdha. Nëse profesionisti di të filtrojë dhe di se çfarë të thithë nga prodhimet e huaja dhe mbështetet më shumë në motivet shqiptare, amatori është më i cenueshëm nga e huaja. Mungesa e profesionit ka dëmtuar shumë. Këngët e huaja ecin më shumë, sepse merren më të mirat dhe më të suksesshmet. Si melodi ato kanë sukses edhe tek ne, por mbështeten në tekste banale, naive, që perceptohen më kollaj nga një masë e gjerë. Një tjetër arsye e bumit të këtyre këngëve, ka të bëjë me faktin se janë shumë të lehta për t'u prodhuar, se janë të gatshme. Është diskutuar ngritja e një komisioni që të kontrollojë, këtë e shoh me shumë dyshim, sepse duket si censurë. Në shoqërinë tonë censura është e rrezikshme dhe është e pamundur ta bësh. Unë jam pro krijimit të këtij komisioni, por jemi në një treg që nuk e bëjmë dot. Duhet, por është e pamundur. Festivali i 47-të i RTSH-së në përgjithësi ishte mirë. Ishte i prirë drejt këngëve melodioze dhe të shtrira, sepse duke qenë live, parapëlqehen këngët e qarta. Për sa i përket prurjeve, ato ishin mbi mesataren, por nuk është faji i organizatorëve për këtë. Më pëlqeu dueti i Shpëtim Saraçit, kënga e Besa Kokëdhimës, e Alfred Kaçinarit, West Side Family. Fakti që në të konkurruan për çmim vetëm 20 këngë, është një formulë që ka anën e saj pozitive. Këngët dëgjohen që të treja netët dhe në këtë mënyrë edhe promovohen më shumë, dhe anën negative: lihen jashtë shumë konkurrues të tjerë. Them se do të ishte më mirë të ishin 30 këngë, por të kenë më shumë kohë për t'u promovuar, sepse nuk kuptohen që në fillim dhe kjo është pika e dobët e këtij festivali. Kejsi Tola është një këngëtare me të ardhme, sigurisht, kjo nuk është kënga më e mirë e Edmond Zhulalit. Nuk e kuptoj pse është bërë e modës që 'etheistët' fitojnë çmimin e parë. Do të doja që në Eurosong të shkojnë këngëtarë më me përvojë.

Muzika në Shqipëri, monopol i tre-katër bosave

Genti Lako

Sepse, kërkesa e tregut ka qenë e tillë. Që në fillim të viteve '90, tregut muzikor shqiptar iu ofrua kjo lloj muzike nga persona të caktuar. Bastardimi ka nisur që atëherë dhe përfundoi në koniuktura të tilla, të cilat e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë artin. Mund të ketë shumë këngë të bukura që nuk të lë njeri t'i shpalosësh dhe janë të destinuara të mbeten në hije, të mos mbërrijnë aty ku duhet. Është bërë punë ujqërish. Muzika është kthyer në biznes si ai i ndërtimit apo i bananeve. Një person që ka një studio dhe ka koniukturat e duhura ka 300 punë në vit. Sigurisht, që kaq shumë këngë janë thjesht flluska sapuni, sepse që të bësh një këngë nuk ke kohe fizike, ta mbarosh në dy ditë. Ato nuk janë këngë. S'mund të jenë të tilla. Por, fatkeqësisht, të tilla janë këngët sot. Çdo gjë është koniukturë dhe nuk duhet të presim rritje të cilësisë. E njëjta gjë po ndodh dhe me këngëtarët. Ka hyrje joprofesionale, të cilat mbulohen me klipe të bukura, por ka edhe këngëtarë të mirë. Ka interpretues, si rasti i prurjeve që vijnë nga kompeticione si "Ethet", por që nuk mund të jenë këngëtarë. Ata janë thjeshtë imitues. Nuk ka një këngëtar të mirëfilltë shqiptar që të mos i them "Ti nuk i ngjan askujt". Përjashtoj këtu profesionistët e vjetër. Kastriot Tusha është Kastriot Tusha, ai nuk i ngjan askujt. Edhe Bujar Qamili s'ka kurrfarë shenje të përbashkët me dikë tjetër. Këngëtarët e tjerë? Këta kopjojnë deri në maksimum. Askush nuk këndon me zërin e vet. Çdo këngë e interpretuar prej tyre vjen si një kopje e këngës në origjinal. Kopjojnë Agilerën, Rihanna, Timbaland. Askush nuk arrin t'i japë këngës që interpreton diçka nga vetja, origjinale. Unë po mundohem të nxjerr gjëra origjinale vetëm të stilit tim, por ka goxha vështirësi sa u takon koniukturave, sidomos ato që lidhen me autorët maqedonas jo shqipfolës, të cilët dhe pse kanë vështirësi të përshtatjes së tekstit me muzikën e tyre, kanë ozurpuar Shqipërinë. Këngëtarët shqiptarë diktohen nga dikush tjetër. Producenti i tyre i çon me dhunë tek autori me të cilin janë të lidhur… Fatin e muzikës shqiptare e bëjnë tre-katër bosa në Shqipëri. Unë jam një pjesë e vogël e projektit të tyre dhe kam pak forca financiare apo morale qofshin për të ndryshuar diçka. S'ka dyshim, muzika është kthyer në monopol, si çdo biznes tjetër në Shqipëri.

Muzika e tregtuar, kopje e shëmtuar e tregut ballkanik

Sokol Marsi

Ritme, ngjyra dhe atmosferë sllave, greke apo turke. Muzika shqiptare duket se është në krizë. Janë shumë komponentë që janë përgjegjës për këtë fenomen, duke filluar nga kritika, forumet artistike, institucionet përgjegjëse për zhvillimin e artit shqiptar, e duke zbritur deri te krijuesit. Nëse këto do të funksiononin të gjitha bashkë dhe do të ishin ekzigjente për sa i përket kurimit të muzikës së mirë shqiptare, situata do të ishte krejt e ndryshme, por për fatin tonë të keq, mendoj se këto janë hallka të një zinxhiri të shkëputur dhe pothuajse nuk funksionojnë. Krejtësisht jashtë këtij vargu ka mbetur edhe muzika e lehtë shqiptare, situata e së cilës është kthyer thjesht në përmbushje dëshirash individuale, pa kontroll, pa norma artistike e profesionale. E gjitha kjo çon në favorizimin e një situate tepër çoroditëse dhe krijon terren të lirë për përhapjen e "fenomenit" si një virus që dëmton gjithçka. Tregu muzikor funksionon krejtësisht në liri të plotë për sa i përket parimeve artistike apo kushteve që duhet të plotësojë një krijim që të quhet i mirëfilltë dhe profesional, apo të përçojë vlera te konsumatori. Nuk ka asnjë "sitë" profesionale që të bëjë dallimin se muzika e tregtuar është kopje e shëmtuar e tregut ballkanik apo mbart me vërtet vlera artistike, estetike dhe profesionale. Në një fare mënyre, edhe muzika jonë tradicionale me të cilën jemi identifikuar shpesh në botë, ka pësuar devijacione. Këngë të mrekullueshme popullore përpunohen apo aranzhohen pa asnjë lloj kriteri tradicional e profesional, duke shtrembëruar edhe formën, edhe interpretimin. Të gjithë jemi për të renë, për përshtatjen në kohë, por jo duke prekur themelin dhe shtratin, por duke i shtuar atij aromën që sjell koha e re. Kritika duhet të fillojë nga vete ne, që ndoshta pa dashje, por për një seri arsyesh që përmenda dhe pak me lart, jemi kthyer në aktorë të kësaj drame. Ne po pranojmë në heshtje gjithçka që ndodh! Mendoj se duhet të mblidhet një grupim i kualifikuar artistësh për të diskutuar dhe gjetur modulet e duhura për të pastruar gjithë këtë situatë, ndryshe çdo ditë që kalon është vonë. Mendoj se pjesëmarrja në festivalin e RTSH-së është një vlerësim për çdo krijues dhe këngëtar, pasi është festivali mëmë, nga i cili kanë rrjedhur më vonë edhe festivalet e tjerë. Fakti që këndohet live është një tregues i mirë vlerash interpretative, nga i cili publiku mund të bëj dhe dallimin mes këngëtareve të mirë dhe atyre që fshihen pas performancave artistike. Edhe pse stafi drejtues ishte munduar të tregohej i kujdesshëm në këtë pikë, sërish pati interpretues që lanë shumë për të dëshiruar në interpretimin live. Si krijues nuk do t'ia besoja kurrë krijimin tim kësaj kategorie. Ne shqiptarët jemi mësuar të kontestojmë rezultate, por vendimi i jurisë është i pa kontestueshëm. Një sëmundje e përhershme është përfshirja e ndonjë anëtari jurie krejtësisht jashtë fushës së artit. Juria duhet të kurohet me kujdes, që gjithë krijuesit të jenë të bindur se votat që kanë marrë ju ja dhënë nga njerëz profesionist, dhe jo nga adhurues arti. Për sa i përket këngës fituese, dëshiroj t'i uroj suksese mikut tim Zhulali si dhe këngëtares Kejsi Tola, si një-ish nxënësja ime, pasi skena e Moskës kërkon vërtet përgatitje të lartë profesionale që të përballohet me sukses. Duhet bërë një analizë, përse shumë prej këngëtarëve profesionistë i shmangen festivalit? Mendoj që formula ku të rinjtë dhe bigët garojnë së bashku nuk është shumë funksionale. Shembull të qartë për këtë kemi Sanremon, ku ndahen në kategori të veçanta garuesit. Duhet të ketë një natë ku të garojnë vetëm të rinjtë dhe fituesit e saj të garojnë natën finale me të rriturit, dhe pse jo pastaj të dalin edhe fitues e të shkojnë në Eurosong. Ne marrim pjesë në Eurosong me këngëtarë fare të rinj në moshë, gjë e cila për çudi nuk ndodh me asnjë vend tjetër?!!! Ndoshta e kanë ata gabim... këtë vit festivali kishte vetëm 20 këngë... Që të kesh sasi nuk do të thotë të kesh cilësi të lartë artistike. Mendoj se duhet bërë kujdes i madh që asnjë krijim i mirë mos të mbetet jashtë. Numri nuk duhet të jetë i prerë, por të hyjnë ato krijime që juria përzgjedhëse mendon se janë të vlefshme, qoftë kjo se shtohen 4 apo 5 këngë. Në rastin që kërkojmë që këngët të dëgjohen të 3 netët për t'u fiksuar, them se shumë kohë përpara të punohet me lançimin e tyre në radio dhe TVSH. Netët finale te festivalit duhet te jene një festë e madhe e këngës ku të gjithë të garojnë për çmimin e madh, dhe jo të mendojnë se sa e kuptoi publiku këngën me 1 apo 2 dëgjime.

Strukturat që duhet të mbrojnë artistët e vërtetë janë në krizë

Luan Zhegu

Për mendimin tim, Festivali i 47-të i RTSH kishte këngë të pëlqyeshme nga publiku. Kjo e fundit u vu re sidomos në natën finale, ku mund të them se çdo këngë u duartrokit ndjeshëm nga publiku i sallës. Megjithatë, nuk mund të themi se ky fakt mund të jetë një tregues për nivelin e arritjes të krijimit të çdo kompozitori apo poeti në këtë festival. Më jepet rasti t'i uroj Edmond Zhulalit dhe Kejsi Toles suksese në Eurosong. A është kënga fituese më e mira e festivalit? Besoj se kjo pyetje i takon jurisë së nderuar që përzgjodhi këtë këngë, kurse për Kejsin them se skenën e Moskës dhe çdo skenë e përballon me moshën e saj. Është e vërtetë që emrat e rinj po fitojnë çmimin e parë në këtë Festival. Në qoftë se e meritojnë, të fitojnë çdo vit, këtu nuk ka asgjë për t'u habitur. Emrat profesionistë të këngës ndoshta janë zhgënjyer me të drejtë për mosvlerësim të vlerave që ata kanë dhe kanë përcjellë në festivale ndër vite. Desha të ndalesha në një moment, tek interpretimi vokal dhe në tërësi i këngëtares Era Rusi, dhe këtu vlerësimi që ju bë kësaj të fundit la për t'u dëshiruar. Këtë vit kishte vetëm 20 këngë konkurruese, por ka pasur vite edhe me 50 të tilla. Ka mendime të ndryshme për këtë gjë. Unë mbroj mendimin për 30 këngë pjesëmarrëse në Festivalin e RTSH-së, sepse sa më shumë këngë profesionale t'i japësh vendit tënd, aq më shumë forcon identitetin e këngës shqiptare, pasuron fondin e artë të këngëtarëve të mëdhenj shqiptarë, të kompozitorëve dhe orkestruesve tanë të talentuar.
Nga artistët me përvojë të këngës shqiptare është thënë se ka një krizë në muzikën shqiptare, këngët e reja që shfaqen në televizione nuk janë me muzikë shqipe, teksti i tyre ka shumë probleme dhe kjo i ka bërë shumë vetë të mendojnë se kënga shqipe është në krizë. Kjo kërkon një analizë të thellë, sepse kur thua muzika shqiptare në krizë unë do e argumentoja ndryshe, sepse do veçoja muzikën e lehtë, muzikën popullore, atë të krijuar, atë qytetare etj. Në krizë janë strukturat që duhet të mbrojnë artistët e vërtetë shqiptarë, që bëjnë art.

Të organizohet një post-festival analitik

Shpëtim Saraçi

Nuk më pëlqen të komentoj këtë edicion të festivalit, sepse unë jam pjesëmarrës në të dhe jam vlerësuar më çmimin e dytë. Unë do të doja që të shmangeshin debatet që prej vitesh zhvillohen në media pas Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Këto debate janë kthyer në një lum batutash mes fituesve dhe humbësve të këtij konkurrimi të këngës. Unë kam dëshirë t'i bëj një kërkesë Radiotelevizionit Shqiptar. Do të ishte mirë që të organizohej një post-festival analitik, ku të jenë të pranishëm të gjithë pjesëmarrësit në konkurrim dhe këtu të diskutohen të mirat që kishte edicioni, po ashtu edhe problemet që ai ka pasur. Në këtë mënyrë, do të debatohej mes pjesëmarrësve, me ose pa praninë e mediave suksesi ose dështimi, ku të gjithë di t'i thoshin njëri-tjetrit në sy mendimin e tyre. Kërkesa e dytë që unë kam për RTSH-në, është më shumë promovim i këngëve pjesëmarrëse. Krijimi që shkon aty nuk duhet lënë "e vdekur", por duhet transmetuar më shpesh edhe gjatë vitit. Festivalet private të këngës i promovojnë më shumë konkurruesit e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx