E enjte, 01.05.2025, 01:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Prezantime të reja shqiptare në veri të Danubit

E enjte, 25.12.2008, 05:48 PM


Prezantime të reja shqiptare në veri të Danubit

Nga Baki Ymeri

Bukuresht, Ditë e Bekuar e Kërshëndellave, 2008. Në spektrin e prezantimeve të reja në gjuhën rumune, gjatë këtij muaji vlen të potencohet revista e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë që del në Fokshan, Oglinda literara (Pasqyra letrare, drejtor: Gheorghe Neagu). Kështu, në numrin 84 (dhjetor 2008), kjo revistë prtestigjioze që botohet në 5 mijë ekzemplarë, boton vargjet e poeteshës Elda Kokoneshi nga Elbasani (Petale të kaltra, Manteli i dashurisë, Hëna dëshmitare, Simfoni e dashurisë).  Revista letrare për të gjitha gjinitë dhe moshat Dor de Dor (Malli ndaj Mallit), e cila del në lokalitetin Dor Mërunt të Këlërashit (e themeluar nga poeti Marin Toma), pas prezantimit në numrin paraprak të poezive të Flora Brovinës, Bardh Frangut dhe Ilire Zajmit nga Kosova, në numrin e saj më të ri (42/2008), kjo tribunë letrare hap shtyllat edhe për vlerat letrare të dy poetëve tjerë kosovarë: Miradije Ramiqi (Ta zdesh këmishën e natës, Akti i mbrëmjes) dhe Ibrahim Kadriu (Kushdo që vjen gjurmave të vetmisë sime).

Në vazhdën e prezantimit të gjuhës shqipe në shtypin letrar të Rumanisë, vend me rëndësi zë edhe revista Poezia e cila del në Jash të Moldovës (drejtor Cassian Maria Spiridon). Numri 4 i këtij viti (Dimër 2008), mban moton “Poezi dhe sentiment”. Ndërmjet faqeve 89-96 defilojnë në gjuhën shqipe vargjet e shtatë poetëve rumunë të prezantuar në antologjinë Frumusetea frumusetilor/ Bukuria e bukurive: Varujan Vosganian, Victoria Milescu, Mihai Antonescu, Cassian Maria Spiridon, Florentin Popescu, Corina Matei Gherman, Marius Chelaru.

Një eveniment tjetër që e ndërlidh kulturën shqiptare me atë rumune është interesimi i Bibliotekës “Nichita Stanescu” të sektorit 6 të Bukureshtit, e cila ka filluar ti pasurojë raftet e saj edhe me literaturë shqipe. Kështu, në sajë të donacioneve me libra që kanë bërë dr. Luan Topçiu dhe autori i këtij shkrimi, siç na lajmëroi zonja Liliana Radu (funksionare), kjo bibliotekë pregadit terenin për inanugurimin e Kolekcionit Kadare (Colectia Kadare). Pas përurimit të librit Timpul imperfect (Koha e pakryer) të shkrimtarit Eduard Tonceanu (15 dhjetor 2008), ditën kur manifestohej 25 vjetori i vdekjes së poetit të famshëm Nichita Stanescu, para një auditori të përbërë nga nxënës, studentë, bibliotekarë, krijues të artit dhe oficialitete të Bashkisë së sektorit 6, u përmend edhe rëndësia e lidhjeve të lashta trako/ilire, respektivisht rumuno/shqiptare, dhe u lexuan disa poezi të Nichita Stanescut në gjuhën shqipe.

Në këtë kontekst vlen të përmenden edhe tri risi tjera që e transmetojnë dritën e fjalës shqipe në gjuhën rumune gjatë festave të shenjta të dimrit: Botimi i pardjeshëm i vëllimit Vis de furat (Ëndërr për ta vjedhur), i autorit të këtij shkrimi (Albert Voka, pseudonim letrar), botimi i antologjisë Cheia sufletului/Çelësi i shpirtit (me 6 poetë shqiptarë dhe 4 rumunë) që këto ditë del nga shtypi, dhe botimi (në gjuhën shqipe dhe rumune), i ditarit të Besa Salihut nga Kosova, që del në vigjilje të Vitit të Ri, dhe i cili mban titullin Ndëshkime hyjnore. Në të njëjtin kontekst vend me rëndësi zë edhe revista Bucovina literara (nr. 11/12, nëntor/dhjetor 2008) me reçensionin Urma cuvantului / Gjurma e fjalës të eseistit Marius Chelaru dedikuar vëllimit Stelele Vesniciei/Yjet e Përjetësisë, të poetit kosovar me banim në Zvicër, Brahim Avdyli. 

Ballina e revistës Dor de Dor

MIradije Ramiqi dhe Ibrahim Kadriu në revistën Dor de Dor



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx