E marte, 07.05.2024, 11:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Djaj të lumtur - Zullulandi

E shtune, 20.12.2008, 01:17 PM


Bahri Myftari

Djaj të lumtur

ZULLULANDI

 Zullulandi ka ndryshuar. Ka mbi një shekull që sheh për nga perëndimi. Çdo gjë në atë vend, nga organizimi i shtetit, nga ngritja e institucioneve pa përjashtim, nga mënyra e jetesës, e kulturës, e arsimit është krejtësisht evropiane. Megjithatë, si në çdo rast të njëjtë, do të gjenden grupe a individë të pakënaqur, madje edhe më shumë. Ndër ta, pa dyshim, më i egri, më i serti ishte dervish Selimi i Teqesë së Madhe. Nuk ishte  njeri kot zotëria e tij, shkurt nuk ishte nga ata që i gjykonte gjërat dhe bëmat e kësaj bote bardh e zi, përkundrazi përpiqej të ishte i vërtetë ose, të paktën, sa më pranë saj. Dikur pati shërbyer në Azinë e Vogël, në Siri, në Turqi, më pas në Ballkan, në Sanxhak, në Bosnjë ku ishte kthyer në zë të fuqishëm në mbrojtje të viktimave të Srebenicës dhe kritikues i rreptë ndaj forcave paqeruajtëse. Mu për këtë, siç pohonte, e patën transferuar për në tokën e Zullulandit. Kryegjyshata që gatoi transferimin, që e degdisi në tokën e Zulluve, shpresoi se do ta thyente, do ta qullte, do t’ia ulte stekën e trimërisë e të revoltës, por u gabua. Do të ishte më lehtë të drejtoje kurrizin e gungaçit, se sa të ndërroje karakterin, sjelljen dhe huqet e atij burri të rrahur me vaj e me uthull. E nisi luftën me të mbërritur. Preh e saj do të ishin qeveria e vendit, politika në përgjithësi e, sidomos, kur ajo vinte në pushtet. Për fat, Zullulandi ishte i njohur për të. Karriera e tij, vite më parë, aty pati filluar. Babai i teqesë, i rënduar prej pleqërisë dhe prej shëndetit, aq sa kolltuku i tij, i pashembullt, ishte gatitur me porosi të veçantë, njihej me dervish Selimin qysh në rininë e parë. Më pas jeta dhe detyra kishin bërë të tyren. Gjithsesi, ishin parë dhe takuar nëpër mbledhje të rëndësishme gjer edhe në kongrese të ndryshme. Atë ditë, para se babai të çelte ditën e Hashures, ku, veç besimtarëve të zakonshëm e të thjeshtë, do të vinin pa tjetër edhe paria e vendit, babai, duke e ditur dobësinë e dervish Selimit ndaj tyre, për të shmangur ndonjë sherr të mundshëm, e mori mënjanë dhe e këshilloi:
 - Hesht, hesht dervish!
 Me shërbimin do të  merreshin dervishët e tjerë. Të gjithë, edhe pse ishin mbi të pesëdhjetat, me të marrë urdhrin prej babait, u treguan të lehtë, të papërtuar, si me qenë djem në lule të moshës.
 Dervish Selimi, qejfprishur, por kurrsesi inatçor ndaj babait, - e donte me shpirt, para këtij njeriu të urtë kurrë nuk e ngriti zërin më tepër sesa duhej- zuri të ngjitej në dhomën e vet. Dhoma ishte në katin e dytë. Mbante numrin shtatë. Ndriste prej pastërtisë dhe rregullit. Krevati ishte mbuluar me kuvertë rrezatuese, jastëku i bardhë si bora. Një peshqir i trëndafiltë dukej mbi shtrat si zemër luleje. Në mur ishte piktura e baba Aliut, hipur mbi një kalë pullali, që lëshonte xixa prej këmbëve të pasme. U ul pranë dritares duke vështruar tej në oborr. Besimtarët nisën adetin. Kështu humbur me sy e veshë drejt tyre..., kur krejt papritur u largua nga dritarja. Sapo mbërritën veturat e para. Ato, më tepër sesa prej klasit, dalloheshin prej targave jeshile që ishin të ofiqarëve e të qeveritarëve të vendit... I pari doli ai, kockëmadhi. Me nofulla të shtrënguara si gur mulliri. Për gjatë këtyre viteve të ndërtimit të Zullulandit të ri pati qenë disa herë kryeministër. Dervishi lidhej me të nëpërmjet një kujtimi të hidhur. Vite të shkuara, kur revolucioni shembte kishat dhe xhamitë, kockëmadhi, që pati qenë ndër flamurtarët e parë, i pati dhënë dervishit një goditje me çomange mu në kupë të gjurit. E, të shkretit dervish edhe sot  e gjithë ditën, sidomos në ditë me shi, dhimbja i therte në tërë trupin.
 Një pështjellim i madh përfshiu oborrin para teqesë. Mbërriti kryetari i qeverisë, një pedagog i kahershëm i marksizmit. Ekzistonte një mendim se, me gjasë,  e patën inkuadruar me zor në sistemin  e ri, veç, të shkuara të harruara, tani me tank ta tërhiqje nuk e lëvizje dot! Pas tij erdhi me sira lukunia e ministrave, ca djelmosha të zbukuruar e të llastuar si për të qenë gati për në ballo. Me ta përfshiheshin edhe ato, dy ministret, me dekolte të hapura goxha, aq sa, nëse përkuleshin fare pak, rrezik t’u binin bombat e gjinjve përtokë. Njëra, ditë më parë, pati bërë bujë, ishte ndarë nga burri, pasi ishte lidhur me një specialist të huaj. Domosdo, kjo s’kishte dalë ende në publik. Zunë të vinë edhe udhëheqësit e partive. Ai, i partisë më të madhe, fillimisht e pati nisur jetën me ambicie të mëdha. Çfarë nuk kishte provuar. Kudo pati dështuar. Më në fund, i kishte ndritur ylli në politikë. Nuk përbënte përjashtim, edhe kolegët e vet, pak a shumë, atë biografi kishin.
 Të gjithë së bashku do të përfundonin në sallën e madhe të pritjes ku babai, ulur në atë kolltukun e famshëm, do t’u uronte mirëseardhjen. Do të vinte radha e gostitjeve. Do të pinin likerin e ëmbël, servirur në disa filxhanë të vegjël me rrathë jeshilë, do të hanin secili nga një tas hashure e, në të larguar, do t’i puthnin dorën babait. Ky, nga ana e vet, me buzët pak të hapura, fshehur pas bardhësisë së mustaqeve e të mjekrës, do t’u ligjëronte ngadalë formulën e mirënjohur të bekimit dhe, pak me zë të lartë, do t’u jepte uratën.
 Dervish Selimi do të donte që tërë ai veprim, nga kreu, që prej ardhjes së tyre e deri në marrjen e uratës e të bekimit, të ishte dëshirë e vullnet i secilit pavarësisht të kaluarës, moshës dhe sektit që përfaqësonin, të gjithë të ishin me të mirën, t’i kishte shtyrë zemra dhe përgjegjësia, zotimi për të bërë punë të vlefshme, punë të vlefshme për vendin dhe për njerëzit. Se vinin aty, në shtëpinë e zotit, për të marrë forcë, për të marrë dashuri ndaj atyre që u kishin krijuar mundësinë për të dalë në krye. Do të donte ta pohonte me zë të lartë këtë, por s’mundte as nën buzë. I dilnin përpara syve ata dhjetëra e dhjetëra njerëz që prisnin aty, matanë mureve të teqesë, lëmoshë, që prisnin diçka me dorën në zemër, që i bënin thirrje zotit në qiell dhe njerëzve në tokë të kthenin sytë drejt tyre, t’i shpëtonin prej hallit, prej mjerimit që po u merrte fytyrën. Dervish Selimi gjendej shpesh midis tyre. I dëgjonte, tronditej për të keqen që i kishte mbërthyer ata njerëz të urtë e të pambrojtur. Ja, kjo gjendje, kjo jetë mizerie e atyre burrave, e grave dhe, më të shumtët, e fëmijëve, ishte shkaku, burimi i inatit të tij, i revoltës ndaj parisë, ndaj atyre që silleshin si qengja brenda teqesë e si ujqër jashtë saj.
 Një të shtunë, në prag të festës së radhës, babai i teqesë ishte i gëzuar dhe po kërkonte ta ndante atë edhe me vartësit e vet. Natyrisht edhe ai e njihte gjendjen e rëndë që po kalonte një pjesë e mirë e popullit të Zullulandit, ndoshta jo aq sa e njihte dervish Selimi, veç ama, ishte shumë herë më shpresë plotë se sa ai!
 - Është ndërruar qeveria, - u tha dervishëve të tjerë, - ne s’na duhet kjo gjë, por popullit i duhet.
 Sapo ishte krijuar kabineti i ri. Kockëmadhi kishte dalë përsëri në krye, përsëri kryeministër. Kryeministri, që pat qenë, bashkë me disa ministra, ishin kthyer nëpër partitë e tyre. Një pjesë, nja tre-katër, vazhdonin detyrën, pasi kishin zgjedhur si më të lehtë ndërrimin e teserave. Ato dy ministret kishin bërë një zgjedhje më të lakmueshme. Ajo, që ishte lidhur me atë specialistin e huaj, përfundimisht, ishte martuar me të, ndërsa tjetra udhëhiqte një fondacion, i trajtuar mirë nga një vend nordik.
 - Kam besim, kam besim, për atë zot! – përfundoi babai i bërë behar në portret. E, ndërsa priste të shijonte atë pak lumturi, ja ç’ dëgjoi prej dervish Selimit;
 - Baba, ujku qimen ndërron, por zakonin, zakonin jo!
 Babai u prish në fytyrë. U trishtua si kurrë, si asnjëherë. U tërhoq mënjanë. Ç’t’i bënte këtij tersi, këtij djalli?!. Për ditë e net me radhë ato fjalë e gërricnin keqas. T’i jepte të drejtë? Dyshimi sa vinte e rritej, aq sa ditën kur çeli festën, shkoi i tëri në krah të dervish Selimit. Vërtet parisë së vendit, parisë së re, ua ligjëroi si uratën, si bekimin drejt, drejt me fjalë, me zemër bëri tjetër gjë, bëri të kundërtën...
 Muaj më pas, në dimër, në vendin e zulluve ndodhi një hata e madhe. Njerëzit ishin marrosur pas parave dhe pas armëve. Nuk punonte më as  arsyeja, as logjika, as zemra. E keqja ishte futur në gjak. Si ka mundësi nëse dhënke pesë lekë, pa djersë e pa punë, na marrke dhjetëfish, njëzetfish ?! Si ka mundësi që të rrëmbente armën, deri dhe tankun e topin fëmija e deri plaku ulok! Mallkim, patjetër një mallkim i madh kishte rënë mbi tokën e Zullulandit. I gjithë vendi ishte në prag të luftës civile. Dhjetëra, qindra e mijëra ishin vrarë. Po shuhej një popull i tërë. Mallkim i paparë, i fuqishëm. Babai i Teqesë së Madhe dita-ditës po ndihej fajtor. Nga dita në ditë po pranonte se edhe ai ishte pjesë, madje autor i këtij mallkimi. Shëndeti po i binte poshtë e më poshtë. E zuri frika dhe, ashtu i frikësuar, priste çdo ditë të re.
 - Njerëzit po vrasin sho- shoqnë, - i tha. - Në një gazetë lexova se numri i të vrarëve po shkon me mijëra. Ndërsa ata, ata që ti, dervish, i quan ujqër, janë si kokrra e mollës... Gjemb në këmbë s’u ka hyrë...
 - Do t’u vijë radha, - iu përgjigj dervishi.
 - Si! – bëri ndërkryer babai, - si, të vazhdojë lufta?!
 Dervishi nuk u përgjigj. Po nuk ishte e vështirë të kuptohej se ai do të ishte tepër i kënaqur që të vazhdonte.
 - Shko, shko në dhomën tënde. Kurrë mos t’i pafsha sytë!
 Dervishi ngjiti shkallët, ndërsa babai mori një vendim aty për aty. Një orë më pas bëri një lutje, bëri një urim dhe bekoi gjithë popullin e Zullulandit, pa përjashtuar  kërkënd: të varfër e të pasur, të bardhë e të zinj, të vegjël e të mëdhenj. U kujtoi zulluve se ishin bij të një toke të bekuar, plot begati e pasuri. Se ata që drejtonin, duhej të drejtonin më mirë, se ata që punonin duhej të punonin më shumë. U lavdëroi malet, fushat, detet, lumenjtë... Fjalët e ngrohta, të arta e plot mirësi ngjitën në mënyrë të hatashme. Qetësia e njerzillëku zotëronin ngado. U kthye rregulli e shteti shfaqi forcën e vet. Edhe shëndeti i babait po përmirësohej, ndonëse tani për shok të ngushtë kishte një shkop prej thane me dorezë të fildishtë. Gati si një fitimtar i vërtetë beteje dërgoi një dervish tjetër, jo vetëm për t’i blerë mendjen dervish Selimit, por i sigurt se ai, si kurajoz që ishte, do ta pranonte humbjen. Mirëpo përgjigja qe tjetër gjë:
 - Babai s’ka ç’e do mendjen time, mendja që i duhet është ajo e njerëzve matanë mureve të teqesë.
 - Katil, katil e bir katili, - mallkoi babai. U vu ta verifikonte gjendjen e zulluve jashtë, matanë mureve të teqesë. Nuk priti më tepër se ardhjen e mëngjesit, mbështetur në shkopin e dashur, shtyu derën e jashtme dhe u përball me turmën që priste lëmoshën e zakonshme. Turma ishte po ajo. Nuk iu duk as shumë e madhe, as e zmadhuar më tepër, veç... veç zgjatej në radhë... Babai ndoqi radhën. Ec e ec. Radha nuk po mbaronte. Djersë të ftohta i buisën në ballë. Nuk u ep. Rëndoi më fort mbi shkop. Radha zgjatej e zgjatej. Po e lodhte ajo radhë e mallkuar, shpirtin po i merrte. Ajo shkonte deri në qendër të qytetit. Edhe për karshi vinte një radhë tjetër, edhe në rreshtat e saj rreshtoheshin të njëjtat fytyra: të trishtuara, të drobitura, shëndetliga e pa shpresë. Po goditje e vërtetë dhe e madhe, aq sa iu duk sikur i doli zemra prej gjoksit, ishte atëherë kur pa dhe dervishët e tij diku në fund të radhës. Edhe njerëzit e zotit ishin katandisur si mos më keq! E mbajti shkopi se gati ra. Iu morën mendtë. Një çast iu bë sikur tërë Zullulandi, kryq e tërthor, përshkohej prej radhëve të tilla. Mori rrugën e kthimit. Shtyhej më tepër sesa hidhte hapat. Kur mbërriti në oborr të teqesë e kapën të dridhura, më të rënda se ato të etheve. Mjekrën e bardhë ia valëviste era. Ngriti sytë drejt dhomës nr. 7, thirri dervish Selimin. E thirri një herë, dy herë. U shty për në sallën e madhe. Shkoi deri në krye, te kolltuku i tij. Me t’u ulur, e hodhi poshtë këmbëve shkopin. E hodhi si një gjë krejt pa vlerë. Një gulç i thellë i pruri shkumën e lëngët deri te buzët. U mek. Mundi t’i bjerë lehtë gjoksit, por jo, s’mundi ta bëjë dy herë atë veprim. Mbështeti kokën mbi sup. Dervishi erdhi, nuk u vonua, por nuk erdhi në kohë. Babai ishte kallkan. Kishte ikur...

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora