Kulturë
Bahri Myftari: Djaj të lumtur - Qesja me plehra
E hene, 22.12.2008, 06:01 PM
Bahri Myftari
Djaj të lumtur
QESJA ME PLEHRA
Ajo u prezantua si mbesa e deputetit. Ishte verë dhe të tërhiqte veshja e saj në mënyrë të tejdukshme. Dielli i pjerrtë i pasdites zbulonte bukuritë femërore të një vajze të paprekur, ende 23-24 vjeç. Gjinjtë e rritur bukur dhe përkëdhelës mbuloheshin sa me thënë prej një kanotiere ngjyrë portokalli, beli paksa i zbuluar si pa qëllim, thjesht në vartësi të lëvizjeve si dhe këmbët e saj pak të gjata e tepër në harmoni flisnin për bukuri e për shëndet.
- E di në ç ’krah bie apartamenti, por kisha porosi që të mos ngjitesha lart pa e takuar fillimisht zonjën Nora, - i tha vajza gruas që takoi.
- Po, unë jam, - e siguroi ajo
- Pse po më sheh kështu! Nuk po të pëlqej si komshie? Mirë... Do të bëhesh pishman, - i dha fund bisedës vajza. Pasi hodhi një çantë sportive mbi sup, ajo zuri të ngjiste shkallët.
... Nora po mendonte se, siç dukej, zoti deputet e paskësh zgjidhur përfundimisht problemin e apartamentit. Banesa ishte pronë e piktorit të njohur Veri Lika, i cili, aktualisht, jetonte në Bolonja, ku ishte akomoduar prej vitesh.
Zonja Nora i pati shkruar mikut të saj, piktorit, se bujtësi, qiraxhiu do të ishte një njeri i nderuar, deputet. Prandaj kishte vendosur që orenditë, mobiliet, madje edhe dy peizazhet e famshme, të vlerësuara në ekspozita ndërkombëtare, nuk do t’i lëvizte, do të qëndronin në vendin e tyre.
Sa për kontratën, domosdo, ajo do të ishte e dhjamur, ashtu si dhe vetë qiraxhiu. Kështu përkujdesja e apartamentit do t’i kalonte deputetit, duke i dhënë atij edhe çelësin.
- Tani ju jeni pronari, - i tha ajo.
- Prona është e shenjtë dhe pronar të bën trashëgimia, blerja apo dhurata... Si thua, unë ku hyj? – ia ktheu ai.
- Për mua, si ai që e ka, si ai që e shfrytëzon, pronar është.
- Parim leninist... – i tha tjetri si jo pa seriozitet.
- U keqkuptua, tha si me vete ish-punëtorja e dikurshme e fabrikës së famshme të llullave, e cila krahasimin e bëri në kuptim të merakut, të mirëmbajtjes së apartamentit. Ndaj edhe nuk foli më. Ajo i gëzohej faktit se që në atë moment do të ishte më e lirë. Pikërisht se e pushtoi ky gëzim pa e kaloi lehtë ndrydhjen. I duheshin edhe disa vite të kapte pensionin, prandaj punonte si pastruese e tri pallateve. Veç punës të paguar nga bashkia, ajo pati sajuar edhe një banak, aty te hyrja e pallatit, ku shiste xhingla-mingla, siç shprehej vetë.
Zoti deputet në fillim e pati kërkuar apartamentin për të banuar me familjen. Mirëpo, e shoqja, një mësuese kimie në provincë, që mundi të bënte për vete edhe dy vajzat e saj, nuk pranoi. Deputeti i tha se ajo i trembej jetës së shtrenjtë në kryeqytet dhe se nuk e duronte dot misionin e tij të ri. Më pas, jo pa arrogancë ai pohoi se do ta merrte apartamentin, thjesht, për studio. E kishte frymëzuar pamja drejt qendrës që shpalosej për nga lindja... Gjithsesi, edhe ky variant paskësh rënë. Në apartament tani do të banonte e mbesa... ajo bukuroshja...
- Me se merreni zonjushe? – e pyeti Nora ndërsa po hapte derën e apartamentit të vet. Vajza që kishte hapur dyer e dritare ndihej tepër e lumtur...
- Studioj për politikë, gjyshe....
- Gjyshe! - belbëzoi Nora... Gjyshe po më thotë... nuk e cyti më tej, ndonëse po ziente nga inati.
- E paskeni si fis politikën? - e pyeti përsëri Nora.
- Si fis? – vajza ia dha një të qeshure të shpenguar, - si fis!... ta marrësh vesh se ç’ fis jemi, aq duan tironsit, - përqeshi vajza dhe, ashtu, si atlete u hodh mbi shtratin dopio, duke u zbuluar prej mesit e poshtë, krejt lakuriq.
Kjo ishte biseda e fundit e Norës me atë vajzë. Më tepër se kaq nuk foli më. Përjashto ca mërmëritje të lehta përgjatë përballjeve të rastësishme nëpër shkallë, ku pastruese Nora mblidhte qeset e plehrave të nxjerra në prag të çdo hyrjeje, nuk kishte kontakt tjetër.
Disa herë Nora ishte përpjekur ta grishte me ato xhingla-minglat që mbante mbi atë banakun e improvizuar, por vajza nuk denjonte të kthente as sytë... Më pas, ishte Nora ajo që nisi të manifestonte një sjellje edhe dy herë më të egër ndaj kësaj vajze. Madje, nisi ta urrejë, kur një ditë, në vakt dreke, vajza, me këst, si për inat la mbi banak te hyrja një gazetë partiake, ku ndër emrat e femrave që do të rregullonin përbërjen gjinore të parlamentit të radhës, emri i saj ishte në krye.
- Ti në parlament! – i tha Nora plot habi.
- Pse, - ia pati kthyer ajo,... –pse gjyshe, ato që janë sot në parlament, mos vallë atë plaçkën e kanë në ballë?
- Harbutkë, harbutkë! – tha Nora si nën zë dhe bëri mënjanë.
Në fund të javës erdhi deputeti. Dukej tepër i shqetësuar. Ngjiti dhe zbriti disa herë shkallët. Norës po i dukej tjetër njeri. Ç’të kishte ndodhur me të! Ajo gëzonte një edukatë të kahershme plot respekt, madje deri në përulësi ndaj shefave, ndaj atyre që zotëronin një titull, një post, shkurt ndaj të mëdhenjve të kësaj bote. Mirëpo, ai madhështor ishte mbledhur, ishte bërë grusht. I prishur në fytyrë, i trembur aq sa dhe mjekra i dridhej.
- Ka dy ditë që nuk është bërë e gjallë. Ku të jetë?! – pyeste deputeti
- Ashtu siç e keni kurdisur ju, zotëri, në qiell do të jetë. A nuk do ta kemi edhe deputete në të ardhmen?
- Sa seriozisht i merr gjërat! – ia ktheu ai dhe me një zë që i dridhej e pyeti:
- Mos ka ndonjë mashkull në këtë mes?
Nora mblodhi supet, lëvizi kokën mohueshëm dhe me fjalë ia nisi ta sqarojë dhe ta sigurojë që s’kishte parë kurrë mashkull këtej pari, por...
- Por prapëseprapë...- tha ajo pa e mbaruar mendimin ngaqë deputeti kërceu:
- Çfarë prapëseprapë?!
Nora u mendua disi, sikur s’po vendoste të shprehte atë që mendoi, por, më në fund tha diçka, tha një gjë që tjetri gati u thye në dysh.
Përgjatë pastrimit në mëngjes, rastësisht por shpesh e më shpesh, në qesen e plehrave që nxjerr ajo te dera e vet, ashtu siç kam parë gjurmë dhe shenja të ushqimit, kam parë dhe shenja të dashurisë... të dashurisë që ajo...
I mjeri deputet. Kërkoi të ulej diku, por ndërroi mendje e zuri të flasë.
- Gjurmë dhe shenja dashurie, shenja dashurie në qesen!... – po fliste si me veten dhe largohej e largohej nga Nora.
...Nga dita që u bë ajo bisedë e më pas marrëdhëniet mes Norës dhe vajzës nuk ekzistonin më. Deputeti do t’i kishte hapur barkun. Nëse për Norën ky qëndrim i vajzës, kjo sjellje nuk do të përbënte asgjë të re, mungesa e qeses se plehrave përpara derës, nga mëngjesi në mëngjes, po e habiste. Vajza, si gjithmonë, dilte rreth orës nëntë. E lirë në duar, krejt e lirë. Po plehrat, t’i hidhte prej dritares, apo prej ballkonit?! Nora, që i binte qark e qark të tri pallateve, do ta kishte zbuluar këtë veprim. Në një mëngjes, herët, pas një nate pagjumë për shkak të një dhimbjeje të vjetër të stomakut, ajo dëgjoi të hapej dera përballë. U ngjesh pas derës së vet, duke vështruar tërë kërshëri nëpërmjet syrit magjik. Nga apartamenti i vajzës sapo doli një burrë, të cilin ajo nuk mundi ta njihte, por pa qartë se ai, kur po zbriste shkallët, mbante ne dorën e djathtë një qese plastike.
- Qesja e plehrave! – belbëzoi Nora.
Jo vetëm një herë por disa mëngjese radhazi ajo përcolli atë skenë. Burrin, që dilte prej apartamentit të vajzës, s’po mundte ta dallonte. Ai përpiqej dhe arrinte ta fshihte portretin. Dilte në të njëjtën orë... me qesen ndër duar dhe më atë qetësinë e vet zbriste shkallët...
Nora po plaste të përballej njëherë më atë birbon, siç e quajt ajo, por, nga ana tjetër, edhe nuk guxonte. Mendoi njëherë:
- Po sikur të lajmëroj deputetin?
- Jo, jo, - e ktheu mendjen pastaj. dhe kishte arsye sepse ai asnjëherë nuk i kishte kërkuar një shërbim të tillë... Ç’ të bënte! Po plaste; donte të shprehej, të hapej. Vendosi dhe tërë këtë histori ia tregoi komshies në një kat më sipër. Ndërkohë, si ta kishin bërë me fjalë, u dhanë aty edhe dy komshie të tjera, të cilat kërkuan që Nora ta niste tregimin edhe një herë nga e para. Dhe Nora ashtu bëri...por aty nga mesi i rrëfimit, njëra nga dy komshiet ia pati me të madhe:
- Norë, moj qyqe, ajo bukuroshja i paska rënë pikës... si, si të quan... gjyshe,... gjyshe?! Po ti qenke roitur, moj e zezë! Vërtet s’e ke njohur atë burrin?... Vërtet! Po është vetë ai, vetë deputeti moj e pa mend!
Nora shtangu. Kafeja, që sapo iu shërbye, e dogji. I përcëlluan buzët. Bëri të fortën.
- Vërtet të jetë ai?! E pse, pse të më gënjejnë? – tha si me vete dhe pasi përshëndeti komshiet, iku. Hyri në apartamentin e vet. Po atë ditë postoi një letër për në Bolonjë, një letër për mikun e saj të vjetër, Veri Lika. Në letër, pasi i rrëfente gjithë ngjarjen, i kërkonte t’i kthente përgjigje sa më parë, nëse ishte dakord për rifreskimin e asaj kontrate të mallkuar.