E enjte, 01.05.2025, 03:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Djaj të lumtur - I shëmtuari

E diele, 28.12.2008, 02:28 AM


Bahri Myftari

Djaj të lumtur

I SHËMTUARI

Aleks Murdoku ishte shkëputur prej vitesh nga profesioni. Tani, falë angazhimit politik, kishte marrë një emërim po të tillë në kryeministri. Fillimisht nuk donte. Detyra e re e largonte tepër nga çka dinte të bënte, “provincialin e shkretë”, siç e pati përkëdhelur vetë kryeministri. Dhe ja tani, i paguar mirë, mbasandaj edhe shpërblime të tjera, pati mundur që për dy-tre vjet të blinte apartament në lagjen më të preferuar të kryeqytetit, madje me sipërfaqe dy herë më të madhe nga ç’e pati dikur. Gruaja i punonte në një bankë të huaj, ndërsa vajza, i vetmi fëmijë, ndiqte vitin e fundit të një kolegji. Gati një javë e çdo muaji e gjente jashtë shtetit, aq sa, tashmë,  po përtonte dhe përpiqej që këtë shans t’ia dhuronte ndokujt prej vartësve.
 Kur gjendej i lirë, i qetë dhe i vetëm në zyrë, i kujtohej shpesh ajo shakaja e kryeministrit, ndaj i thoshte vetes: “Jo, jo i shkreti provincial, por hajvan, hajvan provincial paskam qenë.”
 Ndërkohë sekretarja, pasi e përshëndeti i tha: “Një zonjë, me emrin Lola Kurti, edhe përgjatë javës, kur ju ishit në seminarin e Romës, ashtu si dhe sot, këmbëngul t’u takojë.” Ai i kërkoi t’i përsëriste emrin. “Lola, Lola Kurti!”. U mendua një çast. Më pas i kërkoi sekretares t’ia sillte zonjën. “Ajo është e mirëpritur.” Emri i saj e çoi vite mbrapa.. Atëherë shërbente në krahinën malore të Sopotit. Ishin katër mësues në një shkollë 8-vjeçare, dhe të katër meshkuj, dhe të katër pa mbushur të tridhjetat. Lajmi se në shkollën e tyre do të vinte një femër, u prit me kërshëri, u prit me interes. Ajo do të jepte muzikë. Ky fakt e ndezi fantazinë e tyre edhe më tej. Vajzë që do të jepte muzikë! Patjetër, duhej të ishte edhe e bukur.
 Në fillim të muajit mësuesja e muzikës erdhi. Prezantimi fizik qe zhgënjyes. Te Lola Kurti, veç moshës më të re se kolegët, çdo gjë tjetër shkonte në dëm të saj: flokë të zinj, të egër, portreti plot puçrra, një hundë që do ta kishte bezdi edhe një mashkull fshati, një palë kofshë si të kishte luajtur tërë jetën futboll...
 Aleks Murdoku e priti Lola Kurtin në zyrën e vet. E njohu menjëherë. Po ajo, Lola ishte! Nuk kishte ndryshuar shumë, ndonëse kishin kaluar pesëmbëdhjetë vjet. Vazhdonte të ishte beqare. “Beqare ende?” u çudit ai. “Nejse, edhe ne të martuarit për dreq jemi! Pa hë, Lola?” Ankesa e saj ishte ndaj Ministrisë së Jashtme. Nuk po i mundësohej viza për në Gjermani, ku një mbesa e saj, tashmë, rezidente e përhershme atje, e kërkonte me këmbëngulje. Aleksi vuri me përkëdheli dorën e vet mbi të sajën. Ajo nuk e lëvizi, përkundrazi... Ai i premtoi. Ndërkohë e ftoi për të darkuar së bashku. Lolës iu bë qejfi. “Kanë kaluar shumë vjet, nejse kemi ç’ tregojmë.” i buzëqeshi ajo. Dora e saj vazhdonte nën të tijën. Më pas duart u shkëputën. Buzëqeshën. Takimi u la për në orën 19.00 te kulla, prapa sahatit. E përcolli duke i hedhur dorën mbi supe. Te dera porositi sekretaren që ta shoqëronte Lolën deri në bulevard.
 I la të gjitha ç’ kishte ndër duar dhe u mor me hallin, me shqetësimin që i pruri Lola. Në kohë e vuri në zgjidhje nëpërmjet dy-tri telefonatave. Mund të shqetësonte edhe vetë ministrin, por jo, i premtuan zgjidhje dhe e la me aq. Sepse nuk kishte dëshirë të shkonte në shtëpi. “Pa t’i kthehemi beqarnisë.”,  tha i lumturuar. Do të drekonte te klubi në katin përdhes. I telefonoi së bijës. “Ndoshta edhe për darkë nuk do të jem.” I dërgoi të bijës një të puthur në telefon... “Po kuptohet moj bijë, kuptohet, çështje pune. I thuaj dhe mamit. I thuaj dhe mamit...” I ktheu në refren këto fjalë dhe zuri t’i këndojë nëpër zyrë. Kishte një fije ironie në to. Patjetër që kishte. “Sa kam punuar për atë familje!”,përfundoi. U shtri te kolltuku i madh i zyrës. “Eh, moj Lola Kurti...! Ç’ është jeta!” Me këto fjalë dremiti, madje edhe feti copa-copa. Dalëngadalë po errej. Ndriçimi u përhap në qytet. Ai u përmend. Kishte fjetur goxha. Shkoi në tualetin e përbashkët dhe doli prej andej më i freskët, më i gjallë. Shkarazi pa portretin e tij mbi syprinën e tavolinës e tavolinës dhe zuri ta llastojë me dëshirë të madhe. Nuk vonoi shumë dhe zbriti shkallët. Te lokali ku kishte lënë takimin, dritat e fuqishme të vrisnin sytë. Ai zgjodhi vendin te këndi. Aty do ta priste Lola Kurtin. Ftesa, vërtet, kishte qenë për darkë, por nuk i thoshte të tëra. Shpesh, fjala është naive, është memece para gjesteve. E kishte menduar ku do të darkonte. Moteli ishte diku në një vend i mbuluar prej gjelbërimit dimër-verë. Nuk ishte frekuentues i tij, por një mik i vet, zëvendësministri i Shëndetësisë, një beqar i lashtë që ishte klient i rregullt, që shkonte atje me një kushërirën e Aleks Murdokut, e ndarë prej burrit tri vite më parë, gjasat tregonin se ajo tani do të martohej me të, ia pati lavdëruar ambientet.  Ishte i sigurt se edhe Lolës do t’i pëlqente. Në të vërtetë, atë s’e hante fare ky merak. Kur thoshte se do t’i pëlqente, kishte ndërmend pëlqimin e saj për të bërë dashuri me të, për të bërë ... Dikur, ajo e pati dëshiruar një gjë të tillë. Apo jo?! Iu kujtua sikur të kishte ndodhur dje ajo skena te lumi. Lola lakuriq, shtrirë mbi shpinë, mbi valët... Dhe ai mbërthyer aty, pas gëmushës... Ndërsa priste i vetmuar, vargu i kujtimeve zgjatej e zgjatej. Në ato vite, kur ai dhe kolegët e tij i kishin ngjitur mësueses së muzikës nofkën “e shëmtuara”, veç ama, kurrë dhe në asnjë rast nuk e përfolën nofkën faqe saj. Megjithatë, nuk e pranuan të sapoardhurën në shoqërinë e tyre. Pamja e jashtme, aspak e admirueshme, e la vajzën mënjanë. Për ta, ajo ishte krejt e harruar. I vetmi, mësuesi i matematikës, i prirë për cytje e ngacmim, bënte ç’ bënte e binte bisedën për të dhe bëmat e saj. Njëherë, u pati treguar ai, e kishte parë mësuesen e muzikës në dhomën e marrë me qira, të qëndronte gjatë në dritare. Ishte bërë kurioz. Çfarë sodiste ajo! Kureshtja ishte zbardhur shpejt. Në livadhin tej dritares kryhej riti i ndërzimit. Ishte një rit i përvitshëm, kur lopët e reja, mëshqerra quheshin, të tërhequr prej zotëve të tyre, vinin tek ai shesh. Aty kryhej ndërzimi. Dema të fuqishëm, të trajtuar për atë punë, merreshin me pagesë në fermën fqinje. E kështu, ato bukuroshe i thoshin lamtumirë virgjërisë. Kishte hare të madhe ajo ditë! Lola Kurti nuk po i hiqte sytë prej pamjes. Ngazëllehej, patjetër ngazëllehej e kënaqej si të gjithë. Më pas, ishte tërhequr dhe në qoshe të dhomës po vetë masturbohej. Tek ata që e dëgjuan mësuesin e matematikës, ai rrëfim la një ndjenjë pështirosjeje! Edhe Aleks Murdoku e kishte një kujtim të përafërt, por ai kurrë nuk e bëri fjalë. Një ditë, të premte, i mbetur në shkollë vetëm me Lola Kurtin, më kot prisnin autobusin e linjës për t’u kthyer në qytet. Në këmbë, deri në rrugën nacionale, duhej të ecnin afro dy orë. Do të kalonin livadhin e gjerë, të zbrisnin në korijen e lisave, të hidheshin matanë  lumit Shkumbin e, më në fund, të dilnin në rrugën automobilistike. Aty do të pritnin ndonjë makinë të rastit. Ishte qershor. Ishte ditë e nxehtë. Lolën s’po e mbante vendi. Ajo e ftoi Aleks Murdokun të niseshin për udhë. Derisa do ta përballonte ajo, ai s’kishte pse druhej. “Jam më e fortë se ti”, ngacmoi ajo. “S’kemi ç’ presim, nisemi!” U vunë për rrugë. Lola ecte para dhe ai prapa. Ajo u tregua vërtet e zonja. Livadhin ajo e kaloi duke kënduar lehtë; madje herë-herë edhe duke imituar meloditë me vërshëllimë. Aleks Murdoku nuk ia thoshte. Vajza e shpotiste. “Duke qenë mësues zoologjie, ju, profesor, duhet të kini më për zemër...”  “Të hingëllijë, të pëllasë...” ia rrëmbente fjalën ai. Kaq, vetëm kaq. Nuk donte ta zgjaste bisedën me të. Edhe aq sa po bënte, tërë atë rrugë vetëm me atë femër, e bezdiste, e lodhte. Për gjatë udhëtimit në korije, ajo u tregua edhe më agresive. Aleks Murdoku përpiqej të shplodhej  herë këtu e herë atje. Buzë lumit Lola Kurti kërkoi pushim. “Dua të freskohem”, tha ajo dhe si e turpëruar e shtyu bisedën duke i propozuar edhe atij të bënte të njëjtën gjë; të freskoheshin të dy. Uji i pastër dhe i ngrohtë do t’i qetësonte, do të ishte vërtet e këndshme. “Eja, eja!” këmbënguli Lola. Ai nuk lëvizi. Atëherë ajo, si një çapkëne 15-vjeçare, kërceu dhe u krodh në ujin e kaltër. Ai u ngjit më lart më lart duke u mbështetur pas një gëmushe. Aty priti goxha.. Një mendje i thoshte t’ia kriste vrapit, të ikte... Ndërroi dhe misi ta kërkojë vajzën me sy. I dëgjonte të qeshurat e saj, harlisjet, por s’po e shihte. Bëri më poshtë. Ajo krejt lakuriq përkëdhelej dhe s’e ndalte harenë. Diku ajo u shtri mbi shpinë. Gjinjtë e kërcyer dhe seksi  ranë drejt e mbi sytë e Aleks Murdokut.  Ajo i bëri bëri shenjë. I bëri shenjë apo ashtu iu duk atij? Megjithatë vazhdoi të qëndronte i vetëm. Lola Kurti, më në fund, u kthye. Derisa dolën në rrugën nacionale, nuk foli. Madje, nuk foli me të edhe për kohën sa ishin bashkë në një detyrë.
 ...Ndërkaq, te hyrja e hotelit u duk Lola. Hapat nën takat e saj të larta tërhoqën vëmendjen e shumëkujt. Kishte veshur një bluzë portokalli dhe një fund të zi me pala. Flokët e zinj i lakoheshin mbi supe.. Ata flokë të zinj, të egër! Edhe portreti i saj iu duk krejt tjetër, i pastruar, tërheqës. Edhe hunda pak si më e fshehur. Ndërron njeriu, ndërron, sidomos femra! “Do të ikim në tjetër vend”, i tha ai. Dolën jashtë. Sakaq, një taksi u ndaloi te këmbët. Kur të dy zunë vend në sedijen e pasme, Aleks Murdoku i tha se problemi i vizës gjermane u mbyll. “Do ta marrësh në fund të javës.” Ajo u bë gati ta puthte. U mjaftua me një përqafim goxha të nxehtë. Pas një çerek ore ndaluan te moteli. Pjesa e përparme ndriçohej dobët. Ata nxituan për nga hyrja. Aleks Murdoku mori çelësin dhe porositi darkën që do ta hanin sipër në dhomë. Ishte një dhomë e pastër, ndjellëse, një krevat i madh, i rehatshëm, me një pikturë erotike te kryet. Darka e porositur mbërriti. Ata preferuan dushin para saj. U zhveshën dhe, ashtu, duke lozur e ngacmuar njëri-tjetrin, përfunduan nën ujin e vakët. Ndjenë ankth nën lakuriqësinë e njëri-tjetrit. Lola Kurti ruante forcën dhe pasionin e një vajze të re. Aleksi, si në jerm, po e shijonte atë.
 Pastaj darkuan, por nuk po u hahej, nuk po e shtynin dot ushqimin... E lanë dhe përfunduan përsëri nën dush. Bënë dashuri aty; një herë, dy herë. Kërkuan të bënin dashuri edhe në shtratin e gjerë, por, atë radhë, nuk mundën. Drejt me thënë nuk mundi Aleks Murdoku. U mjaftua me puthjet, përqafimet dhe, duke u ngritur, i shprehu një falënderim të sinqertë asaj. “Më rinove Lola, më rinove... të faleminderit!” E puthi edhe një herë, kur po bëhej gati të dilte. Lola Kurti do ta kalonte në motel natën.
            Shumë shpejt Aleks Murdoku u gjend në rrugën e madhe. Kishte dëshirë të udhëtonte në këmbë dhe ashtu bëri. Ndihej i lehtë, ndihej i gëzuar. Kush e di për të satën herë e pyeti veten nëse vërtet ishte ajo “ e shëmtuara” e dikurshme! Ajo t’i kishte dhënë atë kënaqësi!. “Paskësh ndryshuar krejt Lola, - përpiqej t’i mbushte mendjen vetes.. Përndryshe, përndryshe mbetet të kem ndryshuar unë!. Të jem shëmtuar?! E pabesueshme.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx