E enjte, 24.07.2025, 08:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Intervistë me Mirela Bogdanin

E diele, 28.12.2008, 03:57 PM


Mirela Bogdani
Mirela Bogdani: Në administratën shtetërore pashë politizimin e tejskajshëm, militantizmin ekstrem, pra monopolin e partisë-shtet
 
Me lidershipin aktual politik, Shqipëria do hyjë në BE pas 2015-ës

Nga Albert Zholi
 
Është një gjë e rrallë të takosh një femer si Mirela Bogdani, një femër model, të kompletuar dhe të sofistikuar. Ka disa vjet që ka nisur një kariere të re, duke lënë mjekësinë për politikën. Tashme, pas 6 vjetësh politika është bërë jo vetëm fusha e saj e studimit dhe kërkimit shkencor, por profesioni që aspiron të bëhet në të ardhmen e afërt. Duke qenë një njohëse e mirë e situatës dhe politikës në Shqipëri ajo shpesh është e pranishme në shtyp dhe forumet shqiptare me analiza e shkrime, të cilat përveç mprehtesisë dhe realizmit në analizën e fenomeneve, nga disa konsiderohen si shumë të drejtpërdrejta, pikante dhe kontroversiale. Në një bisedë të zhvilluar kohë më parëë në Tirane rreth situatës së politikës shqiptare ajo vë pikat mbi i, mbi gabimet e politikë-bërjes në Shqipëri, mbi pergjegjshmërinë në të, të klasës politike shqiptare dhe me një sy të thellë kritik shikon drejt të ardhmes. Një e ardhme qe do te vazhdojë të jetë po aq e pandritur nëse në krye të këtij vendi do vazhdojnë të qeverisin individë jokompetentë, të papërgjegjshëm dhe të korruptuar. E megjithatë janë njerëzit si ajo që një ditë do t’i kthehen Shqipërisë për të sjellë gjithë atë bagazh njohurish dhe eksperience të fituar në perëndim, pavarësisht se ata kurrë nuk e kanë ndjerë veten të përjashtuar prej kësaj vendlindjeje, ndonëse ky atdhe i ka dhuruar jo pak zhgënjime…
 
Znj. Bogdani, kush është profesioni juaj?

Unë kam studiuar në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, nga ku u diplomova si mjeke stomatologe. Pra profesioni im ka qenë stomatologjia, të cilën e ushtrova si mjeke kliniciste vetëm për pak vjet, pasi më pas punova në Ministrinë e Shëndetsisë si drejtuese e shërbimit stomatologjik për gjithë vendin. 6 vjet më parë, pikërisht kur erdha në Univeristetin e Kardifit ndryshova karrierë, pra kalova nga shkencat mjekësore në shkencat politike. Pas një masteri (MSc) në Universitetin e Kardifit në politikat publike Europiane, punova si researcher e pedagoge, po aty duke dhënë lëndët e politikave të BE-së e më pas shkova në Universitetin e Oxfordit, ku bëra një program MPhil të cilin sapo e kam përfunduar.

Keni lindur në Tiranë?


Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë nga një familje me dy prindërit tiranas. Shkollën e mesme e kam kryer në gjimnazin “Sami Frashëri”, që në vitet ‘80-të ka qenë një nga gjimnazet më të mira dhe kompetitive, bile më i miri në Tiranë, prandaj jam shumë e kënaqur që e kam bërë gjimnazin aty.

Si ju lindi ideja për të studiuar për mjekësi?

Ideja nuk është se më lindi mua, ishte ambienti familjar që ma ushqeu këtë ide. Prindërit e mi ishin të dy mjekë. Siç ndodh rëndom në ambiente dhe situata të tilla, prindët e mi donin që unë ta “trashëgoja” këtë profesion. Më kujtohet që kur isha e vogël ime ëmë më merrte me vete në spitalin e më pas në klinikën ku punonte (ajo ishte mjeke kirurge) dhe po ashtu shkoja shpesh në Drejtorinë e Higjienës, ku im atë punonte si mjek epidemiolog dhe në këto ambiente u ushqye dëshira ime për t’u bërë mjeke. Arsyeja e dytë ishte se dega e mjekësisë në kohën tonë, në kohën e monizmit ishte dega më e mirë, më e preferuara. Dhe meqë njeriu gjithnjë synon për më të mirën, dhe unë synova të arrija atë. Në atë kohë duhet të mbaroje me rezultate të shkëlqyera që të merrje degë të mira si mjekësia dhe unë i vura vetes detyrë që të mbaroja gjimnazin me “Medalje të artë”. Njeriut i duhet që në një moshë shumë të re (kur është vetëm 18 vjeç) të vendosë për profesionin e të ardhmes dhe shpesh herë zgjedh atë që nuk do, pra nuk përkon me pasionin apo dëshirën e tij. Më pas kur u involvova në politikë e kuptova që shkencat politike, diplomacia e marrëdhëniet ndërkombëtare ishin pasioni im. Pra, unë vendosa të ndryshoj profesionin dhe karrierën dhe kjo përbën një sfidë të vërtetë pasi ke kryer studime, punuar dhe investuar vite të tëra në atë fushë dhe vjen një ditë që duhet t’i lësh të gjitha këto (p.sh unë kisha arritur pozicionin më të lartë administrativ në profesionin tim, kisha mbrojtur doktoratën dhe kisha botuar librin e parë). Aq më tepër që unë u detyrova ta bëja këtë ndryshim karriere jo në Shqipëri, por në vend të huaj. Prandaj kjo përbënte një sfidë të dyfishtë.
 
Ideja për të hyrë në politikë

Siç e thashë unë punova veç pak vite si mjeke kliniciste. Shumicën e viteve të punës i kalova në Ministrinë e Shëndetësisë, në fillim si specialiste në sektorin e stomatologjisë e më pas si drejtuese e këtij shërbimi. Gjatë kësaj kohe kryeva disa specializime pasuniversitare jashtë, në fushën e shëndetit publik, një fushë e re që nisi të zhvillohej në Shqipëri pas viteve ‘90-të. Puna në ministri, në administratën publike dhe kualifikimi në këtë fushë më krijuan idenë se stomatologjia ishte një degë shumë specifike dhe shumë rutinore, që fokusohej tek individi, ndërkohë që objekti i punes sime në Ministri ishin politikat globale të shëndetit publik me strategji në nivel kombëtar, aq më tepër që në atë kohë ne po inicionim reformat e para në shërbimin shëndetësor. Pra, ishte eksperienca në administratën publike ajo që më dha spunton e parë për ndryshimin e karrierës. Nuk e çoja më nëpër mend t’i kthehesha klinikës. Dhe pse njerëzit më thoshin: “Gjynah, ke një profesion të shkëlqyer, një profesion që të siguron të ardhura të mira”. Dhe vërtet rroga ime e ministrisë ishte qesharake përballë të ardhurave të kolegëve të mi në klinikat private. Por e rëndësishme është të bësh atë që të jep më shumë satisfaksion në jetë. Spuntoja tjetër do të vinte nga angazhimi im në politikë. Për të rinjtë është një sfidë interesante të merresh me politikë se është mosha që ke doza të forta idealizmi dhe mendon që me kontributin tënd mund të bësh një ndryshim, e sidomos në ato vite të para të ndryshimit të sistemit në vitet ‘90-të. Angazhimi im në politikë filloi në 1997-ën. Në atë kohë unë isha në Londër, ku po kryeja studimet pasuniversitare në Universitetin e Londres (UCL), ku së bashku me një grup studentësh shqiptare ndiqnim me ankth nga larg zhvillimet
politike në Shqipëri. Ishte periudha e katastrofës së firmave piramidale dhe në Shqipëri gjendja ishte shumë e tensionuar gati në prag të luftës civile. Kishte kohë që e bluaja mendimin për t’u angazhuar në “party politics” ndaj kur u ktheva nga Londra u angazhova në politikë, me Partinë Republikane.

Pse zgjodha Partinë Republikane dhe jo PD-në për t’u angazhuar në politikë

Njerëzit gjithnjë synojnë të angazhohen tek partitë e mëdha dhe kanë të drejtë sepse në Shqipëri ekziston një sistem bipolar partiak. Partitë e tjera janë “parti me prefiks” siç i quaj unë, ose parti fantazma, sepse nuk kanë membership dhe elektorat, janë vetëm parti kryetarësh plus vulë, të cilët synojnë vetëm në marrjen e ndonjë karrikeje deputeti ose posti ministror. Por, unë nuk ju bashkova partisë së madhe të së djathtës, PD-së, sepse si shumë njerëz në atë kohë, isha e zhgënjyer me të, jo vetëm për përgjegjësinë që pati në ngjarjet e ‘97-ës dhe në skandalin e firmave piramidale, por në përgjithesi për keqqeverisjen gjatë viteve të para të demokracisë. Meqënëse gjatë viteve 1994-1997 unë punova në administratën qendrore shtetërore, pra në superstrukturën e shtetit, pashë se si funksiononte administrata publike, pashë politizimin e tejskajshëm, militantizmin ekstrem, pra
monopolin e partisë-shtet, të cilat më patën lënë një shije të keqe. Për më tepër pas ‘97-ës, PD-ja nuk bëri një analizë të përgjegjësisë për çfarë ndodhi, e cila të pasohej me një rinovim dhe një strukturim të lidershipit të saj. Kështu që nuk e shikoja fare me vend që unë të angazhohesha në këtë parti. Dhe prandaj m’u duk e përshtatshme të angazhohesha në Partinë Republikane, e cila në llojin e partive të djathta më dukej më decentja, pasi kishte struktura dhe membership, por dhe një program të qartë. Kishte gjithashtu dhe elementë dhe intelektualë të spikatur. 
 
Momenti i kandidimit për kryetare të Partisë Republikane në 2002-in

Po kam kandiduar në zgjedhjet lokale të vitit 2000 për Njësinë nr. 10-të në Tiranë. Atëherë Partia Republikane u paraqit në zgjedhje më vete dhe jo në aleancë me Partinë Demokratike, prandaj kandidatët e saj nuk kishin shance për fitore, po unë e pashë këtë kandidim për të fituar eksperiencë nëse do kandidoja, siç dëshiroja, në zgjedhjet parlamentare. Ndërsa kandidimi im për kryetare partie ndodhi në kongresin e PR-së në pranverë të 2002. Kjo tërhoqi vëmendjen e mediave dhe të OJF-ve sepse ishte hera e parë që një grua kandidonte në mënyrë genuine për kryetare partie dhe jo si marionetë apo garnityrë. Dhe për shumë arsye, që merren me mend, unë nuk fitova. Këtë e dija që më parë, sepse siç e thashë më parë, partitë në Shqipëri, sidomos partitë e vogla, janë parti të tipit kryetar plus vulë, pra kryetari është si ai bajraktari që ka në dorë gjithçka. Pra ka në dorë kryesinë e partisë, financat e partisë, ato pak struktura lokale që mund të ekzistojnë, ato kryetarë rrethesh nëse kanë. Pra, është një tufë dhensh të bindura që bëjnë ç’urdhëron kryetari. Kjo ka të bëjë me një çështje të rëndësishme, atë të demokracisë së brendshme në parti, e cila ka qenë (dhe vazhdon të jetë) një nga deficitet më të mëdha në partitë shqiptare gjatë tranzicionit. Unë i hyra sfidës dhe megjithë humbjen, mbeta e kënaqur me rezultatin duke marrë parasysh kohën e shkurtër të fushatës që munda të bëj dhe pengesave që hasa nga vetë strukturat e partisë. Po mbi të gjitha qe një eksperiencë nga e cila mëson për të ardhmen dhe të kalit për sfidat në politikë. Mungesa e demokracisë në parti u demonstrua edhe pas kongresit kur ndonëse unë isha personi që kisha marrë më shumë vota pas kandidatit tjetër (kryetarit të partisë), jo vetëm që nuk u promovova në parti, por paradoksalisht me instistimin e kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu u largova nga strukturat drejtuese të partisë (përfshi dhe nga Kryetare e Gruas Republikane ku kisha qenë për 4 vjet) dhe kjo shënoi dhe largimin tim nga politika në Shqipëri. 
 
Momenti i largimit nga Shqipëria

Unë e kisha vendosur që të vazhdoja karrierën time në politikë, por për t’u bërë një politikane profesioniste mendoja që nuk mjaftonte thjesht eksperienca në politikë me një formim në shkencat mjekësore. Për këtë duhet të beja studime formale në shkencat politike. Tani, po bëj një parantezë, po të shohësh Parlamentin shqiptar do shohësh që një pjesë e mirë e deputetëve përbëhet nga veterinerë, mjekë, njerëz që kanë mbaruar Institutin e Fizkulturës apo Institutin e Arteve, apo akoma më keq, njerëz që s’kanë diploma fare ose i kanë të falsifikuara. Nejse, pra kisha kohë që e bluaja në mendje që të bëja studime në shkencat politike. Kohë para se të zhvillohej kongresi unë kisha aplikuar në disa universitete në Britaninë e Madhe për të bërë një program masteri në këtë fushë. Pas kongresit mora përgjigjet e pranimit nga tre universitetet dhe njëri më akordoi dhe bursë. Ishte një ndjesi dyfishe, nga një anë ndihesha e zhgënjyer sepse isha angazhuar për katër vjet në parti dhe kisha dhënë kontribute dhe tani duhej të lija gjithçka. Por nga ana tjeter u gëzova që do filloja një diçka të re dhe interesante. Pra një perspektivë e re u hap. Pas disa muajsh fillova një Master of Science në Politikat Publike Europiane në Universitetin e Kardifit. Po krahas studimit akademik të politikës, për më tepër se karrieren time të re e shikoja në politikë, e pashë të arsyeshme të përfshihesha në politikë në vendin tim të ri. U anëtarësova në Partinë Konservatore Britanike sepse mendoja se do kisha se çfarë të mësoja e përfitoja nga angazhimi në një nga partitë më të vjetra e prestigjoze të botës. 
 
Si një ndër ekspertet më të mira shqiptare të fushës së integrimit, cili është mendimi juaj, kur mund të hyjë Shqipëria në BE?


Shqipëria do të hyjë në BE, pasi të plotësojë kriteret e vëna në aspektin politik, juridik, social dhe ekonomik, si dhe pas përshtatjes së legjislacionit vendas me atë të BE-së. Lidhur me këtë të fundit sfida qëndron tek implementimi i ligjeve, pasi si kuadër ligjor ai është përgatitur në mënyrë shumë bashkëkohore, po kur vjen puna tek zbatimi i ligjeve jemi shumë larg BE-së. Lidhur me reformat, pavarësisht zhurmës së madhe shurdhonjëse nga partitë në pushtet, ato janë gjysmake, bëhet një hap para e dy prapa. Siç u pa dhe në raportin e fundit të Komisionit Europian, mbeten shumë fusha ku reformat nuk janë realizuar siç kërkohet, ku më të spikaturat janë (dhe që ngelen nevralgjike) ato lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Me lidershipin aktual politik, nuk besoj që Shqipëria do hyjë në BE para 2015-ës. Në Shqiperi, si në çdo vend tjetër në tranzicion, klasa politike është aktori më i rëndësishëm dhe më influencues. Por fatkeqesisht klasa politike shqiptare ka treguar në mënyrë kronike që ka qenë e papërgjegjshme, e paaftë dhe ka menduar për interesat e veta se sa për vendin.

A mund të anëtarësohen të huajt në Partinë Konservatore angleze? Cila është eksperienca që keni përfituar nga ky angazhim?

Kur u anëtarësova nuk isha nënshtetase britanike. Megjithatë si e huaj kur je residente aty mund të bëhesh anetare dhe ke të drejtë vote, por jo të drejtë kandidimi. Kanë kaluar mëse 5 vjet që atehere. Fillimisht u angazhova në aktivitetet politike dhe sociale të degës lokale (pjesë e strukturave rajonale të quajtura “party associations” e që përbëjnë strukturën më të rëndësishme të aktivitetit të partisë në bazë). Më pas punova në Asamblenë e Uellsit si researcher në disa projekte me grupin parlamentar konservator. Para tre vjetësh u zgjodha anëtare e degës lokale, më pas koordinatore e politikave (Policy Coordinator) dhe vjet u zgjodha si sekretare (Honorary Secretary) e degës. Gjatë gjithë kësaj kohe jam angazhuar vazhdimisht në fushatat elektorale për Ëestminster (Parlamentin Britanik), zgjedhjet europiane (Parlamentin Europian), për zgjedhjet rajonale (Asamblene e Uellsit) dhe zgjedhjet lokale, duke punuar ngushtë e ndihmuar kandidatet. Këto metoda dhe aktiviteti në bazë janë aq në kontrast me politikën në Shqipëri ku baza është e fjetur dhe aktiviteti kryesor në fushatat elektorale janë mitingjet populiste. Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ku unë jam përfshirë është dhe mbledhja e fondeve (fund-raising) për fushatat elektorale dhe kandidatët, duke organizuar aktivitete të ndryshme sociale. Kjo përbën një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të degëve lokale sepse kandidatet financohen nga partia (ose “associations”) dhe të gjithë shpenzimet deri në detaje regjistrohen dhe raportohen deri tek një strukturë e veçantë e pavarur, ndryshe nga në Shqipëri ku kandidatët shpesh financohen nga burime të dyshimta deri elementë të krimit të organizuar dhe shpenzimet nuk regjistrohen apo raportohen tek askush. Veç kësaj një moment tjetër i angazhimit tim ka qenë pjesemarrja e rregullt në mbledhjet e konferencat e partisë, ku përcaktohen politikat dhe zgjidhen strukturat drejtuese. Në fund të 2006 u angazhova në procesin e kandidimit për zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europiane të majit 2009, një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, por dhe demokratik dhe transparent, nga i cili kam fituar një eksperiencë shumë të vlefshme dhe interesante. Nga e gjithë kjo kam parë ndryshimin e madh që ekziston mes partive shqiptare dhe atyre në perëndim në drejtim të strukturave, organizimit, funksionimit, financimit, demokracisë së brendshme në parti, përzgjedhjes së kandidatëve dhe fushatave elektorale etj. 
 
Ana tjetër e jetës suaj janë botimet. Ju jeni dhe autore librash dhe në mos gaboj keni botuar 3 libra, dy të fundit mbi Shqipërinë dhe BE-në, që janë të parët botuar në këtë fushë, apo jo?

Libri i parë dy-gjuhësh “Shqipëria dhe BE: Integrimi Europian dhe Procesi i Pranimit“ u botua në 2004 në Tiranë (nga shtëpia botuese Dajti 2000). I dyti me titull “Albania and the EU: The Tumultuous Journey toëards Integration and Açession” (Shqipëria dhe Bashkimi Europian: Udhëtimi kaotik drejt pranimit dhe integrimit) u botua në shkurt 2007. Librat trajtojne marëdhëniet Shqipëri-BE, parë nga këndvështrimi historik dhe aktual, bëjnë një analizë të situatës politike e social-politike të Shqipërisë, dhe kjo për të vleresuar sa larg është Shqiperia nga kriteret e Kopenhagenit, plotësimi i të cilave është një kusht për futjen e Shqipërisë në BE dhe eksplorojnë avantazhet e kryesisht pengesat e Shqiperisë në rrugën e saj drejt BE-së. Në libër gjithashtu trajtohen edhe shumë çështje të tjera si roli i aktorëve domestikë, zgjedhjet, administrata publike, sistemi i drejtesise, çështja e korrupsionit dhe krimit të organizuar etj. Sidomos libri i dytë është një libër informativ dhe interesant për njerëzit që janë të interesuar në shkencat politike ose në çështjet e integrimit, pra përfshin një audiencë shumë të gjerë. Libri i dyte u botua në Londër. Një njeri që ka botuar një libër akademiko-shkencor jashtë e di sa e vështirë është, meqë kalon nëpër një process të gjatë dhe nëpër shumë editore etj. Kurse në Shqipëri është aq e lehtë të botosh një libër, mjafton ti paguash ca para pronarit të shtëpisë botuese ose printuese dhe për dy javë librin e shikon të mbaruar. Unë isha me fat që ndër ato që pranuan botimin e librit, ishte shtëpia botuese I.B.Tauris Londer-Neë York), e cila ka një reputacion shumë të mirë, sidomos në fushën e politikës së jashtme. Më duhet ta pranoj që procesi i prodhimit më lodhi shumë më tepër se vetë shkruarja e librit: për një vit m’u desh të
bashkëpunoja me editorët, për kontratat, faqosjen, redaktimin, kopertinën, e shumë e shumë gjëra të tjera, Ishte një odise e vërtetë. Libri është vetëm në anglisht, 280 faqe dhe gjendet në libraritë dhe bibliotekat në UK, Evropë, UK, Kanada dhe shitet dhe në Shqipëri në libraritë e “Adrion”. Libri gjendet gjithashtu dhe Amazon.com. 
 
Ju keni qenë aktivisht e angazhuar në lëvizjen për rritjen e rolit dhe përfaqesimit të grave në politikë në Shqipëri. Cfarë mendimi keni për kuotën prej 30% të grave në listat e kandidateve në partitë politike?

Gjatë viteve të angazhimit tim në politikë, një nga fushat e aktivizimit aktiv dhe kontributit ka qenë në përpjekjet për rritjen e përfaqesimit të gruas në politikë. Fillimisht brenda partisë ku militoja në pozicionin si Kryetare e Gruas së bashku me të gjithë ato gra e vajza të mrekullueshme që përbënin në atë kohë Forumin e Gruas Republikane, e më pas në bashkepunimin me koleget e mia në forumet e tjera politike të grave apo drejtueset e NGO-ve që punonin për çështjen e gruas. Ky bashkëpunim u konkretizua në 2001 me krijimin e “Rrjetit të Grave në Politikë”, një netëork i përbërë nga kryetarët e forumeve të partive politike të gjithe spektrit politik nga e majta në të djathtë, që përbënte rastin e rrallë të një bashkepunimi eficient e produktiv në politikë pavarësisht bindjeve politike, duke dhënë një shembull pozitiv në atmosfrerën agresive dhe konfliktuale mashkullore të politikës në Shqipëri. Unë isha bashkë-themeluese e këtij rrjeti, së bashku me koleget e mia të shkëlqyera nga PS-ja, PAD-ja etj, dhe kryetarja e parë e tij deri sa u largova nga Shqipëria. Gjatë viteve të tranzicionit demokratik përfaqesimi i grave në pozicionet vendim-marrëse ka qenë shumë i ulët, një ndër më të ultit në Europë. Fakt është që nga PS-ja ka pasur një frymëmarrje më pozitive për inkludimin dhe promovimin e grave brenda strukturave të partisë dhe në listat e kandidatëve, ndërkohë që nga PD-ja situata ka qenë vazhdimisht mbytëse dhe jo mbështetëse për gratë, bile dhe nga vetë ato gra të pakta në drejtimin e kësaj partie. Mjafton ti hedhësh një sy shifrave edhe tani që PD-ja është në pushtet kur ka vetëm 3 gra në parlament dhe deri vonë vetëm një femër ministre. Kështu që më vjen mirë që me kuotën prej 30% përpjekjet tona të para 10 vjetëve po bëhen realitet dhe shpresoj që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm të ketë më shumë femra në parlamentin shqiptar dhe në kabinetin qeveritar.

Aktualisht me çfarë merreni në Angli? A mendoni të ktheheni në Shqipëri?


Në dy vitet e fundit kam qenë në Universitetin e Oxfordit duke bërë studime pasuniversitare në politikë dhe marëdhënie ndërkombëtare, fokusuar në politikat e BE-se në St Antony’s College. Mendoj që këto studime kompletuan formimin tim akademik në fushën politike, të cilën e nisa 6 vjet më parë. Isha shumë e privilegjuar që mu dha mundësia për të studiuar në universitetin më të mirë të Britanisë së Madhe dhe në botë. Lidhur me planet për t’u kthyer në Shqipëri, unë jam nga proponentet e politikave të “brain gain-it” apo kthimit të trurit dhe besoj që Shqipëria mund të përfitonte shumë nga dijet, aftesite dhe eksperiencat e fituara në perëndim të shumë shqiptarëve intelektualë që sot gjenden në të gjithë botën e që do kishin dëshirë të ktheheshin një ditë në atdhe. Unë personalisht jam me mendje të hapur dhe me kënaqësi do të pranoja nëse më propozohet apo ofrohet një pozicion, konform arsimimit dhe eksperiencës sime, ku mund të jepja kontributin tim. Dhe si unë ka me dhjetra në të gjithë botën, që do kishin dëshirë të ktheheshin një ditë e që dijet dhe ekspertizën ti vinin në funksion të progresit dhe zhvillimit në Shqipëri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx