E merkure, 30.04.2025, 07:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Altin Goci: Muzika ime jashtë klaneve

E hene, 29.12.2008, 06:22 AM


Altin Goci
Në muzikën shqiptare këngët e Krishtlindjeve nuk kanë pothuajse asnjë vend. Janë shumë të rralla kompozimet e këtij lloji.

Nga Yllka Lezo

Kantautori Altin Goci publikon videoklipin “Ëndrra bore”. Një krijim i sinqertë për festat dhe atmosferën e fundvitit. . Ish -pjesëtari i grupit “Ritfolk”, mes të kënduarit live në lokalet e natës, muzikës dhe familjes tregon për këngën dhe se si e sheh ai muzikën shqiptare.
Në muzikën shqiptare këngët e Krishtlindjeve nuk kanë pothuajse asnjë vend. Janë shumë të rralla kompozimet e këtij lloji. Ndërkohë që atmosfera e festave të fundvitit ndihet gjithandej, dekore, bredha, drita, por s’ka ndonjë që të këndojë nën zë një motiv shqiptar Krishtlindjesh.

I vetmi që bën një gjë të tillë është kantautori Altin Goci. Pak ditë më parë ai prezantoi videoklipin “Ëndrra Bore”. Një këngë që bën fjalë për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, për padurimin e fëmijëve për dhuratat që sjell Babagjyshi.

Ky viedoklip është i dyti në karrierën e tij muzikore. Kënga nuk i paraprin ndonjë albumi të mundshëm, megjithatë Goci shprehet së mund të jetë një shtysë. Ish- pjesëtari i grupit “Ritfolk”, mes të kënduarit live në lokalet e natës, muzikës dhe familjes tregon për këngën dhe se si e sheh ai muzikën shqiptare.

Në Shqipëri nuk ekziston tradita e këngëve të Krishtlindjeve. Si lindi ideja për një si kjo?

Prej kohësh kam pasur dëshirë të nxirrja një videoklip me natyrë Krishtlindjesh dhe Viti i Ri. Spunton mbase ma dha ime bijë 2-vjeçare, që më rikujtoi edhe një herë fëmijërinë. Mendoj se secili nga ne ka brenda atë fëmini kur vjen puna te Vitit i Ri dhe Krishtëlindjet, dëshira për dhurata etj.

Fëmijëria e brezit tënd nuk ka qenë e tillë. Ka qenë një fëmijëri pa Krishtlindje.

Pa Krishtlindje por me Vit të Ri sepse ashtu ishte atëherë. Pak a shumë është e njëjta atmosferë, vetëm se Krishtlindjet janë diçka akoma më e madhe, kam përshtypjen. Dhe videoklipi është bërë i gjithi me fëmijë. Kanë marrë pjesë gjithë fëmijët e miqve të mi.

Megjithatë Viti i Ri sjell edhe një farë trishtimi për kohën që ikën dhe ka njerëz që i premtojnë vetes ndryshime që do të bëjnë vitin e adhshëm.

Vitet bëjnë të vetën megjithatë unë nuk e di pse kam një optimizëm. Ndoshta është kjo pjesa e brendshme e fëmijërisë që ma imponon këtë. E pres me shumë kënaqësi këtë atmosferë që më bën të besoj se po vjen një vit më i mbarë.

Mund ta përshkruash me një fjali Vitin e Ri të fëmijërisë tënde?

E kam pasur shtëpinë afër liqenit dhe e gjithë fëmijëria ime kalon nga pylli, nga liqeni. Kujtoj karrocat me kushineta, shigjetat, futbollin, e shumë gjëra të bukura, që sinqerisht i kam akoma si gjë të vyer brenda meje. Kam kaluar një fëmijëri shumë të gëzuar. Vitin e Ri e kam kaluar gjithmonë me familjen.

Kënga e fundit i paraprin ndonjë albumi apo është single?

Për momentin është single. Dëshira ime ishte që ta nxirrja për Krishtlindje. Besoj se do të jetë një shtysë që të filloj të mendoj për një album të dytë.

Ç’rruge do të ndjekë videoklipi?

Do të transmetohet në televizione, ka filluar madje që ditën e Krishtlindjeve. Ky ishte maksimumi im sepse është bërë shumë shpejt. Është xhiruar dhe montuar për katër ditë. Nuk kam tentuar dhe nuk do tentoj të bëjë vidoklipe siç bëhen rëndom këtu në Shqipëri.

Kjo sepse muzika për mua nuk është biznes, këtu po na mbulon biznesi gjithandej. Muzika është diçka që është për qejfin tim edhe të fëmijëve kam përshtypjen. Besoj se edhe me pak shpenzime mund të bësh një punë cilësore.

Muzika jote në përgjithësi ka notat e popit britanik. “Ëndrra Bore” i ka shpëtuar këtij ndikimi?

Le të themi që mua më pëlqen brit-pop-i po as vetë nuk e di se çfarë rryme i përket muzika që bëj. Kjo këngë faktikisht është shumë brit-pop. Edhe në mënyrën e orkestrimit, është një pjesë me trombë që duket tipike angleze. Megjithatë është “made in Altini’. Ja lë të tjerëve që ta gjykojnë.

Sa kushton realizimi i një videoklipi sot në Shqipëri?

Personalisht nuk di të them një shifër reale, por me sa kam dëgjuar, kushton 4-6 mijë euro, mund të shkojë deri në 10 mijë euro. Në përgjithësi sistemi i muzikës për mua është piramidë. Kjo do të thotë që paguan për një album dhe nuk fiton, ose më saktë nuk arrin të marrësh atë që ke shpenzuar. Mua ende më mban gjallë pasioni.

Them që do vdes me këtë pasion. Në këtë sens kam menduar ta përballoj me shpenzimet e mia as nuk kam tentuar të marr sponsorë (që është shumë gjë e mirë) por që për hir të së vërtetës sponsorët priren drejt këmbëve të gjata dhe minifundeve.

Ti punon (këndon) në një klub nate. Si arrin të rregullosh jetën tënde?

Kam gjetur një të mesme ideale. Kam katër vjet që punoj në një klub nate, dhe në total 7-8 vjet që më ka kapur jeta e natës. Është një punë e lodhshme, por nga ana tjetër ke kënaqësinë e të kënduarit live. Me këtë punë në një farë mënyre nxjerr të ardhurat.

Repertori i një klubi natë nuk të lë dhe aq hapësirë për t’u shprehur. Çfarë raporti ekziston mes muzikës shqiptare dhe asaj të huaj?

Të parët tanë nuk është se na lanë një trashëgimi shumë të madhe në muzikë, përveç festivaleve. Shumë pak prej tyre mund të transmetojnë emocion kur këndohen në lokal. Nuk është si bota që ka traditë me vite të tëra. Megjithatë një pjesë të këngëve të mia unë i këndoj. Shumë sukses kanë këngët e grupit “Ritfolk”. Edhe kënga nga albumi im i vetëm “Me ty kaq pranë”, me të njëtin titull është bërë një hit. Por shumicën e repertorit e zënë këngët e huaja.

Sa kohë ka kaluar që kur keni publikuar albumin “Me ty kaq pranë”?

Albumi ka dalë në vitin 2005 dhe po bëhen afërsisht tre vjet.

Nuk të duket pushim i gjatë?

Jo. Mbi të gjitha duhet të ndihem unë rehat. Ndoshta kisha nevojë për një pushim, mbase jo kaq të gjatë. Kjo lloj muzike që krijohet këtu më ka bërë që të tërhiqem, dhe tëmendojë pak më thellë për ata që duhet të bëj.

Në të vërtetë çfarë ka ndryshuar në botën e muzikës në Shqipëri?

Muzika këtu është në krizë (them krizë sepse nuk gjej dot një fjalë me keq se kriza). Mbase është zinxhiri i gjithë jetës që ne jetojmë. Mbi të gjitha është pasqyra e jetës tonë, në sensin që këtu gjërat nuk po shkojnë mirë. Edhe muzika ka arritur në një moment që është bërë biznes. Është normale që një pjesë e muzikë të jetë biznes por jo të bëhet muzikë bullgare, apo diçka tjetër. Ka hyrë në modë turbo folku.

Në viti 1991 brezi ynë e nisi me pasion këtë rrugë, me dëshire. Besoj se ja vlejti deri në vitin 1997. Pastaj kam përshtypjen se ’97-ta i vuri kapakun gjithçkaje. Po të vëresh ne jemi kthyer nga ana tjetër, në vend që të ktheheshim nga perëndimi jemi kthyer andej nga s’duhet të ishim.

Kjo e ka bastarduar muzikën. Të mos përmendim muzikën e vjedhur, ku nuk kanë guximin të shkruajnë as emrin e autorit. Ka arritur në një katastrofë. Prandaj bëjnë qejf të gjithë sepse nuk funksionon e drejta e autorit.

Ti mbrohesh nga ndonjë agjenci?

Jo. Këtu gjithë kohën përmendin shoqatën e të drejtave të autorit, që zëre se nuk ekziston. Kam dëgjuar që ligji ka probleme. Nuk e di mbase muzika është e fundit që do të merret në konsideratë.

E ndjek muzikën që bëhet momentalisht në botë? Duket sikur edhe në muzikën botërore situata nuk është shumë e mirë. Prodhohet shumë edhe mbetet pak.

Kjo mbase është kryesorja. Unë e ndjek shumë muzikën megjithatë nuk është se ka prurje me shumicë që të ketë ç’të ngelet në mendje. Është edhe fakti që ndryshon moda e muzikës. Në vitet ‘80 ishte popi elektronik, në ’90-ën dolën bandat etj.

Secili e gjen veten në një lloj muzike. Është si puna e veshjes. Unë jam fans i grupit britanik “Oasis”. Më pëlqejnë kryesisht grupet britanike por kjo s’do të thotë që nuk më pëlqen muzikë tjetër. Po të jetë e bukur më pëlqen ta shijoj.

Do të shohim së shpejti në ndonjë skenë festivali?

Për momentin jo sepse nuk e shoh të arsyeshme. Festivali është bërë klishe, tenton të bësh diçka gjasme për të marrë pjesë në festivalin evropian. Plus që mund ta lidhë edhe me faktin që nuk jam pjesë e klaneve. Me kaq besoj se edhe kuptohet që festivali ndahet në parti, në klane të muzikës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx