E enjte, 01.05.2025, 05:28 AM (GMT+1)

Kulturë

U promovua libri “Kumanova për flamur, nga NDSH-ja në UÇK”

E hene, 29.12.2008, 04:48 PM


Të dielën në Kumanovë

U promovua libri “Kumanova për flamur, nga NDSH-ja në UÇK”,


Të dielën (28 dhjetor 2008) në Kumanovë është promovuar libri “Kumanova për flamur, NDSH- UÇK”, libër në të cilin janë përmbledhur shkrimet e sesionit shkencor të mbajtur vitin e kaluar në Kumanovë. Në këtë manifestim morën pjesë shumë qytetarë nga Kumanova e Shkupi si dhe mysafirë të tjerë nga Kosova e Shqipëria. Ky manifestim u mbajt në Amfiteatrin e Fakultetit ti ri të Administratës dhe Biznesit të USHT-së.
Një nga anëtarët e këshillit redaktues të librit “Kumanova për flamur, NDSH- UÇK”, Selajdin Shabani në fjalën e rastit ka thënë “jemi tubuar sot në këtë vend për të promovuar një libër që ia vlen jo vetëm të lexohet, por që nesër mund të jetë lajtmotiv për të shkruar e hulumtuar edhe më thellë për ngjarjet të cilat trajtohen në të. Pra, është ky libri “Kumanova për flamur, nga NDSH-ja në UÇK”, në të cilën ndërthuren pjesë të rëndësishme të së kaluarës dhe të tashmes sonë. Ai më tej ka bërë të ditur se ky promovim ishte paraparë që të bëhet një muaj më parë, në njëvjetorin e organizimit, mirëpo këshilli organizativ e kishte pa të udhës që ta bëjë pikërisht në këto ditë të fundvitit, kur edhe në mesin tonë janë një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve, të cilët edhe kishin dhen një kontribut. Shabani më tej ka shtuar se “ky promovim i është i veçantë
edhe nga fakti se për herë të parë manifestohet një aktivitet i tillë historik, kulturor e kombëtar i shqiptarëve të kësaj ane, pikërisht në Amfiteatrin e Fakultetit të ri të USHT-së në Kumanovë, i cili gjithashtu u bë me shumë mund dhe sakrifica”.
Profesor mr. Minir Ademi, në emër të Këshillit Organizativ të manifestimit “Kumanova për flamur, prej NDSH-së e deri te UÇK-ja“, e përshëendeti promovimin dhe të pranishmmit.
Sekretari i Këshillit Organizativ, dhe njëherësh anëtar i Këshillit redaktues të librit, Sevdail Demiri, duke i bërë një përmbledhje të shkurtër aktiviteteve të realizuar një vit më parë në Orizare, Hotël e Kumanovë, aktivitet ky i cili po përmbyllet suksesshëm me promovimin e këtij libri, ka thënë “të gjitha gjeneratat, nëpër të gjitha periudhat e vështira të historisë, kanë hedhë nga një farë në arën e atdhedashurisë shqiptare. Obligimi më minimal i gjeneratave që jetojnë të sotmen, është që ta luftojnë harresën dhe sakrificën e asaj fare që është mbjellë me shumë djersë e gjak. Kumanova me rrethinë, si një vatër e skajshme e gjeografisë shqiptare, gjithmonë është ndeshur me armiq nga të gjitha sojet, mirëpo, gjithmonë me krenari e ka ruajtur bërthamën e pastër kombëtare dhe gjithmonë është mbajtur fort për flamurin kombëtar. Ky përkushtim i Kumanovës ndër breza dhe frika nga
perdja e pamëshirshme e historisë, bëri që një grup vullnetarësh nga vendlindja dhe diaspora, të bëjnë një organizim të mirëfilltë, për t’u lënë gjeneratave që do të vijnë nga një gurë dhe nga një shenjë, e cila ata, do t’i përkujton për vuajtjet dhe qëndresën e shqiptarëve të kësaj ane”
Demiri më tej ka shtuar se “shkak për këtë aktivitet, ishte pikërisht 60 vjetori i likuidimit të komandantit legjendar të viseve të Kumanovës, Sulë Hotla me tetë bashkëluftëtarët e tij nga ana e pushtetit sllavo-komunist. Mirëpo, qëllimi ishte që përmes sesionit shkencor, vendosjes së pllakave përkujtimore dhe mbajtjes së akademisë përkujtimore, të hidhet dritë mbi veprimtarinë patriotike më se gjashtë dekada të anës së Kumanovës, në luftën për Atdhe e Flamur Kombëtar, që nga periudha e Organizatës Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSH) e deri te ajo e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Mbase, nesër por edhe më vonë dikush do të interesohet më tepër për figurat historike të Sulë Hotlës e Ismet Jasharit, për vrasjet dhe syrgjynosjet e shqiptarëve të Kumanovës, për masat antishqiptare kundër arsimit shqip, për luftën e shqiptarëve të kësaj ane për liri e bashkim kombëtar”, nënvizoi
Demiri.
Mr. Vaxhid Sejdiu anëtar tjetër i Këshillit Organizativ dhe redaktues të librit, njëherësh përfaqësues i Shoqatës Atdhetare Liria Kombëtare nga Zvicra, duke i bërë një përqasje më të gjerë rreth aktiviteteve, dhe përmbajtjes së këtij libri ka thënë se në më se 280 faqe lexuesi ka mundësi të njihet me veprimtarinë politiko – organizative të Komitetit rajonal të NDSH-së në Kumanovë, me mardhëniet shqiptaro-serbe-maqedone, me figurën e komandantit Sulë Hotla, me luftën e armatosur të shqiptarëve gjatë luftë së dytë botërore, si dhe masakrat partizano-cetnike në Kumanovë.
Fjalën përshëndetëse në këtë promovim e morën, gjenerali dhe flamurtari i parë i ish-UÇK-së Rexhep Selimi, në emër të familjeve të dëshmorëve përshëndeti Gani Krasniqi nga Malisheva e Kosovës, prof. dr.Agim Vinca – shkrimtar dhe profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, dr.Emin Kabashi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, deputeti i pralamentit të Kosovës dhe njëherit kryetar i SHBPPK-së, Hydajet Hyseni, ish-deputeti dhe ish-luftëtari i UÇK-së Hysni Shaqiri, etj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx