E enjte, 01.05.2025, 09:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Ndëshkimet hyjnore të NATO-s kundër barbarëve të Beogradit

E marte, 30.12.2008, 04:25 PM


Besa Salihu
Besa Salihu
Ditari i Besa Salihut në gjuhën rumune

Ndëshkimet hyjnore të NATO-s kundër barbarëve të Beogradit

Vlera më e madhe e këtij ditari qëndron në faktin se ngjarjet pasqyrohen në mënyrë besnike dhe me gjakftohtësi maksimale. Jo vetëm që nuk ka elemente predimensionimi të situatave, por përkundrazi vërehet një zbutje në paraqitjen e tyre, që dëshmon se Besa nuk kishte në shpirt të kultivuar kurrfarë urrejtje, por ishte një fëmijë që e donte jetën dhe që luftonte ta ruante shpresën edhe në situatat më të vështira. (B. Frangu).
 
Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

Këto ditë, në prag të Vitit të Ri, me rastin e dhjetëvjetorit të bombardimeve të NATO-s kundër  gjenocidit serb në Kosovë (1999/2009), nën përkujdesjen e redaksisë së revistës Shqiptari, e pa dritën e botimit në Bukuresht libri i Besa Salihut, Ndëshkime hyjnore/Pedeapsa divina.  Fjala është për një ditar lufte të cilin e përkthyen nga shqipja në gjuhën rumune, Adriana dhe Sherban Tabaku. Ideator dhe autor i parathënies është poeti dhe gazetari i mirënjohur kosovar, Bardh Frangu, ndërsa pasthënien e shkroi eseisti rumun, Marius Qelaru. Këshilltar libri është filoshqiptari Tiberius Puiu (ish/këshilltar qeveritar). Redaktor është autori i këtij shkrimi, ndërsa lektorë: Marilena Lica dhe Hajro Hajra.
Ditari i Besës e pa dritën e botimit (në gjuhën shqipe dhe rumune), në sajë të përkrahjes fisnike të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Ferizaj. Kjo ishte surpriza dhe dhurata më e bukur që mund t’ia bëjë Bukureshti Kosovës dhe Kosova Rumanisë, në kohën kur kameleonët e Beogradit kurdisin fushata perfide kundër etnosit shqiptar në brigjet lindore të Kosovës historike. Fjala është për një libër me vlera të mirëfillta letrare i cili del në sajë të një angazhimi dhe përkthimi të shkëlqyeshëm, për te cilin ekziston nevoja që krijimtaria e krijuesve  tanë të depërtojë tejmatanë kufinjve të truallit shqiptar, sidomos në gjuhët e qarkullimit ndërkombëtar. Ditari i Besës strukturohet në disa kapituj: Burgu magjik, Nganjëherë kisha përshtypjen se jetojmë në ferrin e Dantes, Ujku i prishur, Engjëjt afroheshin derisa qiellin  e mbulonte një dritë magjike, pas të cilëve pasojnë tre tregime dhe një poezi: Unë jam këtu përgjithmonë, Balena, shpëtimtarja e peshqve, Buzëqeshja e hënës, Hapet një zbrazëti në terr.

Dëshmi e një kohe të mbushur tmerr dhe ankth

Në kuadrin e parafjalës, Bardh Frangu bën fjalë për fëmijën “që nga universi i vet kishte dëbuar frikën nga vdekja”. Besa Salihu sipas tij është një fëmijë i jashtëzakonshëm, një nxënëse e shkëlqyeshme, një fëmijë i pasionuar pas dijes, një kompjuter i gjallë prej mishi dhe ashti: “Kur e lexon ditarin e Besës për 78 ditët e tmerrit dhe ankthit të luftës, të bombardimeve të NATO-s, s’ka si të mos të kujtohet ditari i Ana Frankut, shkruar gjatë kohës së tmerrit të Luftës së Dytë Botërore. Vërtet mes këtyre dy ditarëve ka shumë analogji, por ka edhe shumë dallime. Së pari, Besa kur e shkroi ditarin ishte më e re se Ana, së dyti Besa, ndryshe nga Ana, ishte e detyruar që disa herë të kalonte nëpër tytat e barbarëve serbë për të kërkuar strehim nëpër fshatrat përreth qytetit të Ferizajt. Kjo bredhje e saj me familjen i jep një dimension edhe më dramatik këtij ditari, ndërsa në anën tjetër ka ndikuar që Besa të mos ketë mundësi ta mbajë me rregull ditarin e saj, kaq të nevojshëm për një dëshmi të një kohe të mbushur tmerr dhe ankth”. 
Ditari i Besës, sipas autorit të parathënies, dëshmon për të gjitha instinktet, emocionet dhe preokupimet e njeriut të ndodhur para vdekjes. Diku në një vend Besa edhe vetë do të dëshmojë se me kohë e kishte kapërcyer frikën nga vdekja, madje ishte mësuar me këtë hije që lëvizte ngado. Ditari në një anë dëshmon gjendjen e përgjithshme të atyre që kishin këmbëngulur të mos i lëshonin vatrat e tyre, ndërsa në anën tjetër dëshmon për një karakter të veçantë çfarë është ai i Besës, ndërsa ajo shfaq refleksione edhe filozofike, që për një moshe fëmije është diçka tepër e veçantë.  Sigurisht që vlera më e madhe e këtij ditari qëndron në faktin se ngjarjet pasqyrohen në mënyrë besnike dhe me gjakftohtësi maksimale. Jo vetëm që nuk ka elemente predimensionimi të situatave, por përkundrazi vërehet një zbutje në paraqitjen e tyre, që dëshmon se Besa nuk kishte në shpirt të kultivuar kurrfarë urrejtje, por ishte një fëmijë që e donte jetën dhe që luftonte ta ruante shpresën edhe në situatat më të vështira.
Dimensionin e tmerrit Besa do ta paraqesë figurativisht edhe nëpërmjet qenieve të tjera të gjalla, siç janë zogjtë, bie fjala. E veçanta më e veçantë e këtij libri pa dyshim është mënyra e ndërthurjes së shkëlqyeshme të faktit me fiksionin, ndërsa ajo fakton ngjarjet e ditës duke i veshur në fund, si me një lloj post skriptumi me ëndrrat, të cilat mundësojnë një observim shumë të gjerë të njohjes së ndjenjës dhe refleksionit brenda universit të këtij fëmije. Tri tregime dhe një poezi, të shkruara gjatë 78 ditëve të ankthit dhe tmerrit, janë dëshmi se Besa bënte jetën e vet të lirë në universin e saj, duke dëshmuar kështu se e kishte mundur frikën nga vdekja dhe fuqishëm mbahej e mbështetur mbi shpresën. Në këto shkrime artistike Besa njëherazi dëshmon edhe talentin e saj të jashtëzakonshëm për artin letrar. Gjuha e saj e pasur letrare-poetike si dhe shkrimi me një siguri të jashtëzakonshme janë e veçanta e këtij ditari, i cili botohet pa asnjë ndërhyrje. Në përgjithësi ky libër ka vlerë shumëdimensionale, sepse jo vetëm që është i pari i këtij lloji, por është një dëshmi e mrekullueshme se nëpër çfarë rrathë të tmerrit kaluam ne si popull, e veçmas fëmijët tanë, të cilët ende vazhdojnë të shërohen nga traumat e luftës. Në fund, duhet thënë se Besa shkëlqyeshëm e ka regjistruar kujtesën tonë,  prandaj edhe meriton mirënjohje dhe lëvdata. Në fakt Besa na e fali një nga librat më të mirë që kemi në letrat tona.
Ky portretizimi i Besa Salihut, i përket vitit 2001, kur iu botua në Ferizaj, libri i saj i parë (Ditari: Ankthi dhe tmerri i 78 ditëve).  Është fat i saj dhe kulturës shqiptare që ky ditar tani del edhe në gjuhën e një populli të afërt me të cilin kemi lidhje të lashta farefisnore, duke u nisur nga premisa se i vetmi popull në botë, i fisëruar përmes linjës trako/dako/ilire me popullin rumun, është populli shqiptar, gjë të cilën të gjithë e dinë, përveç injorantëve të forumit Çamëria që në vend të atdhetarizmit e kultivojnë fanatizmin e infektuar me fyerje monstruoze kundër vlerave të kombit. Përndryshe, Besa Salihu u lind më 1 mars 1986 në Ferizaj, ku kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e kreu në Prishtinë, ku vazhdoi edhe studimet në Universitetin e Prishtinës, duke absolvuar Fakultetin e Psikologjisë. Aktualisht vijon studimet edhe  në Fakultetin e Gjuhës Angleze. Gjatë viteve të shkollimit është marrë me punë të ndryshme, kryesisht me përkthime, duke shkruar në ndërkohë ese të shkurtra, përkatësisht refleksione gjysmë/filozofike në formë rrjedhe asociacionesh.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx