E enjte, 01.05.2025, 09:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë me studiuesin Mr.sc. Arben Hoxha, hulumtues i pavarur në Institutin Albanologjik të Prishtinës

E enjte, 01.01.2009, 02:18 PM


Mr. sc. Arben Hoxha, arbenhoxha69@yahoo.com
Kritikën letrare e karakterizon ngecja

 

Problemi i kritikës letrare dhe zhvillimi i saj sot në Kosovë janë bërë temë diskutimi, ku edhe janë dhënë mendime të llojllojshme dhe janë ngritur shqetësime të ndryshme. Në këtë intervistë për “Kosova sot”, Mr.sc. Arben Hoxha, hulumtues i pavarur në Institutin Albanologjik të Prishtinës, flet për kritikën letrare shqipe, zhvillimin dhe krizën e saj.

 

 

“Kosova sot”:   A mund flitet për fenomenin e krizës në kritikën letrare shqipe?

 

Arben Hoxha: Që të jepet një vlerësim objektiv për “krizën” e kritikës letrare shqipe, paraprakisht, është e nevojshme që të bëjmë një sqarim rreth kuptimit të togfjalëshit terminologjik “kritikë letrare”. Nisur nga pyetja juaj, duke përkufizuar predikatin (kritikën letrare) do të mund ta përcaktojmë natyrën e subjektit (“krizës”). Në filozofinë e letërsisë togfjalëshi terminologjik “kritikë letrare” përdoret në dy kuptime: a) kritika letrare, si lloj i aktiviteti intelektual, e cila ka për detyrë ta përcjellë dhe vlerësojë gjithë prodhimin letrar të ditës; dhe b) kritika letrare si tërësi e lëmisë së njohjes letrare, ku përfshihen metodat, teoritë, disiplinat, modelet metodologjike dhe metodologjia e studimit të letërsisë. Kritika letrare përdorur në kuptimin e parë ndryshe quhet “kritikë gazetareske”, “kritikë recensioniste”, ndërkaq, në kuptimin e dytë, ndryshe quhet  “shkencë për letërsinë”...

 

“Kosova sot”: Atëherë, si e përkufizoni natyrën e fenomenit të krizës (nëse, sipas jush, ajo ekziston) të kritikës letrare shqipe në kuptimin e përdorimit të parë të saj dhe në kuptimin e përdorimit të dytë të saj?

 

Arben Hoxha: Filozofia e shkencës tashmë ka konstatuar se krizat përbëjnë  “momentet” nëpër të cilën kalon zhvillimi i njohjes njerëzore për botën dhe ekzistencën. Por, ky zhvillim vjen kur mjetet e vjetra zëvendësohen me mjete të reja në funksion të zotërimit të një qëllimi të ri njohës, i cili me tiparet dhe potencialet e veta - në perspektiven historike - ndikon në pasurimin me përmbajtje të reja të vizioneve ndaj botës dhe ekzistencën njerëzore. Për shkak se kritika letrare shqipe i është nënshtruar rendit sinkronik e jo atij diakronik, e kjo domethënë se zhvillimi i saj ka qenë atipik, mund të thuhet se ajo nuk është përballur me “kriza” të natyrave të tilla. Prandaj, më shumë se sa fenomenin e krizës, mund të thuhet se kritikën letrare shqipe e karakterizon fenomenin i ngecjes, që tashmë është i pranishëm në rrafshin e përdorimit kuptimore të parë, si dhe fenomeni i retrogrades (prirjes prapakthyese) që tashmë është i pranishëm në rrafshin e dytë kuptimor të përdorimit të saj.

 

“Kosova sot”: Çfarë i bën të dallojnë këto dy fenomene ndërmjet vete?

 

Arben Hoxha: Dallimet ndërmjet këtyre dy fenomeneve që dalin prej të dy mënyrave të përdorimit kuptimor të kritikës letrare, si”kritikë gazetareske” dhe si “shkencë për letërsinë” kushtëzohen, në njërën anë, prej kategorive që i formësojnë mënyrat e të qenit dhe të shfaqurit të këtyre fenomeneve, dhe prej funksioneve - si veti e qëllimeve - që ato marrin në rrafshet përkatëse kuptimore të përdorimit të tyre. Duke marr për bazë kategoritë që i formësojnë mënyrat e të qenit dhe të shfaqurit të këtyre fenomeneve, mund të thuhet se në rastin e parë fenomeni i ngecjes është e natyrës sasiore, sepse vjen si  rezultat i shpërputhjes që ekziston ndërmjet tërësisë së produksionit letrar dhe refleksionit tepër të pakët në sasi për atë produksion; ndërkaq në rastin e dytë fenomeni i retrogrades është i natyrës cilësore, sepse bazohet në kategorinë e realitetit dhe vërtetësisë, me ç’rast anomalia, si thelb i shfaqjes së tij, shkaktohet prej marrëdhënieve asimetrike dhe jokoherencës ndërmjet kategorive, koncepteve, mjeteve (teorive, metodave, modeleve metodologjike) dhe qëllimeve (epistemike, historike, shoqërore, kulturologjike, politike e kombëtare). Përgjithësisht, mund të thuhet se në rastin e parë, fenomeni i ngecjes është një përcaktim që shënon gjendjen e jashtëm, ndërkaq në rasti e dytë fenomeni i retrogrades është një përcaktim që shënon gjendjen e brendshme të kritikës letrare shqipe.

 

“Kosova sot”: Fenomeni i retrogrades në shkencën letrare shqiptare a është rezultat i mungesës së instrumenteve metodologjike, apo...?  

 

Arben Hoxha: Jo. Përkundrazi. Mund të thuhet se shkenca letrare shqiptare sot është shndërruar në një “depo” teorish e metodash të studimit të letërsisë. Fenomeni i retrogrades (prirja prapakthyese) nuk është pasojë e mungesës së lëndës (disiplinave) e as e mjeteve (teorive, metodave), por është pasojë e marrëdhënieve jokompaktibile ndërmjet tyre në varësi të qëllimeve jashtëpistemologjike të subjekteve të caktuara njohëse letrare. Jo pak në shkencën letrares shqiptare të pas viteve 90-ta (në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup) lënda dhe mjetet do të bëhen vet qëllim i saj. Prandaj, në shkencën letrare kemi fenomenin e shpërputhjes midis sasisë së madhe të mjeteve të zbatuara dhe të sasisë së vogël të problemeve thelbësore (cilësisht) të zgjidhura. Tregues i pjekurisë, ashtu si edhe në jetë, në shkencë letrare është aftësia për të identifikuar probleme dhe çështje me rëndësi për perspektivën zhvillimore të njohjes letrare dhe kulturës kombëtare në përgjithësi si dhe gatishmëria dhe aftësia për të dhënë përgjigje dhe zgjidhje të qëndrueshme në kohë për ato probleme. Shkenca letrare shqiptare këtë fazë pjekurie e ka përjetuar me emrin e Rexhep Qosjes, Agim Vincës, Bajram Krasniqit, Sefedin Fetiut etj. Mosgatishmëria për t’u përballur me problemet themelore flet për rikthim në “gjendjen në fazën e adoleshencës” të shkencës letrare shqiptare. “Gjendja e adoleshencës” hynë te tipi i fenomenit të ngecjes i cili vjen si rezultat i zotërimit të mjeteve “serioze” që rrinë larg qëllimeve serioze. Për kundër kësaj fenomeni i retrogrades (prirja prapakthyeke) nuk është pasojë e mungesës së lëndës (disiplinave) e as e mjeteve (teorive, metodave), por është pasojë e marrëdhënieve jokompaktibile ndërmjet tyre në varësi të qëllimeve, të shumtën e herëve, jashtëpistemologjike të përcaktuara prej subjekteve të caktuara  njohëse letrare. Fenomenin e retrogrades në shkencën letrare shqiptare, prandaj, nuk e shkakton mungesa e mjeteve epistemike, por akti i shpërfytyrimit të atyre mjeteve në procesin e rrëgjimit të idealit moral të njohjes letrare, prej të cilit ato kushtëzohen. Në varësi të pozitës që refleksioni për letërsinë do të marr midis konceptit të lirisë, në njërën, dhe konceptit teoriko-letrar për të vërtetën dhe vërtetësinë e të qenit të letërsisë shqipe si letërsi e njësishme dhe pjesë përbërëse e identitetit kulturorë të kombit shqiptar, shkencën letrare shqiptare do ta shoqërojnë ideali i trajtimit integralist të letërsisë dhe ideali i trajtimit partikularist. Në qoftë se prirja integraliste në mendimin kritik letrar do të operojë me kategorinë kulturore të etnisë dhe kombit, si përmasë e realitetit të identitetit kombëtar, prirja e partikulariste do të operojë me kategorinë e teritorialitetit, si përmasë e identitetit shoqëroro-politikë në të cilat do të ndodhen pjesë të shkëputura të kombit. Në qoftë se dje ithtarët e prirjes partikulariste dhe të trajtimit të brendshëm të letërsisë, duke u mbështetur në kategorinë e teritorialitetit, si përmasë e identitetit politiko-shtetëror, do të vihen në shërbim të forcimit të statusit “periferisë” të kulturës shqiptare në kuadër të “qendrës gjigande” kulturore të Jugosllavisë avnojane , pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, të njëjtit, po mbi kategorinë e teritoralaitetit, prej një pjese të tërësisë së kombit, synojnë të bëjnë një qendër të pavarur kulturore (Qarkun Kulturor të Prishtinës alias Qarkun e Letrar të Veriut). Në qoftë se dje koncepti i autonomitetit të artit prej partikularistëve “imanentistë” do të afishohet në emër të deideologjizimit të tij, sot, duke kontrabanduar konceptin teorik të “qarqeve kulturore” - tashmë anakronik për mendimin teroiko-letrar për shkak se bazohet në faktorin “mjedis” dhe faktorin “religjion” të atij mjedisi (shih paradoksin: në shkencën letrare shqiptare teoritë imanentiste si premisë të tyre shfrytëzojnë një teorie tashmë anakronike të pozitivizmit!) – të njëjtit synojnë të krijojnë një identitet të veçantë letrar kosovar, në funksion të konstituimit të të ashtuquajturit “identitetit të kombit kosovar”, pa fuqizimin e të cili – siç thonë ata – s’do të fuqizohet as identitetit shtetëror i Kosovës. Mbase në këtë mënyrë – mundohen të na bindin ata – mund të sigurohen edhe njohjet e reja të shtetit të pavarur të Kosovës!!!...

 

“Kosova sot”: A do të thotë kjo se efektet që prodhon fenomeni i retrogrades në shkencën letrare shqiptare janë më të dëmshme se ato që  prodhon fenomeni i ngecjes në kritikën gazetareske, recensioniste..?

 

Arben Hoxha: Vetë kufiri i qëllimit, si tipar i funksionit të kritikës, e përcakton edhe kufirin e shtrirjes dhe rrezatimit të efekteve që prodhon fenomeni i ngecjes dhe fenomeni i prapakthimit të kritikës letrare shqipe, në kuptimin e kritikës gazetareske dhe në kuptimin e shkencës për letërsinë. Meqenëse kritika gazetareske më tepër vihet në funksion të përmbushjes së nevojave aktuale të opinionin lexues letrar dhe si e tillë ajo, në një farë mënyrë, është më “pragmatike”, efektet negative (të mungesës apo pranisë së devijuar) të saj rrezatojnë drejtpërdrejtë në integritetin e shijes dhe vetëdijes letrare të lexuesin brenda kufijve të aktualitetit dhënë. Këto efekte nuk është se janë pa pasoja edhe për perspektivën e zhvillimit dhe forcimit të shijes dhe vetëdijes letrare në një të ardhme më afatgjatë. Prandaj, ato nuk duhet nënçmuar. Por, meqenëse këto efekte janë produkt të logjikës induktive të të menduarit për letërsinë dhe i përmbahen linjës procesuale, në rrugë e sipër ato mund të eliminohen, të evitohen. “Rruga” vetëm sa e nxjerr në pah karakterin anemik të saj. Dukshmëria e këtyre efekteve vetëm sa e përforcon nevojën e eliminimit dhe tejkalimit të tyre. Krejt e kundërta ndodhë me efekte që prodhon fenomeni i prapakthimit të kritikës në kuptimin e përdorimit të saj si “shkencë për letërsinë”. Efektet negative që prodhon fenomeni i prapakthimit në kritikën letrare sipas këtij kuptimi, janë të natyrës strukturore dhe prodhojnë pasoja negative për strukturën e vetëdijes letrare, kulturore, historike e kombëtare të një populli; prodhojnë pasoja negative për jetën ideore e morale të tij. Efektet e fenomenit të prapakthimit mund të shfaqen në aktualitetin e dhënë, por duke qenë se burojnë nga strukturat dhe i drejtohen strukturave, ato janë gjithëpërfshirëse. Efektet që prodhon fenomeni i prapakthimit nuk mund të tejkalohen “në rrugë e sipër”. “Rruga” vetëm sa e “legalizon dhe legjitimon” anomlinë e ekzistencës dhe shfaqjes së saj. Fishta, Koliqi, Konica, janë shkrimtar të cilët me urdhër administrativ në Shqipërinë komuniste janë ndaluar. Kjo ndalesë ka shkaktuar vakum dhe varfërim të përmbajtjes së vetëdijes sonë letrare, në veçanti, e kulturore, në përgjithësi. Por, jo më pak të dëmshme për përmbajtje e vetëdije letrare e historike janë vlerësimit që sot iu bëhen këtyre shkrimtarëve - si  shkrimtar modern. Pse themi kështu? Sepse, përkundër rastit të parë, ku vetëdija shkencore letrare do të jetë objekt i vetëdijes politike e ideologjike shtetërore të Shqipërisë komuniste, në rastin e dytë vetëdija shkencore është subjekt i vetëndërgjegjshëm në punë të ndërtimit të vetëdijes letrare, kulturore e historike. Duke e stisur përmbajtjen  e vetëdijes letrare, historike e kulturore, me të pavërteta dhe me vlerësime të shtrembëruara si, bie fjala, se “avangarda (në kuptimin e drejtimit letrar) shqiptare fillon me Jeronim de Raden”, ne ashtu krijojmë deformime të mëdha jo vetëm për pamjen e kaluarës sonë letrare, kulturore, historike e kombëtare, por edhe deformime të rënda për të ardhmen e konstitucionin shpirtëror e moral të kombit. Nuk është thënë kot se një komb do ta humb rrugën e vet kur do t’i ngatërrohet e mira me të keqen, e vërteta me rrenën. Vetëdija krahinariste, regjionaliste dhe provicionaliste është zot dhe shërbëtor i zgjerimit të mbretërisë së ngatërrimit të tillë. Shkenca letrare shqiptare, e kjo domethënë edhe  kultura kombëtare shqiptare, sot është e cenuar prej një vetëdije të tillë.

 

Intervistën e zhvilloi Isa Vatovci



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx