Kulturë
Edlira Dedja: Saimir Pirgu hap koncertin gala të 1 janarit në Opernhaus të Zurichut...
E shtune, 03.01.2009, 04:12 PM
Saimir Pirgu hap koncertin gala të 1 janarit në Opernhaus të Zurichut, në krah të baritonit të famshëm Renato Bruson
Pirgu - Traviata
Sukses i jashtëzakonshëm për tenorin e ri shqiptar, Saimir Pirgu, i cili këndoi njërin prej tre roleve kryesore të operës “Rigoletto” të Giuseppe Verdit, në galan e 1 janarit të Opernaus të Zurich-ut. Në krah të tij ishte edhe baritoni i famshëm Renato Bruson nën bagetën e dirigjentit Nelo Santi, të cilët po ashtu, u pritën me ovacione nga publiku zviceran.
Ishte mjaft emocionuese të shikoje se si e pritën tenorin e ri shqiptar spektatorët e shumtë jashtë teatrit, për të rrëmbyer autografë prej tij. Aty këtu dëgjoheshin copëza bisedash në gjuhën gjermane, angleze apo franceze. “…vetëm 27 vjeç?!” , “…tenor shqiptar?!” “…Verdi nga Shqipëria?!” apo “ ..një 27 vjeçar nga Tirana në rolin e Dukës së Mantovës e në krah të Renato Bruson?!”
Po, ishte e vërtetë ! Zëri i mrekullueshëm i Saimir Pirgut e zbukuroi atë shfaqe me ëmbëlsinë, temperamentin dhe forcën artistike. Shkëlqimi i timbrit të tij si dhe kontrastet e ëmbla në pianissimo, që përcollën momentet më lirike të operës, evidentuan edhe kësaj here mjeshtërinë e lartë artistike të këtij tenori të ri 27 vjeçar, i cili interpretoi përkrah këngëtarëve dhe muzikantëve më të shquar të epokës.
Edlira Dedja
Opéra sans frontières
Zvicer