Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Nxito për tek ylberi biblik
E hene, 26.06.2023, 07:56 PM
NXITO PËR TEK YLBERI BIBLIK
Nga
Visar Zhiti
…befas
dhe bukur na doli në krye të rrugës y.l.b.e.r.i… vërtet si një dhuratë hyjnore,
thashë me vete, i parë që shikoja këtej kaq të guximshëm, ashtu elegant, një
hark që hovte si një sorkadhe nga toka drejt reve, sa për të dërguar një porosi
në Qiell dhe të merrte një tjetër për ne, tokësorët, prandaj dhe hidhej me
dëshirë mes atyre pallateve atje tej…
Po
më dukej si një mahnitje e re, aq sa u binda se Dhimoja na kishte thirrur Janin
dhe mua për të parë ylberin, madje po rendnim me makinë për tek ai… Piklat e
shiut që po mbaronte, e mbushnin xhamin me brilantë, fshirësja si krah i
pamëshirshëm i Inteligjencës Artificiale i fshinte menjëherë si për të na tutur
se asgjë s’është e përhershme…
Jo,
jo, kishte ardhur ylberi për tjetër gjë dhe ne po shkonim tek ai, por po ndalim
pak te një tjetër ylber, në zanafillë, ja, këtu te lumi… i Heraklitit…
-
Pse, ku jemi?
-
Kudo, në çdo vend…
Hipëm
mbi gurë të mëdhenj në breg dhe po shikonim kohën që ikte si uji, jo dy herë në
të njëjtin vend… Dhe retë përsipër…
-
Nxito për të ylberi… para se të mbarojë kjo pasdite…
-
Ja, të bëjmë dhe ca foto, edhe një selfie…
-
Ua bëj unë! - na thotë një i panjohur aty me një fëmijë në krah, që shikon nga
ne dhe ne shikojmë nga ai…
M’u
nëpërmend Bibla, pikërisht Libri i Zanafillës, ylberi… Ku është? Ja, ja, atje,
shiko… në kreun 9, 11… besëlidhje midis Zotit dhe gjithë njerëzimit dhe të
gjitha kafshëve… Ky është ylberi, ky!…
Në
autostradë makinat herë herë më dukeshin të gjitha si arka të Noes, po i iknin
përmbytjes dhe pastaj m’u bënë si vargan tankesh në Ukrainë a pranë Moskës siç
po i shohim në ekranet e celularëve, që s’po i heqin nga dora, ndërsa shtyllat
anëve si kryqe… kryqe, teksa drita e pasdites po mekej…
Në
Bibël shkruhet:
“…
asnjë mish nuk do të shfaroset më (është fjala për mishin e jetës, - shtoj unë)
nga ujërat e përmbytjes dhe nuk do të ketë më përmbytja për të shkatërruar
tokën… Unë e vendos ylberin tim në një re dhe do të shërbejë si shenjë për
besëlidhjejen e përfunduar… ”
Habemus
Ylber… Shikoje si ka rënë si fjongo paqeje përmbi botë…