Editorial
Ramiz Selimi: Ne ikëm që të mos bëhemi serbë, po ju, pse ikni sot?
E merkure, 24.05.2023, 09:45 PM
Ne ikëm që të mos bëhemi serbë, po ju, pse ikni sot?
Dëshmi
sesi një familjes shqiptare nga rajoni i Leskocit, ka emigruar në vitin 1881
Shkruan:
Ramiz Selimi
Në të kaluarën
luftërat kanë pasur për qëllim zgjerimin e hapësirës ekonomike, eksploatimin si
dhe plotësimin e fuqisë punëtore përmes dhunës në vendet e okupuara dhe të
nënshtruara. Sot forma demokratike duke parë plakjen gjithnjë e më shumë të
vendeve të zhvilluara ka ndryshuar mënyrën e veprimit, por jo edhe qëllimin
përfundimtar. Tani ajo prodhon kriza të ndryshme nëpër botë për të arritur të
njëjtin qëllim. Pra, përfiton ekonomikisht në shitje dhe bën biznes jo të
barabartë me vendet që janë në krizë, pastaj përmes deklarimit humanitar arrin
kapjen e një numri të njerëzve për të plotësuar kërkesat dhe mungesën e fuqisë
punëtore.
Sot në shumicën e
vendeve të zhvilluara ka një politikë deklarative liberale e respektit të
barabartë, ku asimilimi zëvendësohet me fjalën integrim. Por nëse analizon në
thellësi dhe me kujdes veprimin e vendeve pritëse e kupton që ekziston një
politikë diskriminuese ndaj gjeneratës së dytë dhe të tretë të emigrantëve me
qëllimin e vetëm për t’i shtyrë ata më shpejt drejt asimilimit. Diskriminimet
tek gjenerata e parë e emigrantëve dhe atyre që punojnë punë dytësore janë
pothuajse inekzistente, ose tepër të rralla.
Emigrantët
do t’ua falin vendeve pritëse mishin e tyre, njeriun.
Kemi shembuj të
shumtë që provojnë dhe vërtetojnë asimilimin e emigrantëve shqiptarë në vende
të ndryshme. Shumë të rralla janë rastet kur ata kanë mundur ti mbijetojnë më
shumë se një shekull këtij procesi. Shembulli tipik dhe i shquar për opinion
është Sami Frashëri. Ky personalitet njihet si njeri me vlera kombëtare që i ka
dhënë vepra dhe ide të kohës kombit të origjinës. Por në anën tjetër asimilimi
i tyre ishte aq i suksesshëm sa që vendi pritës Turqia edhe sot e kësaj dite
mburret me Samiun dhe pasardhësit e tij, siç ishte Ali Sami Yen. Pra Samiu i
fali Turqisë vlerën më të madhe që kishte, gjenin e tij, mishin e gjallë, e ai
është NJERIU. Sot pasardhësit e tij ndihen me turq se sa turqit autokton.
Miku
im Robert Hammerlinger ka prejardhje shqiptare, ai nuk e di saktë sesi quhej
fshati i tyre, por thotë se janë shpërngulur diku nga zonat e Sanxhakut të
Nishit me 1881. Fshati i tyre përbëhej në atë kohë edhe nga 54 familje
shqiptare të besimit ortodoks. Pasi serbët kishin një liri më të madhe nën
sundimin turk, ata që t’i iknin konvertimit
në islam ishin shkruar si serb, pasi të krishterët shqiptarë, si
ortodoksët ashtu edhe katolikët vuanin më tepër se skllavi dhe fshati kishte
edhe 23 shtëpi tjera shqiptare që ishin të besimit islam. Sipas fjalëve që
kishte dëgjuar nga të parët e tij, shumica e banorëve të atyre zonave ishin
konvertuar në besimin islam, megjithatë fshati i tyre kishte mundur ti
shpëtonte këtij konvertimi. Komunikimi mes banorëve bëhej gjithnjë në gjuhen
shqipe, edhe pse shqiptarët islam ishin të favorizuar, s’kishte asnjë problem
mes besimeve. Serbët pasi që kishin dëbuar mijëra njerëz dhe djegur shumë
shtëpi nga fshatrat tjera i kishin kërkuar të parit të fshatit që të përndjekin
shqiptarët e besimit mysliman. Disa shqiptarë të besimit mysliman i kishin
vrarë e disa tjerë i kishin shpërngulur me forcë, por fshati nuk ishte djegur,
thotë Roberti.
Shqiptarëve të mbetur
ortodoks i ndalohej rreptësisht përdorimi i gjuhës shqipe. Ato dy-tri vite pas
ofensivës serbe familja kishte vuajtur jashtëzakonisht, pasi as në shtëpi nuk
mund ta flisnin gjuhen shqipe, sepse sanksionoheshin në forma të ndryshme, deri
në vrasje. Për nga emrat ata edhe nuk dallonin shumë nga serbët, katragjyshi
quhej Aleksandër Meshica, tregonte Roberti. Ashtu siç ju kishte treguar
katragjyshi bisedat janë përcjellë tek gjeneratat tjera, ai thotë se në fshatin
e tyre asimilimi i shqiptarëve ortodoks në serb ka përfunduar jashtëzakonisht
shpejt, sepse presioni ishte tejet i madh.
I pari ynë që u
shpërngul në Evropë, tregon Roberti nuk dëshironte assesi të hiqte dorë nga
gjuha shqipe, të konvertohej në islam dhe të shkonte në Turqi nuk i pëlqente,
hiq se hiq. Mirëpo, një historian francez që po vizitonte ato treva atë kohë, e
kishte këshilluar dhe ndihmuar të ikte në Francë. Pas një periudhe të shkurt
atje, ai përmes lidhjeve e kishte bërë
të mundur vendosjen e tij në mbretërinë Austro-Hungareze. Katragjyshi i kishte
blerë 4 hektar tokë pune në Innviertel, familja jetonte mirë. Gjuhen shqipe e
flisnin çdoherë në shtëpi, pasi të gjithë anëtarët e kishin obligim nga
katragjyshi dhe gjyshi përdorimin e gjuhës shqipe. Tregonte se, babai dhe nëna
e tij e dinin ndonjë fjalë, por nuk flisnin shqip. Gjyshja ishte personi i
fundit që fliste akoma shqip në shtëpinë e tyre.
“Nga viti 1881 (koha
e shpërnguljes) e deri në vitin 1949 patëm mundësi ta ruajmë gjuhen shqipe. Të
parët ikën që të mos asimilohemi në serb, edhe pse shumë ortodoks shqiptarë
identifikoheshin me besimin në atë kohë, familja jonë e deshi gjuhën shqipe,
por në fund megjithatë u asimilua dhe përfundoj në Austriak. Nëna ime ishte
austriake, gruaja ime është austriake, sinqerisht e them edhe vetë, se
asnjëherë nuk ndihem shqiptarë, nuk më lidh asgjë me atë kulturë dhe
mentalitet, përpos kujtesës për prejardhjen e të parëve. Hee ore miku im,
shoqëritë shumicë në të gjitha rastet përpinë emigrantët, herët ose vonë. Ti
tani je si katragjyshi im, por pasardhësit tu do të bëhen si unë, jam
plotësisht i bindur”, përfundon tregimin Roberti. Megjithatë gjatë bisedës disa
herë e tha se emigrimi i shqiptarëve sot më këtë shifër alarmante e rrezikon
kombin në gjenezë, sepse nuk është sikur tek shtetet evropiane që kanë një
lloji balancimi me emigrant. Ma thuaj se çfarë po ndodhë me ju, përderisa ne
ikëm që të mos bëhemi serb, po ju pse ikni sot?
Austria
mburret me arkitektin Carl von Gegha.
Kemi edhe rastin e
Carl von Geghas, lindi si një fëmijë emigranti shqiptarë në Venedik të Italisë.
Ishte projektuesi i shumë veprave të mëdha arkitekture, duke bërë projekte të
rrugëve, të urave dhe të tuneleve. Austria e nderon dhe respekton atë si
Inxhinierin dhe Arkitektin më të mirë që kishte prej të gjitha kohërave. Është
shkruar që ai ishte i pamartuar dhe nuk kishte fëmijë. Por, personat me vlerë
të veçantë çdoherë proklamohen si të tyre pa marr para sysh origjinën.
Pensionisti Nikolaus Wallner thotë se, ai është pasardhës i Carl von Gegha,
pasi gjyshja e tij si një vajzë 24 vjeçare kur punonte si kontabiliste në
tunelin e Semmeringut kishte pasur afera me arkitektin dhe me 1853 jashtë
martese e kishte sjellë në jetë fëmijën e Gegës të quajtur Carla Franz Wallner.
Duke pasur parasysh
qëndrimin e Gegës, u ra dakord që të heshtet për fëmijën në përputhje me
konceptin moral të kohës. Fakti që vajza e re mori përkrahje financiare nga
babai i fëmijës së saj është i dukshëm, kjo tregon se ai ishte babai i gjyshes
sime 100% thotë pasardhësi Wallner. Ai tregon me tutje se: Kur sheh zhvillimin
e saj ekonomik dhe shtimin e mëtejshëm të pasurisë, kuptohet qartë se pranë në
afërsi të fëmijës së tij i ka qëndruar gjithnjë Carl von Gega.
Raste të veçanta të
asimilimit nga kohërat e kaluara të një shkrimtari, arkitekti dhe bujku, na
bëjnë të kuptojmë se format e tjetërsimit janë të ndryshme, por përfundimi
është gjithmonë i njëjtë. Edhe sot qëllimi i shteteve mbetet gjithnjë i njëjtë,
asimilimi i emigrantëve duhet të ndodhë patjetër duke shfrytëzuar dhe marr
maksimumin prej tyre gjatë kësaj kohe. Përderisa në të kaluarën emigrantët
hapur kanë qenë njerëz të klasës së dytë duke i skllavëruar, burgosur,... etj, derisa nuk ka përfunduar asimilimi i plotë,
sot asimilimi mbështetët nga institucionet dhe nga qytetarët në forma moderne
dhe mjaftë efikase.
23.05.2023