Mendime
Ermal Mulosmani: “Estrada e Ballshit”, Luizi, Zhakli
E merkure, 10.05.2023, 06:58 PM
“Estrada e Ballshit”, Luizi, Zhaklina dhe Kiara
Nga
Ermal Mulosmani
Kasta
e showbizit shqiptar është ai qerthull njerëzish që sot dominon skenën
televizive, tallava-mbrëmjet, qokat parakulturore dhe sidomos rrjetet sociale.
Cilësitë më përbashkuese të këtij grupimi janë : të rinj, të bukur, të cekët,
pa ndonjë cilësi të spikatur artistike dhe, mbi të gjitha, refuzojnë të futen
në detin e thellë të dijes. Sapo dikush guxon të notojë përtej cektinës disa
centimetrëshe të bregut, fap, kasta jonë e bën dalje si të dëmshëm për
shëndetin.
Ai
njeri përfundon në rrethin e përbuzur të "anonimëve" të artit a
kulturës!
Kosova
e quan këtë kastë Estradë dhe më pëlqen shumë si emërtim. Gjithmonë Estrada më
dukej një fjalë qesharake, përbuzëse për nivelin kulturor të grupimit; sa herë
që donim të talleshim me një fenomen përdornim shprehjen “Estradë Ballshi” që i
shkon fiks kastës sonë të showbizit. Ne kemi “Estradë Ballshi”!
Për
shembull nëse një vajzë a djalë shkon në një program televiziv për të kërkuar
dashurinë, në përfundim të këtij programi ai/ajo ndoshta nuk e gjen dashurinë
por sigurisht gjen famën. Menjëherë shpallet VIP dhe ka qindra mijëra ndjekës
në rrjetet sociale.
Po
çfarë merite ka kjo vajzë e bukur që e veçon atë nga qindra balerina,
këngëtare, poete, aktore etj që përpiqen me mish e me shpirt çdo ditë për të
spikatur në zejen e artit?
Po
pse kujt do t’i japë llogari Televizioni që shpall VIP-a?! Ai i din mire punët
e veta…
Tjetër
e përbashkët e ketyre tallava-artistëve është vaniteti. Ata kanë të njëtat
buzë, të njëjtat mollëza, gjokse e bythë silikoni, shohin të njëjtët filma e
këngëtarë limonatë, lexojnë kryesisht revista mode dhe portale, janë
frekuentuesit më të shpeshtë të qendrave estetike, vdesin për shoping, dieta
dhe palestër, kopjojnë në gjithçka sivëllezërit/simotrat e tyre të botës së
madhe.
Më
të mirët prej tyre të shikojnë me sy të mëshirshëm nëse të shohin të veshur me
xhup të zakonshëm, xhinse a këpucë normale të blera te qendrat tregtare. Lëre
pastaj po të panë me ndonjë libër fjala vjen të Hellbekut a Asturias, aty u
mbushen sytë me lot nga keqardhja:
“Paska
pjerdhë ky”…
Në
çdo pritje janë të njëjtët, intervistojnë dhe lavdërojnë njëri –tjetrin dhe
sapo ndahen shajnë atë që sapo lavdëruan në sy.
Ata
jetojnë në qerthullin e tyre dhe pranojnë herë pas here të rinj që u
nënshtrohen rregullave të përshkruara më lart. Është një domen tjetër ky, si ai
i politikës apo biznesit, satelit i tyre, që na imponohet si “elitë kulturore”
por që ka të bëjë me kulturën sa unë me regbinë.
Media
e sjell në një formë të dhunshme këtë kastë parazitësh të paaftë duke bombarduar
Televizionet, portalet, rrjetet sociale. Për të përfunduar te komshinjtë,
shitëset, miqtë, të njohurit. Të gjithë të
flasin për këta.
Luizi
Në
këtë Big Brother, rastësisht, u fut edhe një djalë që nuk ishte pjesë e kësaj
kaste (Estrade Ballshi). Ai ishte 37 vjeç (i plakur për kastën), i pakuruar
estetikisht (kishte bark, hante si derr, gërrhiste), fliste si i vinte,
ngacmonte me e pa shkak banorët, ishte agresiv përtej etikës së kastës (bon
ton). Ai dukej si një ari në një dyqan qelqurinash.
Përballë
tij kishte përfaqësues tipik të Estradës (kastës së showbizit) si Kristi,
Kiara, Dea, Tea për të mos shkuar më tej.
Luizi
është beniamini i popullit, Gavroshi i vegjëlisë. Ai është personazh empatik, ka sens humori,
këndon bukur, e njeh mirë gjuhën dhe popullin e rrugës, është i rrahur nga jeta
me vaj e me uthull. Luizi gjithashtu është edhe mashtrues i paskrupullt,
bullizues konservator, gënjeshtrar, manipulant. Këto cilësi, të dytat më shumë
se të parat, janë mjaft premtuese për ta shndërruar atë në një njeri të
preferuar të popullit.
Por
këtu dua të shtoj edhe një faktor që mendoj se ka luajtur rol të rëndësishëm në
famën e Luizit: Luizi është shkodran. E them këtë pasi mendoj se në këto kohë, ku Rama i ka
privuar figurat e veriut nga protagonizmi, veriorët të parët panë te Luizi një
antidot për të shfryrë frustrimin e vet. Ata e bënë viral në fillim dhe orteku
nuk mund të ndalej më.
Luizi
është fiks e kundërta e modelit që shoqëria moralizon, ai është antiheroi
pozitiv, Antikrishti. E bash këtu është suksesi i tij. Çdo gjë që thotë ai
kthehet në meme jo se ka ndonjë vlerë por se kështu çmenden moralistët, të
edukuarit, të sjellshmit, të lexuarit! Është një revoltë sociale ndaj modelit
shoqëror, një klithmë “Ikni pirdhuni me gjithë modelet tuaja. Ky është
spektakli ynë, ne duam të kundërtën tuaj”.
Vegjëlia
nuk duron dot sjelljen e Deas, leksionet moralizuese të Zhaklinës apo
tolerancën dhe edukatën e Kristit. Ata janë më të urryerit pikërisht se u duket
se “i shikojnë nga lart”, “i shesin pordhë” popullit me sjellje të
sofistikuara, flasin për bullizma e agresivitet verbal e broçkulla të tilla….
Te Luizi populli sheh të kundërtin e tyre, sheh djalin e vet, të komshiut, të
lagjes; sheh mbase edhe një mënyrë për t’iu kundërvënë “regjimit” që as e prish
fare qejfin nga kjo histeri e vegjëlisë....
Përkundrazi,
regjimi është mjaft i lumtur me Luizin. Media e tij kryesore e krijoi mitin e
Luizit dhe histeria pro tij mund të shfrytëzohet me mënyra perfide për vota
atje ku më së shumti nevojiten. Pas kësaj le ta gëzojnë vegjëlia Luizin.
Ku
ka shoqëri në botë që të kompensojë dështimet e veta me glorifikimin e një
“gavroshi” që vegjeton në Televizion?!
E
gëzofshi!
Zhaklina
Zhaklina
është një police e moralit që herë pas here thotë se është një sfiduese e tij.
Ajo është një vigjilente në mbrojtje të kauzave të të margjinalizuarve,
grupimeve të lëndueshme nga dhuna, seksizmi, agresiviteti verbal. Në botë kjo
lëvizje në mbrojtje të shtresave të tilla quhet “woke”.
Zhaklina
ka një pasion të jashtëzakonshëm për kauzën që mbron. Shpeshherë arteriet
karotide të qafës dhe gabzheri i saj marrin përmasa alarmante për spektatorët;
britmat e saj ndaj banorëve kalojnë në histeri dhe krijonin shqetësim për
gjendjen e saj mendore. Është aq pasionante sa ndonjëherë mendoj:
“
A e meritojmë ne si popull Zhaklinën”? A jemi ne në nivelin e duhur për të
marrë ndihmën e saj të pakursyer?
Zhaklina
nuk është dakort me agresivitetin, gënjeshtrën dhe mashtrimet e njëpasnjëshme
të Luizit dhe ka për aleatë brenda shtëpisë të gjithë kastën e Estradës. Ajo
rreshtohet haptas në krahun e viktimave të Luizit, ku shkëlqen Kiara, e
përzgjedhura e tij. Zhaklina ishte
aleate më e madhe e Kiarës në momentet kur Luizi tejkalonte etikën në raport me
të. Edhe Kiara ishte e kënaqur deri diku për mbrojtjen e Zhaklinës…
Por
gjërat ndryshojnë.
Kiara
Kiara
është një vajzë e re bukuroshe, moderne, e kuruar, e lehtë, lozonjare. Ajo
ndjen një tërheqje të papërballueshme nga bota e luksit, Televizionit, dritave,
famës. Meshkujt e saj të ëndërrave janë doemos vanitozë, modernë, të kuruar,
flasin bukur, janë tolerantë…Le ta themi më një fjalë të kohëve moderne: Ajo
preferon metroseksualët, një kategori djemsh heteroseksualë që ndjekin modën,
kanë qejf parfumet, kurohen estetikisht, bëjnë palestër, adhurojnë shoping,
frekuentojnë sallonet e bukurisë, bëjnë solar e të tjera si këto.
Kur
u fut në Big Brother, nëse do bënte një listë të djemve me të cilët mund të
lidhej, Luizi ishte i fundit në renditje. Sigurisht Kristi ishte i pari. Kiara
iu afrua haptas dhe i shfaqi simpatinë, me tepri, por Kristi i qëndroi larg
duke e refuzuar. Kiara është nga ato vajza që pëlqen tingullin e fjalës më
shumë sesa kuptimin e saj. Për shembull, kur dëgjon Kristin të përmendë fjalë
si “frustracion” apo “kontekstualizim” Kiara fërgëllon. Nuk i dëgjon fjalët e
tjera fare. Eufonia e “frustracionit” e kombinuar me manikyrin e zi,
ekstravagancën në veshje e të tjera si këto e joshin Kiarën më shumë sesa një
inteligjencë superiore, dell poetik apo sens i humorit. Ajo nuk e përmban veten
në shprehjen e ndjenjave ndaj Kristit, disa herë, përkundër sjelljes së akullt
të këtij të fundit…
Deri
sa del në skenë Fama…
Fama
Kiara
del jashtë dhe mahnitet kur sheh që dritat dhe prozhektorët e shqiptarëve janë
drejtuar të gjitha drejt Luizit. Ky ishte një zhvillim i papërballueshëm. Befas
Luizi bëhet modern, defektet e Luizit zhduken si me magji. Edhe Kristi
gjithashtu. Ajo harron gjithçka kishte ndodhur deri atëherë dhe dashurohet
fundemajë me Luizin e famshëm. Ai është krejt tjetër njeri nga sivëllai i vet
Luizi i pafamshëm. Ajo rifutet në Big Brother dhe deklaron kapitullimin pa
kushte!
Po
a ka diçka që nuk shkon në këtë ndryshim 180 gradë të Kiarës?! Për mua është
krejt normale. Fama është një cilësi që ndikon në joshjen e njerëzve. Padyshim,
për të njëjtën bukuri mashkullore/femërore, njerëzit preferojnë të famshmin.
Shpesh fama dhe paratë kanë eklipsuar bukurinë dhe zgjuarsinë. Ndodh që njerëz
të caktuar joshen seksualisht nga fama, ata eksitohen dhe fiksohen pas të
famshmëve. Pse zgjuarsia, humori apo bukuria qenkan të pranueshme për tu joshur
një femër ndërsa paraja dhe fama jo?! Kiara u dashurua me Luizin e famshëm dhe
ishte një ndryshim krejt i natyrshëm sipas meje.
Por
jo sipas policisë së moralit dhe vegjëlinë!
Zhaklina,
befas u bë bishë me Kiarën, ajo u kthye në prenë e preferuar të saj. Në emër të
një kodi moral ajo i bërtiste Kiarës për nënshtrimin pa kushte ndaj Luizit. Ajo
donte Kiarën tjetër, atë që natën e fundit rrinte me Oltën jo me Luizin. Me fjalë të tjera ajo donte “njeriun e
kastës”, Kiarën sfiduese, jo këtë të nënshtruarën pa kushte para famës së një
“fshatari të pakultivuar”.
Sigurisht
Kiara mundet tia mbyllte gojën me një fjalë duke i thënë:
“Zhaku,
më eksiton kaq shumë fama saqë kam filluar ta adhuroj nënshtrimin. Si i
bëhet?”!
Por
nga ta gjejë Kiara mençurinë? Ajo vjen nga Estrada…
Kiara
është viktima perfekte për të gjithë. Ma kujtoi atë personazhin femër te “Eyes
Wide Shut” që ndëshkohet pse kundërshtoi rregullat e sërës së lartë dhe shpëtoi
Tom Kruizin nga vdekja. Ajo nuk duhej të thyente rregullat e kastës. Kiarës së
dalë nga Big Brotheri i kërkohet llogari edhe për sjellje të Luizit brenda Big
Brotherit, psh e pyesin: “Çfarë mendon ti Kiara për mendimin e Luizit për
Përputhen”?
Hajde
hajde… Se këta janë policët e sjelljeve të pëlqyeshme dhe duhet tu japësh
llogari edhe për mendimet e të dashurit….! Duhet ta dënosh me patjetër.
Dhe
për të argumentuar se pse ajo është e padenjë i përmendin ndryshimet nga fama!
Këta që veç për famë jetojnë!
Por
Kiarën nuk e don as populli. Edhe populli do një nuse tjetër për beniaminin e vet,
një nuse të popullit. Prandaj i vërsulen me video të zeza, e shajnë me fjalë të
tmerrshme. Biri i popullit, Gavroshi i tyre meriton një bojalleshë besnike që e
adhuron, një fanse të vdekur për të. Dhe me shumë mundësi njeriu i popullit do
ju dorëzohet adhuruesve: Do e gjejë shpejt një nuse siç u pëlqen atyre.
Dhe
atëherë do të shpërthejë lumturia…
https://www.facebook.com/ermal.mulosmani