Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: E vërteta… Kujtime nga Ekrem Bardha
E merkure, 07.12.2022, 08:58 PM
E VËRTETA… Kujtime nga Ekrem Bardha
Nga
Frank Shkreli
Titulli
i plotë i librit është: “E VËRTETA: PAVARËSIA E KOSOVËS, AMERIKA DHE DIASPORA”,
e autorit Ekrem Bardha, njërit prej eksponentëve dhe aktivistëve më të njohur
të diasporës shqiptare në 60-vitet e kaluara -- emigracionit të vjetër dhe të
re – gjithnjë aktiv në mbrojtje të çeshtjes kombëtare këtu në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës.
Në
botën shqiptare, poredhe ataë amerikane, Ekrem Bardha njihet si biznismen i
suksesshëm, filantrop, aktivist i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikan.
Mbi të gjitha, gjatë dekadave, ai e ka dalluar veten si promovues dhe
mbështetës i palodhur i të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë dhe
anë e mbanë trojeve shqiptare. Por, njihet, sidomos, dedikimi i tij ndaj
“çeshtjes së Kosovës”, siç i referoheshim në atë kohë dramës njerëzore nepër të
cilën po kalonte Kosova, veçanërisht gjatë 1980-1990-ave, por jo vetëm Kosova.
Lista
është e gjatë e presidentëve, senatorëve, e kongresmenëve amerikanë dhe
Sekretarëve Amerikanë të Shtetit, me të cilët ka bashkpunuar Z. Bardha në
mbrojtje të interesave kombëtare këtu në Amerikë -- përfshir edhe disa
udhëheqës evropianë dhe personalitete të tjera amerikane dhe botërore, një
listë që autori Bardha e boton në librin e tij. Ai i falënderon të gjithë në emër
të diasporës shqiptare në Amerikë dhe në emër të Këshillit Kombëtar
Shqiptaro-amerikan (NAAC) – për ndihmën që i kanë dhënë çështjes shqiptare në
përgjithësi gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe në fillim të
shekullit XXI.
Në
librin e tij më të fundit, “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe
Diaspora”, Ekrem Bardha thekson se ai e botoi këtë libër pasi “Me keqardhje ka
konstatuar se roli i diasporës për çlirimin e Kosovës, ose është lenë në hije
ose është harruar”, shkruan ai. “Prandaj, e shoh detyrim ndaj çdo përfaqsuesi
të Diasporës të hedhë dritë mbi të vërtetat e këtij kontributi, sipas rolit që
ka luajtur, për ta berë të plotë, sa më të vërtetë fitoren dhe pavarësinë e
Kosovës”, nënvijon autori Ekrem Bardha.
Rolin
që ka luajtuar dhe influencën që ka ushtruar komuniteti shqiptaro-amerikan në
Shtetet e Bashkuara, për pothuaj një gjysëm shekulli në mbrojtje të drejtave të
shqiptarëve dhe çeshtjes kombëtare, në përgjithësi, Zoti Bardha e krahason me
periudhën e artë të Skenderbeut kur Kryetrimi i shqiptarëve Gjergj
Kastrioti-Skenderbe ka bashkuar principatat shqiptare për të mundur hordhitë
otomane në tokën shqiptare – dhe bën një krahasim edhe me kohën e Nolit e të
Konicës, në fillim shekullin e kaluar, kur të bashkuar në Vatrën shqiptare,
diaspora shqiptare në Amerikë ndihmoi në shpëtimin e Shqipërisë nga coptimi i
saj.
I
kishte ardhur radha brezit të shqiptarëve si Ekrem Bardha me shokë – burri i
mirë me shokë shumë – për të bindur “Aleatin e madh të Shqipërisë dhe të
shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se gjysma e Kombit shqiptar ishte
në rrezik të zhdkukjes – spastrimit etnik nga Serbia terroriste. Se “shqiptarët
e Kosovës duhej të shpëtonin nga gjencoidi i egër serb”, një objektiv që
“komuniteti ia arrijti këtij qëllimi”, me ndihmën e madhe të aleatës së vjetër
të shqiptarëve, Amerikës, shkruan Bardha.
Ai
ven në dukje se rreth emërave në listën e gjatë të politikanëve më të lartë
amerikanë -- nga të dy partitë kryesore politike të Amerikës, republikanë dhe
demokratë – aktivistët e komunitetit shqitaro-amerikan ishin të bashkuar me një
mendim e me një qëllim, dhe me shumicë dërmuese, pa dallim, në këtë kauzë mbarë
kombëtare, me miqët dhe mbështetsit tanaë tanë amerikanë. Kësaj kauze, thekson
Bardha, iu bashkuan shqiptarë nga të gjitha trojet arbëroro-shqiptare. “Mund të
ishim kolonjarë apo çamë, rugovas, shkodranë apo malësorë…Mund të kishim
kundërshti për shumë gjëra, por e ndjenim veten shqiptarë-kosovarë”, shkruan
Bardha në librin e tij më të ri.
Në
të vërtetë, ashtu siç jam shprehur në një intervistë, që Z. Bardha më ka
nderuar duke e botuar pjesërisht në librin e tij, komuniteti
shqiptaro-amerikan, sado i vogël dhe pa ndonjë influencë të madhe në jetën
politike amerikane deri atëherë, ishte përballë një armiku të fortë. Ish-Jugosllavia
e asaj kohe gëzonte një status të veçant në Washington dhe ndonëse kishte një
regjim komunist, konsideorhej si një “komunizëm me fytyrë njerëzore”, nga një
pjesë e amdhe e botës perëndimore të asaj kohe.
Por këtij vlerësimi i doli boja shumë shpejt dhe ishte pikërisht
komuniteti shqiptaro- amerikan ai i cili, eventualisht, bindi Washingtonin se
të drejtat e njeriut, e sidomos të drejtat e shqiptarëve po shkeleshin pa asnjë
ndëshkim nga regjimi jugosllav, në kundërshtim me çdo marrveshje ndërkombëtare
dhe dokumentash për të drejtat e njeriut, të nënshkruara nga ish-Jugosllavia
komuniste. Ndoshta shembulli më flagrant i shkeljes së të drejtave të njeriut
që u “hapi sytë” amerikanëve, të pakën fillimisht, ishte “rasti i Pjetër
Ivezaj”, një malësor nga Malësia e Madhe nën Mal të Zi i cili, gjatë një vizite
në vendlindje, qe dënuar me shtatë vjetë burg nga ish-Jugosllavia komuniste, i
akuzuar për pjesëmarrje në demonstrata anti-jugosllave në Detroit, por i cili u
lirua pastaj me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara.
“Rasti
Ivezaj” u soll në vëmendjen e autoriteteve qeveritare të Washington nga Z.
Ekrem Bardha nepërmjet mikut të tij, njërit prej përfaqsuesve të shtetit
Michigan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Z. William Broomfield.
Kongresisti Broomfield kishte organizuar me kolegët e tij sesion-dëgjimi për
këtë rast në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
Më
kujtohet si të kishte ndodhur dje, pasi isha duke raportua për Zërin e
Amerikës, zhvillimet e punës së Komisionit për Punët e Jashtme të Kongresit, ku
komuniteti shqiptar i Detroitit me në krye Z. Ekrem Bardha, i kishte kërkuar
Kongresistit William Broomfield nga zona e tij elektorale që Kongresi amerikan
të shqyrtonte rastin e arrestimit të Pjetër Ivezajt. Besoj se për herë të parë
në Washington u pa fillimi i rolit dhe influencës së komunitetit
shqiptaro-amerikan, në ekspozimin e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nën
ish-Jugosllavi. Ishte gjatë atij
sesioni-dëshmi të Kongresit që miku i Z. Bardha, kongresisti William Broomfield
u ngrit nga karriga dhe vajti për t’i telefonuar “live” nga salla e Kongresit,
ambasadorit amerikan në Beograd për t’i kërkuar atij shpjegime nga autoritetet
jugosllave për burgosjen dhe lirimin e menjëhershëm të Pjetër Ivezajt,
shqiptaro-amerikanit me shtetësi amerikane.
Ashtu edhe ndodhi. Ai u lirua pothuaj menjëherë nga burgjet jugosllave
dhe “rasti Ivezaj” shënoi fillimin e venitjes së statusit të Jugosllavisë si
shtet i favorizuar në Washington, fal komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit
dhe mikut të Z. Ekrem Bardha, kongresistit William Broomfield. Si asnjë herë më
parë, arrestimi i Pjetër Ivezajt nga jugosllavët dhe ndërhyrja e kongresistit
Broomfield për lirimin e tij, bëri që Kongresi amerikan të këthente sytë dhe të
fokusohej, më seriozisht se kurrrë më parë, drejt çështjes shqiptare në
ish-Jugosllavi.
Ky
rast, ndoshta, do të përbënte provën më të mirë të rolit dhe fillimit të
influencës që do të ushtronte, për dekada më vonë, komuniteti
shqiptaro-amerikan në qarqet më të larta të politikës së Shteteve të Bashkuara
në favor të çeshtjes kombëtare dhe të drejtave të njeriut për shqiptarët në
trojet e veta shekullore.
Ashtu
siç sugjeron edhe titulli i librit të Zotit Bardha, “E Vërteta: Pavarësia e
Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, një vepër prej 525 faqesh, i kushtohet
kryesisht Kosovës, por edhe periudhës së rivendosjes së marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane në Mars, 1991 -- shumë kujtimeve personale të tija me
udhëheqsit më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të veprimtarive të shumta
që Z. Bardha ka ndërmarrë -- në bashkrendim dhe bashkpunim me shumë
bashkatdhetarë të tjerë këtu në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë kontribuar
gjithashtu masivisht, duke e berë lobimin shqiptar ndër më të fuqishmit në atë
atë kohë, në Washington.
Libr
i Z. Bardha është një vepër që dokumenton me burime dhe dokumenta të dorës së
parë, përfshirë fotografi, rrugëtimin e vështirë drejtë luftës për liri e
pavarësi të Kosovës dhe të drejtave të njeriut për shqiptarët anë e mbanë
trojeve shqiptare. Dokumenton të Vërtetën, siç sugjeron edhe titulli i librit,
rolin personal të autorit me zyrtarë të lartë amerikanë dhe bashkpunimin e tij
për lirinë e Kosovës dhe për të drejtat e njeriut për të gjithë shqiptarët, me
protagonistë të tjerë shqiptaro-amerikanë. Z. Bardha i ofron lexuesit fakte dhe
raste që publiku i gjerë nuk besoj se i di, ndërsa ai paraqet dokumentacion,
fotografi, komunikime, letër shkëmbime, përshkruan takime, lobime dhe qasje të
guximshme sfiduese për të gjitha palët, qoftë edhe në radhët e komunitetit, po
edhe me bashkbisedues të ndryshëm, të interesuar për çështjen shqiptare në
Ballkan.
Vepra e Z. Bardha është një libër i pasur me kujtime, që dëshmon rrugëtimin e vështirë drejt pavarësisë së Kosovës dhe rolin e protagonistëve kryesorë të Diasporës shqiptare në Amerikë, siç është Z. Bardha. Libri është i pasur me fakte që shumë nuk i dinë, përfshir takime, lobime, qasje shpeshëherë të guximshme dhe sfiduese, tensione të lloj-llojshme, përgjegjësi dhe emocione intensive – shpesh edhe me përfaqësues të niveleve më të larta të vendim-marrjes qevritare amerikane, qoftë nga dega legjislative, qoftë nga një pjesë e medias, qoftë nga diplomacia amerikane që besonte në stabilitetin e Ballkanit – shpesh në kurriz të të drejtave të njeriut -- dhe nuk dëshironte t’i turbullonte moçalet politike të Ballkanit. Një libër që teksa rrëfen lirisht, e zhvendos lexuesin emocionalisht dhe shpirtërisht në përjetimin e një prej ngjarjeve tragjike por më thelbësore të shqiptarëve në historinë e fund shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit të ri, jo vetëm të historisë kombëtare të shqiptarëve, por edhe të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në terësi.
Çështja
e Kosovës – liria dhe pavarësia e saj si shtet – shembja e Murit të Berlinit
dhe tranzicioni post-komunist në Shqipëri, ishin kauza historike kombëtare që
kumbonin vazhdimisht, natë e ditë, në veshët tonë gjatë periudhës për të cilën
shkruan z. Bardha në librin e tij: “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe
Diaspora”. Liria dhe demokracia e
vërtetë për Shqipërinë dhe për Kosovën ishin kauza dhe ide që në rininë tonë,
na entuziazmonin të gjithëve sepse kishin të njëjtin kuptim dhe rendësi për
mbijetesën e Kombit shqiptar në pavarësi, liri e demokraci, për një shumicë
dërmuese të shqiptarëve, të pakën këtu në Shtetet e Bashkuara, për rolibn e të
cilit shkruan autori Bardha.
Libri
i Z. Bardha është një dokument që tregon se komuniteti shqiptaro-amerikan
luajti rolin dhe kreu misionin që u kishte ngarkuar historia shqiptarëve të
Amerikës – për të dytën herë në historinë e këtij komuniteti në SHBA – në
fillim dhe në mbarim të shekullit të kaluar. Libri, “E Vërteta: Pavarësia e
Kosovës, Amerika dhe Diaspora” është një dokument i të vërtetës ashtu si mund
t’a pasqyrojë një protagonist kryesor i komunitetit shqiptaro-amerikan, si Z.
Ekrem Bardha, një pjesëmarrës patriot shqiptaro-amerikan me ndërgjegje të
shëndoshë njerëzore dhe me dashuri të sinqert për Kosovën dhe Shqipërinë. Por edhe me mirënjohje të thellë për ndihmën
e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – këtij vendi të bekuar për të gjithë ne,
për ndihmën e pakursyer të Amerikës gjatë historisë, në mbështetje të
ekzistencës së racës shqiptare dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve.
Përfshir historinë moderne të angazhimit të përbashkët të komunitetit shqiptaro-amerikan
në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, për të cilën
lexojmë në kujtimet e bashkatdhetarit Ekrem Bardha, të cilin e përgëzoj për
punën e vlefshme dhe për ndërmarrjen bujare për të qitur në dritë të Vërtetën,
siç e ka përjetuar ai vet.
Duke
marrë parasyshë situatën politike aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë – por edhe
marrëdhëniet midis tyre – uroj që përpjekjet, mundi dhe investimet e
komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë gjysëm shekullit të kaluar të mos kenë
shkuar më kot. Të gjithë e dijmë se gjëndja është serioze, sidomos, largimi në
masë i shqiptarëve të dëshpëruar sidomos nga Shqipëria, por edhe nga Kosova,
drejt Evropës Perëndimore, për një jetë më të mirë, më të lirë dhe më të drejtë
për të gjithë e pa dallim – kauza këto për të cilat luftoi komuniteti
shqiptaro-amerikan për dekada, për t’ua siguruar bashkvëllëzërve tanë në trojet
shqiptare. Le të shpresojmë se ndonëse situata aktuale politike dhe ekonomike
në Shqipëri dhe në Kosovë është tepër serioze -- lutemi që mos jetë e pa
shpresë!
Në
një nga aktivitetet tona të përbashkëta me Z. Ekrem Bardha, në Kongresin
Amerikan, në fillim të viteve 1990-ta -- duke u përshëndetur me ish-Ambasadorin
amerikan në Shqipëri, Z. William Ryerson