Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Unë jam me Pedagogët!
E enjte, 03.11.2022, 08:59 PM
UNË JAM ME PEDAGOGËT!
PROTESTA
SI E DREJTË BAZË E NJERIUT
Nga
Frank Shkreli
“Valët e revoltës
do të vazhdojnë të shkundin themelet e kombit tonë deri në ditën që të vendoset
drejtësia.” (Martin Luther King)
Pedagogët e disa
universiteteve publike në Shqipëri kanë dalë sërish në protestë të hënën, për
të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, përfshir rritjen e pagës. Protesta e
pedagovëve të universiteteve shqiptare ka filluar tre javë më parë, kur ka
filluar edhe viti i ri akademik. Njoftohet gjithashtu se protesta e pedagogëve
shqiptarë mund të përshkallëzohet deri në një protestë që përfshin grevën e
urisë.
Unë nuk e ndjejë
veten të kualifikuar të flas për kërkesat e pedagogëve – kjo është një çeshtje
midis Sindikatës së Pedagogëve dhe qeverisë Rama. Por dua të theksoj nevojën
dhe rëndësinë e protestave të tilla për një shoqëri tranzicioni, siç është
Shqipëria e 30-viteve të fundit, e cila, qartë “ka mbetur në klasë”, sa i
përket zhvillimeve dhe reformave, drejtësisë dhe të drejtave të barbarta dhe
zhvillimeve, vërtetë, demokratike në krahasim me pjesën tjetër të Evropës
ish-komuniste, madje edhe në krahasim me vendet e rajonit ballkanik.
Ashtu siç kam
thekësua shpesh në të kaluarën, dëshiroj të nënvijoj të drejtën e protestës, si
një përgjegjësi dhe e drejtë morale, për çdo individ dhe për çdo grup, cilatdo
qofshin ankesat dhe kërkesat e tyre, përfshir kushtet e punës, që përfshijnë
edhe rrogat. Kjo është një e drejtë themelore për të gjithë qytetarët pa dallim,
në një shtet që e konsideron veten demokratik, ose “pjesërisht” demokratik, siç
është cilësuar Shqipëria, vazhdimisht, gjatë këtyre 30-viteve tranzicion
“post-komunist”, nga organizata ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe
mbrojtëse të lirisë dhe demokracisë në botë. Kam konsideruar dhe konsideroj
protestat dhe demonstratat paqësore, si një forcë morale për bërjen e
ndryshimeve të nevojshme në një shoqëri si Shqipëria. Frank Shkreli: Protestat si forcë morale për të bërë
ndryshimet e nevojshme | Gazeta Telegraf – Si përfundim
jam përpjekur duke bazuar në përvojat përendimore të të drejtave bazë të
njeriut, që të pasqyroj dhe të mbështes këtë të drejtë themelore për të gjithë,
përfshir edhe protestat e studentëve shqiptarë, vite më parë, të cilat
fatkeqsisht, filluan për së mbari, por pastaj u sabotuan nga forca më të
fuqishme se lëvizja e tyre. Frank Shkreli/ Edhe unë jam me studentët | Gazeta Telegraf
Përfundimi sot
është dhe shihet nga të gjithë, brenda dhe jashtë Shqipërisë – rinia shqiptare
po largohet masivisht nga trojet shqiptare, si rrejdhim i politikave korruptive
të një qeverisjeje të paaftë, që tani ka prekur -- me përjashtim të ma të
pasurve në vend -- pothuaj të gjithë sektorët e shoqërisë shqiptare, përfshir
pedagogët e universiteteve shqiptare, ajka intelektuale e cilësdo qoftë shoqëri
në botë. “Shpresa kryesore e një vendi
është edukimi i mirë i rinisë së tij”, ka thenë Desederius Erasmus, fillozofi
holandez i shekullit XV. Për të
rivendosur shpresën dhe përspektivat për një të ardhme më të mirë në Shqipëri,
kultura dhe arsimimi – pedagogët dhe studentët -- janë arma më e fuqishme për
t’i thyer hovin këtyre politikave korruptivedhe shkatërruese anti-kombëtare, që
po zbrazin Shqipërinë nga më të mirët e saj.
Atëherë pse mos të ketë protesta paqësore në Shqipëri, qoftë edhe nga
pedagogët, qoftë edhe grevë urie?! E drejta e protestave paqësore sanksionohet
nga një numër dokumentesh kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo është, ndër të tjera arsye, që edhe unë
si individ dhe njeri i lirë, mbështes të drejtën e protestës paqësore edhe për
pedagogët shqiptarë.
Ndoshta përvoja
amerikane gjatë historisë së Shteteve të Bashkuara mund të jetë si më e njohura
në botë, sidomos, përvoja e shekullit të kaluar, e lëvizjes paqësore të Martin
Luther Kingut, por edhe veprimtaria paqësore e Mahatma Gandit, si shembull i
një lëvizjeje paqësore botërore. Lëvizja e Martin
Luther King-ut në Amerikë ishte një lëvizje – protestash paqësore, anë e mbanë
Shteteve të Bashkuara. Ajo periudhë
cilësohet si një periudhë shprese biblike e Martin Luther Kingut, shpresë që
pothuaj askush nuk mund t’a parashikonte- ndoshta as vetë Martin Luther Kingu –
se një ditë ajo shpresë do të bëhej realitet. I gjithë aktivizmi i Doktor
Martin Luther Kingut në mbrojtje të drejtësisë, të lirisë dhe të drejtave të
barabarta për të gjithë, vazhdon edhe sot të jetë një thirrje tepër aktuale
këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës – përfshir edhe Shqipërinë,
dhe pse jo, përfshir edhe protestën e pedagogëve shqiptarë, pasi kërkesat e
tyre, besoj se, ndonëse legjitime, shkojnë përtej rritjes së rrogave – është në
interesin kombëtar që rinia shqiptare dhe më të mirët intelektualaë të kombit
të qendrojnë në trojet shqiptare dhe të mos përhapen nepër Evropë për punë
hamallëk. Shqipëria ka nevojë për
tolerancë dhe kulturë protestash dhe jo për kërcënime ndaj atyre që angazhohen
në protesta legjitime për plotësimin e kërkesave të tyre si qytetarë.
Ndonëse
sot Amerika konsiderohet si ndër vendetemë demokratike në botë, as Shtetet e
Bashkuara, si shoqëri dhe si shtet, nuk kanë qenë dhe nuk janë një shoqëri e
përsosur, pa probleme ekonomike, politike, etnike, raciale e tjera. Përkundrazi, edhe këtu vazhdojmë të përballemi
me probleme. Por jemi të vetëdijshëm se, ajo që e dallon Amerikën nga shumica e
vendeve të tjera, ashtu siç ka thënë në një fjalim edhe ish-Presidenti i parë
afrikano-amerikan, Z. Barak Obama, “Është angazhimi dhe mbështetja e këtij
vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë të
metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë si shoqëri, rrjedhimisht,
duke u bërë më të fortë si shoqëri dhe si shtet. Liria e fjalës dhe e drejta
për të protestuar ka bërë të mundur që femrat dhe pakicat, të demonstrojnë në
favor të drejtave të plota për ta dhe të barabarta për të gjithë, në një kohë
kur atyre u janë mohuar këto të drejta.”
Presidenti Obama ka theksuar me atë rast se protestat paqësore për,
“Zbatimin e ligjit dhe për administrimin e drejtësisë, kanë rrëzuar monopolet
dhe forcat politike të korruptuara dhe i kanë dhënë fund abuzimit të pushtetit.
Ndërkohë që media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë
edhe entet qeveritare.” Eh, sikur media të luante rolin që i takon, po të
ishte kështu edhe në Shqipëri, ndoshta nuk do të kishte nevojë për protesta,
qoftë edhe paqësore, qoftë sidomos edhe nga pedagogët.
Citimet
dhe fjalimet e Martin Luther King-ut – si një trashëgimi e tij – megjithëse
janë të një periudhe para më shumë se 50-vitesh, ato tingëllojnë edhe sot
gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë, biblike, jo vetëm për
aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese dhe
shembull edhe për situata dhe protesta paqësore të popujve kudo në botë,
përfshir Shqipërinë sot, pasi ai fliste për vlera morale dhe ndjerëzore dhe për
të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt
kudo, pa marrë parasysh, racën, fenë ose origjinën etnike. Por koha, as demokracia
nuk presin pafund për zgjidhjen e problemeve të cilësdo shoqërie, është
shprehur Dr. Martin Luther Kingu në fjalimin e famshëm që ka mbajtur në
Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, në mars të vitit 1968.
Ai
ka folur për argumentet e disa personave të asaj kohe, të cilët ankoheshin
se problemet nuk mund të zgjidheshin menjëherë, se duhej kohë, se koha në të
vërtetë, do të shëronte të gjitha plagët, sipas tyre. “Koha”, ka thënë Martin
Luther Kingu, “Është një mit, e ky mit është se koha është neutrale, se ajo
mund të përdoret për qëllime konstruktive, por edhe për qëllime shkatërruese.”
Justifikimin, se koha do i shërojë të gjitha problemet, forcat e errëta,
ka theksuar ai, e kanë përdorur më efektivisht, se forcat e vullnetit të mirë.
Koha do ta tregojë, ka thënë ai se, “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të
pendohet për të bëmat e forcave të errëta – dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat
e dhunës së tyre – por edhe për heshtjen e tmerrshme dhe për qëndrimet
indiferente të njerëzve vullnet mirë, të cilët rrinë duarkryq”, përballë
problemeve me të cilat ballafaqohet një shoqëri. “Pa një punë të rëndë dhe pa
përpjekje të vazhdueshme nga njerëzit e vullnetit të mirë, koha në vetvete,
bëhet aleate e ngushtë e forcave primitive të stagnimit shoqëror, politik dhe
ekonomik, është shprehur Kingu. Duke shtuar se koha për të vepruar është
tani. “Kështu që duhet të jemi bashkëpunëtorë të kohës duke qenë të vetëdijshëm
se koha është, gjithmonë, e përshtatshme për të bërë mirë, për të bërë atë që
duhet bërë”, për të mirën e përbashkët, është shprehur Martin Luther Kingu.
Kjo
është koha e përshtatshme edhe për për Shqipërinë dhe për shqiptarët. “Në qoftë
se njeriu nuk ka punë as të ardhura, ai nga ana tjetër nuk ka as jetë, as liri,
as perspektivë dhe as mundësinë për të qenë i kënaqur”. Duke njoftuar protesta
paqësore kundër diskriminimit në atë kohë në Amerikë, “Kemi ardhur në
Uashington” — është shprehur Martin Luther Kingu, në fjalimin e tij në
Katedralen Kombëtare të kryeqytetit amerikan, në vitin 1968 – “Për t’u angazhuar
në një veprim dramatik paqësor, për t’u kujtuar të gjithëve hendekun e madh që
ekziston midis premtimeve të bëra dhe mosrealizimit të premtimeve të dhëna.
Për ta bërë të padukshmen, të dukshme”, ka theksuar ai, duke paralajmëruar
se, “Asgjë nuk do të realizohet drejt zgjidhjes së problemeve me të
cilat përballet shoqëria, në qoftë se njerëzit vullnet mirë, rrinë duarkryq, me
shpresën se koha, eventualisht, do t’i zgjidhë problemet.”
Citimet
dhe fjalimet e tij, megjithëse i përkasin një periudhe tjetër historike,
tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë, biblike, jo
vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë
reflektuese edhe për situata protestuese të popujve kudo në botë, si në
Shqipëri sot. Disa nga thëniet e famshme
të Dr. King-ut– sidomos në lidhje me protestat paqësore kundër padrejtësive,
diskriminimeve dhe të drejtave bazë të njeriut – e që janë aktuale edhe sot:
“Ne duhet të jemi të vet-dijshëm se, më në fund, ne
kërkojmë krijimin e një shoqërie që është në paqë me vet-veten dhe e cila mund
të jetojë me ndërgjegjën e saj.”
“Në qoftë se do të protestoni guximshëm, pa u trembur por
me dinjitet, kur të shkruhet historia për brezat e ardhshëm, historianët do të
shënojnë në librat e historisë, se njëherë na jetonte një popull i madhërishëm,
i cili futi një kuptim të ri të dinjitetit njerëzor, në rrjedhat e
qytetërimit.”
“Ju lutem të jeni paqësorë. Ne besojmë në ligjshmëri. Ne
nuk promovojmë as nuk mbështesim dhunën.”
“Është përgjegjësi morale që të mos përfillen ligjet e
padrejta”.
“Terri nuk zhduk dot terrin; vetëm drita mund të bëjë një
gjë të tillë. Urrejtja nuk zhduk dot urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë
këtë.”
“Jeta jonë fillon të marrë fund, ditën që heshtim për
gjërat e rëndësishme në jetë.”
“Padrejtësia kudo qoftë, është kërcënim për drejtësinë
gjithkund tjetër.”
Martin Luther King
Dr.
Martin Luther King
Kreu i sindikatës së pedagogëve të Shqipërisë, Sandër
Kovaçi -- Shqipëria
ka nevojë për tolerancë dhe kulturë protestash dhe jo për kërcënime ndaj atyre
që angazhohen në protesta legjitime për plotësimin e kërkesave të tyre, si
qytetarë me të drejta të barabarta të atij vendi.