Kulturë
Kadri Tarelli: Koburja e mësuesit atdhetar ende gjëmon!
E enjte, 08.09.2022, 06:50 PM
KOBURJA E MËSUESIT ATDHETAR, ENDE GJËMON!
“Haki Taha, në kufi të legjendës”.
Bashkautorë, Bajram Halil Gashi dhe Halil Ahmeti
Është
një e vërtetë, se mund ta mashtrosh një popull të tërë për ca kohë; mund ta
mashtrosh një pjesë të popullit përgjithmonë, por një popull të tërë nuk mund
ta mashtrosh kurrë përgjithmonë. - Abraham Linkoln.
Nga
Kadri Tarelli
Tashmë,
pas kaq vjetësh punë kërkimore, u realizua njëra nga ëndrrat e kahershme të
kolegut dhe mikut tim, Bajram Halil Gashit. Doli në dritë të botimit libri
“Haki Taha, në kufi të legjendës”, (Monografi), të dy bashkautorëve Bajram
Halil Gashi dhe Halil Ahmeti, kushtuar mësuesit atdhetar Haki Taha, me rrënjë e
degë në Gjakovën Dardane. Kam përshtypje se autorët i kanë besuar plotësisht
poetit të madh gjerman Gëte, që udhëzonte: “Duhen
studiuar jo bashkëkohësit e shokët e idealit të ditës, por njerëzit e mëdhenj
të kohëve të kaluara, vepra e të cilëve ruan në shekuj vlerë të veçantë”.
Nuk
kam pse mburrem, por unë jam pjesë e këtij libri, jo vetëm si redaktor por edhe
si hartues i hyrjes. Kështu që nuk kam ndërmend të përsëris vetveten, sepse
lexuesi i kënduar i gjen vetë vlerat e mangësitë, bashkë edhe mësimet e
dobishme, që flasin urtësisht, shumë prej tyre edhe të pa thëna, që thërrasin e
buçasin, më shumë me gjuhën e heshtjes. Këtu në rreshtat dhe faqet e këtij
libri, lexuesi do të gjejë edhe përgjigjet e pyetjeve të shumta që e kanë
shoqëruar prej kohësh, apo që i lindin gjatë leximit, siç pyet shkrimtari Gani
Mehmetaj, në librin: “Kush e vrau Miladin Popoviçin?”. E gjitha, jo thjesht për
të shuar e mbuluar gropën e mosnjohjes, por për të shpërndarë mjegullnajën e
krijuar për një kohë të gjatë, qëllimisht.
Kështu
ka pyetur edhe Agim Gjakova, më pas edhe Bajram Halil Gashi e Halil Ahmeti,
autorët e këtij libri. Kështu kam pyetur edhe unë, madje kam shtuar edhe shumë
pyetje të tjera, bashkë me ata qindra e mijëra shqiptarë, në mbarë trojet
arbërore, që ende i dhembin plagët e luftës dhe heshtja ndaj madhështisë së
heronjve të saj. Besoj se më në fund legjenda foli. Ishte Haki Taha që e
“zhgrehi” koburen mbi Miladinin, bash në zyrën e tij në Prishtinë. Por me
keqardhje dua të shtoj, se u deshën më shumë se tetëdhjetë vjet kohë e mundim,
që të zbulohet e vërteta, për të bindur edhe të pabindurit e për t’u thënë të
rinjve, se jeta nuk vlen pa mëmëdhe të lirë.
Në
kushtet e një heshtje të imponuar nga rrethanat politike, këtej e andej
gardhit, nuk di sa autorët e këtij libri i kanë dhënë të drejtë, por jam i
bindur se i kanë besue plotësisht At Pjetër Meshkalla, kur thotë: “Shko e thuej
Monsinjorit, me të mësue kushtet që duhet me folë, se me heshtë kemi heshtë
boll!…”. Me këto mësime hyjnore, e bënë heroin e legjendës Haki Taha, të
ngjallet, të ngrihet nga hiri, të flasë e të dëgjohet në mbarë trojet shqiptare.
Mbase
nuk jam i vetmi, por jam ndër të paktët miq e shokë, që kam ndjekur që në
zanafillë rrjedhën e këtij libri dhe të një tjetri, kushtuar heroit “Bajram
Sali Gashi”, që ndodhet në proçes botimi, në shtypshkronjë. Kujtesa e viteve më
sjell në mend atë ngazëllim të autor Gashit, kur “zbuloi” nga pluhuri i kohës
dhe më shumë i politikës, dy margaritarë të çmuar: Haki Taha dhe Bajram Sali
Gashi. Të dy nga Dardania shqiptare, por mësues në Shënavlash të Durrësit, që
çuditërisht jeta i bashkoi, jo vetëm në arsimim dhe profesion, por më shumë në
mendim dhe qëndrim në luftë për vendin dhe kombin. Të dy vrapuan në Dardani,
kur u bë bashkimi i trojeve në vitet e luftës së II-të botërore, me qëllim të
ndihmonin në bashkimin dhe rimëkëmbjen e atdheut. Të dy u përpoqën shumë por me
detyra të ndryshme. Çuditërish të dy u vranë në pak ditë diferencë, në shkurt e
mars 1945. Të dy për më shumë se 50-vjet, u lanë në “harresë”, si në Shqipëri
ashtu edhe këtu në Dardani. Çudi të dy kanë mbetur si fëmijë jetim, që nuk çan
kokën kush nga pushtetarët, që të kujtojë veprën dhe jetën e derdhur për
mëmëdhe.
Fatmirësisht,
që koha nuk i harroi, siç deshën ideatorët dhe më shumë diktatorët. Besoj se
nuk jam unë i pari që e them, se historia është e madhërishme dhe e
pamëshirshme ndaj ngjarjeve dhe heronjve të tyre, me të mirat dhe dobësitë, me
fitoret dhe humbjet, me nderimet dhe ndëshkimet që sjell ideologjia dhe
politika. Historia dhe koha, në shumicën e herëve, korrigjon gabimet, harresën,
shtrembërimet, por dhe nderimet e pamerituara, duke i dhënë hakun secilit,
paçka se vonon në kohë.
Duke
njohur në imtësi të gjitha letrat dhe dokumentet që janë vënë në tavolinën e
punës dhe krijimit, mund të shprehem se të gjitha variantet e vlerësimit dhe
gjykimit të ngjarjes më të bujshme të kohës, siç ishte vrasja e Miladin
Popoviçit, janë të pranueshme, pasi kanë diçka nga e vërteta e rrethanave
politike-historike, që zunë vend edhe në ngjarjet e mëvonshme në marrëdhëniet
Shqipëri-Jugosllavi. Kam bindjen se ngjarja i shërbeu më shumë shqiptarëve, në
forcimin e idesë së bashkimit dhe çlirimit të kombit, sepse jehona e krismave
të asaj kobureje, ishte thirrje që mbajti të gjallë frymën e rezistencës dhe
kundërvënies ndaj pushtimit dhe kolonizimit të Dardanisë.
Nga
gjykim i ftohtë, kam përshtypjen se kjo ngjarje u shfrytëzua maksimalisht nga
politika e të dy vendeve tona fqinj, sipas interesit të përbashkët, (kur
quheshim dy popuj miq), por edhe të ndarë në kulisa të nëndheshm për interesa
vetjake. Partisë dhe qeverisë Jugosllave ju hap udha e justifikimit të terrorit
ushtarak ndaj shqiptareve. Mos harrojmë masakrën e Tivarit, pak muaj më pas.
Ndërsa për udhëheqësit e Tiranës, eliminimi i kreut të Kosovës, i shërbeu shumë
në tërësinë e vet, pavarësisht zhurmës së madhe që paraqiste Miladinin, si “Mik
të madh” të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mendoj se ai dinte shumë dhe do vinte
një ditë që do fliste. Kështu, midis shumë gënjeshtrave, do thoshte ca të
vërteta që do e nxinte “Heroizmin” dhe “Atdhetarinë” tonë, lidhur me fatin e
Dardanisë shqiptare.
Jam
i bindur se ky libër i vogël, por me peshë të madhe atdhetare, e rrit emrin dhe
nderin e dy bashkautorëve tanë, sepse i ngritën përmendore atdhetarit poet Haki
Taha, “Heroit” të mbetur në kufijtë e legjendës. Besoj se nuk jam i gabuar të
shprehem, se edhe pa këtë akt madhor në historinë e kombit, Haki Taha e meriton
të jetë në libër, madje të ketë një libër, pasi ai ishte jo vetëm mësues, por
edhe poet. Nëse diku do të gjendej dorëshkrimi i librit të tij, që e përmend
edhe liriku ynë i madh Lazgush Poradeci, poeti Haki Taha do të ishte në
panteonin e poetëve tanë më të mirë. Talentin dhe forcën poetike të vargut, e
dëshmojnë ato pak poezi të mbetura e të gjetura rastësisht.
Në
disa shkrime, meqë jam në fushën e historisë, jam shprehur se është guxim i
madh të hysh në udhën e monografisë. Mjerë ai autor që merr përsipër të nisë e
të bitisë një vepër të tillë, sepse edhe kur e ka librin në dorë, do të thotë:
“Ah sikur ta dija edhe këtë copë jete, e ta vendosja në libër”. Mos u
trishtoni! Fatmirësi që ju kemi mes nesh! Të tjerë heronj presin të ringjallen.
Ju
lumtë mendja dhe pena autorëve të nderuar, Bajram Halil Gashi dhe Halil Ahmeti,
që me përkushtim disa vjeçar, ngritën një obelisk në letrat shqipe, ku çdo
autor, më pas mund të gdhendë pjesë nga jeta dhe vepra e legjendës Haki Taha.
Urime
dhe mirënjohje pa kufi!
Ju
këndoftë zemra dhe mos pushoftë pena!
Në
dalldinë e frymëzimit, thura pak vargje:
“Ngrehu mësues gjakovari!
Zhgrehe plumbin si dikur.
Poet ëndrrash atdhetari,
Trupin veshur me flamur”.
Kadri Tarelli
Durrës. Vjeshta e parë,
2022.