E hene, 07.10.2024, 09:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Gjakovë 1948-1952, mbamendje për mos me u harrue

E diele, 12.06.2022, 08:06 PM


Nuhi Veselaj, NGA JETËSHKRIMI

GJAKOVË, 1948-1952

MBAMENDJE PËR MOS ME U HARRUE

Hyrje

Pasi e dhamë provimin e semimaturës, gjeneracioni i parë pas shtatë viteve të shkollës fillore (1941- 1948), përkatësisht të “Progjimnazit tre vjeçar” në Suharekë (1945-1948), kryetari i Komunës, Bajram Uka, na uroj dhe na njoftoj se janë vetëm dy shkolla të mesme në Kosovë, ku   mund t’i ndiqnim shkollimin e mesëm:  në Mitrovicë Shkolla e mesme teknike dhe në Gjakovë shkollë për mësues. Ai më fort na rekomandoi Teknikën në Mitrovicë. Baba kishte simpati për Gjakovën si krah i Shkodrës, dhe se detyra e mësuesit është e ndershme. Si mësues merr mësim po edhe jep mësim që i ka hije familjes e katundit si vazhdim i kultit të mençurisë së trashëguar nga koha e Turqisë e kryepleqnarit Mehmet Reçani, i cili kishte marrë pjesë në plegnina (në pajtim ngatërresash e çështje politiko-shoqërore) siç thuhej Shkup e Shkodër, pra edhe në Gjakovë. Dhe kur erdhi dita me u nisë për Gjakovë, ma tha udhambaren e i tha Bacit (vëllait të madh që ishte zotshpije):

-Smajl, ndreqe Nuhën se po shkon në shkollë në Gjakovë.

Ai, Basi Smajl, më përcolli deri në rrugë, në fund të bahçes. Më tha: -Pare nuk kam. dhentë na mbeten mëshelë. Dhe, sa për udha mbarë:ndreqi me dy shuplaku jo aq të forta!

Për fat, para tri-katër ditësh pati ardhur musafir Hafëz Jakupi, nga Prizreni, dashamirës i shpisë sonë që nga Jugosllavia e Kralit. Në kohë të Shqipnisë një kohë pati qenë muezinë në Shkodër. Së andejmi pati pru libra shqip. Ndër të tjera edhe Mevludin e Shkodrsë (të Hafëz Ali Alqinakut), të cilin e pata mësuar përmendësh dhe e recitoja nëpër oda deri një pjesë (Vdekjen...)  edhe  në xhaminë e Suharekës. Hafëz Jakupin, e përcolla deri  në fund të bahçes, duke më uruar sukses në shkollën normale, në të ndarë, m’i lëshoi në dorë disa të holla. Më tha do të duhen. Kështu vetëm Hafëzi e Baba më dhanë zemër me vazhdue shkollën, udhë kjo me plot të panjohura për një 15 vjeçar që për të parën herë largohej nga shpia, vendlindja.  Kështu, si shkollar-semimaturant, i vetmi nga fshati vijoja rrugën për shkollim. Arrita në Suharekë, u bashkova me shokë.

Nga Suhareka na ngarkuan në një kamion deri në Prizren. Së andejmi na kaluan në një tjetër me ulëse, kështu në mbrëmje mbërrijtëm në Gjakovë,  Ishim një grup mjaft i madh  semimaturantësh nga Suhareka. Na sistemuan në një shtëpi private, afër Teqes së Madhe që e quanin internat.Të nesërmen u bashkuam me semimaturantë nga mbarë Kosova e Mali i Zi. Na ndan në klasa-paralele sipas moshës e rritës së shtatit. Ata që ishin pak më në moshë ose  me shtat  më të rritur i avancuan në Normale 3 vjeçare,  që një klasë do ta fitonin  me kurse të verës.  Kështu mësa më kujtohet, nga rrethi ynë, i ndanë prej nesh Destan Kuçin (Bajraktarin) e Ymer Bytyçin. Ne që ishim më të vegjël me shtat na  pagëzuan  Brezi i parë 4 vjeçar i normalistëve të Gjakovës.

Prej grupit të suharekasve arritëm të kalonim në klasën e dytë, vetëm tre: Nezir Gashi, Jashar Kuçi (Bajraktar) dhe unë Nuhi Muharremi (Veselaj). Këta dy aritën deri në klasën e tretë. Vetëm unë  si fshatar jashtë rrethit të gjakovarëve arrita me diplomua në afatin e parë të rregullt më 1952. Së andejmi si mësues i vetëm i diplomuar me shkollë normale të rregullt katërvjeçare  nga rrethi ynë dhe më gjerë isha krenar por edhe ndjeja përgjegjësi që si i  vetmi shkollar mësues maturant, pa kurse, madje edhe me një përmbledhje shkrimesh në dorëshkrim, u ktheva në vendlindje dhe dola mësues, ku kishte më shunë nevojë, në Progjimnazin e Mushtishtit.

Meqë për vepritarinë e fatin e mëtejshëm si mësues e kam trajtuar gjetiu, tani do të përqëndrohem të shpreh nga mbamendja disa nga mbresat tona të veçanta në e për Gjakovën që ende i ruajmë në kujtesën tonë për këtë qytet gjatë katër viteteve shkollore 1948/49 -1951/52, që shkurtimisht po i shtjelloj në këta katër nëntituj:

a) Mbresat tona të para për qytetin e Gjakovës.

b) Atmosfera para dhe ditë-festa me  lot: 29 Nëntor 1948,

c) Mbresa nga rrugëtimi këmbë Gjakovë Reçan e anasjelltas  dhe

ç) Rreth tre faktorëve jashtëshkollor ndikues në formëzimin tonë edukativo-mësimor në rrugëtim atdhesie

1. Mbresat tona të para për qytetin e Gjakovës

Në mbamendje ruaj shumë raste të veçanta për Gjakovën, por këtu përzgjodha vetëm disa prej tyre që po i shpeh në disa pika, si:

E para para se të vija këtu kisha qenë disa herë në qytetin e Prizrenit që më pati lënë pështypje se kudo flitej turqisht e goranisht, por edhe gabelisht (maxhupisht) më shumë se shqip, kurse këtu në Gjakovë kudo dëgjohet vetëm shqip. Edhe magjupët po flisnin njeri me tjetrin shqip! Madje edhe afër shkollës, në mahallen e shkieve, afër një kishe jo të mbajtur mirë, nuk kam dëgjua  se fliste kush serbisht, bile ndjeva që njëri i tha tjetrit në shqipe: Parja e bardhë për ditë të zezë. Si or

E dyta, e  veçantë tjetër për mua ishte  telalli. Kisha dëgjuar që thoshin për atë që nuk e mbante fjalën: Ia dha fushës e kodrës telallit të Gjakovës. Tashti kishim rast me pa dhe me ndëgjue telallin e vërtetë, i cili parashoqëronte lajmet  me njëfarë tarambuke dhe jepte urdhëresat aktuale, siç ishte  urdhëruar nga  pushteti popullor. Këto i përsëriste  në çdo rrugë apo në vende të caktuara publike.

E treta, gjithsesi si kudo fetarët,muslimanë  e katolikë,  nuk ishin të kënaqur me pushtetin e komunistëve, i cili ishte kundër çdo feje e në veçanti edhe kundër nacionalistëve shqiptarë. Feja dhe nacionalizmi si organizma prirës në shoqëri na binin në sy që zyrtarisht ishin mposhtur nga lufta NÇl. por vazhdonin të ndrydheshinedhe më shumë sipas të ashtuquajturës luftës së klasave, pikërisht ky reaksion ndaj kësaj shtypjeje primitive vërehej, po me kujdes e me drojë në masë. Unë deri atëherë respektoja ritin islam sunit, dhe këtu pasi Xhamia e Hadumit nuk ishte larg internatit, pas Qarshisë së drithit,  nganjëherë dhe shkoja e falja mëngjesin atje,  dhe mezi pritja që kur të kthehem në  fshat, me gëzue Babën e Mixhën Hoxhë se shkolla komuniste nuk më kishte bë ateist, as Gjakova nuk ishte krejt komunise. Doja  t’i gëzoja sihariq  për xhaminë e madhe me çeshme brenda të Gjakovës, ku po falem, ku krejt  xhemati e hoxhët ishin shqiptarë.

Por, në të vërtetë,  edhe këtu kishte telashe nga pushteti, prandaj muezini që kishte mbiemrin Bellanica, fshat nga ana jonë  dhe kishte dijeni për familjen tonë, edhe vetë  çdo mëngjes  nuk dilte në xhami, por mbante derën çelë në një dhomë këndej rrugës së xhamisë, aty faleshin  pak vetë, pa imam.

E katërta, rastisi që në një të premte disi u përvodha dhe hyra me xhematë xhumanë në xhami. Kah dëgjoja vaizin  e një hoxhe të moshuar mbeta i habitur, për stilin, gjuhën dhe zotësinë oratorike që kishte, madje edhe për qëndrimin parimor të tij. Shprehjet e tij në shqip ua kalonin profesorëve tanë aktual që kishim, sa mos me besue. Madje fliste guximshëm për Tiranën, Shqipninë, për shkollën normale, krenari e Gjakovës.  Për bij e bija që duhet me u shkollue, për të cilët vlen këshilla e Zotit de thënë prej Pejgamerit:  ilmen nafijen, dije të mbarë, jo të praptë..... Familja e Shteti  kanë detyrim për Dije të  Mbarë  Kombëtare me edukatë të shëndoshë e moral të fortë me u sigurue brezave. Për havale  tha që në kohë të Zogut, shteti  i pat marrë gjynahet e veshës mbi vete.. Përmendi në fund  emrin e një hoxhe të madh nga Tirana, për të cilin  tha duhet t’i thirret  isale.

E pesta pata rast me ndëgjue edhe një pjesë meshe te një Kishë Katolike andej nga Ereniku, po sa bukur e me stil shqip fliste prifti, më dukej se ndëgjoja Fishten,  Mjedën e Prennushin, gjuhën e të cilëve e  pata mësuar nga vjershat e tyre në libra leximi.

E gjashta, në  teqe, që Gjakova kishte disa,  nuk kam marrë pjesë asnjëherë, po thonë se secili shesh flet shqip më mirë se tjetri,  andaj po aq e admirushme qënka edhe gjuha e tyre.  Në të vërtetë shehin e Teqes së Madhe, Sheh Shefqetin, atë fytyrë të dashur që kah të shikonte me ambëlsi dhe me fjalë të matura të bënte për vete nuk mund ta harroj dot.

E shtata, pra Gjakovës e gjakovarëve ishte për t’u  marrë lakmi jo veç për gjuhën shqipe, e për harmoni fetare: hoxhë e sheh në njërën anë dhe prift në anën tjetër që nuk flitet që kanë pasë ndonjherë ngatërresa, por Gjakovës i marrin lakmi edhe pë shkollën normale, të vetmen për mësues në gjuhën shqipe në Kosovë e Jugosllavi.

E teta, por Gjakova e gjakovarët kishin pasur probleme të tjera të mëdha politike në kohë të Turqisë e Jugosllavisë së Kralit.  Po tash nuk flitet ma  as për lisa as për fshisa- për Beg e Curr,  por për pisa e për prisa - për komunistë fitimtaë e për nacionalistët humbës, mirëpo në Gjakovën e kuqe shqiptare dolën telashe të mëdha. Pikërisht rreth përshkallëzimit të historikut të kësaj çështjeje përçarëse që po e rikujtojmë në tri pika:

Së pari, në Luftën e fundit botnore te shqiptarët nuk humbën vetëm nacionalistët që për hir shkolle e lirie që fitoi përkohësisht Kosova siç ishin edhe ata të Lidhjes II të Prizrenit që u lidhën  me italo-gjerman, por humbën edhe ata patriotë nacionalistë që u lidhen me Angli e Amerikë. Kështu Gani Beg Gjakova që  si familje Kryeziu mbijetoi në Jugosllavinë e Vjetër,  u burgos dhe ia humbën  çdo fije në burgjet e Jugosllavisë së Re.

Së dyti, në të vërtetë luftën  e fituan komunistët kundër nacionalistëve, si  Fadil Hoxha me shokë këndej nga Kosova, ashtu edhe Enver Hoxha me shokë andej nga Shqipnia pasi u ndërlidhen dhe ranë nën ndikimin e komunistëve të Jugosllavi-Rusisë staliniste. Mirëpo, në fund të Luftës këtë rënie-rrëzim e kuptuan të gjithë ata që kishin mend atdhetarie në kokë. Këtë zhgënjim nga serbo-jugosllavët e ndjeu rëndë edhe lider-komandanti Fadil Hoxha, me  disa shokë, i cili mëzi shpëtoi  si edhe sisa të tjerë me servilosje, po e ndjeu këtë rënie edhe Enveri andej, por në momentet, kur ende ia provonin besnikërinë, në pranverën e vitit 1948, e shpëtoi Stalini me Rezolutën e Informbyrosë. Këtë Rezulutë e përqafoi Enveri, sepse leqitej Jugosllavia, dhe kështu Shqipëria komuniste tashti mbrohej e futur nën ombrellën e Rusisë (Bashkimit Sovjetik).

Së treti, mirëpo tashti pas kësaj Rezolute për Fadilin  e  fadilistët u bë edhe më keq. E kishin edhe më vështirë, sepse për mbijetesë, përveç servilosjes u duhej luftë e distancuar kundër shokëve dhe adhururuesve me të cilët ishin formëzuar ideo-historikisht dhe në luftën e përbashkët. Meqë nuk kishin rrugë tjetër fadilistët vendosën të jenë të dëgjueshëm skajshmërisht në shërbim të Serbi-Jugosllavisë me gojë e punë, po ndoshta jo aq me zemër, po gjithsesi ishin nën mëshirën e tyre.

2) Atmosfera para dhe ditë-festa, 29 Nëntor 1948 e lagur

me  lot shqip-shqiponje

Ne pikërisht rreth kësaj situate të vështirë siç i kam vërejtur që në muajtë e parë me të ardhur  në Gjakovë në vijim, për mos me harrue  do t’i kujtoj nja katër raste:

Së pari. këtë  pakënaqësi e kemi vërejtur të zejtarët në dyqane. Kështu pas përshnëndetjes me thinca që përzihej me humor të zi. A je i kënaqun? –dëgjohej përgjegjja –I kënaqun e i kallun flakë prej së knaqni! ose edhe në variantin tjetër: -I kënaqtë i përkënaqtë si i pshurrti i paqtë.

Kjo si duket ishte pasqyra e vërtetë e kënaqësisë popullore ndaj situatës. Po ilaçi i përjetuesve të diktaturës ishte: Duro, kur s’ke  çka ban...

Së dyti,  edhe më keq  pas Rezolutës në popull u shtua pakënaqësia ndaj fadilistëve, sa më të ardhë keq. Kur i ose u  përmendej emri  përzihrj mr jumor të zi.  në biseda humor të zi e me gjestikulacione të papërmbajtura. Kështu bie nëse përmendej si lajm: - A ndjeve, Fadili kish ardhë këndej. Bashkëfolësi –Kush?! dhe pështynte  pllu!  për tokë, tjetri bëhej si  me vjellë, e i treti mbante barkun më mirë me dalë fendë se pordhë, se për pordhë merrej në përgjegjësi  prej të kuqëve dhe dënohej, si anmik, reaksionar!

Së treti, që tashmë kishte filluar këputja e lidhjeve me Shqipni, shihej edhe me largimin ose dëbimin e ndonjë profesori, siç përmendej   Dhimitër Fullani.

Së katërti, unë nuk po mund me harrue një rast tjetër që e kam përjetuar falë Rexhep Hoxhës. Rexhepi, student në Beograd po që  rastësisht ndodhej në Gjakovë, ndaj të cilit kisha simpati si poet iu afrova sa me përshëndetë, Ai më mori me vet dhe në rrugë e sipër më pyeti, kush jam nga jam. Dhe kështu shkuam m, te një dyqan pak si në gropë. Brenda kish qenë ajo pikturae e njohur e Bajram Currit pas vrasjes i mbështjellë me Flamur, ngjyrat ende i kishte të ndezura flakë. Kishte dhe piktura e vizatime të tjera, po mua vetëm kjo më stepi në vend. Më mbetën sytë te Bajram Curri,  ngase ai ishte i fisit me të cilin kishte kontaktuar im at dhe disa trima të familjes sonë të gjerë.  Rexhepi, foli diçka dhe pas shikimit pashë që shkroi diçka në një fletore, që ishte para artistit që nuk ishte fort në qejf. Asgjë nuk kuptoja. Më vonë e tash po e kuptoj se ajo paska qenë ekspozitë lamtumirëse, e hapur jo legalisht, para se të largohej artisti me piktura në Shqipni... Piktori mbaj menmd që e përqafoi Rexhepin. Mua ma dha dorën.

P.S.:

Rastisi që po atë piktor, më duket me mbiemrin  Buza, me e  pa më 1980 në Durrës, ku isha  turist me disa punëtorë të uzinës Amortizatorët të Prishtinës. Piktori ishte me disa studente. I entuziazmuar që e pashë u shpreha: Artisti, sa po Ju lakmojmë, jam nga nga Kosova. Reagimi qe i shpejtë nga dikush: Revizionistët na lakmojnë!” Unë u skuqa. Artisti më buzëqeshi dhe më mbrojti: Do të thotë ju admirojmë. Unë ngarenda me i zënë shokët...

Së pesti,  në muajin nëntor pritej me u mbajtë një meting në Qendër të Gjakovës, me rastin   e 29 Nëntorit, festë e dyfishtë jugosllavo-shqiptare: Dita e AVNOJ-it në Jugosllavi, Dita e Çlirimit  në Shqipëri. Kjo si duke vite më parë  në Gjakovën e kuqe, qenka përkujtuar si ditë-festë e përbashkët nga partizanë-komunistët gjakovarë.  Por që këtë vit  ose para disa muajsh kishin ndryshuar raportet. Ky ndryshim u pa se atë ditë na ftuan më herë në shkollë. Na rreshtuan e na dërguan në Qendër. Në njërën anë të Rrugë-Qendrës ishte një si park-oborri komandaturës së   Shtabit që ishte mbushur me plot ushtarë. Populli ende nuk ishte tubuar. Ushtarët i ndanë në njësi, kuptohet ishin të pajisur me pushkë. Arsimtari i biologjisë Ismet Canamusa  ma  vuri një shirit të kuq në krah dhe më tha  ec me këtë njësi ushtarësh. Unë sa i kisha mbushur 15 vjet. Serbishten nuk e dija. Sidoqofë, prija me eprorin para ushtarëve  andej nga rruga e Erenikut. U ndalëm te një kthesë rruge që degëzohej nga ana tjetër e Qabratit nga Ereniku. Vëreja turmat e njerëzve vinin të organizuar. Vinin edhe me Flamurin tonë kombëtar. Kishte ast që Këngëtarët në kuaj këndonin, ashtu edhe mësuesit me nxënës që mbanin flamura trengjyrësh jugosllav dhe më shumë  KuqeZi. Unë qëndroja i hutuar edhe i trishtuar. Ne Flamurin Kombëtar na kishin hequr që në vitin 1944, Daja e kish futur nën fytyrë jorgani. Ndërkaq këtu ende po printe?! Ushtarët e ndalën turmën, kërkohej heqja e dorëzimi Flamurit KuqeZi. Gjendja u acarua, Për fat erdhën edhe do aktvistë më të moshuar, ndër ta më kujtohej edhe Sim Bluta. U bë njëfarë tollovie, Shprehej pakënaqësi..   Mësuesit  ngulnin  këmbë ende me Tito-Enver-Fadil në gojë të nxënsve dhe në duar mbanin flamurat. Shtohej pakënaqësia, por nuk ndodhi gjakderdhje. Nxënësit pyesnin -Pse po na hiqet Flamuri?. Dikush tha:- Qe, ai djali me shirit të kuq në krah po urdhnon! -dhe filloi me i mbledhë flamurat. Kur nxënësit më shikuan me trishtim mua veç që nuk më ra pika. Vura re ai mësuesi  me rroba të reja që mbante flamurin me shtizë, të cilin kërkohej ta dorëzonte. E pashë u nda pak si anash dhe filloi ta heqte nga shtiza, të cilin e lante me lot. Më duket edhe sot po ia shoh lotët që nga Flamuri i përqafuar iu lagnin teshat e reja.  Qanin edhe nxënësit. Nuk di e futi në gji, apo e dorëzoi. Ne i lamë duke lotuar u kthyem në Qendër.

Nuk di çfarë ka ndodhur në rrugët e tjera. Ky ishte grushti më i fortë kundër fadilistëve dhe enverofilëve të Gjakovës dhe të Kosovës, apo jo?!

Së gjashti, në Qendër të qytetit, të gjitha turmat nuk erdhën, po megjithatë kishte mjaft popull të tubuar. Në binë, mësa më kujtohet,  doli një kolonel me rroba ushtarake. Ai foli keq për imperilizëmin dhe informbyroizmin.Nga populli u thirr emri i Xhevdet Hamzës, sekretar i Komitetit të Partisë. Xhevdeti doli vetëm sa më thënë që ende dëgjohej fjala shqipe. Foli shkurt që ne jemi  me Titon për vëllaznim bashkimin. Shtoj se jemi Jemi kundër Informbyrosë... Dhe kështu, pa kurrfarë programi vazhdues a argëtues edhe  këtë ditë-festë Gjakovën  e mbuloi terri i natës dhe  shiriti i uq nga krahu im u hodh në bërllok.

Vërtet ngjarjet rreth kësaj feste  pasqyronin robërinë e vërtetë klasike të Kosovës, pra edhe të Gjakovës së kuqe. Megjithatë flitej se edhe Fadili i kishte thënë më herët  si në besë Beqir Kastratit, drejtorit të Normales që kemi mbarue si na si Shqpnia, po nëse mujmë me mbajtë shkollën shqipe  dhe  mos me u shpërngulë është shpresë se nuk do të shuhemi si komb.

Sidoqoftë. unë lotët e tillë  të 29 Nëntorit 1948  i kujtoj se ishin  të dhimbshëm aq sa edhe  lot e gjak që është derdhur në çdo ekupim në kalim isipër të  trojeve tona, lot këta që nuk po mundem me harrue, sepse instalohej okupimi jo kalimtar, po stabil  shtetëror,  që pranohej edhe ng vetë luftëtarët  e ainqertë partizanë, që kishin besuar në fitore e bashkim kombëtar, por që tash u zhgënjyen. Prandaj i përmenda që as ju lexues të nderuar ata lotë flamuri, lot gjakove,lot kosove dhe shqiptarie nuk duhet me i harrue,  ngase  vërtet, vërtet mirë e ka thënë, Fadili, nëse vërtet e ka thënë se  vetëm shkolla mundi të grisë e të çajë tisin e terrinën e asaj errësirës  që na pati kapluar edh pas Luftëa që bën shqiptarët pëe për shqiptari, për flamur e për liri.

3. Mbresa nga udhëtimi  këmbë Gjakovë-Reçan e anasjelltas

Si ti rinj që ishim përmalloheshim për vendlidjen, për familjet tona. Të holla nuk kishim për bileta,  por edhe me i pasë, ishte shumë vështirë me gjetë vend të lirë në autobusa, t’i quajmë të rregullt që nuk ishin. Madje ndodhte me pritë me ditë e mos me mujtë me udhtue Suharekë- Prizren, ndërsa për Prizren- Gjakovë e anasjelltas udhëtimi me autobu, për ne që nuk kishim të njoftun dhe para për ryshfet,  ishte idhe më i pasigurt. Njëherë e pata provue. Shkova deri në Prizren.  Prita tërë ditën nga Prizreni për Gjakovë nuk pati mjet udhëtimi. U detyrova me fjetë në një han, në dërrasa të thata. Nana m’i kishte lidhë në shami do gurabia. E vura bohçen nën krye. Kur më doli gjumi. As shami as gurabi nën kry’. Pyeta hanxhiun. Ishte e kotë, Më tepër më dhimbsej shamia e nanës, me të cilën i mbroja veshët nga të ftohtit. Prandaj më sigurt ishim me udhëtue këmbë Gjakovë-Suharekë-Reçan e  anasjelltas.  Ne kur kishim kohë e kalonim me shumë qejf e dëshirë këtë  rrugë. Çdo udhëtim  brenda  4 vjetësh, te ne ka lënë përshtypje që nuk mund të harrohen, po unë po rikujtoj tri raste, dy Gjakovë-Reçan dhe një Reçan-Gjakovë, që për ndonjë gjë të veçantë nuk duhet me u harrue.

Rasti i parë, me Nezirin,

Me Nezirin, nga Gjakova u nisëm herët. Sa ecnim xhades deri te rruga e Rahovecit nuk kishim baltë as pluhur. Moti ishte i tillë,  Prej aty e andej  si zakonisht  u ngjitem bokave të fshatit Kisha e Bardhë (Bela Crkva) dolëm në ruigën sirrafshake të disa katundeve. Rruga kishte baltë e këmbësorja që ishte pak më terun çonte skanj rruge e vneshtave apo hardhive me rrush. Roja na kish vërejtë. Thirri: -Hej ju, ndaluni, aty! Ne u stepëm. Pyetise kush jemi. I treguam  normalistë, nxënës në shkollë për mësues. Tha -Ju vërejta. Nuk prekët kurrkund!   Po pse  pse nuk merrni rrush? Na u shliruem. Na dha nga një kafshore bukë, sa i kish teprue dhe na gjetëm nga një gigjë dhe u kënaqëm bukerrush. E falenderuam, Pysnim, qysh mundet njeriu me qenë më i mirë?! Ne vazhduam rrugën deri Samadraxhë. Te dajtë  e Nezirit, aty u ndalën në oborr me pushue. Gjyshja e Nezës që ishte bijë e fqinjve tanë të parë në Reçan, na solli një përshesh të hollë.   Dhe së andejmi në mbrëmje arritëm në shpinë e Nezës në Suharekë. Bukë nuk kishin pasë.  M’i dhanë dy patate të zieme në në dorë dhe  mbase pas pak më shumë se gjsmë ore mbirrijta në Reçan, Mbas dy ditësh për Gjakovë u kthyem  të njëjtës rrugë.

Rasti i dytë,  me Jasharin

Ishte një ditë para Natës së Bajramit. Na kish marrë malli për  familje,.  U morëm vesh me Jasharin me i pa për festë dhe u nisëm shumë heret, Ecëm xhades  deri  te Krusha kthyem në të majtë rrugës së fshatrave, Deri diku Jashari eci mirë, por më duket nga fshati Radobravë, u lodh. Donte me pushue. Nuk kishim kohë se na zinte nata. E kam kapë e qitë në qafë-shpinë dhe një copë rrugë deri sa pushoi e bajta si fëmijë Pasi pushoi.  E zbrita nga shpina dhe vazhduam rrugën. Në mbrëmje mbërrimë në shpinë e tij. Shoqja e Zekës, e mixhës së Jasharit që kishte burrin në burg, kishte ruajtë molla nën krevat të drunit, na gostiti me to dhe unë vazhdova rrugën për  Reçan. Festën e gëzuam në familjet tona.  Mbas Bajrami në të kthyer për në shkollë Jashari pati ecë si burrat!

P. S.: Jashari atëherë nuk kishte më shumë se 5o kg.

Rasti i tretë, me Bacin Beqë

Isha në Reçan. Mixha Beqë  (siaxhim) më tha, nesër do të shkojmë bashkë për Gjakove, se due me shkue me pa Hysenin, djalin që e kishte milic në një fshat të Gjakovës, andej nga kufiri me Shqipni. Dhe në mënyrë për  me shkue më herët, për me mujtë me  u kthye për drite, mëTha. -Sonte po shkojmë me bujtë në Mamushë. Afroheshim disa orë. Ashtu bëmë.Të nesërmen u nisëm parasabahut. U binim  trup e trup rrugëve të katundeve dhe arritëm te do përroje  pa ra  te rruga e Rahovecit. Kishte mjegull shumë e dendur , aty për një çast e humbëm rrugën. Megjithatë u gjendem, Nuk humbëm shumë kohë. Baci Beqë më tha. Mos trego kur të vish në katund se na qeshin. Unë plak i katundit e të me shkollë qysh me humbë rrugën?!. Mirëpo kur ish kthye vetë kishte tregue.  Sidoqoftë, ne ramë në xhade dhe kur mbërrim te Ura e Fshajt, Baci Beqë, më tregoi se e kishte me të ndime, Kjo urë në kohë të Turkisë kish qenë e damtueme, Dikah kish pasë dërrasa, sidomos anëash. Mehmet Reçani.  kur vjen këtu i zhdryp kalit dhe e ngreh pë dore. Sef Kosharja që e kish trim mbas plaku. kalon pa i zhdryp kalit. Sefa i lavdohet Babaplakut: - Unë ma trim se ti.  Nuk zhdrypa  prej kalit.

- More Sefë, i thotë Babaplaku  – Trimi i mençëm i  ik  rrezikut, por ku e zë puna lufton për fytyrë. Kurse këtu nuk është trimni mos me i ikë rrezikut prej valëve të Drinit.

Sidoqofë, b. Beqë u në anën e majtë të xhades, kurse unë vazhdova e mbërritna në orët e pas ditës. Arsimtari i fiskuturës atë ditë kish bërë plan me i mbyllë notat. Nuk donte të besonte se kisha bërë mbi  6o kilometra rrugë pa pushue fare. Më shtini me vrapue. Nuk i dola mirë. Më shtini me kërcy së pupthi, nuk i dola aq suksesshëm, Mëzi ma mbylli notën 3. Ma prishi meastaren për shumë mirë.  S’ke ç’të bësh. Kështu e kishte fati. Kush të besonte?

Në përmbyllje, vetëm nga këto tri raste kupohet sa e gjatë dhe e vështirë  ishte  rruga jonë e shkollës, po edhe më e gjatë dhe më e vështirë ishte rrugëtimi që bënin për rritjen e vetëdijes kombëtare  dhe sfocimin e durimit e të qëndresës së popullit tonë, duke ndihmuar njeri tjetrin  për me përballue më lehtë valët e jetës në robëri. Mbase edhe tashti dikush ka vështërësi për shkollim, e synime të tjera, por le të dihet se vetëm vendosmëria për qëllimin e lartë, me dije e për dije. puna e mbarë pa nda mund të sjellë fitore e lavdi.

4, Rreth tre faktorëve jashtëshkollor ndikues në formëzimin tonë edukativo-mësimor në rrugëtim atdhesie

Përkundër parimit të mbështetur  se shkolla të drejton, ndërsa jeta të mëson, unë jam shprehur se në Gjakovë gjatë shkollimit 4 vjeçar si normalist i kam formëzuar bazat edukativo-mësimore profesionale e intelektuale në frymë atdhetarie, prandaj  qëllimi i  këtij shkrimi është me arsyetue atë që e kam thanë. Është e vërtetë se vetë parapërgatitja për shkollë, interesimi për libra, për dijeni më ka ndihmuar që çështja e shkollimit  të kuptohet e përqafohet  me seriozitetin e  duhur sdhe të rezultojë me sukses. Këtu del e nevojshme të përmendet vlera ndikuese e mësimdhënësve tanë që në takimet e para, Ç’është e vërteta, ndonëse mësimdhënësit tanë atëherë nuk kishim diploma formale  universitetesh, po ata  kishin njohuri praktike, të nivelit të kërkuar që nuk lënin gjë keq. Përpiqesha që çdo mësim ta përvetësoja, por kërkoja edhe faktorë të tjerë, për të plotësuar zbraztësirat që i kisha  në parapërgatitje. Në të vërtetë  kisha një  parapërgatitje  të cektë, edhe sa i përket kulturës së lëndës së gjuhës shqipe. Si bazë mbështetje kisha vetëm librat e këndimit kryesisht e ndonjë vepër propagandistike të kohës apo të natyrës fetare siç ishte Mevludi i Shkodrës, andaj  për mua ishte kënaqësi e madhe takimi me ndonjë libër të rinj, çfarëdoqoftë ai.  Këtu  ndonjë revistë e broshurë, si  Tarikati muhamedie që i gjeta në tavanin e Internatit, i lexoja me kënaqësi,  por kur mora vesh dhe paksa më ranë në dorë pjesë nga Visaret e kombit, ku ishin të përmbledhura këngë kreshnikësh, deri edhe këngë dashnie, kjo ishte diçka e mrekullueshme që s’mund ta përshkruaj as sot. Për të gjitha si dhe për këngë gjakovare e të tjera  armatesesha që kur të shkoj në familje t’ua përcjellë kushërinjve të tjerëve dhe t’i mahnis me enigmat që ka dhe zbulohen me shkollë.  Leximi i romaneve  m’u bë pasion, si Lulja e kujtimit, Pse, Afërdit dhe kur panë shokët e klasës që interesohesha më ofronin libra që kishin, të cilat i lexoja me një frymë.  E thamë që arsimtarët në shkollë më fort i kishim sa për udhëzim, sepse mësim të vërtetë përveç librave  mund të marrësh nga një personalitet  që të gjendet në rrugëtimin jetësor. Për mua qenë vërtet tri personalitete që i quqjë faktorë shumë të fuqishëm me ndikim jashtë procesit të përditshëm  në shkollë, të cilët kanë ndikuar në formëzimin e personalitetit tim, andaj edhe  në saje të  ndihmës së tyre  munda me korrë sukses që pothua i vetmi katundar jashtë rrethit gjakovar si nxënës i rregull (1948/49 -1951/52), ndër 39 sa kishte klasa arrita me maturue në afatin e parë, më 30.06 1952, vetë i shtatëmbëdhjeti. Kështu për këtë sukses falenderoj në mënyrë të veçantë edhe  këta tre personalitete apo faktorë që ia vlejnë mos me u harrue.

E para,  pata fatin të shoqërohem me Ali Musajn, i cili dukej se nuk ishte aq keq me shëndet, po ishte gungaç. Aliu e kishte shtëpinë afër konviktit. Kishte nevojë me folë  e  me u shoqnue me dikënd, madje edhe unë si ai kisha mbëhl. Gjetëm njëri tjetrin. Që të dy kishim dëshirë me vjershërue. Kështu na lidhi pasioni. Ndjeja dhimbje sinqerisht për gjendjen e tij. Më mori brenda me më tregue për librat që kishte. Aty u njoha me axhën e tij bacën Cen (Hysen Musa), ndoshta as emrin as mbiemrin nuk po ia them mirë, po ishte shembëlltyrë që respektohej edhe nga gjakovarët. E falenderoj atë burrë fisnik që më pranoi si shokë të pandarë të nipit. Baca Cen  dergjej në  një shtrat në kat. Kishte  qenë oficer i Zogut dhe i kohës së Shqipnisë, por pasi nuk kish dalë partizan si duket, për këtë i ruhej situatës politike.Më dukej që edhe për këtë arsye paksa edhe simulonte me dergjen në shtrat. Ai lexonte shumë dhe atë që e lexonte e komentonte dhe vlerësonte. Unë nuk kisha kapacitet me kuptue e përvetësue gjithçka prej tij, por e dëgjoja me vëmendje. Fjalët e tij që dëgjoja, jo vetëm ndikonin por edhe më  formëzonin nga brenda. Më cytnin të mendoja  që mbase në të ardhmen mund të bëhem intelektual e i dijshëm si ai. Mjerisht që njerëzit e tillë atëherë nuk kishin hapësirë publike akademike. Nga ai kam mësuar për Migjenin, për Ernest Koliqin, e për   shumë tjerë edhe për literaturë filozofike-fetare  e atdhetare shqiptare. Nga  biseda me të  çdo herë dilja  më i pajisur,  më i  armatosur me dije e përvojë që më ndihmonin t’i përvetësotja më lehtë edhe mësimet nga të gjitha lëndët mësimore, sepse të gjitha mësimet në ndërdije disi bashkohen në një një dije të vetme unike.

E dyta, githashtu pata fatin që të has në mirëkuptim edhe te një intelektual tjetër gjakovar. E kam fjalën për z. Hilmi Kryeziu, i cili për mua ishte arsimdashës enciklopedsit. Ky zotni,  ishte në dispozicion të drejtorit të shkollës. Kishte aftësi profesionale të zëvendësonte ndonjë arsimtar që mungonte.  Kështu ndodhi që përkohësishtn ta zëvendësonte arsimtarin e gjuhës shqipe Tajar Hatipi, i cili u transferue  në Prishtinë deri saerdhi në atë vend  plotësoi Rexhep  Hoxha. Zotin Hilmi e pata njoftuar se e kam një përmbledhje prozë e vargje  në dorëshkrim. Ma kërkoi pa qenë i obliguar e mori në shpi. Edhe pse tashti nuk na jepte mësim, dorëshkrimin nuk ma dha pa e lexuar e përpunuar. Kështu pasi e lexoi  tërë përmbledhjen ma kthei të korrigjuar kuptohet me vlerësim pozitiv. Madje kish bërë edhe ndonjë përmirësim efektiv. Natyrisht kjo ishte ndihmë kolosale për mua. Shumica e asaj përmbledhjeje  u botua më vonë nën titullin Cace e hope djaloshare,  Prishtinë 1997 dhe në vepra të tjera.. Prandaj  edhe krejt këtë ndihmë të tij e konsideroj faktor të rëndësishëm në të mirë  të formëzimin tim si mësues intelektual e si letrar krijues në të ardhmen.

E treta, në atë kohë krize, që racioni i bukës 500-600 gramëshe në ditë nuk na mjaftonte as sa me kompensue fiskulturën e obliguese të mëngjesit,  pa përmendur energjinë  për mësim e  rritë e të shëndetshme,  unë  pata edhe një fat tjetër.Të njihesha me familjen bujare e fisnike të Demlush Halitit. Zotni Demlushi, karakterizohej me burrninë e Malësisë dhe me takëmin e qytetarit fisnik gjakovar, i cili në saje të një ndërlidhjeje familjare pleqnare që nga koha e Turqisë  (Blinishte-NikKol-Rekjan!) dhe tregtare e kohës së Kralevinës (me duhan), mua më ka mirëpritur e ndihmuar që në odën e tij (soba e burrave) të gjeja ngrohësi pothuaj familjare, madje në atë kohe krize për bukë, të më pranojë në sofër si të isha i shpisë , gjë që më ka ndihmuar edhe në stabilitetin shëndetësor e fiziko-mësimor. Madje, edhe anmëtarët e famaljes së më nderoni. Pati ndodhur që, djali i tij Haliti, me më mearrë me vete deri edhe në ndonjë aheng gjakovar. Demlushi odën e ka pasur në të hyrë të oborrit të gjerë ku mbante bylyqe dhensh etj., ka qenë zotshpije i vërtetë i familjes së tij të madhe. Gëzonte autoritet, por edhe dinte t’i orientonte mashqit  jo vetëm në blegtori e bujqësi, por dikënd edhe në tregti. Jo vetëm kaq po ai  dinte të mbante lidhje të pashkëputura me miq të vjetër e të rinj si brenda, ashtu edhe jashtë. Mbante lidhje me të “begit”që i kishte pasë dhe i kishte më për zemër, por dhe me të tjerë. Demlushi, pasi ishte i kamur për kohën i kishte punët mirë me të gjithë. Atij i shkëlqente gëzofi karktaristik, qoftë në çdo takim, Sa e shihje me hoxhë, sa e shihje me sheh e proft, por edhe me politikanë. Sido që të ketë qenë, mbaj mend një bisedë me një nip të tij që merrej me tregti dhe nuk ishte aq në moshë, të cilin në bisedë e sipër e pyeta pse nuk po bëhesh  mësues, pasi axha Demlush e do arsimin, ky si baba im po më shtin me i lexue atë që po mësoj e po shkruaj si histori e familjes e të tjera.  Ai m’u përgjegj: Puna me fëmijë  nuk ka pare. Me tregti ka fitim. Kështu më tregoi se sa ka fitue veç me lesh. Kur i kanë qeth dhentë në bjeshkë, ky me me pëlqim të pushtetarëve , përkatësisht të një fabrike që e kanë pague, ka shkue atje e ka tubue. Natyrisht e ka peshue dhe listue me të zotët.  Deri sa t’ia dorëzojë një fabrike sipas faturave të blerjes., ky paguhet diçka për magazinim, po  fitimi vjen vetë. Leshi sa qëndron në podrum pi lagshtinë dhe vetvetiu shton peshë. Krejt kilogramët e shtuaem  mbesin fitim. Po fitimin në tregti nuk e sjell veç puna e leshit.  Tregatia ka edhe fitime të tjera.  Kemi mendjen  - më tha -me ble tokë jashtë qytetit dhe atje do të ndërtojmë shpi e ahra e torishta për dhenë e gja të tjera.

Dhe vërtet sa kam qenë atje në vitin 1952  i patën filluar ndërtimet jashtë qytetit. Sido që të ketë qenë nga  ndihma bujare e axhës Demlush, arrita me pasë suksese e stabilitet edhe në mësim e krijimtari,

P.S.:

Pas katër vitesh, ndërsa isha mësues në Grejqec. Demlush  Halitit i kish ra puna me ardhë në fshatin tim. në Reçan dhe më lyp konak jo te pleqnari me të cilin njihej që nga Koha e Kralit, sepse sipas tij punës së plaqnarit sot nuk i dihet po lyp konak te mësuesi Nuhi. Vëllezërist e pranojnë, si mik të rrallë që e hijeshon odën. Ku shkova në mbrëmje vonë u befasova. Mjerisht punët si familje i nuk i kishim aq mirë. Burgosja ime dhe e vëllait  na kishte ligshtue materialisht, pastaj martesat etj. U përpoqëm po nuk mujtëm me i bë muhamet qysh kisha  dëshirë. Madje nuk qesh i zoti me i sigurue asnjë deci e pak meze për mëngjes, para se të ikte. Por punën pse kish ardhur ia lehtësuan. Dhe zgjidhi me pleqtë tanë Ditë më parë.një sbofer i gjakovs, e kishte aksidentuar një të Budakovës.  Pranonin  që më fajtor dilte shofer gjakovari, Megjithatë, pasi kjo kishte ndodhur pa dashje,  pleqt tanë ndihmuan me u krye puna me mirëkuptim. Kështu  Demlushi përcillet me FALJE nga i budakovsi.

Edhe sot mbahet mend e flitet që Demlushi, nga safi i odës së madhe ku rrinte me pleq, kaloi në safin e të rinjve dhe këndonte bashkë me grupin si këngë trumash, ashtu edhe këngë gjakovare që grupi i kish mësue kryesisht  prej meje.

Pëmbyllje

Këta të tre faktorë veç ndihmës që merrja  nga procesi i brendshëm mësimor në shkollë, m’i dhanë bazat që ndjenjat dhe mendimet e ndjesitë e mia që në atë kohë dhe më vonë t‘i shpreh në përmbledhje librash nga fusha e krijimtarisë letrare dhe nga ajo studimore  gjuhësore e historike.

Ndihmat e tilla assesi nuk bën me u harrue.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora