Mendime
Florim Zeqa: 14 vjet shtet, 4 vjet abort politik!
E marte, 08.02.2022, 07:09 PM
14 vjet shtet, 4 vjet abort politik!
Shkruan:
Florim Zeqa
Republika
e Kosovës ditëlindjen e 14-të është duke e pritur me qeverisjen më
kredibilitetin më të lartë qytetarë si asnjëherë më parë, por edhe me 1001
probleme të brendshme dhe të jashtme; me krizë sociale, fusnotë dhe me dialog
të hapur me Serbinë i cili e ka dëmtuar të ardhmen e shtetit në arenën
ndërkombëtare.
14 vjet shtet, 14 vjet
izolim i qytetarëve kosovarë
Sikurse
në të kaluarën, edhe tani liderët e shtetit me fusnotë në bisedimet e Brukselit
dhe në mbledhjete e KS të OKB-së nuk prezantohen si përfaqësues të shtetit të
pavarur, por si përfaqësues të subjektivitetit 1244 të Këshillit të Sigurimit
të OKB-së, ndërsa të njëjtit liderë para opinionit të brendshëm kosovar me
entuziazëm paraqiten si liderë të shtetit të pavarur!
Si
rezultat i personalitetit të dyfishtë të liderëve shtetërorë, që 14 vjet Kosova
vendnumëron dhe rrotullohet rreth boshtit të pavarësisë së 17 shkurtit 2008,
duke i kaluar 14 vjet izolim me njohje ndërkombëtare, pa mirëqenje qytetare dhe
pa asnjë perspektivë zhvillimore.
Përderisa
Gjykata Speciale mbi kokën e liderëve të korruptuar dhe tej inkriminuar
shtetërorë e partiakë, shtetit të Kosovës i kushtoi me humbjen e mbi 8200
hektarëve tokë, me tendencën e humbjes enorme në veri të vendit, krejtësisht
shkaku i një lidershipi të shantazhuar, të cilëve sa më shumë që u shtohej
presioni nga Gjykata Speciale, aq më tepër e rrisnin gatishmërinë për
kompromise (falje të territoreve) të reja ndaj Serbisë.
Albin Kurti mes pranimit
të realitetit dhe deçertifikimit të vendimeve politike
Për
dallim nga Vjosa Osmani, Albin Kurti tashmë ka filluar të përballet me
realitetin e krijuar pas 17 shkurtit 2008, respektivisht të ballafaqimit me
përgjegjësitë politike që ka marrë Kosova nga marrëveshjet e nënshkruara
ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave serbe në Veri të
vendit dhe me pasojat e Demarkacionit me Malin e Zi.
Kështu
pra, Albin Kurtit i kanë mbetur vetëm dy rrugë; njohja e realitetit të krijuar
dhe implementimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ose delegjimitimi i tyre në
mënyrë të njëanshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës!
Ikja
nga realiteti i krijuar, për të mos thënë i pamundur, do të ishte me pasoja të
rënda për shtetin e Kosovës. Gjendja para një situate të tillë, apo thënë
ndryshe, të jesh ose të mos jesh, jam i bindur se Albin Kurti me dëshirë do ta
zgjidhte këtë të fundit, por edhe këtë e ka të pamundur shkaku i pamundësisë së
arritjes së kuorumit të nevojshëm në Kuvend për deçertifikimin e vendimeve të
legjislaturave paraprake për Demarkacionin me Malin e Zi, për Asociacionin dhe
Gjykatën Speciale, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit,
marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në Bruksel për normalizimin e
marrëdhënjeve shqiptaro-serbe me koston e Asociasionit për shqiptarër e
shumëçka tjetër.
Klasa
politike e ardhur në pushtet pas 14 shkurtit 2021 apo politikanët me
personalitete të dyfishta kanë filluar ta humbimn besimin tek qytetarët, por
edhe tek bashkësia ndërkombëtare.
Lidershipi
aktual i shtetit, respektivisht presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin
Kurti edhe pse paraqiten të bashkuar para opinionit të brendshëm kosovarë, me
dualizmin e qëndrimeve të tyre të ndara para bashkësisë ndërkombëtare i kanë
vënë në lajthitje SHBA-të dhe miqtë tjerë evropian, çliruesit faktik të vendit
tonë dhe sponsorizuesit e pavarësisë së Republikës së Kosovës!
4 vjet “Vdekja klinike”
e politikës së jashtme
Mosarritja
e asnjë njohje të vetme nga ‘Qeveria Kurti’, përjashto njohjen nga Izraeli në
Washington më 4 shtator 2020, mosarritja e asnjë njohje nga tri qeveritë
paraprake përgjatë katër viteve të fundit flet shumë për katandisjen e
politikës së jashtme të Kosovës.
Siq
dihet, njohja e fundit e Kosovës para se të ndodhë njohja nga Izraeli, ndodhi
pikërisht në shkurt të vitit 2018 nga shteti i Barbados. Kështu pra, në këtë
përvjetor të 14-të të shtetit të Kosovës duhet ta kujtojmë edhe “vdekjen
klinike” të politikës së jashtme.
Nga
ajo kohë e deri më sot asnjë njohje si produkt i politikës së jashtme,
gjegjësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme, madje asnjë sinjal pozitiv për
njohje të reja!
Kjo
situatë e “vdekjes klinike” të politikës së jashtme është produkt i ndërrimit
të shpeshtë të qeverive, e cila ka ndikuar negativisht me ndërrimin e shpeshtë
edhe të stafit diplomatik në vendet kyqe dhe me ndikim sa i përket nxitjes dhe
motivimit të vendeve të tjera për njohje të Republikës së Kosovës!
Nga
katër vitet e “vdekjes klinike” apo të abortit politik, një ishte moratorium
për mosaplikim të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, e cila
deri diku e bën të justifikueshëm dështimin e politikës kosovare. Ndërsa tre
vitet tjera mund të konsiderohen si dështim total i politikës së jashtme të
Kosovës në arenën ndërkombëtare, pa asnjë sukses evident në politikën e
jashtme.
Ministria
e Punëve të Jashtme cila më shumë ngjet një “byroje politike” sesa një
diplomacie të mirëfillt të një shteti të!
Emërimi
i anonimëve politik në krye të përfaqësive tona diplomatike, ka bërë që
Ambasadat e Kosovës të jenë jofunksionale dhe të papërfillshme nga vendet
respektive ku përfaqësohemi si shtet i pavarur dhe sovran!
Kjo
ka ndikuar në trajtimin jo dinjitoz të mërgimtarëve kosovarë nga disa shtete
evropiane, anipse me pasaportë dhe shtetësi kosovare, mërgimtarëve tonë në
lejet e qëndrimit u vihet kodi fiskal “118” i ish Jugosllavisë në vend të kodit
“160” të Kosovës. Për fat të keq një dukuri e tillë është duke ndodhur në
vazhdimësi prej disa vitesh dhe asnjë reagim nga shteti i Kosovës, anipse për
këtë problem dy herë me letra publike ju kam drejtuar ministrave paraprak të
Diasporës dhe kësaj aktuales në cilësinë e ministres së punëve të jashtme, por
gjithnjë kam mbetur pa përgjigje. Unë nuk kam mbetur keq pse nuk kam marrë
përgjigje prej tyre, por ndjehem keq si shtetas i Kosovës kur i shohë
dokumentat e bashkombasve të mi më kodin fiskal të ish Jugosllavisë së vdekur
prej afro tri dekadash.
Kosova
edhe pse 14 vjet shtet i pavarur dhe 23 vjet në liri, ende ka mbetur oazë e
krimit të organizuar, në duart e nëntokës dhe mafio-oligarkëve, pa ekonomi të
tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, pa arsim
të mirëfilltë dhe me gjysmë analfabetë, pa shëndetësi e me shumë të sëmurë, pa
e kontrolluar tërë territorin e vet, pa e njohur si shtet të gjithë qytetarët e
saj, pa ushtri të profilizuar (FSK e jo FARK), pa liberalizim të vizave, pa
Kartonin e Gjelbër në Evropë e pa shumëçka tjetër bazike për jetë normale të
qytetarëve dhe udhëtime pa brenga të mërgimtarëve.
Kosova
mbase është i vetmi vend në rajon dhe më gjerë ku nëntoka kriminale ende është
mbi ligjin dhe vendos për gjithçka natën e ditën dhe ku për shkak të
mossundimit të ligjit pandëshkueshmëria e kriminelëve është bërë normë, ndërkaq
pabarazia qytetare është bërë rregull e pashkruar në (pa)drejtësinë kosovare.