Mendime
Ramiz Selimi: 60 % e mërgimtarëve, as mish, as peshk!
E diele, 06.02.2022, 07:25 PM
60 % e mërgimtarëve, as mish, as peshk!
Nga
Ramiz Selimi
Sipas
studimit të zonjave Qershina dhe Zufall, pjesa më e madhe e mërgimtarëve janë
pjesërisht të integruar në shoqëritë ku jetojnë. Por, janë aktual dhe identik
me të gjitha zhvillimet shoqërore në vendlindje. Prindërit nga ky grup nuk kanë
asnjë dallim nga qytetarët që jetojnë në vendin e origjinës. Të integruarit
mirë në shtetet perëndimore kanë ngritje në të gjitha drejtimet. Ata si në
perceptim, si në emancipim, si në evoluim janë disa dekada para njerëzve në
vendlindje. Të pa integruarit kanë probleme serioze dhe nuk kanë zhvillime
pozitive, madje kanë një ngecje.
Grupi i tretë me 60% që
ishte më i madhi për nga numri, kishte karakteristika të veçanta. Përderisa
prindërit flisnin me superlativa për integrimin dhe pasurin e arritur, fëmijët
e tyre nga gjenerata e dytë që kishin kaluar moshën madhore e thoshin të
kundërtën. Madje ata e ndjenin në secilin hap një presion të panevojshëm nga
prindërit. Pra edhe ishin të integruara edhe nuk ishin.
Në pyetjen, sesa
shoqëroheshin me familje dhe moshatarët e tyre shqiptarë? Në përgjigje kishte
edhe një kontradiktë, prindërit tregonin se shoqëroheshin me dy ose
eventualisht tri familje shqiptare, kurse në anën tjetër kishin udhëzuar
fëmijët që të shmangnin gjithsesi shoqërimin me moshatarët e tyre shqiptarë,
duke paragjykuar se ato ishin të pa civilizuara dhe se vet kishin një nivel më
të lartë. Prandaj, si alternativ kishin favorizuar shoqërimin e fëmijëve të
tyre me nacionalitete tjera, por jo edhe me gjerman. Prindërit këmbëngulnin se
ishin mirë të integruar dhe se ndiheshin shumë të respektuar në kompaninë ku
punonin. Nga ky grup kishte edhe të atillë që ndiheshin të diskriminuar. Tregonin
se kur ishin vet ofruar në aktivitetet e vendasve i kishin injoruar.
Megjithatë këtu kishte më
tepër një lloji integrimi sportiv dhe kulturor, sesa një integrim i mirëfilltë
në të gjitha sferat e jetës. Më tepër se gjysma ishin pjesërisht të integruar,
pasi nuk merrnin pjesë aktive në organizimet e rëndësishme të vendasve, madje
as në të drejtën e votimit. Fëmijët stërviteshin në klube të ndryshme sportive
dhe muzikore. Ishin ata që nxirrnin prindërit pas shumë viteve në fushat
sportive dhe këtu pas vendit të punës lindte mundësia e dytë e kontakteve me
vendas. Thoshin se specialitetet nga vendlindja po i konsumonin gjithnjë e më
pak, pasi tani ishin fëmijët e tyre që gatuanin receta internacionale.
Shumica e fëmijëve nga ky
grup kishin përfunduar zanatet, disa prej tyre kishin diplomë maturanti, kurse të rrallë ishin fëmijët që
studionin. Kryefamiljarët e 31 familjeve nga grupi mburreshin me punën që bënin
fëmijët. Ndiheshin krenarë pasi i biri, ose e bija ishin emëruar “Shefa” në
kompanitë e ndryshme. Në fund para se të iknim me keqardhje disa prej fëmijëve
i demantuan prindërit e tyre.
Në njërën anë prindërit
ankoheshin se në vendlindje politika i kishte fajet për ngecje dhe mos
zhvillim, madje flisnin tepër keq, por në anën tjetër disave nga mërzia që
kishin për vendlindjen thoshin se zemra u pikonte gjak. Ishin të bindur në
sinqeritetin dhe korrektësinë e gjermanëve, prandaj gojën e kishin plotë
falënderime për shtetin dhe njerëzit ku jetonin. E lavdëronin vendin ku jetonin
si më të mirin në botë. I lavdëronin njerëzit që kurrë nuk gënjejnë. Ju
pëlqente sistemi social dhe shëndetësorë dhe se ky ishte shkaktari i
moskthimit. Nuk do të dëshironin ta shmangnin këtë sistem nga jeta e tyre
kurrë. Tek ky grup kishte mendime utopike duke menduar se të huajt shpejtë do
t’i marrin në dorë të gjitha shtetet perëndimore, sepse nataliteti i vendasve
po binte.
Edhe këtu fëmijëve nuk u
pëlqente, mënyra e jetesës në Kosovë, por as mentaliteti dhe sjellja e tyre.
Megjithatë thoshin se paku njëherë në vit do ta vizitojnë Kosovën. Mbi 20% e
këtij grupi udhëhiqeshin në mënyrë patriarkale. Kishte nga 3, 4, 5 edhe deri në
8 anëtarë të një familje me një gjiro llogari bankare. Ky grup kishte investuar
më tepër në vendlindje. Fëmijët shpeshherë pa lejen e prindërve vizitonin edhe
klubet e natës dhe shoqëroheshin jo me vendas, por kishin afera me
nacionalitete tjera. Sipas prindërve, për shkak të divergjencave në perceptim
këtu kanë ndodhur divorcet e shpeshta. 90% e prindërve të kontaktuar nga ky
grup kohën e lirë e kalojnë në rrjetet sociale në gjuhën shqipe, sidomos në
Facebook. Duke përcjellë TV-n dhe mediat online nga vendi i origjinës, ata
mendonin se ishin aktual me trendët dhe të gjitha zhvillimet në vendlindje.
Në shtëpi në prezencë të
prindërve flitej vetëm gjuha shqipe, por në dhomën tjetër dominonte gjuha
gjermane. Shumica e këtyre familjeve kishin dy standarde, në dhomën e pritjes
zhurmonte televizioni në gjuhën shqipe, kurse në dhomat e fjetjes ishte gjuha
gjermane ajo që fëmijët e nxirrnin nga dhëmbët. Në pyetjen se çfarë ndiheshin,
prindërit shpejtë kryqëzonin duart në shenjë shqiponje, madje këtë ua kërkonin
edhe fëmijëve. Do të kthehen patjetër sikur të përmirësohej situata ekonomike,
se ndryshe s’bën, thoshin prindërit. Fëmijët mendonin se edhe pse ndiheshin shqiptarë
të ktheheshin në vendlindje ndonjëherë nuk mund ta paramendonin.
Grupi 2 . Studimi thotë
se 23 % janë integruar mirë në vendet ku jetojnë.
Këta njerëz janë të
respektuar edhe nga vendasit, por edhe nga vendi i origjinës. Janë të integruar
mirë dhe të sinqertë. Anëtarë të këtij grupi kanë arrit të kapin studimet,
pastaj të kontribuojnë jo vetëm në aktivitete sportive, por edhe në ato
organizative. Madje këta njerëz kanë arrit të marrin edhe përgjegjësinë në
organizimin e jetës së vendasve. Pos angazhimit dhe marrjes së përgjegjësisë në
nivele t ë larta, fjala e tyre ka peshë edhe në jetën politike. Kanë ruajtur
kulturën e origjinës dhe janë tepër aktiv në vendin ku jetojnë. Është
interesant fakti se fëmijët nga ky grup dinë, jo vetëm të flasin shqip, por
edhe të vallëzojnë dhe të këndojnë. Ky grup ka një nivel perceptimi për jetën
dhe shtetin identik me vendet e zhvilluara. Në këtë drejtim janë disa dekada
para qytetarëve nga vendlindja. Shoqërohen me vendasit dhe me bashkëkombësit.
Pjesa më e madhe e tyre
vijon edhe mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Në rast se duhej ta përfaqësonte
njërin shtet fëmijët nuk dinë kë të zgjedhin pasi ndihen gjerman edhe
shqiptarë. Kthimi në vendin e origjinës as këtu nuk është opsion, por për
gjeneratën e dytë, as votimi.
Vendlindjen e vizitojnë
rregullisht. E flasin rrjedhshëm si gjuhen shqipe ashtu edhe atë gjermane.
Duhet theksuar se tek ky grup kemi intervistuar disa qytetare me origjinë nga
Shqipëria. Fëmijët e tyre janë potencial serioz për të udhëhequr një ditë edhe
vendet perëndimore. Disa prindër nga ky grup mendojnë seriozisht të investojnë
në vendlindje, sepse e ardhmja e fëmijëve të tyre mund të jetë edhe atje.
Grupi 4, 11% e mërgimtarëve janë të pa integruar!
Ky grup gjendej gjithë kohën
mes dilemës dhe frikës. Dilema e vetme ishte data kur ata do të ktheheshin në
vendlindje. Rrinin të izoluar, pasi dukeshin tepër të frikësuar se me integrim
të mirëfilltë fëmijët mund t’iu rrëshqasin nga duart. Kishin vështirësi të
mëdha ta akceptonin mënyrën e jetesës së vendasve, prandaj ata thoshin se e
vetmja dëshirë që kishin ishte fitimi i lekut. Besimi ishte tjetër pengesë në
integrim. Ndihen vetëm shqiptarë dhe do të kthehen patjetër në vendlindje.
Thoshin se gjermanët janë
popull i marrë dhe sikur mos ta kishin tekniken do të ishin të fundit. Nuk mund
ta paramendonin të hiqnin dorë nga tradita dhe zakonet që ishin mësuar. Ata, jo
që nuk marrin pjesë në asnjë aktivitet, por edhe fëmijëve ua ndalojnë
aktivitetet. Konsumojnë ushqim tradicional shqiptarë. Buka e bardhë, Speci,
fasulja, suxhuku,.. janë artikujt kryesorë. Konservimin e specave e bëjnë në
gjermani në mënyrë identike sikur në Kosovë. Thajnë mishra dhe suxhuk në
banesat e tyre. E përqeshnin bukën e zezë, mbase njëri tregonte sesi njëherë
qeni i tij e kishte nuhatur bukën dhe ishte larguar. Mendonin se produktet që
nuk i ha qeni s’duhet ti konsumojë as njeriu. Përvoja ka treguar se fëmijët e
këtij grupi asimilohen më shpejtë...
Vijon,.. Cilat janë shenjat e para të asimilimit?