Mendime
Enver Bytyçi: Standardet e dyfishta të ish-ambasadorit Donald Lu!
E shtune, 05.02.2022, 08:46 PM
Standardet e dyfishta të ish-ambasadorit Donald Lu!
Nga
Enver Bytyçi
Kur
Sajmir Tahiri u mor nën hetim, pra para katër vitesh, ambasadori amerikan,
Donald Lu, e mori në mbrojtje të hapur atë. Tha se "Hetimi i Sajmir
Tahirit nuk mund të bëhet si në kohën e komunizmit"! D.m.th akuzoi
opozitën dhe sidomos deputetin e Kuvendit, Sali Berishën, se po bënin akuza si
ato të periudhës së komunizmit kundër ish-ministrit të Brendshëm. Sipas Lu-së,
vepra penale në demokraci duhet provuar, për të duhen fakte, prova, jo fjalë.
Dhe sigurisht që kështu duhet të jetë! Por akuza që u provua dje ndaj
ish-ministrit të preferuar të Lu-së, Edit dhe Obamës provoi të kundërtën e
avokatisë së ish-ambasadorit amerikan.
Edhe
pse Berisha denonconte avionët e drogës dhe këta avionë të mbushur me hashash
kapeshin në kanale, nga ku nuk mund të ngriheshin! Edhe pse ministër i
kanabizimit dhe i trafikut ishte Sajmir Tahiri! Edhe pse Shqipëria u bë
"parajasa" e trafikimit të kanabisit dhe drogërave të tjera! Edhe pse
ky ministër shetiste me jaht së bashku me trafikantët e drogës, kushërinj të
tij, Habilajt!
Edhe
pse ai ua kishte dhuruar makinën, të regjistruar në emrin e vetë ministrit,
qëllimisht që të lehtësohej trafiku u Habilajve dhe policia të paralizohej!
Edhe pse policia e Vlorës bashkëpunoi me bandën e Habilajve për shkak të kësaj
makine! Donald Lu, pavarësisht të gjithave, thoshte së kundër Sajmir Tahirit po
bëhej "gjueti shtrigash" si në kohën e komunizmit!
Ndërkaq,
me angazhimin e plotë të Donald Lusë dhe të ekipit të tij vendas, emrat e të
cilëve tashmë njihen, Departamenti i Shtetit shpalli ish-presidentin dhe
ish-kryeministrin e Shqipërisë si person të "implikuar në korrupsion
domethënës", pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa u bazuar në dokumente, në
llogari bankare, në denoncime ligjore ose në hetime paraprake. Heqja e mandatit
dhe procesi hetimor ndaj Sajmir Tahirit për ambasadorin amerikan ishte
"gjueti shtrigash", edhe pse akuza ndaj tij u provua ditën e djeshme.
Ndërsa
korrupsioni hipotetik i Sali Berishës i paprovuar asnjëherë për Departamentin e
Shtetit, për ambasadorin Lu, për ambasadoren Kim, për Edi Ramën, Lulzim Bashën
dhe Erion Velinë, e madje edhe për të tjerë që "po lënë lesht për ta
denigruar Sali Berishën", na qenka e drejtë ekskluzive, thjesht se vendimi
është i Antony Blinken!
Por
shqiptarët janë në gjendje të dallojnë faktin se jo hetimi i veprimtarisë
kriminale të Sajmir Tahirit, por akuzat ndaj Sali Berishës i ngjajnë vendimeve
dhe ekzekutimeve politike të diktaturës komuniste në Shqipëri e në Europën
Lindore! Prandaj shumica e shqiptarëve nuk e beson vendimin e sekretarit të Shtetit
për shpalljen e zotit Berisha non grata e sidomos motivacionin e këtij vendimi
"për korrupsionin domethënës" të tij!