Mendime
Idriz Zeqiraj: Aleancat e LDK me PAN, kushtëzuan anashkalimin e Rugovës!
E diele, 06.02.2022, 06:06 PM
ALEANCAT E LDK ME PAN, KUSHTËZUAN ANASHKALIMIN E RUGOVËS!
NGA IDRIZ
ZEQIRAJ
Shuarja fizike e
Presidentit Rugova, ishte një humbje e madhe për Kosovën si dhe dhimbje e
skajshme, për shumësinë e shqiptarëve të përbotshëm. Kjo përcjellje lotuese
mortore, premtonte një përkujtesë të përjetshme, qoftë të figurës së Tij, qoftë
të porosive, të vizionit, të parimeve të hekurta të Dr. Rugovës, të
shprehur në thënien lapidare: "Kokën mund të ma ndërroni, por mendimin
kurrë!"
Vërtet, Presidenti
Rugova u kujtua dhe vazhdon të kujtohet, me pietet e adhurim, nga idealistët,
të cilët e besuan në gjallje Rugovën dhe vazhdojnë t`i besojnë vizionit
rugovian, pas amshimit. Por, kjo nuk ndodhi me drejtuesit pasardhës të LDK-së.
Përkudrazi, krijesen e Tij hyjnore, LDK-në e famshme, partinë fillestare
pluraliste, në hapësirën ballkanike, për shkaqe karrieriste, e përdhosen, deri
në përbaltje. Një rol të veçantë, për anashkalim, deri në harrim të Presidentit
Rugova, ka lozur edhe SHIK-u, që, tashme, ishte dhe vazhdon të jetë i pranishëm,
jo vetëm në të gjitha institucinet shtetërore, por, edhe në vet partinë e
Presidentit, LDK-në!
Ndryshimi i
Statutit të LDK, ikje nga rugovizmi
"Do ta
krijojmë një - Lidhje të re -", ishte paralajmërimi i kryetarit Isa
Mustafa, sapo u vu në krye të LDK-së. Dhe, vërtet, ashtu ndodhi! Gjithnjë e më
pak lakohej emri i Presidentit Rugova, kur bëhej fjalë për ruajtjen e
trashëgimisë dhe të vizionit rugovian. U fillua me rrënimin e demokracisë
brenda-partiake në qendër, për t`u bartur në bazën partiake. Shuarja e
aktivave, si celula të lidhjes dhe bashkëpunimit me bazën partake, ishte hapi i
parë, i largimit nga trashgimia partiake e kryetarit Rugova.
Ndryshimi i
statutit të LDK-së, ishte sinjali i qartë, se po zyrtarizohej distancimi nga
trashëgimia dhe fryma rugoviane. I gjithë statuti favorizonte kreun e LDK-së,
duke i dhënë kompetenca tej mbretërore në drejtimin e partisë. Kjo i dha
mundësi edhe të krijimit të një rrethi vicioz, më sakt, të klanit të tij. Në
marrjen e vendimeve anashkalonte, jo vetëm anëtarësinë, por edhe vetë
strukturat vendim-marrëse brenda partisë, siç janë Këshilli i Përgjithshëm dhe
Kryesia. Kjo i dha mundësi kryetarit dhe klanit të tij, të riciklohen në
pozitat e tyre, me aklamacion, përkatësisht, me votim fiktiv, "alla
komunist", hiç demokratik!
Sistemi
zgjedhor, brenda partiak, u deformua, deri në degradim dhe degjënerim të plotë.
Votimit të fshehtë demokratik, i zuri vendin akamacioni, votim i hapur, me
ngritje dore. Dhe, ku? Në Kosovën tonë, pa fije kulture dhe edukate
demokratike, me nj?ë hipokrizi e
gënjeshtra klasike, siç ndodhë te popujt e lindur dhe të rritur në robëri.
Ilustrojmë: Në
një Kuvend zgjedhor, për kryetar Dege të LDK-së, u votua me aklamacion
unanimisht, njëzëri. Por, kryetari me integritet dhe dinjitoz, kërkoi
përsëritjen e votimit, tashmë, me votë të fshehtë demokratike. Dhe, ashtu u bë.
Rezultati sheshoi hipokrizinë e të njëjtit Kuvend zgjedhor. Pra, kryetarin e
rrëzoi vota e fshehtë.
Shansi i humbur
edhe i kundërshtarëve të Rugovës
Të bëmat e
Presidentit Rugova, tashmë, janë lëndore, të dukshme. Rrugëtimi i Tij i
natyrshëm, me synime të qarta, për t`i sherbyer Atdheut; intelektualiteti i
veçantë, parimësia proverbiale, e solli Atë në kohën e duhur, në drejtimin e
Kosovës. Presidenti Rugova e bëri paqen dhe luftën. Ai realizoi shumë projekte.
Maturia, aftësia unike e Tij, për të përfituar shumë miq, sepse siç thoshte Ai
se "shtëpia pa miq nuk mbahet". Dhe, kjo është arritja më e madhe,
për çka nuk duhet harruar kurrë.
Presidenti
Rugova kishte projekte numerike dhe fisnike, për Kosovën tonë. Shteti ligjor,
pa krime e hajni, me resurse të bollshme vendore, për t`u zhvilluar e begatuar,
duke siguruar mirëqenien e nevojshme, për qytetarët e Kosovës. Këto projekte
ishin të arta, por, ndarja nga jeta nuk mundësoi realizimin e tyre.
Përkundrazi, opozitarët e atëhershëm PAN-istë, mediokër, në vend që të mësonin
nga trashëgimia e Dr. Rugovës, bënë të kundërtën. Me qëllim denigrimi, shpifën,
madje, duke botuar edhe libra, me paratë e shtetit, duke mashtruar, kinse, për
lobime për njohjet e Kosovës!?
Kundërshtarët e
Dr. Rugovës, në vend që të përfitonin nga trashëgimia e Tij e shkëlqyer, ata,
në gjallje provuan, të paktën, dy herë vrasjen e Tij, sepse, gjithsesi, e donin
të vdekur. Për çudi, njëri nga atentatorët, pranon vënien dhe shpëthimin e
tritolit, me telekomandë, buzë rrugës, kur kalonte vetura e blinduar e
Presidentit Rugova, më ç`rast u dëmtua. Krimineli rrëfen porosinë e marrë nga
anëtarë të SHP të UÇK-së, madje, me emër dhe mbiemër. Megjithatë, kriminelët
janë të lirë dhe të veshur me pushtet!
"Komandantët"
profanë, inferiorë ndaj Rugovës
Disa
"komandantë" të babëzitur e mujëshorë, për t`u pasuruar ngutshëm e
hajnisht, nëpërkëmbën, deri në përtokjen e Kosovës, shtetin më të ri, por, edhe
më të brishtë të Evropës. Ata nuk lënë "gurë pa lëvizur", për
ta lënë në harresë, veprën madhore të Presidentit Rugova. Sikur nuk u mjaftuan,
me kërcënime e shantazhe, për vrasje e kidnapim të fëmijëve të Presidentit, të
cilët kaluan një fëmijëri të izoluar dhe të trishtë, unike për epokën
dixhitale.
Edhe tani, kur u
maturuan, zyrtarët e lartë, shtetërorë e pushtetarë, rrugaçërisht e
poshtërsisht, vazhduan me shantazhe, nga më të ndyrat, kundër Familjes
Institucion Rugova. Qëllimi mafioz, duke i diskredituar fëmijtë e Tij, ta
godasin, figurën e shenjtë të vet Rugovës, edhe pas amshimit! Megjiithatë,
dështuan turpshëm. Shqiptarët kurrë nuk u lëkundën, në besimin e madh, për
themeluesin faktik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vet Shtetit të
Kosovës. Për shqiptarët e përbotshëm, në mendjet dhe zemrat e tyre, figura e
Presidentit Rugova, ishte dhe mbeti hyjnore. Ndërkohë, për kundërshtarët e Tij,
koha, historia rezervoi fundin e palavdishëm, ashtu siç pritej nga shqiptarët
dhe opinionin e gjerë botëror.
Udhëheqja e re e
LDK-së, i ka premtuar elektoratit dhe popullit, se do t`i rikthehen frymës
rugoviane, trashëgimisë udhë-rrëfyese, për t`i realizuar projektet e
papërfunduara madhore të kryetarit Rugova. Në mes vlerësimeve numerike, shquhet
ai i Prof. Dr. Sali Berishës se "Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,
nuk ka ndërmjetës në histori dhe Shqiptari, pas Gjergjit tonë legjendar"!