Mendime
Enver Bytyçi: Idiotët e dobishëm të Serbisë rikthehen te ideja e ndarjes së Kosovës!
E hene, 07.02.2022, 07:37 PM
Idiotët e dobishëm të Serbisë rikthehen te ideja e ndarjes së Kosovës!
Nga
Enver Bytyçi
Nënkryetari
i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, është bërë personazh i një gazete
austriake për shkak të rihedhjes së idesë për shkëmbimin e territoreve midis
Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe ndonjë tjetër që këto kohët e fundit ka dalë me
këtë propozim. Ndërsa ideatorët e origjinës së kësaj ideje, Thaçi, Edi Rama,
Baton Haxhiu e të tjerë heshtin. Nuk duan t’i bashkëngjiten këtij propozimi,
derisa të kuptojnë se nga do të anojë balanca e diskutimit dhe e vendimmarrjes
përfundimtare!
Ramë
Buja e ka justifikuar shkëmbimin e territoreve, pra ndarjen e Kosovës, me
mendimin e tij se „më mirë është ndarja e Kosovës, sesa krijimi i asociacionit
të komunave serbe në Kosovë”! Ndërsa politikanët e Kosovës flasin për
marrëveshjen me Serbinë përmes gërshërës ose krijimit të një Republika Srpska,
në Beograd askush nuk ka pohuar se do të donte njohjen e shtetit më të ri në
Evropë. Ndërsa politikanët shqiptarë janë kaq shumë të shqetësuar për fatin dhe
favoret e Serbisë në Kosovë, asnjëri prej tyre nuk ka merakun më të vogël, nëse
Serbia do ta firmosë njohjen ose jo!
Është
shumë interesante dhe bota po habitet me ne shqiptarët: - Si është e mundur që
luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Ramë Buja, të jenë të gatshëm
t’i japin armikut, me të cilin luftuan, pjesë të territorit të vendit të
tyre?!!! A janë këta, pikërisht ky Buja dhe miqtë e tij, që në prillin e vitit
1999 e shpallën Ibrahim Rugovën “tradhtar”, pse presidenti historik u mor peng
nga Milosheviçi?!! Është e natyrshme që në rrethana të tilla të kërkohet burimi
i këtij qëndrimi! Dhe në një analizë të thjeshtë, duhet kuptuar se edhe Ramë
Buja do të jetë marrë peng. Ndoshta dikush ia tund prangat e Gjykatës Speciale
të Hagës dhe për këtë shkak është detyruar të elaborojë idetë e Beogradit për
Kosovën! Nuk ka dhe nuk mund të ketë arsye tjetër!
Le
ta arsyetojmë këtë indicia për pengmarrje! Ta zëmë se mendimi i Ramë Bujës,
sipas të cilit “është më mirë ndarja e Kosovës sesa asociacioni serb”, është me
vend dhe i bazuar në logjikën e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit midis
Kosovës dhe Serbisë! Por nënkryetari i një partie, që mbart pas saj imazhin e
përkrahjes së tradhtisë kombëtare të themeluesit dhe ish-liderit të saj, nuk
mund të fliste kaq lirshëm dhe kaq herët për një opsion të tillë. Nëse e keqja më
e vogël do ishte ndarja, diskutimi për këtë do të vinte në finishin e
bisedimeve. Sepse vetëm në finish do të dukej se çfarë përfaqëson asociacioni,
si do të jetë ai, cilat do jenë kompetencat e tij, cili do të jetë raporti i
tij me shtetin dhe institucionet e vendit etj.
Nëse
ajo që duket nga fizionomia e asociacionit duket e dëmshme për Kosovën, atëherë
ndoshta dikush mund të hidhte një alternativë zgjidhjeje të konfliktit. Më tej
duhej pritur për të parë se cili është qëndrimi i qeverisë, i presidentes Osmani
dhe kryeministrit Kurti. Nëse këta do ta pranonin një asociacion me kompetenca
ekzekutive ose jo! Nëse këta do të ofronin një zgjidhje alternative, e cila
përjashton asociacionin! Duhej pritur edhe të diheshin reagimet e Serbisë, të
qeverisë dhe presidentit të saj. Nëse ata janë ose jo të gatshëm ta ndryshojnë
kushtetutën dhe ta njohin shtetin e Kosovës!
Megjithatë
Ramë Buja nuk priti aspak të shohë se çfarë ka në projekt, se cili do jetë
opsioni i zgjidhjes. Ai thjesht hodhi një gur në bunar dhe qindra burra të
tjerë nuk po mundin ta nxjerrin atë gur nga bunari. Bëri pikërisht atë gjë që
do të donte Serbia e Aleksandër Vuçiq. Pse ndodhi kjo? Kush ishte kumbarë i
këtij propozimi për të ringjallur idenë e Vuçiq, Ramës dhe Thaçit për ndarjen e
Kosovës?! Gjithkush e di se politikanët e rangut të tillë nuk flasin
rastësisht, nuk cicërojnë gjithashtu në favor të armikut të kombit të vet pa
xhixha, pa favore personale! Ose këta politikanë imponohen në qëndrimet e tyre,
sepse kanë hyrë në politikë përmes rrugëve kriminale!
Rasti
i Ramë Bujës ka tërheq vëmendjen e medies në Perëndim. Kjo do të thotë se ai
qoftë dhe vetëm për këtë shkak ka bërë efektin e vet anti-Kosovë. Të hysh si
pykë në momentin më të vështirë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe të
propagandosh idenë serbe të zgjidhjes, është kjo një nga aktet më të
trishtueshme të Kosovës. Dhe për të evituar këto zhvillime aspak të këndshme
mazhoranca duhet të iniciojë një rezolutë dhe ligj, me të cilin t’ua ndalojë
politikanëve diskursin për shkëmbime territoresh dhe ndarjen e Kosovës. Jo
thjesht se ndryshimi i kufijve në Kosovë shkakton tragjedi të reja. Por edhe
për shkak se territori është i shenjtë dhe mbrohet me kushtetutë.
Nga
ana tjetër, idiotët e dobishëm të Serbisë në Kosovë duhet të kuptojnë se edhe nëse
krijohet asociacioni i komunave serbe i shoqëruar me njohjen e Kosovës nga ana
e Serbisë, kjo do të thoshte se territori i Kosovës do të garantohej nga
pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Serbia me njohjen nuk do ta kishte kurrë
të drejtën e saj të rivendikonte territorin e vendit fqinj. Ndërkaq asociacioni
do t’i nënshtrohej marrëdhënieve korrekte me institucionet e Kosovës!
Prandaj
Rama dhe Ramët e tjerë nuk mund ta përdorin asociacionin si gogol, për të
rivendikuar ndarjen e territorit të vendit. Kosova nuk mund të rikthehet te
Hashim Thaçi me Hashimin në Hagë!