Mendime
Anton Marku: Krejt dhe drejtë – mision i (pa)mundshëm!
E diele, 02.01.2022, 08:15 PM
Krejt dhe drejtë – mision i (pa)mundshëm!
Nga
Anton Marku
Kosova po hyn në vitin e ri me një mori sfidash. Pjesa më e madhe prej tyre
e trashëguar nga politika kryesisht shkurtpamëse, kaotike dhe e papërgjegjshme
e cila udhëhoqi me vendin në dy dekadat e kaluara. Qeveria aktuale, e cila
erdhi para nëntë muajve në pushtet duke i fituar zgjedhjet nën moton ‘‘Krejt
dhe drejt!’’ do të vazhdojë t’i ketë duart plotë edhe në të ardhmen. Por sa do
të mund të ia dalë ajo që të sigurojë drejtësi për të gjithë është një pyetje
retorike e cila do vazhdojë t’i qëndrojë e varur si hije pas qafe gjatë tërë
mandatit të saj.
Plus
Për shumëkënd
dukej e pabesueshme se do të mund të vinte dita që resorët ministrorë të udhëhiqen
nga njerëz të rinj, të shkolluar dhe të përgatitur profesionalisht, të cilët
nuk do te ishin aty për të vjedhur, grabitur e plaçkitur të mirat e përbashkëta
por për të ofruar guximin, integritetin dhe kapacitetin e tyre intelektual dhe
moral në shërbim të secilit qytetar. Kjo u bë pothuajse realitet në fillim të
vitit që lamë pas dhe bilanci është mbase jo dhe aq impresionues por gjithsesi
pozitiv, duke marrë parasysh këtu edhe faktin e bojkotimit deri në sabotim të
një pjese të zyrtarëve nga stafi civil dhe liderëve sindikalistë, të cilët
duket se janë të vetmit në planet, mbase edhe jashtë tij, që nuk i gëzohen
ardhjes në pushtet të një qeverie me orientime sociale.
Për sa i përket
imazhit ndërkombëtar, atë që nuk arriti ta bëjë politika apo diplomacia e bënë
muzika, kinematografia dhe sporti, duke përfaqësuar kështu denjësisht flamurin
kaltër-verdhë në skenat dhe palestrat më të njohura në nivelin botëror. Aty
emri i Kosovës ka peshë më shumë se asnjëherë më parë. I njëjti fenomen po
ndodhë edhe me pushtetarët e rinj në relacion me simbolet shtetërore: Ata po
identifikohen çdo ditë e më shumë me to.
Njeriut mund t’i
duken herë pas here të çuditshme metodat e zbatimi të programit partiak, por në
anën tjetër kësaj qeverie, me gjithë angazhimin e vazhdueshme në uljen e
efekteve të pandemisë dhe ballafaqimit me deficitet në sektorin e energjisë, së
paku e parë nga jashtë, po i vjen era më ndryshe. Dikush do të thoshte më mirë.
Minus
Në stagnimet apo
prapa-ecjet e shënuara që nga ndërrimi i fundit i pushteteve në Kosovë, mund të
përmenden veçanërisht ngadalësimi i qëllimshëm i ritmit të dialogut me Serbinë,
rritje e paqartësive në relacion me marrëdhëniet me Brukselin dhe hapjen e
temave të reja atje ende pa u mbyllur të vjetrat.
Në anën tjetër
krye-argumenti i analistëve anti - ‘‘Open Balkan’’ se Kosova duhet të qëndroj
larg këtij mekanizmi integrativ bazohet kryesisht në faktin se në të bën pjesë
edhe Serbia, e cila, si shteti më i madh rajonal, do të dominonte mbi këtë
strukturë të re. Ky hezitim është e gabuar me vetë të dhënën se në të është
edhe Shqipëria nga e cila pritet që, logjikisht dhe në mënyrë natyrale, të jetë
gjithmonë në anën e kosovarëve dhe jo kundër tyre, kushdo që të jetë
kryeministër i saj. Aty ku është Shqipëria do të duhej të ishte edhe Kosova.
Për më tepër ato, si dy republika shqiptare, kanë përgjegjësi kombëtare,
politike, ekonomike e kulturore edhe për bashkëkombësit jashtë kufijve të tyre
administrativë, e posaçërisht atyre në Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e
Preshevës që tashmë janë futur aty. Kjo frikë është më shumë e hedhur se sa e
mbjellur.
Kjo mënyrë e re e
komunikimit dhe bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit nuk do të thotë se po
tentohet që të krijohet një (kon)federatë ballkanike, edhe pse, për mendimin
tim, si opcion që do t’i bënte bashkë gjashtë milionë shqiptarë nuk duhet
hedhur tërësisht nga tavolina. Ajo edhe mund të aktualizohet në një të afërme
jo dhe aq të largët kur dyert e BE të jenë mbyllur për hyrje të reja.
Ashtu siç ishin
dikur demarkacioni, taksa 100%, këmbëngulësia deri në kryeneçësi në parimin e
reciprocitetit dhe mohimi, me pak takt diplomatik, i ‘‘çnjohjes së njohjeve’’,
autogola të cilët më shumë sollën dëm se sa dobi, duket se edhe ‘‘Open Balkan’’
tashmë i ka plotësuar të gjitha parakushtet që të shndërrohet në diçka të
tillë, pasi duket që Kosova, e cila vazhdon të ndjekë ëndrrën e integrimeve
evropiane, është më shumë e interesuar që me fqinjët e saj të mbyllet se sa të
hapet.
Mes plusit e minusit
Duket sheshazi se
çështja e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do
të jetë fushëbeteja në të cilën edhe për vite të tëra do të thyhen shpatat mes
Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë po kontribuojnë intensivisht dhe në mënyrë
aktive që të dy palët. Sidoqoftë, duket se e tëra mund të prolongohet por në
fund të fundit një kompromis do të jetë i pashmangshëm. Se si do të arrihet ai
varet edhe nga kreativiteti, sidomos i ekipeve negociatore, dhe akterëve të
tjerë përreth dhe pas tyre.
Po ashtu shkëmbimi
i territoreve apo bashkimi i Kosovës me Shqipërinë janë spostuar për kohëra
tjera edhe pse jo shumë njerëz janë të sigurtë se Albini, ashtu si dhe Thaçi, e
do më shumë Zubin Potokun apo Leposaviqin se sa Preshevën apo Sarandën. E ai
vazhdon të mundohet të na bindë se Prishtina ua do të mirën serbëve të Kosovës
më shumë se sa këtë e bën Beogradi. Zgjedhjet në të gjitha nivelet e demantojnë
këtë fiksion të tij.
Edhe gjykata
speciale bën pjesë në diskurset të cilat qeveria aktuale i trajtoi në mënyrë
neutrale dhe me jo ndonjë prioritet të theksuar. Mbase është më mirë kështu,
kjo dhe për hir të së vërtetës e cila duhet të jetë mbi të gjitha. E ajo duhet
të dalë në shesh, qoftë e pastër apo e fajshme.
Utopia idealiste
Deshëm apo nuk
deshëm koha po tregon se Kosovës i mungojnë hapat a një burrështetasi të madh
siç ishte Dr. Ibrahim Rugova. Ecja e të parit të Lëvizjes Vetëvendosje është
ndryshe. Ai më shumë se sa pas arsyes shkon pas zemrës. Duke e bërë këtë për
dakada të tëra ia doli të hyjë në kraharorët e aq shumë kosovarëve të cilët
këtë ndjenjë e përkthyen në vota, duke e bërë atë, së paku deri më tani,
personalitetin më të votuar në Kosovën moderne.
Të pretendosh se
një ditë do të arrish të sigurosh drejtësi për të gjithë është idealizëm i
llojit të vet dhe utopi. Megjithatë ia vlen të jetohet për të. Ashtu siç këtë e
bën Albini. Dhe atë çdo ditë nga pak.
E ardhmja do të
tregojë se sa do të lënë gjurmë pas hapat e tij.
Vjenë, 1 janar 2022