Mendime
Enver Bytyçi: Kosova nuk është çiflig i Behgjet Pacollit dhe i askujt tjetër!
E enjte, 30.12.2021, 08:04 PM
Kosova nuk është çiflig i Behgjet Pacollit dhe i askujt tjetër!
Nga
Enver Bytyçi
“Unë
kam organizuar ardhjen e një delegacioni, i cili është drejtuar tek unë dhe ka
pasur mesazh drejtpërdrejt të atij shteti për mua. Unë kam organizuar ardhjen e
tyre. Për këtë kam informuar zotëri Kurti dhe ai nuk është përgjigjur".
Kjo është deklarata e ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës së Hashim Thaçit,
Behgjet Pacolli. Ai është i hidhëruar që presidentja, kryeministri dhe
ministrja Gërvalla nuk i janë përgjigjur një letre të tij për pritjen e një
delegacioni të një shtetit X, i cili dashka ta njohë Kosovën, por përmes zotit
Pacolli e jo përmes diplomacisë kosovare.
E
nga ana tjetër ai shkruan se “Unë nuk përzihem në punët e zonjës Gërvalla. Nuk
kam asnjë kontakt me të”. Që do të thotë se për këtë hap diplomatik privat as
që ka marrë mundimin të bëjë dy hapa për ta takuar dhe për ta konsultuar me
ministren e Punëve të Jashtme. Se "nuk përzihet në punët e zonjës
Gërvalla"! Ndërkaq përzihet në punët e shtetit sipas mënyrës së vet, aq sa
krijon përshtypjen se Kosovën e trajton si çiflig të vetin. Madje deri në atë
pikë sa i duket vetja si një ministri paralele e Punëve të Jashtme.
Për
në fund Behgjet Pacolli thotë se "për të ulur gjakrat me Serbinë" e
respektoi marrëveshjen e Uashingtonit për moratoriumin. Edhe ky rast nuk duhet
lënë pa vëmendje. Pacolli shkeli kushtetutën për "t'i ulur gjakrat e mos e
nxeh Serbinë"! Thaçi deshi ta copëtojë Kosovën për ta qetësuar Serbinë.
Rama po e mbështet prej tetë vitesh Serbinë në secilën iniciativë të saj
"Për të mos e lënë pa gjumë mikun e tij, Aleksandër Vuçiq"! Dhe
Pacolli iu bashkëngjit Open Balkanit së fundmi pikërisht për këto arsye, që ai
përmendi për moratoriumin. Filozofia e Behgjet Pacollit është paqja me çdo çmim
me Serbinë. Për këtë arsye ai ishte i gatshëm që "ta pajtonte Ibrahim
Rugovën me Milosheviçin, madje me porosi të Boris Jelcinit" në vitin 1998!
Dhe për këtë shkak Pacolli thoshte në vitin 2006 se "Pa Serbinë Kosova nuk
mundet"!
Unë
nuk dua të hyj në analizën e shkaqeve që e çojnë ish-ministrin e Jashtëm të
Kosovës, zotin Pacolli, në këto qëndrime. Nuk dua t'ia di për marrëdhëniet e
tij të ngushta me Edi Ramën. Nuk kam ndërmend të bëj investigimin e asaj çfarë
përfaqëson ai në veprimtarinë e tij "diplomatike" për të dubluar
diplomacinë e Kosovës dhe për të bërë protagonistin. Në këtë rast nuk kam arsye
të mbledh të gjitha deklarimet e tij në funksion të këtyre ideve që shpalos.
Por më duhet të theksoj se paternalizmi, egoja dhe individualizmi i Behgjet
Pacollit është i rrezikshëm.
Së
pari, ai me veprimet e tij dëshmon se kur nuk pajtohet me qeverinë e vendit të
vet, e dublon atë ose e konkuron jashtë institucioneve të shtetit. Kjo është
shumë e rrezikshme për Kosovën, sepse ajo na shfaqet si çiflig i një personi të
vetëm, aq më tepër të demonstruar si njeri i pasur. Ndërkohë Kosova duket te
partnerët europianë si një vend fisesh dhe çifligjesh. Kredibiliteti i saj bie,
nëse njohjet e shtetësisë i vijnë në mënyrë private përmes marrëdhënies
personale. Edhe nëse Pacolli siguron një njohje të tillë, vendet që e kanë
njohur tashmë Kosovën do të shtrojnë pyetjen: "Si është e mundur që
institucionet e Kosovës bien në këtë lloj kurthi dhe rendin pas një njohjeje të
dyshimtë dhe jo adekuate"?! Kjo i kushton më shumë vendit sesa pranimi i
njohjes së një vendi që bën pazare me një multimilioner, qoftë ky edhe Behgjet
Pacolli.
Së
dyti, historia e paternalizmit dhe konkurencës së zotit Pacolli me njohjet
përballë ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj është e njohur.
Sherr, konflikte dhe zënka të pafund. Për mua, zoti Hoxhaj kishte të drejtë.
Njohjet me pagesë dhe mrrëdhënie të dyshimta korrupsioni janë të dëmshme. Të
tilla u dëshmuan ato njohje që gjoja solli asokohe Behgjet Pacolli. Shumica
dermuese e tyre përfunduan ashtu siç edhe erdhën. Ishin njohje me pagesë e
korrupsion nga ana e Pacollit, ndaj dhe Ivica Daçiq i zhbëri ato po me pagesë,
prostitucion dhe korrupsion. Modeli Pacolli në këtë rast rezultoi shumë shpejt
si një model i dështuar, ndërkohë që jo pak vende serioze filluan të humbasin
besimin te institucionet e vendit.
Së
treti, zoti Pacolli nuk ka qenë dhe nuk është as në rastin e fundit transparent
dhe bashkëpunues. Ai shfaqet një egoist i pandreqshëm, njësoj si edhe miku i
tij në Tiranë, Edi Rama. Unifikimi e dublimi i rolit të tij me shtetin e
Kosovës është tipari dallues. E ndërkohë institucioneve të shtetit thjesht u
kërkon të zbatojnë këshillat e tij. Nëse jo, ai denoncon publikisht. Madje
kërcënon se "do të zbulojë skandale të tjera"! Pikërisht kjo sjellje
është anti-kombëtare dhe e paprecedentë. Kjo sjellje i shkon Republikave të
Bananeve, por jo një shteti, i cili dëshiron të zërë vendin e vet në
institucionet ndërkombëtare dhe për këtë arsye duhet të jetë shtet serioz dhe
jo republikë bananesh!
Më
së fundmi kjo sjellje është ajo që i duhet Serbisë në këto momente të izolimit
të Kosovës. Provokimet e Behgjet Pacollit rrezikojnë shtetin dhe shtetësinë.
Për këtë arsye atij i duhet thënë qartë dhe pa mëdyshje: - Të mbajë vendin e e
rendin në çigligun e tij të parajsës qindra milionëshe dhe të heqë dorë nga
ambicja për ta shndërruar Kosovën në një çiflig të vetin! Kosova nuk është
pronë e Behgjet Pacollit dhe e askujt tjetër!