Mendime
Eshref Ymeri: E ndiej veten fort keq që paskam pasur shumë të drejtë
E marte, 28.12.2021, 02:48 PM
E ndiej veten fort keq që paskam pasur shumë të drejtë
Nga
Prof. dr. Eshref Ymeri
Në edicionin e
lajmeve të platformës mediatike analitike “Pamflet”, të transmetuar sot
(27 dhjetor 2021) në youtube, ndoqa me shumë interes informacionin në vijim:
“Shoqëria
shqiptare duket se nuk e ka më atë pritshmërinë e parë kur u diskutua dhe u
miratua reforma në drejtësi, se SPAK-u do të sjellë përmbysjen e madhe në vend,
duke hetuar e dënuar kastën e korruptuar politike 30-vjeçare. Entuziazmi i
fortë i fillimit nisi e u shua vit pas viti, pasi jemi 5 vjet që nga miratimi i
reformës dhe ende nuk ka dalë në breg ndonjë “Peshk i Madh”. Edhe pse nuk jemi
në fazën e zhgënjimit përfundimtar, gjithsesi ka një frustrim të madh, ngaqë
edhe drejtësia e re po shihet si një “rrjetë” e shpuar për peshqit e mëdhenj.
Megjithatë, hetimi e më pas dënimi i politikanëve të korruptuar nuk është gjë e
lehtë, pasi ata e kanë menduar edhe këtë gjë, e gjithë këto vite kanë bërë çmos
për t’i shpëtuar gjykimit për korrupsion…”.
Kur e mbarova
leximin e këtij informacioni, ndjeva keqardhje të thellë që paskam pasur shumë
të drejtë, kur gati gjashtë vjet më parë pata botuar në internet një analizë,
në të cilën shprehja bindjen e patundur se propaganda e zhurmshme për reformën
në drejtësi që bënte Rama, të gjithë “bujkrobërit” socialistë dhe mjetet e
informimit masiv në shërbim të verbër rreth tij, s’ishte gjë tjetër, veçse një
perde tymi për të mashtruar edhe më shumë popullin shqiptar, si puna e
propagandës së kryetradhtarit dhe të kryemashtruesit Enver Hoxha për punën e
asaj lugës së floririt që pati premtuar në gjysmën e dytë të viteve ’40.
Në vijim, disa
portaleve të nderuara, po ju përcjell për ribotim analizën time të 28 janarit
2016.
Reforma në drejtësi:
Do të mbarset mali dhe do të pjellë
një mi
Sa për kujtesë ambasadorit të nderuar
amerikan Donald Lu
Presidenti amerikan Franklin Ruzvelt (Franklin Roosevelt - 1882-1945),
më 06 janar 1941, ka pasë deklaruar për katër liritë themelore:
“Ne shpresojmë të shohim një botë të mbështetur mbi katër
liri themelore: e para - lirinë e fjalës dhe të shprehjes, e dyta - të drejtën
që kushdo mund të nderojë Zotin sipas dëshirës dhe besimit, e treta - zhdukjen
e varfërisë, e katërta - çlirimin nga frika.
Vetvetiu shtrohet një pyetje e thjeshtë:
Ku është klasa politike shqiptare në raport me zhdukjen e
varfërisë gjatë këtyre 25 vjetëve të pluralizmit politik?
Përgjigjja, po ashtu, është fare e thjeshtë:
Klasa politike ka bërë ç’është e mundur për t’u
vetëpasuruar, çka ka sjellë si pasojë varfërimin e pandalshëm të pjesës
dërrmuese të popullsisë dhe sidomos të
më shumë se një gjysmë milioni pensionistësh.
U bë kaq kohë që po diskutohet për reformën në drejtësi.
Madje për këtë problem është folur dhe stërfolur kaq shumë, saqë mbarë
qytetarëve të thjeshtë sikur ka filluar t’u bëhet bozë. Një fjalë e urtë thotë:
Atje
ku bëhet dasmë e madhe, merr lugë të vogël!
Sepse qytetarët kërkojnë vepra dhe jo fjalë. Që kjo reformë është shumë e
rëndësishme, kjo as që mund të vihet në dyshim.
Më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme roli që po luan
ambasadori i nderuar amerikan Donald Lu për kryerjen e kësaj reforme. Në një
dalje të paradokohshme në publik, ai ka deklaruar:
“Të gjithë ne në Ambasadën Amerikane jemi të përqendruar
në reformën në drejtësi për shkak të udhëzimit direkt nga zyrtarë të lartë në
Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit. Ata na kanë thënë qartësisht
se prioriteti numër një i Qeverisë Amerikane në Shqipëri është të mbështesë
reformat e nevojshme për pranimin e Shqipërisë në BE” (Citohet sipas: “Donald Lu: SHBA s’do gjejë qetësi për
reformën në drejtësi, kemi udhëzim direkt nga Shtëpia e Bardhë”. Marrë
nga faqja e internetit “syri.net”. 06 janar 2016).
Ne, qytetarët e Shqipërisë Londineze, u jemi dhe do t’u
jemi mirënjohës në jetë të jetëve Shteteve të Bashkuara të Amerikës për
kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për mbijetesën tonë si shtet. Sepse
në dy raste, mbijetesa jonë ka qenë në zgrip.
Së pari, ujqit evropianë, në Konferencën e Paqes në Paris
të vitit 1919, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, patën hartuar plane
ogurzeza për ta zhdukur nga harta e Evropës edhe atë ngastër Shqipërie që
kishte mbetur pas vendimeve kriminale të Kongresit të Berlinit të vitit 1878
dhe të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Por ndërhyrja vendimtare e
Presidentit Uillson qe shpëtimtare për vendin tonë. Ky ishte shpëtimi i parë i
Shqipërisë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpëtimi i dytë erdhi
në vitin 1997, në kushtet kur shteti shqiptar ishte shpërbërë tej e ndanë.
Pikërisht në atë situatë tragjike ku e katandisën vendin “bejlerët” e politikës
shqiptare, shovinizmi grekokaragjoz, përmes kryeministrit të vet, i kërkoi leje
Sekretares së Shtetit, zonjës së nderuar Medlin Ollbrajt, për të futur trupat
në Shqipërinë e Jugut, me arsyetimin gjoja për të mbrojtur minoritetin grek.
Por zonja Ollbrajt i tha se mund t’ju dalin probleme me Turqinë. Dhe kryeministri
grek u tërhoq me bishtin ndër shalë. Dy vjet më vonë, në pranverën e vitit
1999, pikërisht Shtetet e Bashkuara, me Presidentin Klinton në krye, duke pasur
edhe mbështetjen e fuqishme të
Kryeministrit britanik Toni Bler, për 78 ditë rresht, zhvilluan fushatën
e bombardimeve kundër Serbisë, për shpëtimin përfundimtar të popullit shqiptar
të Kosovës nga tirania mbinjëshekullore e shovinizmit serbomadh.
Tani, kur në vendin tonë është krijuar një gjendje pa
rrugëdalje, për shkak të sundimit të një klike kriminale oligarkike, e cila
pjesën dërrmuese të popullit tonë e ka katandisur në kufijtë e varfërisë, për
shkak të së cilës, gjatë një viti, vendin e kanë braktisur mbi 100 mijë
qytetarë dhe, sipas mjeteve të informimit masiv, rreth 200 mijë të tjerë kanë
aplikuar për lloton amerikane, Shqipëria ka nevojë për një shpëtim të tretë nga
ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tani problemi shtrohet fare thjesht, edhe për ambasadorin
e nderuar Donald Lu: kush do ta kryejë reformën në drejtësi? Mos vallë këta
oligarkë të politikës, të cilët, në kurriz të qytetarëve të thjeshtë, janë
pasuruar në një mënyrë marramendëse, duke filluar nga krerët e oligarkëve të
politikës qendrore, deri te oligarkët e politikës vendore? Kjo duket
krejtësisht e pabesueshme. Le të ndalemi në disa fakte konkrete, të cilat janë
bërë publike përmes mjeteve të informimit masiv.
Ish-deputeti i LSI-së, zotëria Dritan Prifti, dikur ka
pasë deklaruar publikisht nga foltorja e Kuvendit:
“A ka shqiptar, kolegë
deputetë, që beson se zoti Edi Rama është i pastrehë? Ai në deklaratën e
tij të pasurisë thotë që
është i pastrehë dhe ne të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200
apartamenteve në Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e tij e jashtëligjshme është 30 euro për
metër katror për çdo leje
ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot” (Citohet
sipas: “PS: Padi penale për Priftin, shau kryetarin socialist Rama”. Marrë
nga faqja e internetit “Info Arkiva. Arkiva mediatike Shqiptare”. 15
korrik 2010).
Kjo deklaratë është transmetuar edhe në TV “Top
Channel”, në emisionin e lajmeve të orës 15:30 (Citohet sipas: “Pasuria
1.8 mln euro, Prifti: Shita aksionet”. Marrë nga faqja e internetit “top-channel.tv”.
15 korrik 2010).
Sipas
një raporti të OSBE-së, thuhet se Kryeministri Edi Rama “ka një pasuri prej
200 milionë eurosh” (Citohet sipas: ““200 mln euro”! Një
përshkrim psikologjik për Ramën”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Mapo”.
12 shtator 2015).
Para
do kohësh, gazetarja e Zërit të Amerikës, zonja Ardita Simiçia, i mori një
intervistë kryetarit të Kuvendit, zotërisë Ilir Meta, gjatë kohës që ky ndodhej
për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu janë shkëputur vetëm dy
pyetje mjaft domethënëse të gazetares dhe dy përgjigje fort kuptimplote të
kryetarit të Kuvendit:
Ardita Simiçia:
“…Meqë përmendët nevojën që vendi të ketë një zhvillim sa më të barabartë, të
sjellë një ndarje sa më të barabartë të përparimit që do të realizohet, desha
t’ju bëja një pyetje disi personale për klasën politike në Shqipëri që shpalos
një mënyrë jetese dhe një luks të jashtëzakonshëm. A ndiheni ndonjëherë nën
presionin e publikut, këtij publiku që ikën përditë, që ka një minimale të
jetesës te 5-dolarrëshi në ditë, a ka ndonjëherë diçka që ju prek, ju kap në
gjithë këtë shpalosje luksi dhe ekstravagance do të thosha?...
Ilir Meta: Nuk
e di për çfarë luksi e keni fjalën…
Ardita Simiçia: Pyetja
e vetme që marrim ekskluzivisht për çdo politikan këtu është: klasa politike
shqiptare duhet të largohet, ata po e mbajnë peng këtë vend pasi janë të gjithë
të korruptuar. Dhe nga ana personale, a e ndieni ndonjëherë presionin, a ju
vjen ndonjëherë siklet nga gjithë ajo që thuhet? A e ndieni dëshirën për të
thënë: mjaft më! Dua të sqarohem dhe të lahem…
Ilir Meta: Shqipëria
e paska të zgjidhur problemin e korrupsionit se mund t’u marrë juve t’ju vërë
prokurore të përgjithshme dhe ju e zgjidhni në emër të popullit” (Citohet
sipas: “Meta në VOA: Emri im në aferën CEZ? Nisni gazetarinë nga e para”. Marrë
nga faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 29 tetor 2015).
Nënkuptohet që gazetarja e nderuar Ardita Simiçia, është
nisur nga disa fakte konkrete kur zotërisë Ilir Meta i pati drejtuar dy pyetjet
e mësipërme për luksin ku jeton, në kushtet kur mjerimi ekonomik ka pllakosur
pjesën dërrmuese të qytetarëve të vendit për faj të oligarkëve të politikës,
mes të cilëve edhe kryetari i Kuvendit zë kryet e vendit.
Është vërtet e çuditshme se si është e mundur që zotëria
Ilir Meta kërkon t’i bishtënojë përgjigjes për pyetjen e gazetares, duke u shtirur
sikur nuk e kuptuakej se për çfarë luksi e kishte fjalën gazetarja, sikur vetë
ai nuk jetuaka në mes të luksit dhe sikur nuk qenkej ai që organizoi një pritje
me salltanete të mëdha me rastin e 45-vjetorit të lindjes.
Në mjetet e informimit masiv është bërë i njohur
publikisht edhe ky fakt konkret për jetën luksoze që bën zotëria Ilir Meta, për
çka gazetarët e Zërit të Amerikës, si zëdhënës të drejtpërdrejtë të
Departamentit të Shtetit, kanë qenë në dijeni me kohë e me vakt:
“Vila e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit është 2000 m²
bashkë me oborr ku janë mbjellë ullinj dhe palma gjigante që u sollën me
helikopter. Ndërsa brenda vilës ndodhen shumë dhoma dhe 11 wc. Mobilimi besohet
se kushton mbi 400 mijë euro. Vetëm kolltuqet “skavolini” kushtojnë 32 000 euro,
shkruajnë sot disa media on line, mbështetur në një emision të gazetares Sonila
Meço. Kjo është thjesht vila për fundjava, sepse ata jetojnë në një pallat
5-katësh në qendër të Tiranës, në zonën e bllokut, ku 4 kate janë banesa e
tyre.
Këto janë fotot e bëra gjatë një interviste të dhënë për
mediat nga bashkëshortja e kreut të LSI, Kryemadhi, e cila është edhe deputete.
Sipas Monikës, edhe macja ka tualetin e veçantë për të kryer nevojat
personale” (Citohet sipas: “Vila luksoze e Ilir Metës me 11 wc”. Marrë
nga faqja e internetit “kosovarja.biz”. 31 tetor 2015).
Në një artikull të botuar para do kohësh në gazetën “Telegraf”,
e cila dallohet për denoncimin e korrupsionit në vendin tonë, flitet
për milionerët e institucioneve qendrore dhe të qyteteve kryesore. Këtë herë,
në artikull jepet një pasqyrë me të dhëna konkrete për pasurinë e
oligarkëve-milionerë të njërit prej qyteteve kryesore dhe, konkretisht, të
qytetit të Elbasanit. Milionerët e këtij qyteti punojnë në mjekësi, në gjykatë,
në prokurori, në avokaturë e në noteri, në polici, në banka dhe në arsim.
Më bëri shumë përshtypje fjala “arsim”. Dhe me siguri që
gazeta e ka fjalën për arsimin e lartë, pra, për pedagogët e universitetit. E
kam të vështirë ta përfytyroj se si është e mundur që një pedagog të marrë para
nga studentët e vet, për t’u vënë nota kaluese. Kam punuar vetë pedagog në
universitet, deri sa dola në pension në vitin 2003, dhe marrëdhëniet me
studentët i kam pasë vlerësuar si të shenjtëruara. Një pedagog universiteti që
merr para nga studentët, si mund të ketë sy e faqe të dalë para tyre në auditor
gjatë zhvillimit të leksioneve dhe të seminareve, apo gjatë përballjes me ta
nëpër këmbësoret e qyteteve? Ky është degjenerim deri në përmasat e neverisë,
që më solli në kujtesë një ngjarje konkrete që u pasqyrua para disa vjetësh në
mjetet e informimit masiv:
“Denoncimi i disa studentëve të Universitetit të
Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” për marrje ryshfeti, ka bërë që policia e këtij
qyteti të arrestojë në flagrancë pedagogun e gazetarisë, Isidor Koti, me një shumë prej 1 milionë
lekësh të vjetra, të ndara në zarfe” (Citohet sipas: “Merrte para nga
studentët, arrestohet Isidor Koti”. Marrë nga faqja e internetit “albeu”.
15 shtator 2012).
Ndër të tjera, në artikullin e gazetës “Telegraf”
thuhet:
“Kushdo që ka drejtuar dhe ka ikur nga posti, e pakta, ka
ikur me një pasuri prej 150 mijë euro, e cila është pesëfishuar më pas me
shitjen e pronave të fituara gjatë kohës që kishte në dorë “zgjidhjen” e
halleve dhe problemeve të qytetarëve… Ka milionerë të këtyre rangjeve që kanë
deri 18 apartamente në Elbasan dhe që kanë nisur t’i japin me qira ose t’i
shesin. Shtresa e milionerëve në rrethe është krijuar dhe ka ardhur qetë-qetë
në rrugën e saj, duke iu shmangur rreziqeve të ligjit. Ata kanë krijuar
imunitetin e tyre dhe i gjenden njëri-tjetrit, sa herë u kanoset ndonjë hetim,
ndonjë kallëzim apo ndëshkim ligjor. Ata nuk i prek as “dekriminalizimi” që
pritet të miratojë Kuvendi, pasi e quajnë veten me mburrje “të paprekshëm”
(Citohet sipas: “Milionerët e institucioneve qendrore dhe “bejlerët” e
qyteteve kryesore”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 12
janar 2016).
Këtu duhet të kemi parasysh faktin që qeveria Rama kërkon
zbatimin e rreptë të ligjit, por vetëm në raport me shtresat e varfra të
popullsisë dhe aspak në raport me oligarkët. Madje edhe atëherë kur pasojat
mund të jenë tragjike. Para pak kohësh, publiku i gjerë u njoh me një ngjarje
të kobshme si më poshtë:
“Pasi e lanë prej muajsh në terr, duke i ndërprerë
energjinë elektrike, sepse nuk kishte mundësi të paguante, sot është ndarë nga
jeta.
Bëhet fjalë për një të moshuar 91-vjeçare nga fshati Fang
i Mirditës. Barbulla Pepa jetonte e vetme në kushte të varfërisë ekstreme.
Fqinjët e saj e kanë gjetur të vdekur në shtëpinë tejet
të vjetër dhe pa kushtet më minimale. Po fqinjët kanë hapur dyert për mort për
nënë Barbullën.
Rreth një muaj e gjysmë më parë, përmes medias, ajo i
bëri apel OSHEE-së t’i rilidhte energjinë, sepse nuk kishte mundësi ta
paguante, por thirrjet e 91-vjeçares ranë në vesh të shurdhët” (Citohet sipas: “OSHEE i ndërpreu energjinë elektrike, vdes
nga të ftohtit e moshuara”. Marrë nga faqja e internetit “Lapsi Lajme”. 11
dhjetor 2015).
Pra, atë plakë të gjorë OSHEE-ja nuk e mëshiroi, sepse
zbatoi urdhrin që lëshoi kryeministri Rama për ndërprerjen e energjisë
elektrike, pavarësisht nga rrjedhojat tragjike që mund të vinin më pas. Nuk e
di se sa i rëndon në ndërgjegje kryeministrit Rama vdekja e saj plake të mjerë.
Kjo ngjarje e dhimbshme më kujtoi përmbajtjen e një shkrimi të qytetarit rus
Vladimir Garmatjuk nga qyteti Vollogda, të cilin e kishte botuar në internet më
27 korrik 2010. Në atë shkrim ai e cilësonte kryeministrin Putin si mbrojtësin
e oligarkëve dhe si kamxhikun e shtresave të varfra të popullit rus.
Para pak ditësh, duke shtegtuar nëpër faqet e internetit,
hasa rastësisht në një intervistë, të cilën gazetari i mirënjohur i zërit të Amerikës,
zotëria Ilir Ikonomi, ia kishte marrë profesorit të shkencave politike në
Universitetin e Nju Jorkut në Manhatan, Grid Rroji. Në njërin nga mjetet e
informimit masiv lexova informacionin e mëposhtëm, ku ndoqa edhe videon e
intervistës:
“Zëri i Amerikës e komentoi projektligjin e qeverisë për
kriminalizimin e shpifjes si tentativë të kryeministrit Edi Rama për t’i
mbyllur gojën medias. Duke e komentuar reagimin që shkaktoi kjo nismë ligjore,
gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, në një intervistë me doktorantin e
shkencave politike në Universitetin e Nju Jorkut në Manhatan, Grid Rrojin, u
shpreh:
“Në Shqipëri pati një valë kundërshtimesh të forta ndaj
propozimit të kryeministrit për burgim deri në 3 vjet për shpifje apo fyerje
ndaj figurave shtetërore. Megjithëse qeveria duket se po tërhiqet, kjo u pa si
një masë për t’i mbyllur gojën medias. A është kjo diçka shqetësuese për ju,
sepse vërtet kemi parë nga zyrtarët më të lartë arrogancë ndaj gazetarëve, për
shembull, kur tentohet të flitet për korrupsionin dhe pasuritë e politikanëve?
Pak ditë më parë, ndaj gazetares së Zërit të Amerikës, Ardita Simiçia, pati një
reagim të ashpër të kryetarit të kuvendit, Ilir Meta, i cili u pyet gjatë
vizitës në SHBA mbi akuzat për korrupsion dhe pasurinë e tij” (Citohet sipas:
““Shpifja”/ Zëri i Amerikës:
Rama tentoi t’u mbyllë gojën mediave. Zyrtarët e lartë sillen me arrogancë”. Marrë nga faqja e
internetit “Lapsi Lajme”. 13 nëntor 2015).
Gjatë ndjekjes së intervistës, mësova se, siç e përmendi
zotëria Ilir Ikonomi, profesori Grid Rroji, pak muaj më parë, kishte botuar
librin mjaft interesant me titull “Paria e rrethit të ferrit”. Pasi e
ndoqa intervistën deri në fund, u interesova në faqet e internetit për adresën
elektronike të profesor Rrojit dhe sapo e gjeta, i nisa një mesazh, ku e
falënderova për botimin e librit dhe i shpreha dëshirën për ta blerë. Shumë
shpejt, profesor Rroji më ktheu përgjigje me falënderimet përkatëse, duke më
dërguar edhe librin në formatin pdf. Librin prej 407 faqesh e lexova me shumë
kënaqësi. Në këtë libër, autori ka bërë një analizë të hollësishme të periudhës
çerekshekullore, gjatë së cilës Shqipëria është zvarritur dhe vazhdon të
zvarritet e zalisur, pa mundur të ngrihet dot kurrë në këmbë, për të marrë
formatin e një vendi normal, në të cilin të kishte hapësirë funksionimi i një
shteti juridik, ku të gjithë të ishin të barabartë para ligjit. Mjaft citate të
shkëputura prej këtij libri, do të ishte interesante sikur të përfytyroheshin
të afishuara anës bulevardit qendror të Tiranës, anës bulevardeve të qyteteve
kryesore dhe të autostradave të vendit.
Ja disa nga këto citate:
“Kriza ekonomike,
dështimi i projektit politik të integrimit, rrënimi moral i shoqërisë dhe
mungesa e zgjidhjeve të ofruara nga paria, kanë krijuar një situate, e cila,
fatkeqësisht, ngjason shumë me një tenxhere me presion mbi zjarr”.
“Parisë i
nevojitet një kulturë kriminale për të justifikuar vjedhjen e pasurisë publike,
pasurimin e saj të shpejtë, duke menduar se ky popull kaq e ka takatin. Paria vepron
me moton “sipas kokës edhe festen”, sepse nuk e vlerëson popullin shqiptar.
Mirëpo, kultura kriminale e parisë nuk prodhon zgjidhje të problemeve, por i
shumëfishon ato. Si pasojë, në momentin që qytetarët do të ndërgjegjësohen që
paria i ka mashtruar paturpësisht dhe u ka mohuar një të ardhme me nder, rruga
që u mbetet është përplasja me parinë”.
“… i ashtuquajturi
“model integrues” kufizon ndjeshëm sovranitetin e Shqipërisë, duke rrezikuar
qenësinë e shtetit shqiptar. Në një mjedis ndërkombëtar ku mbizotëron modeli i
shtetit-komb dhe ku të gjithë aktorët janë në luftë të vazhdueshme për
mbijetesë, çdo shtet i varur nga të tjerë është detyrimisht i rrezikuar”.
“Integrimi është
një rrenë e madhe, sepse jo vetëm, siç shprehet studiuesi gjerman Jens Bastian,
“nuk ka gjasa që BEja të zgjerohet në Ballkan të paktën deri në 2020”, por edhe
sepse Shqipëria nuk shihet në Europë si material zgjerimi”.
“Integrimi është
një rrenë e bukur, e cila nuk ka asnjë gjasë të ndodhë në dy dhjetëvjeçarët e
ardhshëm e më tej, dhe aspak gjasë të na ndihmojë për të kapërcyer krizën e
thellë politike dhe shoqërore ku jemi. Sistemi i ndërtuar mbi rrenën e madhe të
integrimit është i dështuar, dhe i shërben mbajtjes nën sundim të shqiptarëve
me anë të propagandës”.
“Na thuhet se do
të marrim miliona euro, një tjetër gënjeshtër e pastër, sepse edhe sikur Europa
të na priste me tabaka me euro tek porta, sistemi i vjeljes së këtyre fondeve
është në bazë të kapaciteteve aplikuese të strukturave të shtetit, të cilat
janë jo vetëm të paafta, por edhe në funksion të sistemit korruptiv që ka
instaluar”.
“Mungesa e një
force politike serioze, me karakter kombëtarist, është një nga boshllëqet
vështirësisht të shpjegueshme që ka krijuar tranzicioni, dhe që duket se nuk do
të vazhdojë edhe shumë gjatë”.
[Në emisionin
shumë të ndjekur të gazetarit të mirënjohur Rezart Xhaxhiu të datës 21 janar,
ndoqa intervistën që ai i mori drejtuesit të lëvizjes “Reago”, zotërisë
Leonard Dedej. Në përgjigjet e veta, zotëria Dedej i bëri radiografinë situatës
së rëndë ekonomike që mbizotëron në vend dhe demaskoi paq klasën politike
shqiptare. Në fund ai deklaroi se, së bashku me miqtë e vet, janë duke
përgatitur kushtet për krijimin e një partie të ekstremit të djathtë.
Nënkuptohet vetvetiu që varfëria ekstreme që paria pushtetore i ka imponuar
shumicës dërrmuese të qytetarëve, do të pjellë domosdo edhe një reagim ekstrem.
Prandaj profesori Grid Rroji ka shumë të drejtë kur thotë se kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë. Do
ta shikojmë në praktikë se cili do të jetë programi i partisë së zotërisë
Dedej, cila do të jetë platforma, mbi të cilën mbështetet programi i saj dhe le
të shpresojmë se kjo parti nuk do të përfundojë në një flakë kashte, si puna e
partisë së zotërisë Kreshnik Spahiu.]
“…paria e Tiranës
e ka frikë më shumë se çdo gjë tjetër kombëtarizmin, sepse ndërtimi i
shtetit-komb presupozon vendosjen në plan të parë të interesave kombëtare. Duke
qenë se interesat kombëtare nuk përkojnë me interesat e ngushta të pasurimit
dhe të shfrytëzimit të popullit nga paria, kjo e fundit gjatë këtyre 23 vjetëve
ka bërë ç’është e mundur për ta thelluar grimcimin e shoqërisë…”.
“Kombëtarizmi
shqiptar nuk është shpikje e asnjë individi, por një frymë e mbrujtur ndër
shekuj”.
“Udhëheqësit
politikë shqiptarë të të gjitha palëve janë kriminelë të veshur me kostume, të
cilët kush më shumë e kush më pak nuk ngurrojnë t’i lyejnë duart me gjakun e
shqiptarëve për të mbërritur objektivat e tyre”.
“… palët kanë
krijuar modelin e politikanit hajdut, pa shtyllë kurrizore e në shërbim të
klanit përkatës, pa kurrfarë ndjenje shërbimi publik. Ky model nuk ishte i
paevitueshëm, por shprehje e vullnetit të qartë të parisë për ta zvetënuar
skenën politike dhe për ta sunduar më kollaj popullin”.
“… nëse duam
ndryshim të vërtetë, duhet ndryshuar sistemi i vlerave, jo hajdutët”.
“Shqiptarët, kudo
që jetojnë nëpër botë, sillen si qytetarë model në shumicën dërrmuese të
rasteve, dinë të shfrytëzojnë liritë që u jep demokracia dhe në disa raste kanë
arritur të bëhen politikanë të suksesshëm në vendet pritëse. Shumica dërrmuese
e tyre nuk vjedhin, nuk vendosin gjoba, nuk kanë lidhje me kriminelë e kartele
mafioze. Kjo shumicë punon dhe fiton me gjak dhe djersë, shkollon fëmijët dhe e
mban një sy gjithmonë nga atdheu. Kësisoj, problemi nuk janë shqiptarët, por
sistemi politik dhe mendësia katundare që na ka imponuar paria”.
“… ne na duhet një
shtet i mbështetur tek vlerat që garanton sundimin e ligjit. Çdo zgjidhje
tjetër na çon në hulli të pakëndshme e na lë nën thundrën e kësaj parie të
zvetënuar, e cila tashmë e ka tejkaluar çdo cak të maskarallëkut. Hapi i parë
drejt këtij fillimi të ri është të ruajmë nderin e t’i vemë një kryq të madh
votës”.
“Morali i
zvetënuar i parisë dhe mungesa e zgjidhjeve për të jetuar me nder në atdhe, ka
shkaktuar një zhgënjim masiv, i cili po pasqyrohet tek ikja masive dhe zbrazja
e fshatrave nga Jugu në Veri”.
“Opozita sot janë
shqiptarët, ata që nuk kanë më shpresë tek paria, ata që po detyrohen ta lenë
vendin me turravrap, por edhe ata të rinj e të reja në diasporë, të cilët kanë
tashmë përvojë në shtete funksionale, por dhe e ruajnë në shpirt dashurinë për
kombin shqiptar. Pra, nga pikëpamja ideologjike, opozita e vërtetë e ka të
përcaktuar tashmë rrugën e vetme drejt ringritjes së shqiptarëve. E vetmja
zgjidhje është ndërtimi dhe konsolidimi i shtetit- komb”.
“Paria e Tiranës
nuk ka më ku dhe si të fshihet. Ajo përbëhet nga palë të kriminalizuara, të
cilat kanë vjedhur shqiptarët pa asnjë vrasje ndërgjegjeje, sepse ata nuk e
duan popullin e vet”.
Sigurisht që paria
e Tiranës nuk e do popullin e vet. Sepse mungesën e respekti ndaj tij ajo e ka
trashëgim nga diktatori Enver Hoxha, i cili, së bashku me kastën kriminale të
Byrosë Politike, të mbyllur brenda Bllokut famëkeq, nën mbrojtjen e bajonetave
të Gardës së Republikës, popullit shqiptar, me terrorin që ushtroi ndaj tij, ia
futi frikën në palcë. Kjo frikë, për inerci, po vazhdon të manifestohet edhe në
ditët tona, përderisa qytetarët nuk janë në gjendje të vetorganizohen dhe t’i
tregojnë vendin mafies politike në pushtet përmes protestave të fuqishme
paqësore në mbarë vendin dhe nëpërmjet bojkotimit tërësor të procesit zgjedhor.
Duhet theksuar fakti që Kontrolli i Lartë i Shtetit,
me dr. Bujar Leskaj në krye, deri tani
ka bërë një punë të shkëlqyer me kontrollet e ushtruara, duke zbuluar dhe duke
denoncuar në organet e (pa)drejtësisë abuzime të rënda me fondet publike dhe në
dogana. Por, fatkeqësisht, askush nga zyrtarët e lartë, qofshin këta ministra
apo deputetë, nuk është vënë para përgjegjësisë penale prej organeve të
drejtësisë për grabitjet e rënda të shumave kolosale nga arka e shtetit.
Pra, rezulton se që nga organet qendrore dhe deri te
qeveritarët lokalë, është krijuar një mjedis korruptiv që ka kapur për fyti
shtetin dhe po varfëron në një mënyrë të pandalshme pjesën dërrmuese të
qytetarëve të vendit. Kjo ndodh për arsye se në vendin tonë nuk ka opozitë të
vërtetë. Sepse po të kishte, ajo duhej të luante rolin që i takonte në mbrojtje të standardit të jetesës
së qytetarëve të vendit. Shkrimtari dhe publicist i njohur amerikan Ambroz
Birs (Ambrose Bierce 1842-1914),
thotë:
“Opozita në politikë është një parti, e cila nuk e lejon
qeverinë të bëjë akte çmendurie, duke ia prerë asaj gilcat e gjurit”.
Gazetarja Ardita Simiçia, siç u përmend më lart, i përcolli
kryetarit të Kuvendit informacionet që i shkojnë Radios Zëri i Amerikës nga
qytetarë shqiptarë:
“Pyetja e vetme që marrim ekskluzivisht për çdo politikan
këtu është: klasa politike shqiptare duhet të largohet, ata po e mbajnë peng
këtë vend pasi janë të gjithë të korruptuar”.
Kjo është një e vërtetë tragjike për fatet e vendit tonë.
Kjo dëshmon më së miri se klasa politike është bërë si uji i ndenjur dhe ka
vite që kutërbon erë të keqe, sepse noton në llumin e krimit ekonomik. Për
pasojë, edhe sistemi i (pa)drejtësisë është strukturuar asisoj, që të mbrojë
vetëm interesat e kësaj klase politike me moral të degjeneruar. Prandaj të
kërkosh kryerjen e reformës në drejtësi prej kësaj klase politike, është
njëlloj sikur të kërkosh dardha nga boriga.
Duke pasur parasysh situatën e krijuar, do të ishte
fantastike sikur të bëhej një reformë me të vërtetë rrënjësore në drejtësi, e
cila do të mund të vinte para përgjegjësisë ligjore të gjitha ata që kanë
shkelur rëndë ligjin, pavarësisht nga postet që mbajnë, që kanë grabitur
pasurinë kombëtare dhe qytetarët e thjeshtë dhe që kapitalin financiar e kanë
depozituar në banka të vendit ose të huaja, me siguri, me emra të tjerë. Por
problemi është se ku t’i gjejmë ata prokurorë dhe ata gjykatës, të cilët,
jashtë rrezes së ndikimit të politikës, do të mund ta merrnin në dorë situatën
e krijuar, në mënyrë që t’i vinin fajtorët në bankën e të akuzuarve dhe
kapitalet e grabitura prej tyre, të vendosura me të tjerë emra nëpër banka,
duke filluar që nga Shqipëria, nga Zvicra e deri në Qipro apo gjetiu, t’ia
kthenin Bankës së Shtetit, çka do të krijonte kushte për rritjen e pensioneve
minimale dhe të pagave të ulëta. Jam i bindur se kjo mbetet një ëndërr në
diell, por, si qytetarë i Republikës së Shqipërisë, e ndiej për detyrë ta
shpreh publikisht. Sepse politika dhe (pa)drejtësia bashkëpunojnë ngushtë me
njëra-tjetrën dhe, së bashku, vërtiten në një qerthull kriminal, për të cilin
nuk mund të gjendet kurrfarë ilaçi që t’i bëhet dermani. Fakti që organet e
(pa)drejtësisë kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin për abuzimet e rënda që ka
denoncuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, që nga doganat e deri te tenderat, është
dëshmia më kuptimplote e humnerës së thellë që ndanë qytetarët e thjeshtë të
vendit nga “bëjlerët” e politikës dhe e kotashpresave (iluzioneve) që mund të
ushqejë ndokush se mund të kryhet me të vërtetë ndonjë reformë në (pa)drejtësi.
Sepse oligarkët kriminalë të politikës shqiptare kanë ditur si ta bëjnë
“tenxheren” e krimit, por, në të njëjtën kohë, ata ia kanë gjetur asaj edhe
“vjegën” e duhur. Prandaj them se reforma në drejtësi do të na vërtetojë në
praktikë se si do të “mbarset mali” për të “pjellë një mi të ngordhur”.
Është për t’u përshëndetur angazhimi i drejtpërdrejtë i
Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe konkretisht i Departamentit të Shtetit,
të cilët, përmes ambasadorit të nderuar Donald Lu, kërkojnë ndëshkimin e krimit
ekonomik dhe kryerjen e reformave të thella për pranimin e Shqipërisë në
Bashkimin Evropian. Por unë mendoj se reforma në (pa)drejtësinë shqiptare mund
të kryhet vetëm atëherë, nëse atë e marrin në dorë juristë, prokurorë
amerikanë, të cilët, me gjakftohtësinë e tyre profesionale, në bashkëpunim të
ngushtë edhe me juristë, prokurorë të pakorruptuar vendës (se duhet shpresuar
se të tillë duhet të ketë), do të zbulojnë rrënjët e krimit ekonomik në
Shqipëri, duke ia bërë të njohur publikut shqiptar. Sepse vetëm kështu do të
mund të shkulet nga themelet mafia politike në pushtet dhe të gjithë fajtorët
do të mund të marrin dënimet e merituara për krimet e kryera, që të bëhen
shembull për pasardhësit e tyre, në mënyrë që në Shqipëri të hidhen një herë e
mirë bazat e shëndosha për funksionimin e një shteti juridik. Sepse juristët
dhe prokurorët amerikanë janë rritur, edukuar dhe shkolluar në atdheun e Tomas
Xheferseonit (Thomas Jefferson 1743-1826),
autorit të Deklaratës së Pavarësisë së vitit 1776, i cili u ka lënë ca fjalë të
arta pasardhësve të vet:
“Përkujdesja për jetën dhe lumturinë e njerëzve është e
para dhe e vetmja detyrë e ligjshme e një qeverie të mirë”.
Për mendimin tim, vetëm në këtë mënyrë do të mund të
bëhet shpëtimi i tretë i Shqipërisë, por këtë herë nga oligarkët e
kriminalizuar të politikës shqiptare, të cilët i kanë poshtëruar në një mënyrë
të paimagjinueshme qytetarët shqiptarë me varfërinë skandaloze që u kanë
imponuar. Sepse vetëm kështu do të krijohen kushte që, nga radhët e brezit të
ri, të intelektualëve të përgatitur në Perëndim, dhe sidomos në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, dhe të intelektualëve të ndershëm dhe atdhetarë vendës,
jo të etur për pushtet personal dhe familjar, të dalin personalitete të
spikatura, të cilat, edhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të Uashingtonit, do të
mund të krijojnë një formacion të ri politik, që të marrë në dorë fatet e
vendit dhe ta shpëtojë atë një herë e mirë nga oligarkët e tanishëm kriminalë
të politikës shqiptare, duke ndërtuar një shtet-komb. Sepse, në kushtet e
tanishme, siç thekson me shumë të drejtë profesori Grid Rroji, “Amerika e
Xhorxh Uashingtonit nuk mbështet politikanë që kërkojnë me çdo kusht pushtet
personal e familjar, duke rrënuar të ardhmen e kombit të tyre, duke cënuar
institucionin e votës apo duke nxitur përmbysje të dhunshme të shtetit. Për
rrjedhojë, Amerika nuk mbështet asnjë nga palët” (Grid Rroji. “Paria e
rrethit të ferrit. Analiza, vëzhgime, përjetime”. Shtëpia botuese “Onufri”.
Tiranë 2015, f. 87).
Santa Barbara,
Kaliforni
28 janar 2016