Mendime
Enver Bytyçi: Kujdes nga Satanai, i cili kërkon gjithnjë kurbanë!
E merkure, 09.06.2021, 06:36 PM
Kujdes nga Satanai, i cili kërkon gjithnjë kurbanë!
Nga
Enver Bytyçi
Plot
pesë vite nga mbledhja e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, pra nga 9
qershori i vitit 2016, kur u mbajt ajo mbledhje, u takuan në Golem dy
kryeministrat e atëhershëm, Edi Rama dhe Isa Mustafa. Në mbledhjen e qershorit
2016 të mbajtur në Prishtinë të dy kryeministrat nënshkruan 7 marrëveshje dhe
vendosën që të unifikojnë tarifat tatimore e doganore, si kusht për marrëdhënie
të ndësjellta midis dy vendeve. Ndërsa në nëntor 2018 Edi Rama dhe Ramush
Haradinaj nënshkruan 17 marrëveshje, edhe pse nën ndikimin e “drogës”
mashtruese të ndarjes së Kosovës!
Para
tri ditësh kryeministri i Shqipërisë u takua përsëri me ish-kryeministrat Isa
Mustafa dhe Ramush Haradinaj. Por nuk folën për atë se çfarë ka ndodhur në këto
pesë vite dhe nuk bënë kurrë një bilanc të atyre marrëveshjeve që nënshkruan
vite më parë. Në fakt askush nuk e di se për çfarë u fol në takimin e ditëve të
fundit në Golem të Kavajës. Aty u mblodhën opozitarët e zgjedhur radikalë të
Kosovës. Enver Hoxhaj i PDK-së dukej entuziast midis tyre. Ai dhe Vlora Çitaku
i janë mirënjohës Edi Ramës për përkrahjen që ai i jep Hashim Thaçit të akuzuar
në Hagë për vrasjen e aktivistëve të LDK-së së Isa Mustafës. Isa Mustafa, nga
ana e tij, pati interesa të pushtetit dhe pasurimit në lidhjet me themeluesin e
PDK-së, ndaj dhe nuk ka ndonjë ndjesi për jetën e bashkëluftëtarëve të tij.
Por
në takimin e Golemit kishte edhe pjesmarrës të tjerë. Aty u gjend mes tjerëve
edhe i akuzuari “për shpifje” nga Edi Rama, pra, Ramush Haradinaj. Nuk jam i
sigurt nëse Haradinaj do të vinte në një takim me kryeministrin e Shqipërisë,
nëse Rama nuk do të ishte rikonfirmuar në detyrë rishtazi! Me këtë dua të them
se duket që Haradinajt i pëlqen të shkojë nga i forti, edhe me koston e
“tradhtisë” së kauzës së tij kombëtare! Ndryshe nuk kishte asnjë kuptim
pjesmarrja e tij në atë takim me Edi Ramën! E ndërkaq nuk mungoi as Fatmir
Limaj, pavarësisht se iku me “bisht ndër shalë” nga porti I Durrësit, pa mundur
të realizojë pikën doganore për Kosovën. Kurse milioneri Pacolli u përfaqësua
nga Nazarko.
Eshtë
e mjaftueshme të përshkruhet pjesmarrja në takimin e së premtes së kaluar në
Golem midis Edi Ramës dhe opozitës laramane të Kosovës për të kuptuar se
kryeministri i Shqipërisë po përgatit “rrethimin e madh” të qeverisë, të
kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani. Ai takim do të jetë fillimi i
destruktivizmit në Kosovë e për pasojë edhe vazhdimi i projekteve serbe për
destabilizimin e saj, me qëllim që të krijohen rrethana të favorshme për
implementimin e këtyre projekteve.
E
di se shumë lexues mendojnë dhe besojnë te bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe
Kosovës. Edhe unë bëj pjesë te kjo kategori e përcaktuar. Por më duhet të
shpjegoj se besimi lind nga përvoja, forcohet nga konsistenca dhe arrihet nga
rezultatet. Përvoja e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë është
fatkeqësisht përvojë e ngjizjes së fenomeneve negative. Komandantët e Rognerit,
që pretendonin se drejtonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e morën modelin e
korrupsionit te qeveria Nano. Ndërsa sot qeveria Rama eksporton eksperiencën e
bashkëpunimit me bandat dhe krimin e organizuar. Ata që në Kosovë janë të
interesuar të mësojnë nga kjo përvojë, janë të gatshëm të bëhen bashkë me Edi
Ramën dhe këdo tjetër që ka merita në këto lloj punësh të pista.
Pse
Rama nuk solli në takim Vjosa Osmanin, Albin Kurtin dhe Lumir Abdixhikun?! Pse
u desh që në vend të Abdixhikut të vijë në këtë takim Isa Mustafa?! Rama është
kryeministër në detyrë dhe si i tillë ai ka për obligim të bashkëpunojë me
qeverinë e Kosovës dhe krerët e partive. Në fakt ai mblodhi këta opozitarë
destruktivë të Kosovës me qëllim që të pengojë realizimin e projekteve të
zhvillimit të qeverisë dhe qeverisjes. Edi Rama u takua me pjesën destruktive
të opozitës së Kosovës ende pa u takuar dhe pa bërë vizitën e tij postzgjedhore
në Kosovë. Ai ende nuk ka tentuar të rekordojë politikat dhe qëndrimet e
përbashkëta me institucionet e Kosovës dhe ndërkohë kërkon që këtë rekordim ta
realizojë me opozitën anti-qeveritare.
Takimi
i Edi Ramës me opozitën destruktive që përfaqëson korrupsionin dhe krimin e
organizuar në Kosovë dëshmon se kryeministri i Shqipërisë kurdis diçka kundër
Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Ndaj në këtë kurdisje ai është vënë në kërkim
të manipulimit të opozitës kosovare. Rama, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj,
nëse janë të sinqertë në takimet midis tyre, ata të tre duhet të bëjnë bilancin
e zbatimit të marrëveshjeve të përbashkëta qeveritare për bashkëpunimin midis
Kosovës dhe Shqipërisë. Pa një bilanc të tillë, thjesht do të ketë propagandë,
demagogji, intriga dhe marrëveshje kulisash kundër qeverisë legjitime të
Kosovës dhe fatit të saj. Eksperienca e tetë viteve të marrëdhënieve të Ramës
me krerët politikë të Kosovës na dëshmon se bashkëpunimi i kryeministrit të
Shqipërisë me Kosovën ka në themel interesat e Serbisë. Duke patur këtë kriter
bashkëpunimi, ai ka dështuar në integrimin e të dy vendeve. Ai është thjesht
përçues i këtyre interesave në Prishtinë!
Ka
mundësi gjithashtu që ky takim të çojë një mesazh te zoti Kurti, kryetari i
parlamentit dhe presidentja e Kosovës. Ky mesazh nuk mund të jetë tjetër, veçse
një mjet presioni. Presioni lidhet me projektin përfundimtar të marrëveshjes
Kosovë-Serbi. Asgjë tjetër veç plotësimit të interesave serbe në Kosovë nuk e
shtyn Edi Ramën që të ndërmarrë aksione të tilla politike. Në kushtet e
kundërshtive që kerët e institucioneve në Prishtinë kanë shfaqur, Rama ka
organizuar “Konferencën e Labinotit” e cila kundërshton “Konferencën e Mukjes”!
Eshtë
për të ardhur keq që shumica e politikës kosovare bie shumë shpejt pre e
demagogjisë së Tiranës zyrtare, kushdo që të jetë në pushtet në Shqipëri.
Secili ndjehet kaposh në Kosovë kur takon në rastin konkret kryeministrin e
Shqipërisë. Secili e shet veten shumë të “rëndësishëm”, kur fotografohet me Edi
Ramën dhe asnjë ose shumica dërmuese prej tyre nuk e vrasin trurin për të
dalluar se cila do të jetë intriga e radhës e kryeministrit shqiptar. Tetë vite
nuk kanë mjaftuar për të reflektuar sado pak në këtë drejtim. Nuk paskan
mjaftuar as për Ramush Haradinajn, i cili ka qenë pikë e shënjestrës së
vazhdueshme të kryeministrit të Shqipërisë për ta diskredituar dhe mënjanuar
nga qeverisja e Kosovës!
Nëse
Kosova nuk nxjerr mësimet e nevojshme dhe vazhdon të bashkëpunojë me ngut e pa
kriter me miqtë e Aleksandër Vuçiç në Tiranë, atëherë e ardhmja e saj do të
jetë shumë e ngatërruar dhe e paperspektivë. Ndryshe nuk kishin pse të
mblidheshin në Golem të gjithë “qentë” shqiptarë që sollën në vathën e Kosovës
“ujkun serb”, Aleksandër Vuçiç!
Satanai
ishte kreu dhe organizatori i takimit të Golemit! Kujdes se nga Satanai, se ai
shkakton vetëm kurbanë, viktima! Zaten këtë e ka dëshmuar Edi Rama me librin e
tij të përkthyer serbisht e të promovuar në Beograd!