Faleminderit
Bedri Tahiri: Shukri Qorri (1972-1999)
E diele, 06.06.2021, 02:47 PM
SHUKRI AVDULLAH QORRI (1972-1999)
Unë
do të rroj derisa ta shoh, të bukur Shqipërinë tonë të lirë dhe të madhe, e
pastaj me gëzim le të vdes!
(Jeronim De Rada)
Nga
Bedri TAHIRI
Pemishta (dikur
Padalishta), më 223 ha, 64 ari, 84 m2, është vendbanim i vendosur
nëpër kodrina, lugina dhe rrafshina, i tipit të shpërndarë, i ndarë në dy
pjesë, atë të Skënderajt dhe atë të Istogut. Pjesa që i takon Skënderajt ndahet
në lagjet:
Qorraj,
Beqiraj,
Loshaj dhe
Shala.
“Padalishta njihet
për rezistencë kundër pushtuesve që nga koha e sundimit Osman, atij serb
(1912-1915), austro-hungarez (1916-1918), jugosllav (1918-1941), për të
vazhduar në vitin 1945, dhe për t’u kurorëzuar me luftërat e ushtrisë sonë të lavdishme- UÇK-së, gjatë
luftës së fundit 1998-1999”.
Në një kodër të
Pemishtës (ish Padalishtës), lart mbi lumin Gujavç, i cili këtë vendbanim e
ndanë përgjysmë, në pjesën që i takon Drenicës heroike, jetonte dhe gjallonte
Fetah Qorri, i njohur më shumë si Bellani.
Ky burrë babaxhan,
punëtor e trim, që në shtat mbante plagët nga lufta kundër Serbisë së Parë (Pas
plagosjes se parë, serbët ishin kthyer përsëri, duke shtirë disa herë mbi të,
që të siguroheshin se kishte vdekur, mirëpo siç thotë populli “kur nuk të vret
Zoti, s’ka çfarë të bëjë robi” dhe i
mbijetoi të gjitha ato plagë, duke jetuar edhe disa vite më vonë). Në jetën bashkëshortore pati fat, u martua me
Zepën e Smakiqëve të Abrisë dhe patën tre djem: Jonuzin, Hysenin dhe Rexhepin.
Djali i madh i
tij, Jonuzi u martua me Gjylën e Bekajve nga Tica dhe patën këta fëmijë:
Fazliun, Avdullahun, Ajmanen dhe Zepën.
Avdullahu, djali i
dytë i Jonuzit, lidhi fatin me Riva Çitakun dhe hisja e tyre u shtua me katër
famijë: Hysnija, Hakiu, Shukriu dhe Lindita
Fëmijë i veçantë
Në janarin e egër
të vitit 1972, pikërisht me datën 15, në shtëpinë e Avdullah Qorrit, erdhi në
jetë një fëmijë i veçantë, të cilin e pagëzuan Shukri. Djaloshi, që në fëmijëri
solli atmosferë të mirë në familjen atdhetare, por me një ekonomi të lodhur si
gjithë banorët përreth. Edukata familjare veç e kishte përgatitur shpirtërisht
nxënësin e klasës së parë të shkollës fillore “Ali Kelmendi” të
Leçinës.
Edhe në mësime
dallohej për të mirë. Interesimi i tij për historinë e të parëve, e dallonin
nga moshatarët dhe e bënin një fëmijë të veçantë e mjaft kureshtar.
Mirëpo, kushtet e
rënda ekonomike trokitën ashpër në derën e shtëpisë së tyre. Dhe, një ditë,
babë Avdullahu mori shkopin e mërgimtarit. Vajti në Gjermani, në Ingolstadt të
Bajernit. Me vete mori edhe familjen. Shukriu, krahas shkollimit për mekanik-
axhustator, që e kreu me suksese, angazhohet në disa kurse të gjuhës gjermane,
të cilat i ndihmuan që të punësohet.
Sidoqoftë, edhe
pse jetonte dhe vepronte në Gjermani, mendjen dhe zemrën i mbante në Kosovë.
Organizonte dhe merrte pjesë në çdo aktivitet kombëtar dhe, gjithmonë, me rroba
kombëtare. Frikën e kishte vrarë moti. Armët i donte shumë. Paranë nuk e
kursente për të mirën e atdheut...
Kthimi në Kosovë
Ngjarjet në Kosovë
ecnin me ritmin e tyre. Tashmë lufta kishte plasur. Çdo ditë vrasje, dhunë,
qëndresë e mbijetesë. Ngjau edhe Qirezi e Likoshani. Ngjau edhe Prekazi. Rënia
heroike e Jasharëve i dha frymëzim luftës për liri. Zëri kushtrimtar ra si
kambanarë. Jehu i saj arrit edhe në mërgim.
Dhe, një ditë,
Shukri Qorri, mori bekimin e familjes dhe mësyu drejt zjarrit liridashës. E
lajmëroi edhe të vëllain në Zvicër, Hakiun. Kështu, më 24 maj 1998, edhe
zyrtarisht bëhet pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur formohet Togu
I, pika “Qarri”, i Brigadës 112 “Arben Haliti”, ky sypatrembur
angazhohet në Njësinë Speciale, ku me sukses i mbaron të gjitha
stërvitjet ushtarake. Aftësitë e shkëlqyera fizike dhe trimëria e trashëguar
nga familja, Shukriun e bëjnë një personalitet të kompletuar që me sukses do të
kryej çdo detyrë e obligim të ngarkuar nga eprorët e tij.
Në pikën “Qarri”,
qëndronin e vepronin këta luftëtarë:
Mustafë Rexhep
Qarri,
Shukri Avdullah
Qorri,
Arsim Xhevat
Qorri,
Tahir Hysen Qorri,
Sefer Hajzer
Qorri,
Nderim Ali Qorri,
Amir Sahit Qorri,
Hajdin Rasim
Qorri,
Mentor Ilaz Qorri,
Bajram Jakup
Qorri,
Sylejman Jakup
Qorri,
Gani Sefer Qorri,
Fitim Sefer Qorri,
Xhefer Fazli
Qorri,
Skënder Rexhep
Qorri,
Ali Miftar Qorri,
Rasim Jahë Qorri,
Nexhmedin Ilaz
Qorri,
Ramiz Miftar Qorri
dhe
Ismet Sylejman
Qorri.
Kjo pikë, me emrin
“Kodra e Qarrit” u zyrtarizua nga vetë komandant Abedin Rexha-
SANDOKANI, më 3 qershor 1998.
Duke e parë se
Pemishta ishte pikë strategjike për gjithë Zonën Operative të Drenicës, trimi
qëndronte i patundur në istikamet që u bënin ballë suksesshëm forcave serbe.
Aksionet e tij janë të pandalshme. Kudo që kërciste pushka çlirimtare në ato
anë, Shukriu ishte atypari. Jeta në fronte iu kishte bërë përditshmëri e
zakonshme.
Me urdhrin e
eprorit të lartë të UÇK-së, Bekim Berisha- ABEJA, më 25. 06. 1998, caktohet
vija e frontit dhe pas një kohe edhe bllokohet magjistralja Mitrovicë-Pejë,
pikërisht në Pemishtë, tek “Ura e Ukshinit” mbi Gujafç, ku mori
pjesë dhe u shqua edhe Shukri Qorri.
Mori pjesë dhe u
dallua për vendosmëri e trimëri edhe në sulmin e punktit të Rakoshit më 2. 07.
1998. Shumë i zhdërvjelltë u tregua edhe gjatë sulmeve serbe mbi Pemishtë, më 7
korrik 1998, duke e tërhequr Rexhep Qorrajn e plagosur (babai i dëshmorit
Mustafë Qorri), të cilin, bashkë me Mustafën dhe me Tahirin e dërgojnë në
spitalin e Likofcit, te mjeku atdhetar Fadil Beka. Paskëtaj ishte pjesëmarrës
në sulmin e Belicës e në Betejën e Kijevës...Me një fjalë, ku bënte bam, aty
ishte edhe sypatremburi Shukri Qorri.
Rënia në kufirin shqiptaro-shqiptar
Sa më shumë që
përhapej lufta, aq më shumë shtoheshin radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mirëpo, në anën tjetër, kishte mungesë armatimi e municioni. Nisur nga kjo, u
paraqit nevoja e domosdoshme për të vajtur në Shqipëri për sigurimin e
armatimit dhe municionit luftarak. Pati disa përpjekje, por për shkak të
pengesave e përplasjeve në kufi, nuk u realizuan ato shkuarje. Asaj rruge u
nisën shumë trima, edhe pse shpeshherë pësonin në pikat e vdekjes përgjatë
vijës kufitare.
Një ditë, përmes
pikës “Çitaku”, udhëhequr nga Hajzer Çitaku, drejt Alpeve Shqiptare, u
nis edhe luftëtari i Pemishtës, Shukri Qorri me këta bashkëluftëtarë:
Hajzer Çitaku,
Besim Çitaku,
Shukri Qorri,
Ali Çitaku,
Isuf Çitaku,
Naser Çuni,
Ragip Çitaku,
Kajtaz Çitaku dhe
Driton Çitaku.
“Ditën kur u
nis për armatim, me dajtë e vet, Çitakët, Shukriu e mori veturën e tij, Opell
Cadetin, të cilën e kishte blerë veç për shërbimet e ushtrisë. Ajo veturë
ka histori interesante. Kur qe plagosur Rexhepi, i ati i Mustafë Qorrit, në
oborrin e shtëpisë, ky me këtë veturë e pat dërguar deri në spitalin e
Likovcit, dhe, në të kthyer, nëpër terr, në drita e hetojnë serbët që ishin të
stacionuar në Kodër të Rakoshit, e prej andej e qëllojnë pandërprerë me praga.
Vonë, tek kur i fishkëllejnë predhat përreth, i bie ndërmend për t’i fikur
dritat, ashtu vepronin përherë ushtarët tanë. Më vonë, veturën e tij e kemi parë në Junik, aty e kishte pas
lënë, kur e ka kaluar kufirin për në Shqipëri,- rrëfen i ati, Avdullahu.
Ç‘është e vërteta,
ai, bashkë me shokë, tri herë kishin provuar për tu kthyer në Kosovë, por qe e
pamundur, ngase kufiri shqiptaro-shqiptar ishte mbërthyer me vargoj të hekurt.
Më 5 mars 1999
kyçet në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, te komandant
Rrustem Berisha, më saktësisht në Njësinë e Topave, në artilerinë
e lehtë, me top 75 mm, komanduar nga Feriz Terzhnjeva dhe fillojnë përgatitjet
për thyerjen e kufirit të mallkuar, që ndante padrejtësisht trupin e Shqipërisë
Etnike..
Edhe në ato
përpjekje titanike u tregua shumë i suksesshëm. Tashmë, i angazhuar në
operacion “SHIGJETA”, bënin përpjekje të vazhdueshme për thyerjen
e atij kufiri të mallkuar vëllandarës. Ato beteja qenë të vështira e të
përgjakshme. Disa herë pati mësymje e zmbrapsje, sulme e kundërsulme.
Beteja kryesore e Koshares u
zhvilluar më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”. Ajo qe
njëra ndër betejat më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, më 9
prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i
hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të
luftës në brendësi të Kosovës.
Shkëlqimi në beteja
Në njërën nga ato
beteja, në Koshare, te Rrasa e Zogut, bie heroikisht edhe trimi i Padalishtës
së Skënderajt të Drenicës, Shukri Avdullah Qorri, bashkë me Leonard Palucajn
nga Klina, Fatos Limanajn nga Prishtina, Fisnik Ibrahimajn nga Shajne e Dragashit...
“Ramë në pritat
serbe. Gjatë tërë ditës u zhvilluan luftime nga dy-tri orë, por forcat serbe u
zmbrapsën. Kur u plagos Ambrozi, Leonardi e tërheq në shpinë deri përtej
kufirit, tek Ambulanca e Shtabit dhe iu kthehet luftimeve. Ne u vumë në
pozicione tek Rrasa e Zogut në Koshare. Natën e parë bëra roje me Leopardin. Të
nesërmen herët në mëngjes, kah ora katër, filluan granatimet serbe. Luftimet
ishin të ashpra e zgjatën tërë ditën. Ishte 19 prill 1999. Dikur kah mesi i
ditës luftohej deri në dhjetë metra. Forcat serbe zmbrapseshin e prapë mësynin.
Rreth orës 21 forcat armike hidhen me të gjitha mjetet, iu erdhën në ndihmë
kontingjente të reja ushtarake. U tërhoqëm, por ndërmorëm kundërsulm. I zumë
pozicionet tona...Luftimet ishin të rrepta, me intensitet gjithnjë më të
shtuar. Trupat e luftëtarëve të vrarë nuk mund të tërhiqeshin. Po atë ditë
kishin rënë edhe Fisnik Ibrahimi nga Shajne e Dragashit dhe Shukri Qorraj nga
Padalishta,- rikujton Luigji.
Djali ka rënë për liri e për atdhe
Trupi i tij (ishte
i pa emër) fillimisht është varrosur në Bajram Curr e pastaj në Koshare.
Ndërkaq, pasi është bërë identifikimi përmes ADN-së në Rahovec, trupi i tij
është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Polac, më 7 shkurt 2003.
-Vonë e mora
vesh rënien e tij. Mendoja se është gjallë në ndonjë burg serb. Dy herë kam
qenë në Junik, por nuk më tregonin se ishte vrarë, edhe pse sigurisht e dinin.
Thoshin janë vrarë shtatë veta, tre oficerë e katër ushtarë, por për Shukriun
nuk më tregonin. Nga Kryqi i Kuq i Rahovecit erdhën e më lajmëruan se trupin e
djalit e kishin gjetur. Ai kishte rënë në fushëbetejë. Unë edhe u mërzita e më
erdhi rëndë, por edhe u çlirova, sepse tashmë bile e dija se nuk paska mbetur
në duart e serbëve të pashpirt,- shprehet i ati, Avdullahu.
Ndërkaq, e ëma, Riva
Qorri- Çitaku, është më e fortë dhe as ditën që mori vesh për rënien e
djalit dëshmor, nuk ia pa kush lotin. Ajo rrëfen: “Jo, jo, lotin nuk ma pa
kush. Pak para së të hynte në kufi, pata folur me të në telefon. Sikur t’i
tregonte Zoti, ma kërkoi hallallin. Biri im, hallall të qoftë qumështi që ta
kam dhënë dhe nëse nuk lufton për atdhe, nuk më duhesh as mua! Të them të
drejtën, ai qysh si fëmijë ka qenë i dalluar. Ishte i shkathët si zhiva. Kurrë
nuk ka ditur çka është frika, as natën. Nuk ka lënë demonstratë pa marrë pjesë.
Rënien e tij e mësuam pas katër vitesh. U mërzitëm, por edhe u çliruam, sepse
tashmë po e dija se ku e kam djalin. Mendja më shkonte gjithkah, e mendoja
nëpër burgjet serbe...Gjithmonë thosha me mujt me e gjet trupin e tij, sikur me
e pa të gjallë. Interesant, ditën që ishte vrarë, e pashë një ëndërr të keqe, e
pashë një varr të hapur...Kur erdhën ata të Kryqit të Kuq nga Rahoveci dhe na e
dhanë lajmin se e kishin gjetur trupin e tij, u forcova. Përmes gjakut tonë,
timit dhe të burrit, e vërtetuan se ishte djali ynë. Edhe një trenerkë të
Gjermanisë nën rrobat e UÇK-së ia njoha. Aty i kishte pasur veç tridhjetë lekë, pa kurrfarë dokumenti. Një
copë granate e kishte qëlluar në anën e majtë, nën kraharor. Burrit i thashë,
bëhu i fortë, se djali ka rënë për liri e për atdhe!
Edhe një fakt interesant, që dikujt mund t’i duket i pabesueshëm. Ditën që
e nisëm për ta rivarrosur në Polac, te Varret e Dëshmorëve, që nga Pemishta e
deri në arat e Polacit na ka përcjell
një sokol duke cicëruar. Për çudi, ai, ashtu nëpër qiell na erdhi edhe kur u
kthyem deri në Pemishtë.
Me prindërit e dëshmorit Shukri Qorri në Skënderaj
-Isha në Zvicër
dhe fola në telefon me Shukriun. Ai ende ishte në Tiranë, bashkë me Hajzer
Çitakun, duke grumbulluar armatim për luftëtarët e lirisë që qëndronin në vijat
e frontit në Kosovë. I shpjegova së Shtabi i Përgjithshëm kishte bërë thirrje
për të gjithë ata që kishin dokumente të rregullta dhe leje për punë, që të
ktheheshin në mërgatë dhe ashtu ta mbështetnin luftën materialisht nga jashtë.
Ah, jo, ore vëlla, këtu qenka një realitet krejt ndryshe nga sa duket nga
jashtë. Duke i parë njerëzit si refugjatë duke u përpëlitur rrugëve, nuk kam
zemër tua kthej shpinën. Pa i provuar këto vuajtje e tmerre në vendngjarje, nuk
i përjeton njeriu kurrsesi, ma ktheu ai
dhe vazhdoi punën e tij... - kujton sot i vëllai, Hakiu.
Duke folur për
dëshmorin Shukri Qorri, bashkëluftëtari tij i ngushtë, gjegjësisht kushëriri
dhe tezaku i tij, z. Arsim Qorri, rikujton:
“Shukri Qorri
ishte pika e djalit. Kur e thirri zëri i
atdheut, la luksin perëndimor dhe erdhi në zjarrin e luftës. Ishte i sinqertë,
human, bamirës, i palodhur, sportist, humorist, i afërt me të gjithë, i
hareshëm, por mbi të gjitha trim sypatrembur. Më kujtohet kur, me urdhër të
Bekim Berishës- Abesë, sulmuam punktin e policisë serbe në Rakosh, sa me
vullnet e me sa guxim u nis në aksion. Të gjithëve na dha zemër...”.
Nga muaj tetor
2018 eshtrat e tij pushojnë në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e UÇK-së”
në Marinë të Skënderajt.
Varri i dëshmorit Shukri Qorri në Marinë
Rrugë me emrin e dëshmorit Shukri Qorri
Prindërit e dëshmorit Shukri Qorri
Dhe, nuk thuhet kos
se dëshmorët kanë veç ditëlindje! Ata nuk vdesin kurrë. I tillë është edhe
Shukri Qorri. Emri i Tij është përjetësuar në rrugë, në monumente, në lapidar.
Mirëpo, më mirë se gjetkë ai qëndron tek i nipi, Shukriu i Ri, djali i Hakiut,
i cili, me krenari mban atë emër dhe, sa herë vjen nga Zvicra, shkon dhe e
nderon Dëshmorin
Shukriu i Ri
nderon xhaxhain dëshmor (2020)