Speciale
Pajazit Hajzeri: Gjendja agrare në Arbëri sipas burimeve bizantine
E shtune, 06.03.2021, 07:55 PM
Gjendja agrare në Arbëri sipas burimeve bizantine
Nga Dr.
Sc. Pajazit Hajzeri1
Abstrakt
Punimi “Gjendja agrare në Arbëri sipas burimeve
bizantine"
është një temë e cila sjell ndër vete disa probleme të përgjithshme si të
ekonomisë, shoqërisë, pronës etj, në trevat Iliro – Arbërore.
Të dimë për gjendjen ekonomike në Arbëri
gjatë mesjetës, duhet t'i referohemi kryesisht burimeve bizantine dhe tek autorët
bizantinë që flasin për Shqipërinë, duke mos lënë anash as autorët e sotëm që
me një punë shumëvjeçare kanë zbardhur shumë dokumente që japin të vërtetën mbi
autoktoninë shqiptare në trevat ilire.
Edhe në Arbëri gjendja politike, ekonomike,
shoqërore dhe agrare ishte pothuajse e njëjtë me pjesët e tjera të Perandorisë
Bizantine, mirëpo përparësi e zhvillimit ekonomik të trevave shqiptare ishte se,
ato ishin urë lidhëse në mes Lindjes dhe Përendimit, kishin dalje në anën
Perëndimore në Detin Adriatik dhe në anën Jugperëndimore në ujërat e nxehta të
Jonit e Mesdheut, gjithashtu ishin të lidhura me rrugë të ndryshme si dhe
konfiguracioni i terenit e bënë më të lehtë dhe më të favorshëm zhvillimin
ekonomik, shoqëror dhe agrar gjithashtu.
Kategorizimi pronësor fillon të trajtohet që
nga antikiteti i vonë – mesjeta e hershme dhe atë simbas kategorive dhe
periudhave (shekujve) të ndryshëm.
Me këtë dua të them se ka edhe shumë vend për
t'u kyçur me burime dhe literaturë tjera, por mendoj se një pasqyrë e mirë
është dhënë në këtë punim.
Fjalët Kyqe: Arbëri, Bizant, Bujqësi, Zhvillim ekonomik.
Gjendja agrare në Arbëri sipas burimeve
bizantine
Rrethanat e përgjithshme të zhvillimit
ekonomik në trevat iliro – arbërore
Perandoria Bizantine lindi si rezultat i
ndarjes së Perandorisë Romake.
Mbreti Romak Teodosi i Madh në vitin 395, që
ishte në shtratin e vdekjes, ua ndau mbretërinë e tij dy djemve të vet: Arkadit
Honorit. Arkadi do të qeveriste në Lindje,[1]
kurse Honori në Perëndim. Trevat iliro –
arbërore hyjnë në përbërje të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas
Ndarja e Perandorisë Romake
kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas
emrit antik të
të saj, që pas rindërtimit nga Konstandini i
Madh u quajt Bizant Konstandinopojë.[2]
Trevat iliro – arbërore i dhanë Perandorisë
Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen në mënyrë të veçantë Anastasi I
nga Durrësi (491 - 518), Justiniani I nga Taurisiumi i Shkupit (527 - 565).[3]
Pozicioni skajor në kufi me Italin, me të
cilën interesat e Bizantit mbetën deri në fund të lidhura ngusht, përcaktoi
rolin e jashtëzakonshëm të trevave iliro – arbërore në kuadrin e Perandorisë
Bizantine. Ato u kthyen në nyje
komunikimi të Lindjes me Perëndimin dhe
anasjelltas.
Zhvillimin ekonomik në trevat iliro –
arbërore e mundësonte dhe e favorizonte ekzistenca e shumë porteve të
rëndësishme gjatë bregdetit të Adriatikut dhe Jonit, si dhe rrjeti rrugor që
futej në thellësi të Gadishullit Ballkanik, duke lidhur bregdetin me qendra të
tjera të rëndësishme, si: Nishin, Shkupin, Ohrin, Sofjen, Kosturin, Selanikun,
Adrianopojën dhe Konstandinopojën.
Perandoria Bizantine i kushton vëmendje të veçantë
mbrojtjes strategjike të trevave iliro – arbërore. Perandori Justinian, sipas
Prokopit të Cezaresë historian i oborrit të Justinianit, vetëm në atdheun e
tij, në Dardani, perandori bizantin meremetoi 61 kështjella dhe ndërtoi 8
kështjella të tjera. Numri i kështjellave në katër provincat Ilire; të Dardanisë,
Prevalit dhe të dy Epirëve arrin në 168. Nga ana e tij Anastasi I e rrethoi
qytetin e tij të lindjes, Durrësin me mure madhështore.[4]
Të gjitha ndërtimet dhe rindërtimet e sipërpërmendura të realizuara në
trevat arbërore janë ndërtuar me tatimet e mbledhura populates vendore, ku kjo
jep një pasqyrë të gjithë trevës se ka qenë në gjendje të mirë të një zhvillimi
ekonomik.
Veç Durrësit pikëmbështetje të pushtetit
bizantin në Arbëri përbënin Tivari, Shkodra, Lezha, Kruja, Dibra, Prizreni,
Shkupi, Berati, Devolli, Kolonja, Adrianopoja etj.[5]
Organizimi shoqëror – ekonomik në trevat
iliro – arbërore gjatë sundimit Bizantin
Perandoria Bizantine ishte një monarki e
centralizuar ushtarako administrative. Aty kishte tipare shtetërore të
Perandorisë Romake të perëndimit, por kryesisht ishin gërshetuar tiparet e
despotizmit të lindjes.
Në perandorinë bizantine pushteti ishte në
duart e Perandorit plotësisht. Perandori ishte pushtet, ligj, mbajtës i
pushtetit ushtarak dhe personi numer një i kishës bizantine. Të gjithë të
tjerët ishin nën te. Në kuadër të pushtetit ekzistonte organi konsultativ Senati. Senati merrej me të gjitha
problemet që i paraqiteshin perandorit, përgatit ligjet të cilat me miratimin e
tij hynin në fuqi. Pra Perandori e udhëhiqte senatin që kishte ndikim të madh
në ushtri e popull. Dalngadalë pushteti i perandorit bëhet i kufizuar, atëher
kur kishte pakënaqësi në popull edhe kjo mundësoi krijimin e partive politike,
që në fillim ishin katër parti si: të bardhët, të kuqët, të gjelbërit dhe
blutë.
Pushtetin civil e udhëhiqnin prefektët (pretories) dhe emëroheshin nga
Perandori, ndërsa pushtetin ushtarak e udhëhiqte vetë Perandori. Pushteti u nda
në Dioqeza
(krahina), që udhëhiqeshin nga (vikerët)
më vonë këto dy njësi të mëdha administrativo – territoriale do të quheshin
Prefektura. Kështu lindi prefektura e Ilirikut dhe prefektura e Lindjes.
Iliriku ngërthente ndër vete të gjitha tokat e Ballkanit dhe qendrën e kishte
në Selanik.
Çdo prefekturë ndahej në dioqeza, dioqeza ndahej në Provinca. Prefektura e
Ilirikut kishte dioqezën e Maqedonisë dhe gjashtë Provinca. Iliriku kishte edhe
dioqezën e Dakisë e cila kishte pesë Priovinca.
Tokat shqiptare kishin provincën e Dardanisë
me qendër Shkupin, Epirin e Ri me qendër Dyrrahun, Epirin e Vjetër me qendër
Nikopojën dhe Provincën e Prevalit me qendër Shkodrën, të gjitha këto provinca
do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në organizimin e pushtetit perandorak
dhe se këto provinca gëzonin të drejta të organizimit të brendshëm autokton
autonom, në politikën e jashtme vareshin nga perandori.
Më vonë territori i perandorisë do të pësojë
ndryshime sepse do të formohen rrethe ushtarake në krye të të cilave do të
vendosej Duka, gjithsejt perandoria kishte 13 rrethe.
Në kohën e vales së dyndjes së sllavëve në
shek. VII ishte krijuar flota ushtarake ku ushtarët tanimë ishin me page dhe se
pagat paguheshin nga taksat e shtetit.
Perandoria Bizantine e shekujve, V, VI, VII
karakterizohet me një organizim të brendshëm që synonte të stabilizonte marrëdhëniet
shoqërore, por gjithmonë me diktaturë të rreptë.[6]
Organizimi më i lartë i bashkësisë qytetare
ishte Këshilli i Qytetit. Vend të rëndësishëm në administratë zinte noteri. Ai
formulonte të gjitha aktet e komunës si dhe dokumentet private të popullsisë
si: aktet pronësore, testamentet, akte dhurimi, shitblerje, kontrata tregtare
etj.[7]
2.a.Organizimi ekonomik dhe gjendja agrare shek. IV – VIII
Rrethanat ekonomiko – shoqërore që u krijuan
në etapën e dekompozimit të rendit skllavopronar e të lindjes së sistemit të ri
feudal, sollën si pasojë ndryshime në marrëdhëniet në prodhim. Shtimi i numrit
të komuniteteve të lira fshatare, forcimi i pronës së vogël, krijimi i
dinastive vendase të pavarura, formuan një bazë për lindjen dhe zhvillimin e
ekonomisë së mbyllur. Nga ana tjetër, pasiguria që ekzistonte në territorin e
gjerë të perandorisë lindore (konfliktet e brendshme e më tepër luftërat dhe
plaçkitjet e vazhdueshme, dyndjet avarosllave e bullgare), e detyrojnë
popullsinë e inkuadruar në bashkësitë e lira fshatare të merrte masa
vetëmbrojtëse. Pikërisht në një situate të tillë jetonte provinca e largët e
Shqipërisë në kuadrin e perandorisë së gjerë bizantine[8].
Në shek. III provincat lindore ishin
përfshirë nga një krizë e gjithanshme politike e shoqërore, por në një shkallë
më të ulët se në Perëndim. Në shek. IV – V pasojat e krizës u kapërcyen
pjesërisht.
Në mjaft krahina u rivendos sistemi i ujitjes.
Një pjesë e rëndësishme e tokës filloi të punohej. Në shumë rajone, përpunimi i
bukës, i rrushit dhe i frutave mori karakterin e ekonomisë së mallrave.
Zhvillimi i bujqësisë, që ishte bazë e
ekonomisë ishte shumë i ngadalshëm. Atë e pengonin marrëdhëniet në prodhim. Në
marrëdhëniet agrare pasqyroheshin kontradiktat karakteristike për epokën
kalimtare nga skllavopronaria në feudalizëm.[9]
Për trevat Ilire – Në letrat e veta Ciceroni
flet për praninë në shek. I p.e.s të latifundistëve, tregtarëve, veteranëve apo
kolonëve romakë në disa qytete të lulëzuara të brezit bregdetar si: Buthroton,
Dyrrachium, Apollonia, por kjo nuk do të thotë akoma se kemi të bëjmë me një
kolonizim në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.[10]
Prania e tyre ndeshet edhe më vonë. Gjatë dy
shekujve të parë të sundimit bizantin shek. V – VI provincat jugore ilire e
përballuan deri diku krizën e përgjithshme që kishte mbërthyer mbarë rendi
skllavopronar. Krahas qendrave të vjetra urbane tani me popullsi të pakësuar,
fillojnë të dalin në fushën e burimeve historike një varg qytezash të vogla të mbyllura
brenda mureve të fortifikuara.[11] Rreth shek. VI, Prokopi i Cezares na jep 168
emra qendrash të fortifikuara, të shpërndara në të katër provincat jugore
ilire, në shumicën e tyre dërmuese të panjohura më parë.[12]
Ky është një dokument i mirë për të gjykuar rreth përbërjes etnike joromake,
ilire të popullsisë së këtyre provincave në fund të antinitetit dhe në fillim
të mesjetës.
Kategorizimi pronësor
3.a. Kolonët shek. IV – VIII
Kudo ekzistonte prodhimi i vogël, baza e të cilit
ishte pronësia e pjesëshme e punonjësve mbi mjetet e prodhimit, në fshat
dominonte bujqësia e fshatarëve të vegjël, të lirë ose bujkrobër, në qytet
zejtaria.[13]
Bazën e popullsisë fshatare e përbënin
kolonët. Numri i tyre ishte rritur shumë; nga çlirimi i skllevërve dhe nga
kthimi i mjaft barbarëve në kolonë.
Ata vazhdonin të ndaheshin në dy kategori
kryesore kolonë të lirë (elefterë) dhe kolonë të regjistruar (enapografë).[14] Kolonët
e lirë, duke humbur tokën private dhe lirinë, ktheheshin në mbajtës të tokës së
zotërisë. Si persona të lirë, kolonët i paguanin tatime edhe shtetit dhe plotësonin
disa angari shtetërore.
Nga njëra anë, ai juridikisht quhej njeri i lirë
dhe shteti merrte prej tij taksa civile, nga ana tjetër, nuk ishte i lirë të
largohej sipas dëshirës së tij nga territori i qifligut dhe ishte i detyruar
t'i paguante pronarit të tokës taksa të vazhdueshme në forma të ndryshme.
Kolonët ishin parardhësit e bujkrobërve të mesjetës.
Lidhja e kolonit me tokën ishte një nga shkaktarët
e shkatërrimit të ekonomisë skllavopronare.[15]
Sipas Kodit të Justinjanit, "Urdhërojmë që kolonët dhe inkuilinët)[16] në Ilirik (Arbëri) dhe në krahinat fqinje thuhet:
(kolonët) të mos kenë të drejtë të lënë fshatin në të cilin janë caktuar të
jetojnë, sipas prejardhjes dhe farefisnisë së tyre. Le të jenë robër të tokës jo me detyrime taksash, por me emrin
dhe titullin >>kolonë<<,
kështu në qoftë se ikin dhe kalojnë tek një tjetër, mbasi të kthehen, të futen
në burg dhe të dënohen. Të dënohen edhe ata që kanë menduar se mund të pranojnë
një kolon të huaj dhe të panjohur, duke rivendosur, punën dhe dëmet që kanë pësuar
vendet e braktisura prej tyre, dhe duke paguar gjobën, caktimin e së cilës e
lëmë në dorën e gjyqtarit".[17]
Përveç, pronave të mëdha e të mesme u krijuan
edhe ekonomitë e vogla private. Fshatarët e lirë banonin në bashkësi. Bashkësitë
ishin tri lloje; Tipi më i lartë, kur
fshatarët kishin të drejtë të shfrytëzonin token, të shisnin prodhimin deri dhe
ngastrën e tokës. Tipi i dytë, kur
ekziston një barazi e plotë në shfrytëzimin e tokës, kur ndaheshin periodikisht
kufijtë e ngastrave dhe kur ndalohej shitja ose coptimi i ngastrës. (Tipi i tretë P.H.), në disa rajone
malore ruheshin bashkësitë ose lidhjet e gjakut.[18]
3. b. Bashkësia fshatareshek. IV
– VIII
Në këtë periudhë bashkësia fshatare, përsa i
përket organizimit të brendshëm, ruante mjaft elemente të vetorganizimit. Ajo
zgjidhte kryeplakun e persona të tjerë të nevojshëm, si; mbikqyrësin e digave,
kontrolluesin e shpërndarësit të ujit etj.
Mbledhësi dhe kryeplaku përgjigjeshin para
shtetit për vjeljen e tatimeve dhe për plotësimin e detyrimeve. Tatimi kryesor
ishte detyrimi për tokën.
Në mjaft bashkësi fshatare, veçanërishtë në
bashkësit e krahinave Jugore, qysh në shek. VIII, pranë pjestarëve që vazhdonin
akoma të punonin me forcat dhe me mjetet e veta ngastrat e tyre, kishin dalë
nga njëra anë familje të pasura dhe
nga ana tjetër fshatar të varfër të varur si: Aporë, Mortitë, e Mistotë[19].
Me që tokat ishin pronë e bashkësisë,
pjestarët e bashkësive kishin mundësi të rritnin sipërfaqet e tokave të
punueshme, për ta rritur prodhimin bujqësor e blegtoral, pa i bler ato.
Zhvillimi i forcave prodhuese përgatiti kushtet për lindjen e marrëdhënjeve
feudale në tokat shqiptare.
Kështu, bashkësit fisnore dhe fshatare bënë
njëkohësisht edhe bashkësi fiskale. Shteti caktonte një shumë taksash dhe ajo
përgjigjej kolektivisht për pagesën e rregullt të krejt shumës.[20]
Edhe me vendosjen e popullsive
,,barbare", në Gadishullin Ballkanik forma kryesore e organizimit shoqëror
ishte bashkësia fshatare.[21] Në
gjirin e bashkësive fisnore, lidhjet e
gjakut që i mbanin njërin pranë tjetrit në ekonominë e përbashkët vazhduan të
dobësohen. Me dobësimin e këtyre lidhjeve, me largimin e këtyre
pjestarëve nga bashkësia dhe me rëndësinë që
merrte në marrëdhënjet midis tyre fqinjësia territoriale, Bashkësia Fisnore këthehetj kështu në Bashkësi Fshatare, si rrjedhim edhe Katuni në Fshat.[22] Ata paraqiteshin si një fshat i madh me
territor të vetin, bashkë me tokën e tyre.
Në shek. V – VI varfërimi progresiv dhe rrënimi
ekonomik përfshiu edhe provincat e Perandorisë Bizantine që deri tani nuk e
kishin ndjerë aq thellë këtë proces,
midis tyre edhe provincat e Prevalit, Epirit të Ri dhe Epirit të Vjetër që edhe
nën sundimin bizantin vazhdonin të ishin si ndarje administrative më vehte.
Në shek. VIII në Shqipëri vazhdonin të
njiheshin akoma efektet e rënies ekonomike që kishte filluar gjatë shekujve të
mëparshëm.
Qytetet që kishin mundur t'i shpëtonin rrebeshit
të dyndjeve barbare ishin zvogëluar dhe e kishin humbur karakterin e tyre si
qendra prodhimi e shkëmbimi. Ato kishin marrë tani një karakter agrar me një
farë rëndësie vetëm si qendra ushtarake edhe administrative[23].
Organizimi në bashkësi e kapërcente në ndonjë
rast kuadrin e një vendbanimi fshatar, duke përfshirë disa të tilla. Kështu
linden bashkësitë krahinore, që u njohën si të tilla edhe në kuadrin e
organizimit administrativ e kishtar bizantin. Duke filluar nga shek. VIII, të
tilla në trevat shqiptare përmenden: Kunavia, Stefaniaka, Pulti, Devolli,
Kolonja, Himara, Vagenetia[24].
Gjendjen e bashkësive fshatare në këtë pjesë
të mesjetës na e pasqyron deri diku "Ligji bujqësor" (neomos
georgikos). Ky ligj përmban të drejtë zakonore bizantine, që mendohet se është
kodifikuar rreth mesit të shek. VIII. Ligji
në fjalë kishte vlerë për të gjitha territoret ballkanike të Perandorisë Bizantine,
dhe në këtë kuadër, edhe për trevat shqiptare.[25]
Fshatarët të cilët që jo rastësisht quheshin
aty "zot" (kyrios), kishin
tokën e tyre arë, vreshtat, kopshtet, që, së bashku me shtëpinë dhe me
bagëtitë, përbënin pasurinë kryesore vetjake të familjes fshatare.[26]
Në këtë ligj janë pasqyruar ndryshimet që po
ndodhnin në shek. VIII në gjirin e bashkësive fshatare. Aty thuhet se tokat e
braktisura prej zotëruesit duhet t'i ktheheshin përsëri bashkësisë. Nga regjimi
i vjetër i pronësisë së përbashkët ishte ende në fuqi sistemi i arave të
hapura, sipas të cilit pjesëtarët e bashkësisë kishin të drejtë t'i kullotnin
bagtitë e tyre në të gjitha arat e veçanta të familjeve, sapo këto të kishin
përfunduar korrjen.
Në ligjin agrar del qartë se prona e
përbashkët Kujria – që ishte bazë e
regjimit të bashkësisë qysh në shek. VIII kishte filluar të pakësohet. Aty
shihet se jo vetëm shtëpitë, bagëtit, kopshtet, vreshtat por edhe një pjesë e
arave ishte kthyer në zotërim privat të familjeve. Këto familje tani kishin të
drejtë që arat e tyre t'i trashëgonin, shkëmbenin ose edhe t'i jepnin tjetër
kujt me qira, por ende nuk kishin të drejtë t'i shitnin.[27]
Në këtë ligj del se disa pjesëtarë të
bashkësive ishin kthyer në Aporë
(fshatarë të varfër). Këta ishin të detyruar për mungesë mjetesh pune, t'i
linin bashtinat e tyre dhe të shkonin në vende të tjera.
Në bashkësitë fshatare barazia e dikurshme e
pjesëtarëve në shek. VIII filluar të lëkundej në një shkallë të thekësuar.
Brenda bashkësisë tani praktikohej edhe marrja e tokave me qira.
Në ligjin agrar përmenden fshatar qiramarrës
ose Mortitë, të cilët punonin në
ngastrën e manastirit, duke i paguar atij si qira të dhjetën (1/10) e prodhimit
ose Mortën.
Në ligj përmenden edhe argatët me meditje ose
Mistotët, të cilët juridikisht ishin
të lirë, por ekonomikisht ishin të varur nga fshatari i pasur, te i cili
punonin kryesisht si barinj – rrogtarë. Në ligj përmenden në fund edhe skllevër.[28]
Dhunimi çfarëdo i pronës individuale ndëshkohej
me masa që shkonin nga zhdëmtimi e deri në dëmtime të ashpra trupore, si me
rrahje, damkosje me hekur të nxehtë, me verbim apo me prerjen e dorës.[29] S'ka dyshim që ndëshkime të tilla të vrazhda
pasqyrojnë ndikimin që ushtroi mbi të drejtën bizantine e drejta dokesore e
popujve barbarë, që erdhën e u vendosën në territorin bizantin në shek. V –
VII.
Ligji agrar (bujqësor), na tregon edhe për
pronat private për ngastrat, arat, livadhet, kopshtet etj, por edhe ndëshkimet
e tyre që dëmtojnë ose dhunojnë pasurinë, e tjetrit. (Neni 42) thotë: Në qoftë se ndonjëri, duke dashur
të vjedhë një ka, nga një kope, bën që kopeja, duke u shpërndarë, të bëhet pre
e bishave, (ai) të verbohet. (Neni 44) Në qoftë se ndonjëri gjen në pyll një ka
e therrë atë dhe e merr mishin e tij, t'i priten duart. (Neni 46) Në qoftë se
një shërbëtor, duke dashur të vjedhë natën, largon prej kopesë bagëtitë, duke i
dëbuar nga vathi dhe (ato) humbasin ose i hanë bishat, të ngulet në hu si
vrasës. (Neni 64) Ata që vënë zjarr në lëmë ose në qipitë (e grurit) për
hakmarrje kundrejt armiqve, le të digjen në zjarr.[30] Me këtë nuk do të thotë vetëm ndëshkimi, por
mbrojtja e pronës dhe pasurisë së tjetrit që gjithashtu dimë nga Ligji i
bujqësisë.
Çdo fshatar kishte ngastren e vetë (neni 1) me
kufij të përcaktuar mirë, shkelja e të cilave shkaktonte faj dhe ndëshkohej me
dënime të ndryshme sipas rastit.
Pronari i tokës kishte të drejtë ta detyronte
fqinin e vet t'i priste degët e pemës, kur ato shtriheshin mbi token e tij
(neni 33), të mos lejonte kalimin përmes tokës së tij as ujin e mullirit të një
fshatari tjetër (nenet 83-84). Pronësia private shtrihej gjithashtu mbi
kopshtin (neni 31), vreshtën (nenet 21,59,80), bagëtinë (nenet 23 – 29), mbi
pyllin (nenet 20 – 57) etj.[31]
Mjaft norma dhe institucione, që gjejnë
pasqyrim në "Ligjin bujqësor", u futën në të drejtën dokesore
(zakonore), dhe si të tilla mbijetuan deri në kohët e reja në fshatin shqiptar.[32]
Këto diferencime shoqërore në Perandorinë
Bizantine, e edhe në trojet shqiptare janë ndikuar edhe nga faktorë të jashtëm,
siç ishin humbja për Perandorinë Bizantine e Egjiptit, Mesapotamisë etj. që
ishin hambar të perandorisë. Këto humbje sollën pakësimin e të ardhurave të
shtetit bizantin në kohën kur ajo duhej të mbante në këmbë një ushtri të forte për t'i bërë
ballë pushtimeve arabe. Për këtë arsye u ngritën taksat. Këto kërkesa të mëdha
fiskale të shtetit shpejtuan diferencimin e fshatarëve. Mbi bashkësitë është
ushtruar një presion i madh edhe nga institucionet kishtare e manastirore, të
cilat ishin bërë në këtë kohë pronare të mëdha tokash.
Prandaj, në bashkësit fshatare të viseve
fushore, qyshë në shek. VIII kishin dalë në njerën anë familje të pasura, e në
anën tjetër fshatarë të varfër e të varur, si: mortitë dhe mistotë, të cilët
shfrytëzoheshin pa mëshirë nga familje të pasura. Kështu është çthurur rendi i
bashkësive.[33]
3. c. Stratiotika
Megjithëse tek bizantinët ekzistonte ligji që
ushtarëve
t'u jepej ushqim dhe rrogë, ky perandor,
(Manuel I Komneni), mbasi ua shkurtoi këto ushtarëve, rregulloi që ata të kenë
[sendet] e nevojshme në sasi të mjaftueshme nga proniet ushtarake.[34]
Në kohën kohë kur në Bizant sunduan
perandorët e "dinastisë maqedone", shek. IX – XI, njohën një përhapje
të gjërë të të ashtuquajturave "ngastra ushtarake" (stratiotika ktemata). Këto shteti bizantin ua shpërndante bujqve me kusht që
këta të kryenin shërbimin ushtarak.
Ushtari (stratiot),
është një luftëtar me kali dhe shoqërohet nga një trupë e armatosur, madhësia e
së cilës varet nga madhësia e feudit që ai ka marrë në pronie, ky shërbimi
ushtarak kryhej me shpenzimet e tyre.[35]
Sistemi i pronave ushtarake njohu përhapje të
gjerë në kohën e riorganizimit politiko – administrativ të Perandorisë
Bizantine dhe të ndarjes së territorit të saj në provinca ushtarake (tema). Sistemi i temave, themeli
ekonomik e shoqëror i të cilit ishte prona e vogël e bujkut – ushtar (stratiotit), u bë shtylla kurrizore e
shtetit dhe e ushtrisë bizantine.[36]
Po edhe fshatarët stratiotë, nuk mund t'i
shpëtonin varfërimit, prandaj me kohë filluan edhe ata t'i shisnin ngastrat e
tyre e të kalonin në një gjendje varësie e shfrytëzimi nga dinatët ushtarakë ose civilë të cilëve u kishin dorëzuar tokat e
tyre.[37]
Shërbimi ushtarak, që kryente me shpenzimet e
veta, përbënte, një lloj rente që i lahej shtetit duke sjellur çlirim nga disa
detyrime të tjera. Pra ishte i liruar nga një pjesë e tatimeve që edhe ashtu
ishin të shumëta ndaj shtetit.
Organizimi i ri i temave synonte të
konsolidonte forcën ushtarake bizantine nëpërmjet krijimit të një ushtrie që
rekrutohej në vend nga radhët e stratiotëve ose bujqve ushtarë, që kishin të
drejtën e shfrytëzimit të një parcele toke kundrejt kryerjes së shërbimit
ushtarak.[38]
3. d. Pronia
Një nga format kryesore të zotërimit të tokës
ishte pronia.
Proniet ishin zotërime toke që pushteti
qëndror bizantin ua shpërndante feudalëve të veçantë me kusht që të kryenin
shërbimin ushtarak me një numër kalorësish të armatosur rëndë me shpenzimet e
veta, sa herë t'i thërriste perandori.[39]
Të dhënat e para për ekzistencën e pronieve
dhe të proniarëve në Shqipëri i takojnë mesit të shek. XIII.
Pronarët shqiptarë, në burimet perëndimore,
përmenden me termin ushtarak "miles",
për shkak të funksioneve të tyre ushtarake.[40]
Në dallim nga tokat ushtarake, proniet ishin
shumë më të mëdha dhe zotëruesi ishte pjesëtar i klasës feudale. Që nga shek.
XII pronia u përhap gjerësisht dhe u bë një nga format kryesore të zotërimit
mbi token në Ballkanin Perëndimor[41], duke përfshirë edhe tokat e Arbërisë.
Pronia (fjalë për fjalë do të thotë:
parashikim në favor të dikujt), quheshin toka të madhësive të ndryshme që u
shpërndaheshin nga pushteti qendror feudalëve të veçantë si zotërim i
kushtëzuar.
Duke marrë pronën, zotëruesi i saj feudal,
proniari fitonte të drejtën të vilte nga ekonomitë fshatare që ndodheshin
brenda saj një numër të caktuar detyrimesh nga të cilat hiqte dorë tani arka
qëndrore.[42]
Proniet lidheshin ngusht me personin të cilit
i jepeshin; ky e mbante pronien sa kohë që kryente detyrimet e tij, përndryshe
ajo mund t'i merrej.
Proniari nuk mund ta shiste ose ta dhuronte
pronien, bile nuk mund ta linte trashëgim pa aprovimin e pushtetit qendror.[43]
Në fund të shek. XIV e gjatë gjysmës së parë
të shek. XV, pati një shpërndarje masive proniesh. Kjo dokumentohet më mirë për
rrethin e Shkodrsë. Kështu, më 1416 nga 116 fshatra të Shkodrës, 32 ose 38%
ishin pronie. Në shumicën e rasteve, ato
përbëheshin nga një fshat. Nuk mungojnë rastet kur një pronie ishte e
shpërndarë në tri fshatra. Proniet nuk përbënin gjithmonë një territor kompakt.
Tetë hotianë kishin një pronie, fshatin Podgorë.[44]
Me kohë proniarët filluan të merrnin të
drejta më të gjera eksklusive siç i patën gëzuar më parë vetëm institucionet
kishtare në zotërimet e tyre. Proniarët filluan bile të krijonin një aparat të
vet nëpunësish, rojesh personale, ushtarësh etj[45].
Përhapja e pronies, jo vetëm pasqyronte shfaqjen dhe zhvillimin e tipit të ri
të pronësisë, por edhe ndryshime në tërësi të sistemit të pronësisë bizantine.[46]
3. e. Bashtina
Krahas pronies ndonëse në një shtrirje jo kaq
të gjerë e një
peshë specifike jo kaq të madhe, ekzistonte
një kategori tjetër e pronës feudale, bashtina.[47] Bashtina
ishte pronë e plotë, e përjetshme dhe e pakushtëzuar. Ajo mund të shitej, të
dhurohej, të trashëgohej. Ato ishin krijuar me atë të përvetësimit të tokave të
anëtarëve të bashkësisë me blerje, me grabitje, ose me dhurime nga pushteti.
Ndërsa toka e bashtinës fshatare punohej nga
anëtarët e familjes së mbajtësit të saj, bashtina feudale, ashtu si edhe pronia,
mbështeteshin krejtësisht mbi shfrytëzimin e punës së fshatarëve të pavarur[48].
Shek. XIV u bë periudha që shënoi një moment
kthese. Në këtë kohë vihet re një sulm i gjerë i feudalëve për të shtënë në
dorë tokat që nuk kishin rënë nën pronësinë feudale. Objekt sulmi u bënë
kullotat malore ose "bjeshkët".
ata niseshin nga parimi se malet i përkasin atij, në tokat e të cilit gjenden.
Ky parim ishte shprehur edhe në kodin e Stefan Dushanit. Malet konsideroheshin
pronë ekskluzive e feudalëve. Ato u bënë të tilla, duke përdorur edhe dhunën.
Rrugë të tjera veç marrjes me dhunë ishte
blerja e detyruar ose fiktive "dhurimet"
gjoja vullnetare të fshatarëve të varfëruar etj.
Nëpër këto rrugë u zgjeruan bashtinat në
formën e uniteteve ekonomike – territoriale të mëdha e kompakte. Në disa raste
arrinin deri në mijëra hektarë. Proniet e bashtinat ndodheshin jo vetëm në
duart e dinatëve feudalë shekullarë, por edhe të feudalëve kishtarë të
manastireve, të kishave dhe të peshkopatave.
3. f. Gjendja kishtare dhe pronat
kishtare në Shqipëri
Në kapërcim të shek. X – XI trevat shqiptare
ishin nën juridiksionin kishtar të tri kryepeshkopatave, të cilat drejtonin një
numër të madh selish peshkopale vartëse (sufragane).
Këto qenë kryepeshkopata e Naupaktit, ajo e Durrësit dhe kryepeshkopata e Ohrit.
Kryepeshkopata e Ohrit përmblodhi numër më të
madh të peshkopatave shqiptare. Të tilla qenë peshkopata e Himarës, Butrintit,
Drinopojës. Ajo kishte nën vete edhe selitë peshkopale të Nishit, Prizrenit,
Shkupit, Dibrës, Kërçovës, Përlepit, Devollit, Kolonjës, Manastirit etj.[49]
Ndarja zyrtare e kishës më (1054), në kishën
katolike të Perëndimit, me qendër në Romë, e në kishën ortodokse të Lindjes, me
qendër në Konstandinopojë, i gjeti trojet shqiptare të ndara midis dy qendrave
të mëdha të botës së krishterë. Pjesa më e madhe e tyre vazhdoi të qëndrojë e
lidhur me Patrikanën e Konstandinopojës. Por në skajin veriperëndimor ishte kristalizuar
një enklavë katolike e përfaqësuar nga peshkopatat diokleate të Tivarit,
Ulqinit, Shkodrës, Pultit, Drishtit që njohën autoritetin kishtar të Papës së
Romës[50].
3. g. Pronat kishtare
Pronat e institucioneve kishtare u rritën më
shpejt se ato të feudalëve. Kjo duket në rritjen e pronave të kryepeshkopatës
së Ohërit. Në shek. IX ajo zotëronte disa ndërtesa kishtare e manastirore e
disa pallate të dhuruara nga mbretërit bullgarë në Devoll e Gllavinicë,[51] dhe
në fillim të shek. XI nuk kishte më tepër se disa qindra parikë, në fillim të
shek. XII kryepeshkopata në fjalë zotëronte disa qindra fshatra si pronie e
bashtina, të shpërndara në Shqipëri e Maqedoni, në të cilat gëzonte imunitet.
Ajo ishte pronare kullotash, mullinjësh dhe dajlanesh,[52]
asaj i përkiste e drejta e peshkimit në gjithë liqenin e Ohrit, nga të gjitha
këto ajo kishte të ardhura të mëdha.
Rrugët e përvetësimit të tokave ishin blerja,
akoparimet, dhurimet e perandorëve dhe të besimtarëve të pasur. Ndërsa prona e grumbulluar nga feudalët
shekullarë ndahej shpeshherë nga trashëgimtarët, kontestohej nga kundërshtarë
ose kthehej në fondin shtetëror me rastin e vdekjes ose të vrasjes së pronarëve
të saj. Prona kishtare kishte stabilitet më të madh dhe gëzonte siguri pak a
shumë të plotë. Për këtë arsye shumë feudalë shekullarë themelonin manastire
dhe u dhuronin atyre pronat e veta, duke i lënë vetes, anëtarëve të familjes të
drejtën e ktitorit (themeluesit), gjë që u lejonte të
gëzonin të ardhurat e tyre në mënyrë më të siguruar.
Manastiret dhe kishat u pajisën me dhurata të
mëdha tokash e fshatrash. Kështu, më 1426, Gjon Kastrioti i dhuroi manastirit
të Hilandrit në malin Atos dy fshatra në Dibër.[53]
Në fillim të shek. XIII, në Kosovë, ky
manastir kishte vetëm 9 fshatra, një treg dhe 4 stane bletësh. Pas një shekulli
e gjysmë ai zotëronte 190 fshatra e 14 male ose bjeshkë midis Dibrës e
Prizrenit.
Manastiri i Deçanit kishte 151 fshatra dhe 18
bjeshkë. Tokat e tij llogariteshin në 20.000 ha. tokë me 15.500 banorë që
kapnin një krahinë të tërë e kompakte që quhet Rrafshi i Dukagjinit.[54]
Një Llambadar në këtë manastir është eksponat
e dhuruar nga Ghergj Kastrioti – Skenderbeu.[55]
Në vitin 1280, në fshatin Potgorë të rrethit
të Shkodrës kishte vetëm 4 ekonomi fshatare pronë e manastirit të Vraninës. Pas
disa dhjetëra vjetësh kjo pronë kishte përfshir gjithë fshatin. Manastiri i
Tetovës, nga pronar i disa arave, më 1338, ishte bërë pronar i gjithë fshatit
Trakovec.
Më 1348 manastiri i Prizrenit kishte 76
fshatra e 23 kullota malore e shumë shtëpi. Një pjesë e mirë e këtyre pronave
ishin larg Prizrenit, në Pult, në Danjë, Gjadër, Koplik, Shkodër etj.[56]
Manastiret u jepnin zotërimet e tyre
qiramarrësve të mëdhenj. Ata, ua shpërndanin tokat qiramarrësve të vegjël.
Kështu rritej pagesa e qirasë dy herë. Kjo dëshmonte për lindjen e formave
fillestare karakteristike për marrëdhëniet parakapitaliste.[57]
Në fillim të shek. XIV, siç na meson
krisobula e Shën Shtjefnit – Banjskës (e cila u shkrua, me sa duket, gjatë
viteve 1313 – 1316), Llapi i Poshtëm dhe Llapi i Epërm – "Obema Laboma", zihen n'gojë si
prona të manastirit të Banjskës.[58]
Po ashtu edhe fshati Barilevë ishte pronë e këtij manastiri.
Kështu, në vitin 1419 (1414) me rastin kur
sunduesi në fjalë (Gjuragj Brankoviqi), manastirit të Shën Pantelejmonit në
Malin e Shenjtë ia bashkangjet dy fshatra, njëri prej tyre ishte Vranidolli,
fshat buzë Llapit.[59]
Në shek. XVI trevat shqiptare karakterizohen
me një zhvillim te mëtejmë p.sh. Prizreni shënon përparim në tregti, në zejtari
dhe në jetën kulturo – arsimore. Ndërtohen mullinjtë, dyqanet, karvansarajet,
shkollat, xhamitë dhe zgjerohet qarshia. Në fillim të shek. XVII, Prizreni
llogaritet në adhën e qyteteve më të mëdha të Gadishullit Ballkanik, si dhe
qendër e rëndësishme për blegtori dhe prodhime blegtorale, posaçërisht me lesh
dhe përpunimin e lëkurës, e cila eksportohej madje edhe në Gjermani.[60]
Kategorizimi shoqëror
4. a. Dinatët
Dokumentet e shek. VIII – X provojnë se në
gjirin e bashkësive
qe diferencuar shtresa e "të fuqishmëve"
(dynatio) apo e "të mëdhenjve"
(megistanes).[61]
Në shek. IX–X u përhapën në Shqipëri marrdhëniet
feudale. Përhapja e tyre erdhi si rezultat i çthurjes së mëtejshme të
bashkësive fshatare, i pasurimit të dinatëve ushtarakë, civilë e kishtarë në
kurriz të fshatarëve që humbnin bashtinat e tyre dhe i kalimit të këtyre
fshatarëve nën varësinë e dinatëve feudalë.[62]
Instituti i "numrit" (arithmos),
i fshatarëve të caktuar për feudalët e veçantë dhe ai i "ekskusies" që ndeshën gjithnjë e më
shpesh gjatë shek. XI – XII për disa
toka shqiptare janë hallka të procesit të fuqizimit të klasës feudale vendëse sepse
shtonin në mënyrë të ndjeshme rentën e përvetësuar nga dinatët.
Funksionet që ushtronin dinatët, kryetarë
bashkësishë krahinore, njihen nëpërmjet titujve me të cilët ata shfaqen më vonë
në dokumentet historike të shek. XII – XIII. Të tillë janë "kryetarë katundi" (caput catonis, cavo), "i parë" (prior) "gjykatës"
(judex ose sundia) "udhëheqës i ushtrisë" (vojvoda), sundues (arhond).[63]
Titulli gjykatës i cili u përdor në gjuhën
shqipe për të cilësuar sunduesin, tregon se një nga funksionet kryesore të
këtyre dinatëve ishte zgjedhja e çështjeve që lindnin brenda bashkësive, ndërsa
funksioni i vojvodës u jepte atyre në
dorë komandën mbi repartet ushtarake të bashkësive. Kështu që funksionet e reja
të gjykatësit, vojvodës etj, nuk u shërbenin thjesht interesave të bashkësive
por, në radhë të parë, forcimit të mëtejshëm të pozitës së dinatëve mbi
bashkësinë. Kështu del se ata që në fillim kishin qenë shërbenjës, dalngadalë u
kthyen në zotërues të saj.[64]
Mjeti më i zakonshëm për futjen e fshatarëve
nën vartësinë e dinatëve ishte borxhi. Kur fshatari nevojar merrte borxh te
dinati apo te kisha, ai ia linte peng tokën e vet për shfrytëzim borxhdhënësit
derisa t'i a shlyente borxhin. Gjatë kësaj kohe ai ishte i detyruar ta punonte
tokën duke mbajtur për vehte vetëm një pjesë të korrjes. Në shumë raste dinatët
përdornin pozitën e vet si funksionar të shtetit dhe ua grabisnin fshatarëve
tokën, ose i detyronin t'ua shisnin me çmime të ulta ose më në fund i rëndonin
me detyrime arbitrare. Kishte raste kur fshatarët, për t'u shpëtuar këtyre
presioneve, viheshin nën "mbrojtjen"
e dinatëve, të kishave ose të manastireve duke u "dhuruar" ose "shitur"
tokën dhe duke e punuar pastaj vetë atë tokë si mortit.[65]
Legjislacioni i shek. IX – X u jepte dinatëve
të drejtën e prioritetit në blerjen e tokave të fshatarëve fqinjë brenda
bashkësive.
Këtyre ose dinatëve, siç njihen në burimet e
kohës, pushteti bizantin ua njohu pozitën e fituar në gjirin e bashkësive dhe u
akordoi privilegje e kompetenca të reja, për të siguruar me anë të tyre
nënshtrimin dhe shfrytëzimin e bashkësive fshatare.[66]
4. b. Parikët
Vartësia ekonomike e fshatarëve nga dinatët u
bë me kohë e trashëgueshme. Doli kështu në skenë përballë dinatit ushtarak,
civil ose kishtar, figura tipike e parikut, e bujkrobit, pa pronë të vetën, i
cili ishte i detyruar ta punonte tokën e proniarit të madh duke i paguar këtij
rentën feudale në prodhime dhe duke i bërë atij njëherit disa punë angari.[67]
Pariku punonte në pekulën – bashtinë që kishte marrë nga dinati. Ai kishte pra
ekonominë e vet shpeshherë edhe inventarin e vet. Por ai nuk ishte veçse një
mbajtës i tokës, një qiramarrës dhe nuk kishte asnjë të drejtë pronësie mbi
tokën. Ai mund ta mbante tokën vetëm nëse e punonte çdo vit dhe vetëm nëse i
jepte pronarit dinat rentën feudale e cila në mjaft raste ishte më tepër se e
dhjeta; ajo arrinte deri në të katërtën, bile edhe të tretën e prodhimit.[68]
Në të vërtet pushteti qendror nuk bëhej garant i të drejtave dhe i pavarësisë së
pronarëve të vegjël, siç përpiqeshin të tregonin novelat perandorake. Ai
mbronte të drejtën e vet për të nxjerrë taksa dhe shërbime të tjera nga prona e
vogël, të cilat fisnikëria e pronarëve të mëdhenj kërkonte t'ia rrëmbente. Kriza bëhej vërtet serioze pasi aristokracia
feudale e fuqizuar, nëpërmjet rritjes së pronave tokësore dhe numrit të
parikëve përpiqej t'i shkëpuste shtetit bujqit e ushtarët e tij.[69] Si
edhe më parë, pariku zotëronte tokën pa të drejta juridike, me zotërim fizik
por ai nuk mund ta jetësonte pa pëlqimin e pronarit.
Parikët ndaheshin në dy grupe: shtetëror e feudal të veçantë. Parikët
shtetërorë banonin në tokat që i takonin arkës shtetërore. Ata i paguanin
shtetit taksat shtetërore dhe plotësonin detyrimet parike.
Shteti, jo rrallë, dhuronte tokën së bashku
me parikët në pronësi private. Në këtë rast, parikët ktheheshin në zotërim të
feudalëve të veçantë.[70]
Së bashku me këtë, parikët e feudalëve të
veçantë plotësonin edhe detyrime të tjera, që kishin marrë një karakter privat,
si e dhjeta e ndonjë tjetëri. Kështu, gjendja e këtyre dy kategorive të
parikëve nuk ishte e njëllojtë. Ndryshimi qëndronte në pozitën juridike.
Ekzistencën më të hershme të parikëve në Shqipëri ne e gjejmë të dokumentuar në
dy diploma që perandori bizantin Vasili II, (976 – 1025),[71] i
drejtonte kryepeshkopit të Ohrit, njërën më 1019 dhe tjetrën më 1020.[72]
Me këto dy diploma të lëshuara menjëherë pas shembjes së Perandorisë Bullgare
dhe rivendosjes së sundimit bizantin në Shqipëri, Vasili II i rikonfirmonte
kryepeshkopit të Ohrit dhe peshkopëve që vareshin prej tij, numrin e bujqve
parikë e klerikë.
Kështu, kryepeshkopit të Ohrit i caktohej të
kishte në Prespë, Mokër e Kërçovë 40 parikë e 40 klerikë; peshkopit të Kosturit
në Kostur, Kolonjë, Devoll, Vjosë e gjetkë 30 parikë e 40 klerikë; peshkopit të
Glavnicës në Glavnicë, Kaninë e Neaniskë 40 parikë e 40 klerikë;…[73]
Me një fjalë parikët ishin fshatarë të cilët
punonin tokën e dinatëve të kishave dhe manastireve etj.
4. c. Mortitët – Mistotët - Proskathimenët – Fshatarët e lirë
Në ligjin agrar një kategori fshatare ishte
mortiti. Ai del si qiramarrës. Ai i jep 1/10 pronarit të tokës dhe 9/10 i mban
për vete.[74]
Si rezultat i një procesi që vazhdonte prej
kohësh, në shek. XI ishte shtuar masa e pronarëve të vegjël dhe e bujqëve ushtar
(stratiot), që për njërën ose për tjetrën arsye i humbnin pronat e tyre dhe
detyroheshin të vendoseshin në pronat e dinatëve e t'i punonin ato si
qiramarrës (mortites) ose si punëtorë
me meditje (mistotës).
Në ligjin bujqësor përmendeshin edhe argatët me meditje ose Mistosët, të
cilët juridikisht ishin të lirë, por
ekonomikisht të varur nga fshatari i pasur, te i cili punonin kryesisht si
barij – rrogtarë.[75]
Një kategori e ngjashme me të lirët ishin proskathimenët dhe dhuloparikët, që merreshin me aktivitete sekondare, si, me
kullotjen e bagëtive, me ushtrimin e zejtarive të ndryshme ose me shërbime të
tjera ndaj pronarit. Këto kategori të ndërmjeme ishin pasqyrim i ndryshimit në
ekonominë e fshatit bizantin.
Termi "proskathimen" në shek. XIII – XV tregonte kategorinë fshatare,
e cila nuk kishte mbi 30 vjet që banonte në një vend. Kufiri midis parikut dhe
proskathimenit në këtë periudhë ishte ngushtuar shumë, aq shumë, sa ishte
krijuar një kategori e fshatarësisë së varur. Kjo kategori gradualisht do të
shkrihen në gjirin e parikëve.[76]
Fshatarësia e lirë, ishte zotëruese e tokës
me të drejtat e pronarit të plotë të tokës dhe që i paguante detyrimet shtetërore.
Në dallim nga parikët, fshatarët e lirë
zotëronin "de jure" tokën e
ishin të çliruar nga detyrimet e parikëve. Përveç kësaj, ata gëzonin të drejta
të plota juridike e nuk ndodheshin nën pushtetin ose patronatin e ndonjë personi
fizik apo juridik.
Ruajtja e fshatarësisë së lirë deri në fundin
e historisë së perandorisë ishte një nga veçoritë dalluese të struktures së
shoqërisë bizantine.[77]
Përfundimi
Duke u nisur të shkruaj për gjendjen agrare
në Arbëri, problemi kryesor ishte se popullsia autoktone përmendet jo shpesh
(rrallë), sidomos në trevën e Kosovës, Maqedonisë Perëndimore, dhe të Malit të
Zi.
Në fakt, gjithçka provon se popullsia
shqiptare jo vetëm qe e pranishme përgjatë gjithë mesjetës në Kosovë, Maqedoninë
Perëndimore, e në Malë të Zi, porse ajo përbënte gjithëherë pjesën dërmuese të
popullsisë në ato treva[78].
Mali i Zi – Autor të ndryshëm, përfshirë shkrimtarët e oborrit serb, si G. Çamblaku
e K. Filozofi e konsideronin Zetën trevë shqiptare. Edhe vetë car Dushani në
një kartë të vitit 1349, e konsideronte Zetën si pjesë të Shqipërisë.
Maqedonia – Gjatë shekujve të parë të feudalizmit të zhvilluar shqiptarët qenë të
pranishëm në trojet e Maqedonisë së sotme, në viset Preshevë – Kumanovë, Shkup,
Tetovë, madje Shtip e Kostur. Aty ka viti 1295 në këto vise sundonte fisniku
shqiptar Progon Sguro, i cili në atë kohë ndërtoi në Ohër kishën e Zonjës së
Bekuar. Prania e shqiptarëve në territoret e përmendura provohet edhe nga
kronika të shkrimtarëve të oborrit bizantin, si, bie fjala, J. Kantakuzeni.
Kosova – As dyndjet slave, as pushtimi i saj nga shteti i Rashës (shek. XII –
XIV), nuk e ndryshuan karakterin etnik të saj.
Me zhbërjen e "Perandorisë Rasiane"
pas Betejës së Maricës (1371), ish – pjesët e Perandorisë së Dushanit u bënë
fushë e lirë për sunduesit vendës, ndërmjet të cilëve edhe kryezotrinjtë
Balshajt, Kastriotët e Dukagjinët, që zotëruan një kohë Rrafshin e Dukagjinit[79].
Për sundimin e kryezotrinjve shqiptarë në
Prizren, në Pejë dhe në viset përreth, përveç të dhënave raguzane ofrojnë
dëshmi edhe dokumentet osmane, si dhe shkrimtarë të kohës.
Në këtë punim kam bërë ndarjen ekonomike,
shoqërore, politike të popullsisë së Arbëris sipas shtresës së popullsisë,
titujve, pasurisë (pronës) dhe deri te ata më të varfërit; Sqarimin e pronës
dhe të pronarit si ata civil, ushtarak, pushtetar laik dhe kishtarë.
Dr. Sc. Pajazit Hajzeri1
UBT College - Institution
of Higher Education,
Calabria neighborhood,
10000 Prishtina, Kosovo
{Pajazit Hajzeri, phajzeri@gmail.com}
Burimet dhe
Literatura
Burime tregimtare bizantine për Historinë e
Shqipërisë, shek, X – XV, [1975]. Përgatitur për botim nga Koço Bozhori – Filip Laço, Akademia e
Shkencave e
RPSH, Instituti i Historisë, Tiranë;
Burime të zgjedhura për Historinë e
Shqipërisë, [1965]. vëllimi I, Ilirët dhe Iliria, te
autorët antik. Universiteti shtetëror i
Tiranës, Instituti i Historisë dhe i
Gjuhësis. Tiranë;
Buda, Aleks, [2002]. Shkrime historike III,
Akademia e Shkencave e Shqipërisë,
Instituti i Historisë. Tiranë;
Ceka Hasan, Shqipëria në Perandorin Bizantine
shek. V – X, Marr nga Interneti,
Çështja e Kosovës një problem historik dhe
aktual, [1996]. Instituti i Historisë –
Prishtinë, Instituti i Historisë – Tiranë.
Tiranë;
Drançolli Jahja, [1996]. Popullsia shqiptare
e Kosovës dhe e trojeve të tjera në ish –
Jugosllavi gjatë shek. XV – XVII, Çështja e
Kosovës një problem
Historik dhe Aktual, Instituti i Historisë
Prishtinë, Instituti i Historisë
Tiranë, (Simpozium i mbajtur në Tiranë më 15
– 16 Prill 1993), Tiranë;
Drançolli Jahja, [1995]. Trashëgimia
etnokulturore dhe historike e Llapit, Treva e Llapit (Labit) gjatë mesjetës,
Prishtinë;
Drançolli Fejaz, [2004]. Rrënimi i kullës
shqiptare, Prishtinë;
Dokumente të periudhës Bizantine për Historinë
e Shqipërisë shek. VII – XV. [1978].
Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i
Historisë. Tiranë;
Frashëri Kristo, [1988]. Trojet shqiptare
gjatë Mesjetës së hershme, Konferenca
Kombëtare për formimin e popullit shqiptar të
gjuhës dhe të kulturës së
tij, Tiranë;
Historia e Shqipërisë I, [1959]. Akademia e
Shkencave e RPSH, Instituti i Historisë,
Tiranë;
Historia e popullit shqiptar I, [1979]. grup
autorësh, Universiteti Shtetëror i
Tiranës,
Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë,
Prishtinë;
Historia e popullit shqiptar I, [2002]. grup
autorësh, Akademia e Shkencave e
Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë;
Ilirët dhe Iliria, te autorët antik, [1965].
Tiranë;
Konferenca Kombëtare për formimin e popullit
shqiptar të gjuhës dhe të kulturës së
tij, [1988]. Akademia e Shkencave e RPS të
Shqipërisë. Tiranë;
Komata Damian, [1974]. Kështjellat e hershme
mesjetare në Shqipëri, Kuvendi i I i
studimeve Ilire, Tiranë,
Kuvendi i parë i studimeve Ilire, [1974]. Akademia
e Shkencave e RPSH, Instituti i
Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i
Letërsisë, Instituti i monumenteve
të kulturës, Tiranë;
Ostrogorski Georg, [2002]. Historia e
Perandorisë Bizantine, Tiranë;
Osmani Jusuf, [2006]. Historiku i qytetit të Prizrenit
në bazë të burimeve arkivore (1),
Koha kur Prizreni llogaritej në radhën e
qyteteve më të mëdha të
Gadishullit Ballkanik, Zëri – E Hëne, 15 maj, Prishtinë;
Trashëgimia etnokulturore dhe historike e
Llapit, [1995]. Qendra e kulturës Podujevë,
Prishtinë;
Thëngjilli Petrika, [2000]. Historia e
popullit shqiptar (395 – 1875), Tiranë;
Thëngjilli Petrika – Daci Selim, [2002]. Historia
e Perandorisë Bizantine (395 –
1453), Prishtinë.
[1] Petrika Thëngjilli - Selim Daci, Historia e Perandorisë Bizantine (395 – 1453), Prishtinë, 2002, p. 5.
[2]
Historia e popullit shqiptar I,
Grup autorësh, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Institute i Historisë,
Tiranë, 2002, p.
199.
[3] Op cit, p. 199.
[4]
Jahja Drançollin, Trashëgimia etnokulturore dhe historike e Llapit,
Treva e Llapit
(Labit) gjatë mesjetës, Prishtinë, 1995, p. 98;
Fejaz Drançollin, Kulla
shqiptare,
Prishtinë, 2001, p.
62.
[5] Ibid. p. 200
[6]
Marr nga ligjeratat më
18.03.2006, me Prof. Dr. Selim Daci, Prishtinë, 2006. Për më tepër
shih, P.
Thëngjilli, Selim Daci, Historia e Perandorisë Bizantine, 395 – 1453,
Prishtinë, 2002,
pp. 58, 59.
[7] Petrika Thëngjilli, Historia e
popullit shqiptar, 395 – 1875, Tiranë, 2000. pp. 73, 74.
[8]
Damian Komata, Kështjellat e
hershme mesjetare në Shqipëri, Kuvendi i
I i studimeve
Ilire,
Tiranë, 1974, p. 215
[9] P. Thëngjilli, Selim Daci, op. cit. p.7.
[10]
Kristo Frashëri, Konferenca
Kombëtare për formimin e popullit shqiptar të gjuhës dhe
të kulturës së tij,
Trojet shqiptare gjatë Mesjetës së hershme , Tiranë, 1988, p.48.
[11] Op cit, p. 51.
[12]
Prokopi i Cezares, Burime të
zgjedhura për historin e Shqipërisë I, Ilirët dhe Iliria tek autorët antik,
Tiranë, 1965, pp.
439 – 442. Shih Kristo Frashëri, Konferenca Kombëtare për formimin e popullit
shqiptar…..pp. 51
– 52.
[13]
Damian Komata, Kuvendi I i studimeve ilire, Kështjellat e hershme
mesjetare në Shqipëri, Tiranë, 1974,
p. 214.
[14] P. Thëngjilli – S. Daci, Op cit, p. 7.
[15] Ibid, p. 7.
[16]
"Inkuilinët" janë një
kategori fshatarësh të mvarun. Shih Ilirët dhe Iliria, te autorët antik,
Tiranë, 1965,
p. 426.
[17] Ilirët dhe Iliria, te autorët antik, Kodeksi i Justinjanit, Libri XI, Tiranë, 1965, p. 426.
[18] P. Thëngjilli – S. Daci, Op cit. pp. 7 – 8.
[19] Historia e Shqipërisë I, grup autorësh, Tiranë, 1959, p. 155.
[20] Op cit, p. 155.
[21] P. Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar 395 – 1875, Tiranë, 2000, p. 44.
[22]
His. e Shqipërisë I, Op cit.Tiranë,
1959, p. 156.
[23]
Historia e popullit shqiptar I
grup autorësh, Prishtinë, 1979, p. 128.
[24] Hasan Ceka, Shqipëria në Perandorinë Bizantine, shek. V – X, p. 11.
[25] H. Ceka, Op cit. p. 11
[26] Ibid. p. 11
[27] His. pop. shq. I. Op cit. p. 128
[28] Ibid. p. 128
[29] P. Thengjilli, op cit. p. 11.
[30]
Më gjerësisht shih, Dokumente
të periudhës Bizantine për Historinë e Shqipërisë, (shek.VII – XV),
Tiranë, 1978, pp. 16 – 17.
[31] P. Thengjilli, op cit. p. 11.
[32]Historia e popullit shqiptar, vëllimi
I, grup autorësh, Tiranë, 2002, p. 212.
[33] His. e Shq. I, op. cit. Tiranë, 1959, pp. 156, 157
[34]Burime tregimtare bizantine për
Historinë e Shqipërisë, shek, X – XV, përgatitur për botim nga Koço
Bozhori – Filip
Laço, Tiranë, 1975, p. 170.
[35] Georg Ostrogoski, Historia e Perandorisë Bizantine, Tiranë, 2002, p. 263
[36] H. Ceka, op. cit. p. 12.
[37]
Aleks Buda, Shkrime historike
III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë,
2002, p. 30.
[38] His. pop. shq. op cit. p. 215
[39] P. Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar (395 – 1875), Tiranë, 2000, p. 46.
[40] A. Buda, op cit.p. 40.
[41] P. Thëngjilli, op cit. p. 47.
[42] Ibid. p.47
[43] A. Buda, op cit.pp. 39, 40.
[44] P. Thëngjilli, op cit. p. 47.
[45] A. Buda, op cit.p. 39.
[46] P. Thëngjilli – S. Daci, op cit. p. 29.
[47] A. Buda, op cit. p. 40.
[48] P. Thengjilli. p. 48
[49] His. pop. shq. op cit. pp. 244, 245.
[50] Ibid. p. 245.
[51]
His. pop. shq. op cit. p. 245;
Shih. A. Buden, op cit. p. 41.
[52]
"Dailan", do të thot:
Thurim a rasë me kallama ose me hunj të ngulur në tokë që bëhet zakonisht afër
derdhjes së
lumenjëve në breg të detit etj, për zënjen e peshkut.
[53] A. Budën, op cit. p. 41.
[54] P. Thëngjilli, op cit. p. 49.
[55]
Fejaz Drançolli, Rrënimi i kullës shqiptare, Prishtinë, 2004, p. 43.
[56] P. Thëngjilli, op cit. p. 49.
[57] P. Thëngjilli – S. Daci, op cit. p. 33.
[58]
Jahja Drançolli, Trashëgimia
etnokulturore dhe historike e Llapit, Treva e Llapit (Labit) gjatë mesjetës,
Prishtinë, 1995, p. 101.
[59] J. Drançolli, op cit. p. 106.
[60]
Jusuf Osmani, Historiku i
qytetit të Prizrenit në bazë të burimeve arkivore (1), Koha kur Prizreni
llogaritej në
radhën e qyteteve më të mëdha të
Gadishullit Ballkanik, Zëri –
[61] H. Ceka, op cit. p. 12.
[62] His. pop. shq. op cit. p. 152.
[63] A. Budën, op. cit. pp. 33, 38.
[64] Ibid. p. 33.
[65] His. pop. shq. op cit. p. 153.
[66] A. Budën, op cit. p. 33.
[67] His. pop. shq. op cit. p. 153.
[68] Ibid.
[69] Georg Ostrogoski, Historia e Perandorisë Bizantine, Tiranë, 2002, p. 186.
[70]
P. Thëngjilli – S. Daci, op
cit. pp. 31, 32.
[71] P. Thëngjilli, op cit. p. 125.
[72] His. pop. shq. op cit. p. 153.
[73]
A. Budën, op cit. pp. 37, 154.
[74] P. Thëngjilli – S. Daci, op cit. p. 13.
[75] His. pop. shq. op cit. p. 154.
[76] P. Thëngjilli – S. Daci, op cit. pp. 23, 31.
[77] Ibid. p. 33.
[78]
Jahja Drançolli, Çështja e
Kosovës një problem Historik dhe Aktual, Popullsia shqiptare e Kosovës dhe
e trojeve të
tjera në ish – Jugosllavi gjatë shek. XV – XVII, Instituti i Historisë
Prishtinë, Instituti i
Historisë Tiranë, (Simpozium i mbajtur në Tiranë më 15 – 16 Prill 1993), Tiranë, 1996. pp. 73, 74, 75.
[79] Ibid. pp. 73, 77.