Kulturë
Shkrimtarët: Një humbje e madhe për letërsinë tonë
E hene, 26.10.2020, 07:45 PM
Me rastin e vdekjes së shkrimtarit Ramadan Musliut
NJË HUMBJE E MADHE PËR
LETËRSINË TONË
Ramadan
Musliu (u lind në fshatin Beguncë, komuna e Vitisë, më 31 maj 1954) është ndër
shkrimtarët tanë bashkëkohorë të shquar. Veprimtarinë e tij letrare e dëshmoi
kryesisht në dy fusha: si poet dhe si studiues i letërsisë, ku dha një ndihmesë
të rëndësishme për pasurimin e poezisë sonë dhe të studimit letrar.
Punën
letrare Ramadan Musliu e filloi me poezi, që dëshmohet me përmbledhjet Parodia
e trupit (Prishtinë 1981), Shqisa e gjashtë (Prishtinë 1985), Pasqyra e të
rrëfyerit (Prishtinë 1987), Kënga e sibilave (Tiranë 1996), Në zemrën e gjërave
(Prishtinë 2004) dhe Gjendje neutrale ( Prishtinë, 2019 ).
Në
fushën e studimeve letrare shquhen veprat e tij: Mbindërtimi poetik (Prishtinë
1990), Konfiguracione narrative (Tiranë 1998), Estetikja e dallueshme
(Prishtinë 2005), Ekskurs në letërsinë për fëmijë (Shkup 2010) dhe Tangjenta
letrare (Prishtinë 2012).
Më
1997 (në Tiranë) botoi veprën publicistike Vetëripërtëritja e totalitarizmit.
Ishte
dhe përkthyes i shquar nga gjuha serbo kroate dhe anasjelltas.
Poezitë
e tij janë përkthyer në anglisht, rumanisht, frëngjisht, serbisht, maqedonisht
sllovenisht dhe është prezantuar në antologjinë e poezive ndërkombëtare për
vitin 2010 dhe është fitues i disa çmimeve letrare.
1.
Poezia e Ramadan Musliut dallohet për tekstin poetik për shumëçka të veçantë e
të pasur. Ajo shpaloset në qenësinë e saj vetëm kur depërtojmë në thellësinë e
kuptimit të tekstit, ku mundësia e komunikimit, e zhvillimit të nyjëtimit
kuptimor dhe e receptimit, gjë që do të varet nga përmasa e njohjes dhe nga
aftësia individuale e lexuesit përkatës. Pra, depërtimi në botën poetike të
poezisë së këtij autori lidhet me vetë konceptin bazë të pjesës më të madhe të
poezisë së tij – me TRUPIN, që është një metaforë shumëfish funksionale.
Në
konceptin poetik Trupi nuk është vetëm një materie e qenësishme gjalluese, po
shndërrohet në qenësi të ekzistimit dhe të funksionimit kur, thënë
metaforikisht, shpirtërohet nga shqisat. Ato i japin materies së trupit
përmasën e qenies dhe me këtë ai fiton mundësinë e ndjeshmërisë, të njohjes, të
veprimit, por edhe të pësimit dhe të shkatërrimit. Me ngjizjen e shqisave,
trupi bëhet qenie komplekse që provon ekzistencën, që nënkupton vlerën, verifikimin
e qenies e të mundësisë së veprimit. Në këtë mënyrë trupi fiton një përmasë të
jashtëzakonshme të shprehimësisë së veçorive të shumta. Sa më shumë që
zhvillohen shqisat, aq më tepër trupi fisnikërohet dhe bëhet i vlershëm.
Ramadan
Musliu me qëllim nuk e ka vështruar trupin në formën e shumësit, për ta parë në
dritën e shumësisë së njerëzve, të kolektivitetit, po e ka marrë trupin si një
qenie më vete për ta shprehur në mënyrë sa më të thellë e më të plotë. Në
fundin e mbramë koncepti poetik i trupit te ky krijues nënkupton njeriun, cili
do qoftë dhe kushdo qoftë ai.
Duke
u nisur dhe duke e zhvilluar një koncept të këtillë poetik rrëfimi për trupin
në qenësi shpreh rrëfimin për njeriun, për botën dhe për problemet që e
përcjellin atë, qoftë në rrafshin nacional, qoftë në rrafshin gjithë njerëzor.
Ky rrëfim te Musliu cilësohet me disa tipare dhe përshkohet nga një ndjenjë e
thellë e tragjikes, me harrimin, me kobin, me dhembjen, me mëkatin, me zjarrin,
me acarin etj.
Rrëfimi
i shtjelluar mbi bazën e konceptit poetik që u përmend shtrihet në dy rrafshe:
në atë personal, që lidhet me botën e poetit, me preokupimet e tij, me
shqetësimet, me pësimet, me gjithë atë që përjeton si një trup, si një qenie që
është e varur shumë nga rrethi, nga e kaluara, nga e tanishmja, dhe në rrafshin
nacional dhe gjithë njerëzor. Rrëfimi poetik shtjellohet dhe shprehet përmes
një gjuhe poetike me cilësi konotuese të mëdha, me forcën shprehëse, që kërkon
përpjekje për ta receptura në plotninë e saj. Shqetësimet e poetit janë të shumta,
të ndryshme, por edhe të përhershme: “Zjarr kohe në shpirt ruaj” dhe “Zjarrin
tim që s’shuhet dot”. Poeti vëren kotësinë e veprimit, pamundësinë e
ballafaqimit dhe të ngadhënjimit të dëshirave e të synimeve. Ideali i tij është
jeta ku s’ka vaj e s’ka lot, por ajo është vetëm një përfytyrim, një rrjetë e
merimangës së gjumit të tij. Përmes poezisë së tij dëshmohet morfologjia edhe
shqisave, që krijon mundësi të pakufishme njohëse dhe komunikuese.
Ky
koncept poetik në poezinë e Ramadan Musliut është përligjur me shkathtësi dhe
ka funksion të shumëfishtë në secilën poezi e cikël dhe në të gjitha
përmbledhjet me poezi që botoi. Fillon me elementet e krijimit të gjithësisë,
vazhdon me shenjat e trupit, me shenjat e njohjes, me kujtesën (memorien) e
gjallë, me mërgimin e trupit dhe përmbyllet me pasqyrën e të rrëfyerit, që
është një rrëfim poetik i zhvillimit dhe i qenësisë së morfologjisë së qenies,
i shqiptuar nëpërmjet një teksti poetik të përftuar me shkathtësi, cilësi e
poetit të madh.
2.
Në fushën e studimit të letërsisë Ramadan Musliu, po ashtu, përligji një rrafsh
të lartë, qoftë të studimit të veprave të shkrimtarëve tanë të periudhave të më
hershme, qoftë të veprave të shkrimtarëve tanë bashkëkohorë. Në shkrimet e tij
ai zbatoi një interpretim modern, duke e parë tekstin nga aspekte dhe nga
përbërës të rëndësishëm, sidomos u mor me veçantitë e shtjellimit të tekstit
poetik e të mesazheve që dalin prej tij. Me fjalë të tjera, ai tregoi një
njohje të dukshme të problemeve të letërsisë dhe një aftësi për të venë
komunikim edhe me tekstet poetikisht të ndërliqshme, që kërkojnë jo vetëm një
lexim më të vëmendshëm, po dhe një interpretim më kompleks.
Aftësinë
e tij për të komunikuar me strukturat gjuhësore poetike të ndryshme dhe për t’i
interpretuar ato në mënyrë moderne Ramadan Musliu e dëshmoi qoftë kur i
vështroi veprat në poezi, qoftë veprat në prozë. Në të dy rastet ai i ndriçojë
vlerat poetike shprehëse të tekstit, si përbërësi qenësor i çdo vepre letrare.
Pra, ai nuk u mor me emrat e autorëve, po me tekstin e veprave që krijuan ata
dhe me mënyrën si i shqiptuan dukuritë.
Ramadan
Musliu aftësitë e vet e përligji edhe me faktin se nuk u përsërit edhe kur
shkroi për veprat e të njëjtin autor, gjë që dëshmon se ai jo vetëm u bëri
atyre lexime të thella e të veçanta, po dhe i interpretoi në mënyra të
ndryshme.
Për
të qenë studimet, përkatësisht interpretimet sa më të ngritura dhe moderne,
autori përdori në to një sistem nocionesh që zbatohen gjithandej në studimet
moderne të letërsive të tjera në Evropë dhe më gjerë. Pikërisht ky përbërës
kushtëzoi që ato të kenë vlera të dukshme brenda studimit tonë të letërsisë dhe
shërbyen edhe për autorët e tjerë si model për interpretimin e veprave letrare
dhe ndriçimin e dukurive të qenësishme të tekstit letrar poetik.
I
qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Në emër të Ars Clubit
“BEQIR MUSLIU” dhe të shkrimtarëve:
Agim
Gjakova
Ibrahim
Kadriu
Anton
Nikë Berisha
Sabit
Rrustemi
Emin
Azemi
Agron
Tufa
Faruk
Tasholli
Ramadan
Mehmeti
Prend
Buzhala
Nehas
Sopaj
Timo
Merkuri
Resul
Shabani
Nexhat
Rexha
Sherafedin
Kadriu
Sabile
Keqmezi - Basha
Ilmi
Musliu
Albina
Idrizi
Sadete
Tërnava – Osmani
Fatushe
Haliti
Xhevat
Latiifi
Gjylshen
Berisha
Nazmi
Musa
Linditë
Ramushi Dushku
Selvete
Abdullahu
Xheladin
Rexhepi
Arsim
Halili
Sinan
Sadiku
Alketa
Spahiu
Afrim
Demiri
Biser
Mehmeti
Sevëme
Fetiqi
Skënder
Berisha
Ajete
Zogaj
Naim
Fetaj
Mehmetali
Rexhepi
Gani
Bytyçi