Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Dashuria, çfarë ajo nuk është në një zemër dhe çfarë nuk mund të jetë në një shpirt
E shtune, 24.10.2020, 07:56 PM
Dashuria, çfarë ajo nuk është në një zemër dhe çfarë nuk mund të jetë në një shpirt

Ka
shumë mënyra për të shprehur dashurinë dhe po aq për ta kuptuar, se rreth teje
tashmë është krijuar një realitet galaktik. Për ta kuptuar se tashmë, ju, ju
jeni një proces transformimi, një hap në hovin e shtytjes së pafundësisë drejt
të tjerë thellësie, matshmërinë e së cilës mund ta arrij vetëm një gjendje, një
shikim, një prekje, një puthje, një kopulim, një... rikrijim brenda një
shkrepëtime.
Duke
thënë "unë të dua" është një prej atyre mënyrave se si ne gostitim
atë çfarë brenda nesh është përfshirë në një stuhi. Ndoshta duke e thënë dhe
rithënë: "unë të dua", gjithçka rreth dhe brenda nesh nuk mund të
perceptojë dhe të rrok tjetër frymë në kapërthimin e etjes për t'iu dorëzuar
një vullneti që e josh duke e përfshirë në një akt kremtimi, të denjë për
besim.
Poetët
kanë kënduar lavde dhe thurur kushtime krijuese për dashurinë. Pena dhe shpirti
i tyre kanë mbrujtur mendime të shprehura përmes një solemniteti dehës fjalësh
dhe frazash, muzikaliteti dhe ritmi, të tilla sa kanë arritur të trokasin fuqishëm
në portat e ndjenjave, dhe duke i hapur ato, u kanë afruar atë çfarë vetëm një
idil dashurie, i stolisur me yje e me ngjyra, me aroma e trajta, aq... sa të
frymëzojnë breza të tërë.
Dashuria,
i gjithë ai manifestim marramendës dhe ajo lojë dalldisëse fryme, ajri e
shkrepëtima shikimesh, ka mbetur e brishtë dhe marrosëse, joshëse dhe
adhuruese, e ëmbël dhe mahnitëse, si atëherë edhe sot.
Ne
dashurojmë njësoj, sepse ndjejmë njësoj, edhe pse jeta cilësisht ka ndryshuar
në fondament, edhe pse ne shihemi njëri me tjetrin disi ndryshe, kuptojmë
njëri-tjetrin krejt tjetërsi. Por në të themeltën e përjetimit të dashurisë, ne
kemi mbetur aq naiv dhe fëminor, lajkatar dhe të ndrojtur, të shkujdesur dhe të
lajthitur, zjarrmëtar dhe drithërues, të tillë, të dashuruar.
Koha
megjithë stuhitë e kijametshme, me të cilën ka bartur ndryshesa dhe zhvendosje,
kataklizmo e përtëritje, shfarosje dhe riardhje transformuese, nuk ka mundur
t'i heqi asnjë ashk të vetme pemës së dashurisë, frutave të saja që ndalimi i
bën më të andshme dhe shijimi i bën më tunduese.
Ajo
ka mbetur e tillë, e dlirë dhe e pastër, hojnore në drejtësinë e mosnënshtrimit
të një vullneti të epërm. Ka mbetur e tillë kureshtare dhe e dhimbshme, lojcake
dhe përfshirëse, adhuruese dhe magjepsëse, ka mbetur... me e fort se çdo besim
që ka ardhur e fashitur në nevojën e njeriut për një pikëmbështetje.
Dashuria,
ajo e kahershmja dhe e tashmja, di të jetë e bukur dhe trishtuese, e ëmbël dhe
majahoshe, delikate dhe rikrijuese, ajo... i shemb të gjitha botët dhe i
rizgjon nga gërmadhat e veta, si nga një hukamë, si nga një përplasje, si nga
një shkrepëtim e dritshme, që vërshon në limfën e saj si llava në damarët e
tokës. Pluskon në gjithçka dhe çdo gjë jetuese, pulson në ritmin e saj. Gjendet
në të gjitha trajtat dhe gjendjet, pjesëmerr në të gjitha aktet alkimike, për
të ribërë vetveten në atë formë që dëshirimi e thërret përmes çdo vlimi gjaku,
gurrimi lëngjesh e stuhije fijezash të holla përçuese të energjisë së universit
në dimensionin e një vezullimi.
Kjo
është dashuria, ajo që na ka mësuar më mirë se ligjësitë e kënaqësisë, ato të
dhimbjes. Portave të rënda të saj zvargen trokitje zemrash që thuhen, e
shpirtrash që kaplohen nga makthi, e... pragjeve zvarrit hijet që i mikson me
frymën e sendërgjon gjendjen, çastin, atë që kur guxojmë t'i bëjmë ndjenjat
tona si rrugëkalim dhe dëshirën tonë si theror e kësaj shtërngate, që thërret
nga qielli të gjithë zemërartat e anijeve të mbetura pa brigje.
Dashuria,
ç'nuk është në një zemër e ç'mund të jetë në një shpirt, çmos është në një kurm
që përpëlitet drojet dhe padurimit, për tu derdhur në vërshimin e saj, si në
një gufim llave nga shtërzimi i kushtrimeve të botëve të mbetura, varr dhe
prehër i botëve që i shklasiM përsipër.
Ti...
zgjedh vet se ç'do të jesh në këtë gosti zjarri; tym, flakë, prush, apo... hiri
i rikrijimit të botës në një çast, në një ngjizje, në një përjetësi që
shndërrohet e nënshtrohet çdo pasioni, si dashurisë.