Kulturë
Prend Buzhala: Arti përballë banalitetit të jetës së përditshme
E diele, 18.10.2020, 11:22 AM
ARTI PËRBALLË BANALITETIT TË JETËS SË PËRDITSHME
(Fletëza
eseistike)
Nga
Prend BUZHALA
Duket
sikur jeta e përditshme e mënjanon përjetimin estetik, artin vetë, për arsye
se banaliteti anakronik i kësaj
përditshmërie ua humb vlerën krijimeve artistike; për shkak se kjo përmasë e
zakonshme (e përditshme), heq edhe
idealet për synime të larta.
1.
Porse
arti e ruan përmasën e këtyre synimeve, këtyre vlerave sublime, siç janë
përsosmëria, bukuria dhe madhështia e veprës së artit (letrar, figurativ,
filmik, muzikor etj). Realiteti i tillë banal që na rrethon, pikësynon që ta
shndërrojë të bukurën, estetiken, në diçka jo-estetike, në zbukurim a lustër të
pamjes së jashtme, në joshje, në prodhim zhurmash, por pa përmasën e thellësisë
apo të të vërtetës artistike. Arti na e dhuron karakterin e tij njohës përmes
vetëdijes për të vërtetën.
Po
ky banalitet (kjo përdhosje vlerash e synimesh të larta), jepet së tepërmi pas
artit si biznes; ky realitet zhvlerësues i barazon veprat e spikatura me ato
triviale; prodhimin operistik muzikor me muzikën “tallava”, prozën e spikatur
letrare me një poezi të kurrfarshme.
2.
Kur
poeti e këndon ritmikisht e me anë të figurës së përsëritjes thirrmën e trajtës
së idiomës poetike- frazeologjike (një poet
e përdor shprehjen "I kjofsha fale Zotit", këtë e bën për ta
shqiptuar së thelli përmasën e përjetimit estetik, nën dritën e kategorisë të
të bukurës... vashës. Ndryshe nuk mund të përjetohet e bukura, por krejt si në
ëndërr... e jo si "në realitet", pra jo si një vështrim i rëndomtë, i
thjeshtëzuar, i drejtpërdrejtë... Çastet e këtij përjetimi i takojnë një
realiteti tjetër (e përkufizuar si ANDËRR ose dhuratë prej Hyjit, dhuratë për
ta ndjerë magjinë, misterin dhe mahnitjen e të bukurës).
Hegeli
parashikoi vdekjen e artit, porse gjakimi njerëzor për të kënduar a pikturuar,
për të shkruar a krijuar poezi etj, do të jetë gjithmonë i tillë. Dhe për
gjithnjë arti ka për qëllim arritjen e kësaj përsosmërie, harmonie, gjetjet e
kuptimeve me mënyrat e shtjellimit (poetika).