Mendime
Eshref Ymeri: Çmimi i mosmirënjohjes
E marte, 06.10.2020, 07:22 PM
Çmimi i mosmirënjohjes
Nga
Prof. dr. Eshref Ymeri
Në gjuhën shqipe
ka shumë shprehje për mosmirënjohjen. Meqenëse kam gati një gjysmë shekulli (që
prej vitit 1972) që merrem me pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, në
ballafaqim me anglishten, frëngjishten, italishten dhe rusishten (bashkë me një
koleg, në vitin 2007 kemi botuar Fjalorin frazeologjik italisht-shqip, me mbi
15 mijë shprehje frazeologjike, në vitet 2015 dhe 2019 kam botuar,
respektivisht, Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip, me më shumë se 25 mijë
shprehje frazeologjike, dhe Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip, po me mbi 25
mijë shprehje frazeologjike), kam vënë re se në gjuhë shqipe hasen kaq shumë
shprehje frazeologjike, në të cilat fshikullohet paq mosmirënjohja, çka nuk
vihet re në gjuhët e mësipërme për nga sasia e tyre. Nuk jam në gjendje ta
shpjegoj një dukuri të tillë. Prandaj i kam pasë shtruar vetes dy pyetjet në
vijim:
Shprehje të tilla
kanë lindur në gjuhën shqipe, meqenëse ne, si popull, kemi mbajtur qëndrim të
prerë kundër mosmirënjohjes, apo dukuria e mosmirënjohjes ka pasë qenë kaq e
pranishme në jetën tonë gjatë shekujve, saqë ka lënë mjaft truall për krijimin
e tyre?
Mos vallë si
truall i përshtatshëm për krijimin e shumë shprehjeve për mosmirënjohjen ka
shërbyer përçarja tragjikje ndëshqiptare, për shkak të së cilës trojet tona
etnike në mbarë Gadishullin Ilirik na u katandisën si kokoshi një thelë?
Në vijim po rendis
disa shprehje për mosmirënjohjen:
bëri mirë e gjeti
keq
është bukëshkalë
ha bukën e përmbys
kupën
hedh hallin dhe
thotë ku të kam parë
hedh lumin dhe të
pështyn kalin
këtej të pi verën,
andej të shan derën
këtej të puth
këmbët, andej të nxjerr dhëmbët
mbaron punë dhe të
kthen kurrizin
shkel bukën me
këmbë
të ha shalqirin e
të rreh me lëkurë
të ha (të pret) në
besë
Në një letërkëmbim
që kam pasur kohët e fundit me mikeshën time nga Tirana, zonjushën Miranda
Kapllani, administratore biznesi, patëm shkëmbyer mendime edhe për
mosmirënjohjen. Në njërin nga ato letërkëmbime, ajo më shkruan:
“Pena Juaj më
kujtoi gjyshin tim, Hilmi Belul Beluli (Salillari), i përndjekur politik. Kam
qënë shumë e vogël, por mbaj mend që thoshte:
“Këtij vendi e
keqja do t’i vijë nga vetja dhe nga serbi. Shqipëria vend i bekuar dhe popull i
mallkuar”.
Pasi gjyshi ndërroi jetë dhe unë u rrita pak më shumë,
pyes gjyshen se çfarë donte të thoshte gjyshi im me këto fjalë? Dhe gjyshja
ime, e mënçur dhe e mirë, më pa dhe më tha:
Dëgjo, e mira ime. Ishte dikur në rrëzë të një mali një
shtëpizë, ku jetonte një grua e moshuar që e thërrisnin Fatma. Ajo ishte
shëronjëse, por gjindja e thërrisnin magjistare. Të gjithë shkonin dhe kërkonin
ndihmë te Fatma, dhe Fatma ju falte shërim. Një ditë, në një prej shtëpive të
një fshati, sëmuret i vogli i familjes dhe e ëma i thotë burrit të saj, babait të
fëmijës, të shkonte te Fatma, por ai i thotë “jo”, se ajo ishte shtrigë. I
vogli po përkeqësohej dhe ishte në grahmat e fundit të jetës, dhe babai vendosi
të shkonte te Fatma. Sapo mbërriti te dera e shtëpisë së saj, i del përpara
Fatma dhe i thotë të kthehej në shtëpi, pasi e priste i biri për të luajtur. I
çuditur, babai i fëmijës, pasi mërmëriti disa sharje për këtë shtrigë, kthehet
nga kishte ardhur dhe shtanget në vend kur sheh të birin të vraponte drejt tij
dhe se donte të luante.
Në atë periudhë, Sulltani, në marrëveshje me qeverinë
franceze të asaj kohe, kishte dërguar njerëzit e tij të gjenin shtrigën me
emrin Fatma. Kudo që pyesnin, merrnin të njëjtën përgjigje: s’e njihte
asnjë. Të gjithë e mbronin dhe e ruanin
Fatmën. Një ditë, njerëzit e Sulltanit mbërrijnë në shtëpinë e vogëlushit që i
shpëtoi vdekjes, pyesin mamanë e tij dhe marrin të njëjtën përgjigje. Ndërkohë,
vjen nga ara babai, e pyetën dhe atë, dhe ai, pa iu dridhur qerpiku, tha se e
njihte dhe i shoqëroi për te shtëpia e Fatmës. Fatma e dinte ç’e priste dhe
qëndronte e qetë në kasollen e saj. Dhe Fatma përfundoi në Francë, ku u gjykua
si shtrigë dhe magjistare dhe u dënua me djegie në turrën e druve. Përpara se
t’i vinin zjarrin turrës së druve, i thanë nëse kishte ndonjë dëshirë të fundit.
Fatma kërkoi të dinte se kush e tradhtoi. Pasi xhelati artikuloi emrin e babait
të vogëlushit të rikthyer në jetë, Fatma tha dëshirën e saj të fundit:
“Shqipëria (Iliria, Arbëria) do të ishte një vend me një
tokë, klimë, pasuri të bekuar, por populli i saj për 5 shekuj do të ishte i
mallkuar”.
E pash e çuditur gjyshen time, s’kuptova asgjë nga
ç’dëgjova. Më pas, kur u rrita dhe gjyshja ime s’ishte më me mua, kuptova
domethënien e tregimit të saj. Gjyshja ime quhej Fatma. Dhe ne jemi akoma nën
ndikimin e mallkimit të Fatmës”.
Shkrimtari francez
La Roshfuko ( François
VI, duc de La Rochefoucauld - 1613-1680),
autor veprash të karakterit filozofiko-moralizues, ka thënë:
“Nuk është ndonjë e keqe e madhe t’i
bësh nder një mosmirënjohësi, por është fatkeqësi e madhe të pranosh të të bëjë
nder një njeri i padenjë”.