Mendime » Xharra
Fahri Xharra: Jo mësimi fetar në shkollat shqipe!
E marte, 15.09.2020, 09:46 PM
Jo mësimi fetar në shkollat shqipe!
Nga
Fahri Xharra - Gjakovë
Keni
deklaruar: “Besoj fort se ka ardhur momenti që me kurajo, shteti shqiptar t’i
çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare. T’i çelë dyert e
shkollave për t’i dhënë çdo fëmije mundësinë të armatoset me instrumentet e
dijeve dhe të mos jetë viktimë e propagandave tunduese të atyre që s’kanë asnjë
lidhje me profetët që i çelën rrugë qytetërimeve të sotme dhe që në emër të
islamit kryejnë krime të cilat janë të destinuara të ndëshkohen sepse janë të
ndëshkuara qysh në librat e shenjtë. Unë besoj se sot të gjithë duhet të
ndjejnë përgjegjësinë e madhe të faktit se të rinjtë, adoleshentët në Tiranë
apo në Paris, në Prishtinë apo në Londër, në Evropë apo në Amerikë janë të
paarmatosur me instrumentet e dijes për t’u përballur me demagogët, me
sharlatanët, me maskarenjtë që kërkojnë të nxjerrin përfitime duke e përgjakur
njerëzimin apo duke e tërhequr prej hunde”,
Nuk
luftohet ekstremizmi fetar me mësimin e fesë në shkollat shqipe !
Fytyrën
e mirë ose të keqe për ne nuk mund ta bëjnë as zyrtarët tanë, por as pështjelluesit
tonë, as nacionalizmi i tepruar por as mohuesit e tij, as diplomatët
mendjelehtë e as gazetarët e opinionistët e porositur, të gjithë të etur për
lavdi e para pa marrë parasysh mënyrën.
Kultura
dhe mendimi i një populli qëndron në një lashtësi të shquar, por që përpiqet ta
ngrejë lart gjithë kombin. Ne na duhet që shkollat tona të jenë centropetale në
edukimin tonë. Çdo futje e fesë në shkolla i aktivon forcat centrifugale që na
bëjnë të ikim nga ajo që jemi; e kjo e sjell vetëm një gjë: kthimin prapa.
Nëse, ne duhet të punojmë për të mirën e kombit, për pastrimin tonë shpirtëror
duhet të punojmë që t’i bindim që të gjithë të rrokemi pas një gjëje konkrete,
të prekshme dhe që na bën nder në mesin e kombeve të cilivizuara. Ç’më duhet
mua që fëmijën tim ta kthej mbrapa në besimin se bota është e rrafshtë, në
besimin e buallit që mban botën dhe çdo lëvizje e tij i krijon tërmetet, në
besimin se shkolla e Darvinit mbi evolucionin ishte e gabuar?
“Memorandumi
për Shqipërinë”, i shkruar nga princ Vidi nga mbarimi i vitit 1917, e i mbetur
vetëm si dorëshkrim në Bibliotekën e Këlnit , paraqet më shumë se një rrëfim të
një personaliteti të rëndësishëm, i cili në një kohë tepër kritike për fatet e
Shqipërisë, do të pranojë të vihet në krye të saj me qëllimet më të sinqerta që
t’i ndihmojë bërjen e saj shtet evropian. Kështu shkruan Jusuf Buxhovi në
librin e tij: “Nga Shqipëria osmane te Shqipëria evropiane”. Të bën përshtypje
të madhe kur princ Vidi këtu kërkon përveç tjerash edhe bërjen e shkollave të
mira. I njoftuar mirë që ishte dhe i bindur se mund të ketë grindje të
brendshme fetare kërkonte që shkollat të mos bëhen vatra të përhapjes fetare.
Shumë interesant është të theksohet se në kohen e tij në programin e tij
qeveritar ai kërkonte që shkollat të bëhen vatra të edukimit të të rinjve
shqiptarë për çështje të mbara dhe për edukimin pro evropian. Normalisht që në
memorandumin e tij ai kërkonte që fetë të jenë të lira, por ai ishte kundër
kërkesave të huajve që me anën e fesë ata të arrijnë ndikimin në riformimin e
popullit tonë.
Sa
keq e keni , po i premtoni shkollës shqipe një humnerë !
Me
10 mars 1937, Zogu nxori ligjin “për ndalimin e mbulimit te fytyrës me perçe
nga gratë”…Ky nuk ishte një akt thjeshte deklarativ. Ishte ligj urdhërues me
zbatim te detyrueshëm. Shkelësit do te përballeshin me ndjekje penale qe
shkonin nga gjobat deri ne burgim. Viheshin para përgjegjësisë i ati, i shoqi…
“nëse nuk ushtronin ndikimin e tyre për te hequr mbulesën e fytyrës me çdo mjet
mbulimi”, ata gjobiteshin me 1000 franga ari. Ata qe nxitnin shkeljen e ligjit
dhe bënin presion për mbajtjen e perçes, veç gjobës me te rende, 2000 franga
ari, mund te dënoheshin me një muaj burg. Ne raste te veçanta burgu mund te
zgjatej deri ne një vit, ose fajtori internohej nga tre muaj deri ne tre vjet.
Sanksione te jashtëzakonshme parashikonte ligji për “ata qe bënin propagande
për mbajtjen e perçes: denim me burg deri ne. pesëmbëdhjetë vjet”. ( Arben
Puto, Shqipëria politike, botimet “Toena” 2009, f.594 )
Krizën
e moralit kombëtar dhe kthimin e humbjes së vlerave të tij nuk e rregullon
futja e fesë në shkolla, ajo në të kundërtën shkon në thellimin e tyre. Krizën
materiale, varfërinë ekonomike dhe mendore, lakminë e fitimit të shpejtë pa
marrë parasysh rrugën dhe mjetet e sollëm vetë ne me mënyrën tonë të bërjes së
shtetit.
Kur
shpirti i një kombi stërkeqet nga varfëria e nga lakmia, nuk ka asnjë bindje
fetare që mund ta shërojë atë. Vetëm kamja mund ta ndritë mendjen. Nuk ka
nevojë që t’i bindim edhe bashkatdhetarët tanë nëpër Evropë nga misionarët tanë
se si të largohen nga e keqja; kur ata jetojë në vende moderne aty ku dihet se
si ndahet “shapi nga sheqeri”.
“Në
Zot ne besojmë”, për shqiptarët ai zot është mysliman, katolik, protestan,
ortodoks, Baptist…Ne… Me futjen e fesë në shkolla atëherë secili duhet të
mësojë varësisht nga ora që e ndjek nga predikuesi i uniformuar që shkon aty të
bindë të rinjtë se Zoti është vetëm i tyre dhe se zoti i të tjerëve nuk është
për t’u përmendur.
Rryma
përparimtare që e ka kapluar shoqërinë shqiptare në përgjithësi, duhet te jetë
aq e fortë sa që edhe ata që mendojnë ta kthejnë rrotën e historisë prapa duhen
ta kenë të kotë.
Pra,
në rrethin shpirtëror, në zotërimin e vlerave të krijuara, ne, asnjëherë nuk iu
kemi pasur lakmi të tjerëve. Duke mos u pasur lakmi të tjerëve, ne nuk iu kemi
as meni as zili për të huazuar nga ata gjëra të cilat na shkojnë ndesh me
krenarinë tonë dhe uniken tonë në botën ku jemi.