Faleminderit
Kujtim Mateli: Pse e kanë gjymtuar Pashko Vasën, poetin e madh të Rilindjes Kombëtare?
E enjte, 13.11.2008, 10:30 PM
Pse e kanë gjymtuar Pashko Vasën, poetin e madh të Rilindjes Kombëtare?
Kujtim Mateli
Nga Kujtim Mateli
Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap'edhe rrezë,
Asht tok' e jona, prind na e kanë lanë,
Kush mos na e preki, se desim t'tanë,
Të desim si burrat që vdiqnë motit,
Edhe mos marrohna përpara Zotit.
Pashko Vasa
"O moj Shqypni" është ndoshta nga poezitë më të lexuara në letërsinë shqipe.Vargu i saj të trondit.Është një tronditje që të zgjon nga një ëndërr e keqe.Por njeriu trishtohet kur sheh se ëndrra nuk paska qenë e ndryshme nga realiteti.Këtë shije të hidhur kanë ndjerë gjyshërit tanë teksa lexonin këto vargje që u ngjajnë tambureve të luftës. U zgjuan,por për ta gjithçka ishte vonë.Perandoria ia burgosi prijsit e saj kryesorë. Kërcënonte me vdekje çdo luftëtarë. Nga Veriu hordhi që prisnin me gojën hapur si përbindëshat. Nga Jugu po gjithashtu. Që nga brigjet e Europës që lagen nga Oqeani Atlantik dhe deri në Siberi bënin sehir me një popull që i ngulej thika në shpinë. Të më fal lexuesi,se disa bënin sehir. Disa u aktivizuan gjerësisht për ndarjen e tokave shqiptare. Akoma nuk arrijmë të kuptojmë nga buronte gjithë kjo djallëzi europiane e përfaqësuar nga fuqitë kryesore për t`i ndarë trojet shqiptare sipas oreksit të grykshqyerve. Aq primitiv paska qenë njerëzimi sa ndenji duarkryq përpara një masakre të tillë? Pyetja është e tepërt gjersa trojet e Shqipërisë patën një fat të tillë. Vargu lapidar:"Feja e shqiptarit asht shqiptaria" i cili mbyllte këtë poezi në tekstet shkollore, ka luajtur një rol të rëndësishëm në bashkimin e shqiptarëve,që përtej besimit fetar të shikonte ata elemtë të rëndësishëm të formimit të kombit .
Duke lexuar para disa vitesh poezinë e poetit të madh Pashko Vasa “O moj Shqypni” mbeta i befasuar, se deri atëhere strofën e mësipërme, që është mbyllja e kësaj poezie, nuk e kisha dëgjuar. Ajo nuk është bërë as në shkollën 8-vjeçare, as në shkollën e mesme,bile as në shkollën e lartë. U hidhërova që breza të tërë shqiptarësh, që sot nuk jetojnë më, nuk kanë mundur të njihen me tërësinë e këtij margaritari. Edhe aq sa e kemi mësuar, ajo ka qenë e madhërishme,me idetë që ka përçuar tek shqiptarët dhe me bukurinë e saj artistike. Por, mbasi e ke lexuar të plotë, të lindin disa pyetje: kush e ka sakatuar këtë poezi? Cilat kanë qenë motivet dhe pse, edhe sot e kësaj dite mbetet e sakatuar në tekstet tona shkollore?
Për zanafillë të këtij gjymtimi unë do të marrë vitet 60-të, kohë në të cilën e kam mësuar përmendësh këtë vjershë në tekstet shkollore. Po ky dëmtim, sigurisht është shumë më përpara. A ka qenë e gjymtuar kjo poezi në kohën e monarkisë? Ata që kanë nëpër duar materialet e asaj periudhe le të shohin si është trajtuar kjo poezi në rregjimin monarkist. Unë do të bazohem në përjetimet e mia të paktën që nga vitet 60-të kur kam qenë nxënës i arsimit 7-vjeçar e në vazhdim. Dihet që tek ne letërsia dhe artet gjatë gjithë rregjimit socialist, kanë qenë të deformuara për t`u futur në kallëpin e realizmit socialist.
Po çfarë ka kjo pjesë që nuk shkon me tërë frymën e përgjithshme të poezisë që ka qenë ndër më të spikaturat, që në një poezi të vetme është përmbledhur tërë plarforma politike e Rilindjes Kombëtare? Pikërisht tek platforma politike e kësaj poezie duhet kërkuar edhe aneksimi që i është bërë kësaj strofe që, për më tepër se një gjysëm shekulli , nuk e kishim idenë e kësaj pjese brilante. Shkaku është se Vaso Pasha përmend dy qytete që nuk ishin në territorin e Republikes së Shqipërisë, Tivari dhe Preveza, për të cilat autori thotë : “ Asht tok' e jona, prind na e kanë lanë /Kush mos na e preki, se desim t'tanë” Po ç`faj ka autori kur në kohën e tij këto dy qytete thirreshin me plot gojën: qytete shqiptare? Gjithë hapësira ndërmjet këtyre dy qyteteve që shtrihen njëri në Jug dhe tjetri në Veri në kohën e tij flitej shqip. Popullsia e tyre edhe sot flet shqip përveç mysafirëve që janë bërë si të zotët e shtëpisë.
Ku qëndron mëkati i poetit? Poeti nuk është profet dhe të gjykohet pse nuk e parashikoi saktë fatin e Shqipërisë. As mund të parashikonte që ne, pasardhësve të tij nuk na vjen mirë kur na thonë se dikur këto troje kanë qenë tuajat.Dhe kjo se ne kemi heshtur për to. Poeti nuk është as politikani i ditëve të sotme që të ruaj ekuilibra midis shteve dhe sidomos në këto momente kur po mundohemi ta bëjmë Europën një shtet të vetëm dhe kufijtë do të jenë vetëm simbole. Nëse do të dalë dikush sot dhe të shkruaj këto vargje do të gjykohet për nacionalist,që po ecën kundër rrjedhës së historisë. Sot jemi në një realitet që Shqipëria është e ndarë me shqiptarë me të gjitha shtetet që kufizohet dhe, ashtu si në planetin Tokë, që dy pjesë janë ujë dhe një pjesë truall, edhe Shqipëria trojet e veta i ka: një pjesë në atë që quhet Shqipëri dhe dy pjesë janë ujë se nuk i shkel dot, ato janë pjesë e shteve që e rrethojnë. Nejse. Kështu desh Europa një shekull më parë dhe ne nuk mund ta gjykojmë Europën në këto momente. Europa është ndryshe sot dhe ne duhet t`i bindemi asaj. Çdo mendim i kundërt me frymën e sotme europiane, nuk është në të mirën tonë. Po ne nuk mund të paragjykojme as poetin.
Në janar të vitit 1879 Abdyl Frashëri bëri në Prevezë Kuvendin shqiptar për shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe Rilindasit tanë, kur flisnin për Shqipëri, nënkuptonin ato troje ku flitej shqip dhe Perandoria osmane i quante toka shqiptare,ashtu siç kishin qenë në momentin kur u pushtuan nga Perandoria. Po të kishte qenë Preveza tokë jo shqiptare askush nuk do ta kishte lejuar patriotin e madh Abdyl Frashëri të bënte një Kuvend dhe të kërkonte troje që nuk ishin të tijat. Nuk do të kishte bërë Kuvende as në Prevezë,por as edhe në Janinë. Dihet që kuvendet me një pjesëmarrje tepër të madhe janë bërë në këto dy qytete. Historia ndryshe, rrodhi më vonë.
Pashko Vasa
Po ne po flasim për një poezi që është shkruar 100 e ca vjet më parë. Dhe ai realitet e kishte brenda kufijve të Shqipërisë dhe Tivarin, dhe Prevezën. Por edhe në ditët e sotme poeti nuk njeh kufij shtetërorë. Mendimi i poetit zgjatet deri atje ku flitet gjuha e tij. Shpirti i tij fluturon atje ku kanë varret të parët e tij. Ky është poeti. Aq më tepër kur flitet për Vaso Pashën.
Ajo që nuk shkon është: pse në kohën e diktaturës në Shqipëri këto vargje ishin shmangur? Kujt i interesonte kjo shmangie ? Pse edhe sot që jetojmë në demokraci vazhdojmë me të njëjtin mentalitet? Të sakatosh krijimin, i kujtdoqoftë, është një shkeje e rëndë. Aq më tepër që Vaso Pasha është mal në letërsinë shqiptare dhe kallëpxhiut të djeshëm dhe të sotëm nuk u jepet tagri të lëvizin qoftë dhe një presje.
Flasim për dje.
Politika komuniste mbështetej mbi absurdin. Logjika ua kishte lënë vendin ca tezave marksiste që, më shumë se çdo popull tjetër i vuajti Shqipëria.
Vëlla kam atë që mendon si unë. Vëllezër të një ideali. Ndaj ne vëllezërit i gjetëm në Rusi dhe në Kinë, por kurrsesi në territorret e këtyre dy qyteteve që përmenden më sipër. Ata u indentifikuan me regjimin politik që sundonte në ato vende dhe shiheshin si armiq. Për rregjimin komunist nuk kishte komb shqiptar. Kishte vetëm Republikë Socialiste të Shqipërisë. Çdo pëllëmbë toke jashtë kësaj republike ishte tokë armike. Kjo logjikë pati pasoja katastrofale në edukimin e popullit tonë me ndjenjat atdhetare. Ato pasoja janë aq te rënda edhe te brezi i sotëm. Në këto 18-vjet tranzicion post komunist është bërë pak që ne shqiptarët, kudo që jemi,t`i themi njeri-tjeterit vëllezer,se jemi vëllezer të një gjaku. Duhet të kërkojmë rrënjët e origjinës sonë dhe atje ku janë dëmtuar nga popuj apo qeveri të pa përgjegjëshme dhe t`i përtërijmë ato. Nuk mund të ndahet historia e popullit tonë sipas kufijve gjeografik të periudhës në të cilën jetojmë.Historinë e popullit tonë, kulturën tonë të mrekullueshme, nuk mund ta ndajnë ca simbole, vendosur shpateve te maleve, që quhen në gjuhën e sotme: kufij shtetëror. Ata kufij mund të ndajnë territore, por jo zemrat. Për kufirin që ndan territore edhe mund të justifikohemi, por për kufijtë që ndajnë zemrat, kurrsesi.Vëreni pak historinë. Themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali nuk u pajtua me copëtimin që iu bë Shqipërisë. Ai, derisa vdiq, pothuaj i vetëm,i mbështetur nga fare pak veta, kërkonte bashkimin e trojeve shqiptare se ashtu e kishte amanet nga bashkëkohësit e tij, nga Rilindasit. Nuk mund të pajtohej me Shqipërinë e cunguar. Vdiq në Itali ku kishte shkuar duke zhvilluar platformën e tij për bashkimin e trojeve tona. Mbas tij i fundit që ka folur për bashkim trojesh ka qenë Lame Kodra, i cili shkruante: “Unë e dua Shqipërinë /Që nga Shkupi e Janinë.” Pastaj askush nuk foli. Të jetë koicidencë që Pashko Vasa erdhi me një vepër të gjymtuar deri në ditët tona, ndërsa Lame Kodrës iu ndalua vepra? Të jetë koicidencë që Ismail Qemali vdiq i helmuar, ndërsa Lame Kodra vdiq i helmuar shpirtërisht? Vazhdojmë. Ajo që dua të them është se këta kufij po na shërbejnë edhe si kufij shpirtërorë. Populli shqiptar duhet të zhvillojë ndërgjegjen kombëtare që është mjaft e dëmtuar në kohën në të cilën jetojmë. Ky shekull, më shumë se çdo shekull tjetër, punon për shqiptarët. Po shkojmë drejt Europes së Bashkuar dhe ne duhet të kemi njësinë tonë kulturore,njësinë tonë ekonomike, njësinë tonë kombëtare.
Ne edhe sot e kësaj dite shkruajmë e mendojmë brenda hapësirës së kafazit ku na kanë mbyllur. Përse të mos i kapërcejmë shpirtërisht këta kufij? Personazhet e veprave letrare duhet t`i kapërcejnë këta kufij dhe hapësira e veprimit të tyre të shtrihet tej e tej, deri atje ku flitet shqip e mendohet për tokën e të parëve tanë.
Nëse ne duhet të ndërtojmë kombin shqiptar të rrënuar nga diktatura komuniste dhe e neglizhuar deri në ekstrem nga periudha postkomuniste, si pikë referimi duhet të merren Rilindasit tanë të mëdhenj. Figurat më madhore të kombit tonë ngritën komitete të shpëtimit kombëtar në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare, e kurorëzuar kjo me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Kështu populli ynë ka menduar dhe vepruar në mijëvjeçarë. Të ndarë po mendojmë dhe veprojmë në këta 100-vjetët e fundit. Ndërgjegjen kombëtare duhet ta krijojmë ne vet, me punën tonë.Le të hapim një epokë të re: epokën e shpalosjes së kultures shqiptare. Të mbeshtetemi fort tek Rilindasit tanë. Vizioni i tyre është i pakrahasueshem me asnjerin brez pasardhës. Fjala e tyre ka dritë edhe për ditët e sotme. Ata kishin shpirtin e bardhë dhe bardhësia është burim i pashtershëm i dritës. Ishin sintezë e mendimit të kohës në të cilën jetuan,por ndikimi i tyre është i dukshëm edhe në ditët e sotme. Ata janë burim drite për ne dhe të pranishëm në përpjekjet që po bëhen në këto vite që mund t`i quajmë : Rilindje e Vonuar.