E diele, 28.04.2024, 10:58 AM (GMT+1)

Faleminderit

Prof Akil Koci: Përmasat e personalitetit të Tonin Harapit

E merkure, 01.10.2008, 04:39 PM


Tonin Harapi
“Kompozitor nuk është ai që shkruan muzikë, por ai që nuk mund të qëndrojë pa shkruar muzikë”. - Tonin Harapi

Në fushën e krijimtarisë muzikore shqiptare kemi ca emra, pa të cilët nuk mund të mendohet kjo fushë e artit, sepse me krijimtarinë e tyre të gjithanshme, për dekada me radhë, duke e pasuruar fondin e artë muzikor, kanë hyrë me nder e dinjitet në Panteonin e këtij arti. Bëhet fjalë për një opus me frymëmarrje të gjerë, me cilësi artistike majakapëse, që vezullon në qiellin e kthjelltë të kulturës së gjithëmbarshme shqiptare. Mesazhi i tyre në këtë art kaq të bukur, kaq tërheqës dhe njëherazi kaq të vështirë, na është përcjellë e na është kumtuar përmes derdhjes, si ujëvarë, e frymëzimit të mirëfilltë në gjini nga më të larmishmet.

Cilat janë gjinitë që ka lëvruar Tonin Harapi? Më e saktë do të ishte pyetja: cilat janë ato gjini që nuk i ka lëvruar Tonin Harapi? Sepse, praktikisht, ky mjeshtër i madh i zhdërvjelltësisë së pentagramit, ky “zgjerues” i jashtëzakonshëm i katër “fushave” të ndrysura brenda pesë vijave, praktikisht është i pranishëm, me tërë forcën e talentit të vet, në të gjithë gamën e zhanreve të muzikës, duke filluar nga kënga në frymën e muzikës popullore, argëtuese, klasike e deri në ato më të sofistikuarat, në muzikën kamerale, simfonike dhe skenike…
Artist i lindur, me një muzikalitet të pashoq e me një zgjuarsi të jashtëzakonshme, Tonin Harapi ka qenë i pajisur me aftësi të rralla për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta stilistike. Duke qenë gjithmonë rigoroz në profesion, pedant në kuptimin pozitiv të termit, Tonin Harapit ia kish ënda të ndalej në zbërthimin e shkoqitjen e termave muzikorë, ndër ta edhe të termit “muzikalitet”, duke u nisur nga fakti që shumëkush i vishte kësaj fjale lloj-lloj interpretimesh, jo rrallë diletanteske, të pathemelta, pra edhe të papërgjegjshme. “Po përpiqem - u thoshte me modesti të pranishmëve, kolegë, studentë, apo edhe thjesht amatorë të muzikës, - të shfaq ndonjë mendim se si e shoh unë muzikalitetin”. Më tej vinte në dukje se edhe në ndonjë fjalor të vogël enciklopedik, termi i mësipërm përkufizohej mjaft zbehtë, ose, të paktën, pamjaftueshëm: me lokucionet “karakter muzikor”, “veçoria për të qenë muzikor”. “Më tej, - theksonte Tonini, - mund të hasësh edhe ndonjë shprehje me kuptim të figurshëm, si tingëllimë harmonike, çka nis t’i afrohet më shumë konceptit tim”. Pastaj e hidhte fjalën tek një përkufizim, i cili, sipas tij, në vështrim të parë dukej sikur nuk kishte ndonjë lidhje me muzikën e, megjithatë, “ka diçka që bashkon mendimet dhe ndjenjat e mia: veçanti, sidomos e poezisë, rrjedhojë e përkëmbimeve (alternimeve), ritmit, kadencës dhe tingëllimës (intonacionit) të vargjeve”. Këto saktësime, Tonini e ndjente të nevojshme t’i bënte, sepse, sikurse shprehej, “shpeshherë më zë veshi që nuk janë të pakët ata, të cilët e ngatërrojnë muzikalitetin me cilësinë e të qenit ritmik”.
Rëndësi të dorës së parë, Tonin Harapi i kushtonte edhe interpretuesit të muzikës që kompozonte: instrumentistit dhe këngëtarit. Lidhur me këtë të fundit, çmonte së tepërmi ata interpretues vokalë, të cilët, duke shfrytëzuar cilësitë e lindura, por edhe punën që bënin kryesisht me vokaliza, arrinin ta zgjeronin diapazonin timbrik, nga tenor në bariton apo bas, ose, të paktën të përftonin “ngjyra specifike”. Lidhur me këtë “dualitet”, mjeshtri Tonin Harapi tërhiqte vëmendjen se duhej treguar kujdes që të mos sforcohej zëri, përmes dozimit dhe intensitetit të tingujve.
Gjatë shkëmbimit të mendimeve me këngëtarë e sidomos me solistë, Tonin Harapi i këshillonte që edhe në shtëpi e kudo, të mos e shkëputnin vëmendjen nga pjesët e repertorit të tyre; të ushtroheshin e të përsërisnin pa pushim fragmente e pasazhe, jo vetëm nga pjesët që u kërkoheshin për koncerte të ndryshme, por sidomos nga vepra muzikore të famshme. Më tej, u thoshte se nuk duhej që medoemos ta quanin veten “bel-cantist” në kuptimin që ky nocion kishte në shekullin XIX e deri në vitet ‘25 të shekullit të kaluar.
Pa lënë pas dore teknikën muzikore, domethënë nevojën e përmirësimit të cilësisë së disa tingujve, që mund t’i ndjenin si “deficitarë”, pa shpërfillur as përkryerjen e ndonjë fraze deri në një elegancë të caktuar artistike, ata, sipas Tonin Harapit duhej të fitonin edhe tiparet e aftësitë e një aktori lirik, për të cilin mishërimi i personazhit gjithmonë i paraprinte bukurisë së këngës apo të aries. Lidhur me këtë të fundit, Tonin Harapi mendonte se i vetmi dallim midis aktorit dramatik dhe atij lirik është se i pari shprehet duke folur, ndërsa i dyti duke kënduar, por të dy e kanë për detyrë të luajnë në skenë.
Që muzika e interpretuar në skenë, të kurorëzohej me sukses, çka ishte në nderin, jo vetëm të kompozitorëve përkatës, por edhe të interpretuesve, - këngëtarë e instrumentistë, - por edhe të dirigjentit të orkestrës, Tonin Harapi kishte bindjen se ishte e domosdoshme që artistët të formojnë njënë nevoja që ndonjëri të bëjë çmos t’ia kalojë tjetrit (sidomos me mënyra e mjete të padrejta). E vetmja gjë e lejuar në garë, mendonte Tonin Harapi, është ambicia për ta kapërcyer vetveten, duke qenë i vetëdijshëm se vendi yt është dhe mbetet vendi yt. Atë nuk ta zë dot kurrkush. Këtë të vërtetë e ka shprehur fort bukur edhe Zhan Kokto (Jean Cocteau): “Të gjithë besojnë se mund ta bëjnë shumë më mirë se ti. Jo më mirë. Por diçka tjetër”.
Tonin Harapi tregonte të njëjtin seriozitet, si në kompozimin e temave lirike, ashtu edhe të atyre epike; si në “skalitjen” e karaktereve për rolet “e lehta” (në një këngë me vijë melodike të thjeshtë, apo në një komedi muzikore), ashtu edhe për rolet “e vështira”, me nuanca tragjike apo satirike (në oratoriot, kantatat, operat, operetat etj).
Tonin Harapi ka qenë artist kompleks, në kuptimin gjithëpërfshirës të fjalës, për të cilin tingulli muzikor dhe veprimi skenik shkrihen në një unitet artistik të pashkëputshëm. Tonin Harapi duhet konsideruar si një model për brezat e rinj të kompozitorëve, të cilët duhet ta kuptojnë që spektaklet bashkëkohore nuk mund të mbahen më këmbë dhe nuk mund të prosperojnë përveçse përmes një zhvillimi harmonik të shumanshëm të të gjithë përbërësve.
Tonin Harapi ka pasur dhuntinë e jashtëzakonshme të ngulitjes në kujtesën e dëgjuesit e të shikuesit të mesazhit artistik të realizuar nëpërmjet tingujve të filtruar në sitën e imtë gjatë procesit krijues. Mesazhi i sapo përmendur nuk mund të harrohet lehtë, ngaqë ia del mbanë t’i mbivendoset vetëdijes sonë, me esencën e personazhit përkatës.
Mbresa që na le muzika e Tonin Harapit nuk ka të bëjë vetëm me përmasat e gjinisë në të cilën kompozon, por ajo mund të përftojë, qoftë edhe brenda disa çasteve, një imazh aq të veçantë, “të vizatuar” me aq elegancë, - ku pleksen mendimi i thellë dhe emocioni i fuqishëm, - saqë të mos na ndahet për vite ma radhë paskëtaj.
Natyrisht nuk jemi në gjendje dhe as i kemi vënë për detyrë vetes të përcaktojmë me saktësi e në mënyrë të plotë “burimin” e talentit madhor të Tonin Harapit. Gjithsesi, mund të pohojmë se sukseset e tij i detyrohen një dhuntie krejt të veçantë, njësimit pothuajse total të tij me veprën që krijon. Asaj ai i fal pa kursim copëza nga jeta dhe nga shpirti i vet, duke hyrë në rezonancë me bërthamën e çdo gjendjeje shpirtërore që u vesh personazheve, duke përjetuar rrjedhojat e natyrshme në rrafshin e shprehshmërisë muzikore, falë një intuite dhe nuhatjeje të posaçme e të pangatërrueshme.
Versionet që na ofron Tonin Harapi, kanë një origjinalitet, i cili na e pasuron, përmes rrugës së artit, përvojën tonë jetësore. Ato janë të ngjizura me atë që mund ta quajmë “tharm” vetjak i kompozitorit, i cili kumton disa rrjedha ndijore me një efikasitet që mund të dëshmohet e të përjetohet nga çdo dëgjues apo spektator në koncertet me vepra të Tonin Harapit.
Të bind fakti që kompozitori Harapi bëhet njësh me shpirtin e poezisë që do ta veshë me rrobat e notave, që do ta muzikojë, pra. Binjakëzimi që realizon midis vargut e notës, ndërmjet fjalës dhe melodisë, ka një inkandeshencë të atillë emotive, me theksa vetjakë, që mbartin vulën e frymëzimit subjektiv, saqë arrin të bëhet klasik, pa u ndarë kurrsesi nga faqja përkatëse e kompozuar.
Por, të gjitha këto atribute nuk lidhen vetëm me mrekullinë, pra me talentin e lindur. Ato janë rrjedhojë e një pune artistike të mundimshme, e një shqetësimi të paprerë për zgjerimin e horizontit kulturor, për përsosjen e mjeteve profesionale. Edhe pse Tonin Harapi ishte prej kohësh një erudit i mirëfilltë, jemi të bindur se ai, para se t’i përvishej punës për të shkruar një partiturë, mblidhte të dhëna gjithfarësh rreth ngjarjes apo protagonistit, kur, për shembull, ishte fjala për një eveniment apo personazh historik apo fryt i legjendave dhe i rrëfimeve popullore. E shfaqim këtë hamendje ngaqë Tonin Harapi përsiate dhe eksperimentonte në variante të ndryshme cilindo intonacion, analizonte domethënien e “linjave të forcës” të çdo fjale e note, “ngjyrën” e çdo rrokjeje, çka e çonte drejt shpërndarjes së intensitetit të theksave ekspresivë pas një dozimi të hollësishëm, të përftuar njëherazi nga logjika dhe nga mendimi. Emocioni i freskët dhe vibracioni i mishërimit të secilës situate apo personazhi, i përkasin një artisti që, sa herë krijon, secilin çast e përjeton ndryshe nga tjetri, pa u prekur nga sëmundja e rutinës dhe e mërzisë, njëlloj si në ditën e parë të daljes e të prezantimit me publikun artdashës e muzikofil.
Por, që të kuptojmë sa më mirë ku buron arti i Tonin Harapit, na vjen në ndihmë portretizimi i tij si njeri, ashtu siç kemi pasur rastin fatlum ta njohim, sepse talenti nuk mund të ndahet nga shpirti i një artisti të vërtetë. Vepra e tij ngjason me një rrjedhë të vrullshme, të përkushtuar artit e atdheut. Rreshtimi mjeshtëror i tingujve në “foleza” të qëndrueshme dallëndyshesh të zellshme e të talentuara, në sytë e mosnjohësve paraqet hieroglifë të pakuptueshëm, të shumëllojshëm e të larmishëm, që, në të vërtetë përfaqësojnë shtjellimin e lëndës në shtrirje e në lartësi, për të përftuar melodi e harmoni - jehona kumbuese të shpirtit krijues në një hapësirë të gjerë, të papushtueshme, të perceptueshme vetëm nga njerëz me ndjenja e me zemër. Ky mund të jetë thjesht një hamendësim i imi, por që padyshim mbart diçka të besueshme dhe bindëse.
Vetvetiu shtrohet pyetja: Ku gjenden ato emocione, ai ngacmim a shtysë shpirtërore, ajo dukuri artistike, që kërkon dhe e ndjen të domosdoshme të nxjerrë në dritë gjithë atë potencial të asaj linje poetike, të asaj rrjedhshmërie mendore dhe pse jo edhe të atyre qasjeve filozofike përmes të menduarit dhe të krijuarit të një muzike vetanake?
Një nga përgjigjet e mbarëpranueshme mund të ishte: Këto gjenden në shpirtin e në mendjen e kompozitorëve me devotshmëri të pashoqe, në mesin e të cilëve bën pjesë Tonin Harapi, i cili ka krijuar vepra me vlera të larta artistike dhe humane në rrethana kohore dhe historike të vështira. Ai është një krijues që mbart binomin e kompozitorit dhe të kritikut, njeriut gjithnjë të gëzuar e të hareshëm, çka përputhej plotësisht me karakterin e tij të pastër, me shpirtin e zemrën e gjerë, të artistit të pajisur me virtytet më të larta njerëzore. Pra, mjaft t’i hidhje një vështrim të shpejtë fytyrës së tij simpatike dhe të dëgjoje vetëm dy a tri fjalë me atë zë si cicërimë zogu, dhe do të bindeshe se kishe lexuar botën e brendshme e të thellë të tij.
Këtë të vërtetë e pohon edhe muzikologu i mirënjohur Spiro Ll. Kalemi në librin e tij “Tonin Harapi”: “Për Tonin Harapin përmasa njerëzore e artistit është po aq e rëndësishme sa ajo njerëzore”.
Tonin Harapi, përveçse njeri tejet i kulturuar, ka qenë edhe një personalitet aktiv që ka menduar oreçast për një të ardhme më të mirë për vendin e kombin e vet. Vepra e tij e gjerë dëshmon jo vetëm për talentin e zellin e madh për punë krijuese, por edhe për ndërgjegje të lartë qytetare.
Sipas dëshmive të atyre që e kanë njohur nga afër, ose që kanë bashkëpunuar me të, Tonini ishte i bindur se në fushën e arteve në përgjithësi dhe në atë të muzikës në veçanti, gjithçka duhej bërë me një pikësynim të qartë e me një plan afatgjatë të menduar mirë, në mënyrë që të gjitha përpjekjet e i gjithë mundi të përbëjnë hallka të një zinxhiri të fortë e të pashkëputshëm. Dikur Tonini pat thënë: “Ne duhet ta ngulim vështrimin në gurët e rëndë që nuk tunden nga vendi, jo në ujin që kalon. Dhe këta gurë kemi qenë, jemi dhe do të jemi ne”.
Mbizotërues në karakterin e tij ka qenë energjia pozitive, qenia në lëvizje të vazhdueshme, në kërkim të së mirës dhe të rrugëve të mbërritjes tek ajo. Mjafton të kesh sadopak njohuri për muzikën dhe do të befasohesh nga shpërthimi i jashtëzakonshëm i energjive që lëshon çdo partiturë e shkruar nga ky artist i shquar.
Tonin Harapi tregohej i palodhur në veprimet për të zgjuar tek artistët e rinj ndjenjën e krenarisë e të besimit në forcën krijuese të pashtershme të shqiptarit, çka duhej përdorur për lartësimin e figurës së tij e të kombit mbarë në sytë e njerëzimit.
Krahas shumë kompozitorëve të tjerë të shquar shqiptarë, kam pasur rastin që edhe Tonin Harapin ta njoh personalisht. Nga takimet e shpeshta me të, brenda caqeve të ngushta të lejuara në atë kohë të zymtë, kam mundur të shquaj tek ai vetitë e një njeriu të madh. Megjithëse nuk pata mundësi që veprat e Tonin Harapit t’i analizoja sipas kodeve të mirëfillta muzikologjike, kjo nuk më pengoi të bindesha se madhështia e Tonin Harapit qëndronte jo vetëm në cilësitë e rralla të karakterit të tij, por edhe në guximin që pat treguar për të kompozuar në një stil të ndryshëm nga ai i sivëllezërve, pra i shumicës së kompozitorëve, që jetonin e punonin në Shqipërinë komuniste. Madje stili i Harapit dallon edhe nga trendët e krijimtarisë muzikore aktuale. Më pati lënë mbresa të pashlyeshme mjeshtëria e rrallë e Harapit në trajtimin jo vetëm të melodisë, por edhe të ritmit e të harmonisë.
Nga ana tjetër, në sytë e mi ndehej një farë mjegulle sa herë që ndeshja në veprat e Tonin Harapit ca tituj makabër, si: Komisari, Vullnetarët, Maleve bie boria, Shqipëria e kuqe. Prapëseprapë, kur bija në mendime rreth talentit të pamohueshëm të Tonin Harapit, dyshoja se ato emërtime nuk gufonin nga indi i tij krijues, por nga mësimet e nga porositë e detyrueshme të partisë-shtet.
Në këtë aspekt vlen të theksohet se, sipas Tonin Harapit, “tradita është lidhje e komunikim vlerash, mbi të cilat ndërtohet e reja”. Këtë ai e ka mishëruar më së miri në praktikën e vet krijuese, duke u mbështetur fort në melosin shkodran. Aty përvijohen melodia, ritmi dhe harmonitë e këtij melosi, që simbolizojnë jo vetëm përkushtimin ndaj këtij arti, por edhe individualitetin krijues të bazuar në fizionominë dhe karakterin e artit kombëtar.
Në librin “Tonin Harapi”, që e zumë në gojë më lart, autori Spiro Ll. Kalemi, thekson: “Bindjet personale të tij (të Tonin Harapit, sh.y.) dhe qëndrimi i mbajtur nga ai, gjithnjë larg nga kori i apologjetëve të ideologjisë në ato vite kur militantizmi politik ishte parullë e ditës, më kanë ngjallur ndjenjën e respektin për të”.
Tonin Harapi ka ardhur shpeshherë në Prishtinë, bashkë me kompozitorin tjetër, Nikolla Zoraqin. Siç thashë edhe më lart, e kam shoqëruar, sidomos kur e ndjente vetën më të lirë. Atëherë, dhe veçanërisht kur pat ardhur i vetëm, si i dërguar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pa “shoqërues”, i thosha: “Fol shlirë!”. Një here ia dolëm mbanë të kuvendonim gjerë e gjatë për të gjitha problemet që e mundonin, por vetëm si profesionistë, sepse nuk mund të dilte jashtë “kornizave” të lejuara, sido që e nuhatja se ishte i interesuar që gjendja e përgjithshme në Shqipëri të ndryshonte me themel.
Pra, bisedat tona gjithmonë dhe gjithnjë ishin vetëm e vetëm për muzikën, ku ai shpaloste jo vetëm bagazh kulturor të gjerë, por edhe tiparet e një personaliteti krijues kombëtar, të përmasave evropiane.
Pra, ky kompozitor shumështresor dhe shumë përmasor krijoi një muzikë, të cilën, sa herë e dëgjojmë, bindemi se është mbështetur në tabanin kombëtar, në motive popullore dhe aty për aty fitojmë mbresa relevante të pakontestueshme, edhe pse atë muzikë e krijoi në një kohë pa kohë, të cilën e jetoi dhe e përjetoi si një veprim jashtë kontekstit, në një sistem mosvlerash, të ngritur mbi një doktrinë makabre, që ngjallte e ushqente mosbesim të përgjithshëm, marrëzi njerëzore, degradim të artit e të shkencës, brenda një realiteti absurd. Harapi ka qenë “trashëgimtar dhe pjesëtar i dramës popullore kombëtare…..”.
Ajo periudhë ende nuk është analizuar dhe trajtuar sa dhe si duhet, prandaj mbetet detyrë urgjente e muzikologëve tanë të rinj që veprat e krijuara nën regjimin komunist të studiohen e të vlerësohen me objektivitet e në mënyrë të paanshme, nën prizmin e realitetit historik.
Duke lexuar librin e Spiro Ll. Kalemit, që përbën një studim shkencor e artistik të mirëfilltë, më tërhoqi vëmendjen jo vetëm portretizimi i gjithanshëm i kompozitorit, shtjellimi i saktë i problematikës që Tonin Harapi trajton në veprat e tij, por edhe përfshirja e krejt veprimtarisë së tij në kontekst të caktuar, duke u këqyrur ” si rrjedhojë e dukurive politike të një periudhe të diktuar nga ideologjizimi i skajshëm që shpesh e me qëllim nënvleftësoi njeriun dhe veprën e tij”.
Duke u treguar tepër i kujdesshëm në zgjedhjen e fjalëve për krijuesin e shquar Tonin Harapi, muzikologu Spiro Ll. Kalemi përdor metafora për të zbërthyer sa më mirë dhe sa më bindshëm, jo vetëm aspektin sasior të veprimtarinë së frytshme të kompozitorit të madh shkodran, por edhe anën cilësore, duke nxjerrë në pah dhe duke depërtuar thellë në psikologjinë e tij, jo vetëm si krijues, por edhe si njeri.
Krijimtaria artistike e Tonin Harapit veçorizohet nga një gjuhë e qartë, mbështetur në metoda të të krijuarit realist, pa u bazuar në arritjet e shekullit të kaluar, si në shprehje, ashtu edhe në teknikën kompozicionale. Lidhur me këtë çështje, mund të konstatojmë se nuk ka shkruar në atë stil dhe as nuk është përpjekur për t’iu qasur, jo vetëm ngaqë nuk e ka njohur, por, para së gjithash, sepse ka qenë i predispozuar të shohë dhe të shkruajë duke u mbështetur në tabanin e muzikës sonë popullore, i cili është i qartë, i kuptueshëm dhe i vlerësuar nga njerëzit e të gjitha kategorive shoqërore. Një qëndrim i tillë, siç e kemi vënë në dukje edhe më sipër, pasqyrohet në thënien e tij të mrekullueshme: “Tradita është lidhje e komunikim vlerash, mbi të cilat ndërtohet e reja”. Duke e shtjelluar më tej për këtë problem, ai thotë me plotë bindje se “tradita muzikore kombëtare duhet njohur, duhet dashuruar, duhet studiuar e së fundi duhet të kthehet në pjesë organike të qenies artistike”.
Këto shkëndija në veprimtarinë e tij në fushën e muzikës ndriçojnë fabulat e krijimtarisë aq të mbarë duke ruajtur indin e folklorit tonë muzikor e sidomos të atij shkodran, jo vetëm në muzikën vokale, por edhe në atë instrumentale. Individualiteti krijues i Tonin Harapit bazohet në thënien e Mozartit: “Muzika është melodi”, çka jo vetëm ndjehet e përjetohet, por edhe i “shkon për shtat veprës së Harapit” (Spiro Ll.Kalemi).
Nuk duhet anashkaluar fakti që Tonin Harapi, me gjuhën e pasur artistike, na sjell shpirtin melodioz duke krijuar imazhe të qarta e të kuptueshme, që frymëzojnë dhe, sipas rastit, shqetësojnë, por edhe e ngrenë lart moralin në atë kohë të zymtë, të cilën e konsideron jo si bindje, por si problem që nuk di si ta zgjidhë.
Gjithnjë i pat jehuar në kokë ajo thënia mjegullore, që i pat kushtuar jo pak gjatë tërë jetës, që i ka qenë pengesë dhe ia ka frenuar hovin krijues. Është fjala për faktin që pat qenë nxënës i një shkolle fetare, të cilën pushtetarët komunistë e quanin “çerdhe e reaksionit katolik”.
Kjo përsiatje e përditshme, madje e përminutshme, ia kish pushtuar kompozitorit Harapi jo vetëm trurin, por edhe shpirtin krijues si “heshtje mortore të gjata, rrjedhojë e frikës dhe e pasigurisë për të nesërmen që mund t’i kanosej familjes Harapi”, sepse në vitet në vazhdim babai i tij, Lec Harapi, u arrestua dhe u dënua me pesë vjet heqje lirie. Ky ishte një nga treguesit e barbarisë së “çlirimtarëve”, si kredo e diktaturës së proletariatit, që kishte për qëllim zhdukjen e intelektualëve shqiptarë, në veçanti të klerit katolik, pra të ajkës së inteligjencies shkodrane dhe mbarëshqiptare.
Nëse i analizojmë kronologjikisht veprat e Tonin Harapit, do të shohim se ky krijues, siç e theksuam qysh në fillim, është i pranishëm gati në të gjitha format muzikore: këngë argëtuese, këngë për fëmijë, vepra skenike, muzikë instrumentale, vepra korale, romanca, këngë popullore të përpunuara “që kishin si referim idealet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, Gjithashtu, edhe në veprat me tituj makabër, siç ishin “Sokoleshë ushtri popullore”,”Parti zemra jonë,”Traktori dhe zumarja”, Do të jem ndihmë e Partisë”, “Të marshojmë me partizanë,,, oratorio “Fletë lavdie,,, “Partisë”,” Marshi i brigadës së parë sulmuese” dhe shumë të tjera, ndjehet përpjekja e autorit të tyre për të shkallmuar kornizat e hekurta, brenda të cilave e ndrynte ideologjia komuniste. Në to ndihet fryma e melosit tonë.
Nuk do të flasim për të gjitha veprat e tij, që, siç thamë, janë të shumta, por do të përqëndrohemi në ato të muzikës së shenjtë (sakrale).
Para se t’i analizojmë a më saktë t’i prezantojmë, po bëj një kthim pas. Tonin Harapi ndodhej në Prishtinë dhe ato ditë dirigjenti i njohur Mark Kaçinari përgatiti “Requiem”-in e Mozartit me Korin Collegium Cantorum dhe me orkestrën e Radio Prishtinës, të kombinuar me instrumentistë nga Shkupi. Ishim bashkë në koncert. Tonini dukej mjaft i qetë, por plot emocione. Që në taktet e para të kësaj vepre madhore u trondit dhe tërë kohën po këndonte me vete, edhe pse ishte “Kyrie eleison”, pastaj “Dies Irae”. Kur i erdhi radha “Lacrymosa Dies Illa”, zuri të këndonte me zë të lartë bashkë me korin, si në ekstazë. Në përfundim të koncertit e pyeta pse ishte aq i emocionuar.
M’u përgjigj duke më thënë: “Këtë vepër e kam dëgjuar shumë herë, por asnjëherë gjallë, si do që e di përmendësh. Për mua kjo ishte mbrëmja më e bukur muzikore e jetës sime”.
Nuk e vazhduam më tej bisedën, sepse me ne ishin edhe ca “shokë” nga Shqipëria. Më pas, në opusin e vet krijues, Tonin Harapi kompozoi “Requiem”-in si jehonë të asaj çka pat dëgjuar me aq ëndje, krahas veprës “Deus in adiutorium intende”, për alto soprano, tenor, bas dhe organo. Këtyre u shtohet edhe “Requiem”-i (Mesha) për solist, kor dhe orkestër.
Meqenëse nuk e kam partiturën dhe as CD-në përkatëse, nuk jam në gjendje ta analizoj. Prandaj përsëri po citoj nga libri i Spiro Ll. Kalemit “Tonin Harapi”: “Të mësuar me natyrën e gëzueshme dhe optimiste të tij (të Tonin Harapit, sh.y.), kjo kthesë drejt temës së trishtë të vdekjes iu duk atyre (pushtetarëve komunistë, sh.y.) një shenjë ogurzezë”.
Autori Kalemi thotë se Harapi pat pohuar se “shtysa për Requiem-in i vinte nga detyrimi moral që ndjente ndaj babait të tij dhe gjithë atyre që kishin vuajtur jo shumë, por tepër”.
Në realizimin e projektit të interpretimit të veprës së mësipërme, i pat ardhur në ndihmë dirigjenti i njohur Eno Koço, i cili edhe e realizoi dy herë në Britaninë e Madhe, ndërsa nga Orkeastra dhe Kori i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, u interpretua më 3 qershor 1999. Këtë vepër e orkestroi kompozitori Gjon Simoni, ndërsa nga 24 pjesët e “Requiem”-it, dirigjenti përzgjodhi vetëm 14, ndër to: “Introitus”-i, “Dies irae” dhe “Rex tremendae”, pastaj “Kyrie”, “Sanctus”, “Qui Marionabsouti”, “Lacrimosa”, “Tuba mirum”, “Sanctus”, më tej : “Benedictus”,”Agnus Di”,”Lux aeterna” dhe “Libera me”.
Me këtë vepër Tonin Harapi pasuroi krijimtarinë e shenjtë muzikore, e cila më tepër se pesëdhjetë vjet rresht ka qënë e ndaluar nga sistemi monist.
Duke gjykuar nga sa thamë deri këtu, muzika e Tonin Harapit është muzikë realiste, jo abstrakte, e bazuar në kodet e estetikës si perceptime shqisore, sepse etnologjia e artit në përgjithësi e në veçanti muzika përkrah universalitetin si koncept jo vetëm estetik, por edhe artistik.

Akil Mark Koci/Londër



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora